Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Emigracion

PJESËMARRJA E DIASPORËS OSE LAPSUSI I SAMITIT

Nëse pjesëmarrja sociale e politike është çështje themelore e shoqërive moderne, për migrantët kjo temë merr përmasa jetike. Vende si Shqipëria, për vetë historinë e saj, përfshirë periudhën totalitare, duhet ta kenë pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën sociale përparësi të padiskutueshme, brenda e jashtë vendit, aq më tepër që përbën një nga kërkesat më të forta, që vjen aktualisht nga migrantët shqiptarë në botë.

Dy fjalë për pjesëmarrjen

Që pjesëmarrja ushtrohet në shumë fusha është e qartë për të gjithë. Njerëzit marrin pjesë në veprimtari politike, shoqërore, kulturore, sindikale, fetare, e kështu me radhë. Por çdo të thotë realisht pjesëmarrje? Në qoftë se kuptimi i përgjithshëm do të thotë “të marrësh pjesë”, ose “të jesh pjesë” në një aktivitet apo grup shoqëror. Nga pikëpamja sociologjike, pjesëmarrja nënkuptohet e fortë kur njerëzit nëpërmjet saj ndërhyjnë e ndikojnë realisht e në mënyrë të dukshme në qendrat qeverisëse të një bashkësie, grupi, organizate, shteti, ndërmarrjeje, etj.; konsiderohet e dobët kur pjesëmarrja kufizohet me marrjen pjesë, në masë pak a shumë intensive, në veprimtaritë e një grupi ose bashkësie. E këtu futet votimi politik[1].

Megjithatë, nuk ka dyshim se pjesëmarrja është tipar kryesor i demokracisë[2]. Pa pjesëmarrje nuk mund të ketë demokraci. Dhe e kundërta[3]. Në fakt, kur pjesëmarrja është e kufizuar, ose e mangët, tregon se ka qytetarë që janë të margjinalizuar nga pikëpamja politike, sociale dhe ekonomike. Vetë shoqëritë e masës kanë probleme me pjesëmarrjen, që aktualisht ka hyrë në krizë në shumë vende të botës demokratike, edhe për shkak të mosbesimit tek politika dhe institucionet.

Në përgjithësi pjesëmarrja varet nga vullneti dhe mundësia e qytetarit[4]. Me fjalë të tjera, qytetari merr pjesë në jetën socio-politike kur ka dëshirë dhe kur i krijohet mundësia. Kjo do të thotë se qytetarët për arsye skepticizmi, apatie ose diçka tjetër, mund të mos marrin pjesë në aktivitetet sociale e politike; por nga ana tjetër ata duhet ta kenë mundësinë që të marrin pjesë, përndryshe janë të detyruar të rrinë jashtë rrjedhave shoqërore. P.sh. në epokën totalitare shqiptarët nuk mund të merrnin pjesë lirisht në veprimtaritë ose vendimmarrjet e ndryshme. Pjesëmarrja ishte fiktive.

Pjesëmarrja ushtrohet në disa nivele[5], por karakteri mbetet kryesisht social e politik. Me pjesëmarrjen njeriu jo vetëm rreket t’i ndryshojë vendimet e bashkësisë ku bën pjesë, por realizon edhe përmasat e veta identitare në shoqëri.

Në limbon e qytetarisë

Format e pjesëmarrjes politike janë të shumta: votimi, anëtarësia në parti politike, manifestime, tubime, ndihma për grupime politike, mbledhje me karakter politik, përhapja e informacioneve politike, nisma në fushata elektorale, etj. Tani, veprimtari nga këto zhvillohen rregullisht nga migrantët shqiptarë, ja me shpërndarje informacioni, ja me mbledhje e tubime, sikurse e ndikojnë jetën politike në mënyrë indirekte. Por akti i votimit është ai më i rëndësishmi, që ndikon më fort e më dukshëm jetën politike të vendit.

Dy kanë qenë konstantet e çështjes së votimit për migrantët shqiptarë: kërkesa e tyre e vazhdueshme për ta ushtruar të drejtën dhe premtimet e përsëritura të politikës shqiptare. Insistimi i migrantëve shqiptarë, në mënyrë individuale ose të organizuar, duhet parë në një këndvështrim të gjerë, që ka të bëjë me pjesëmarrjen, identitetin dhe të drejtat kushtetuese. Nëse migrantët duhet të votojnë për zgjedhjet shqiptare, apo në vendet e huaja ku jetojnë rregullisht, është temë që kërkon trajtim të veçantë. Problemi është se një pjesë e madhe e migrantëve shqiptarë nuk e ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes së përfaqësuesve që dëshirojnë, as në Shqipëri e as jashtë shtetit.

Në qoftë se pjesëmarrja në jetën sociale e politike të bashkësisë së vet përbën një nga përmasat e qytetarit, atëherë duhet t’i përfytyrojmë një pjesë të shqiptarëve si të cunguar nga pikëpamja e shtetësisë e përkatësisë. Nuk do ta tepronim sikur t’i shihnim të cenuar në integritetin e tyre njerëzor, për sa kohë u mohohet (në thelb) e drejta e votimit, pra e zgjedhjes; pa përmendur të drejtën pasive zgjedhore. Ka qytetarë shqiptarë që nuk kanë votuar për dhjetëvjeçarë, sepse kanë ikur pa mbushur moshën madhore nga Shqipëria dhe kanë pritur me vite për të marrë shtetësinë e vendit tjetër.

Zakonisht politika shqiptare është mbrojtur duke u justifikuar, sa me naivitet aq edhe me shejtanllëk, se migrantëve shqiptarë nuk u është hequr e drejta e votës. Mund të vijnë në Shqipëri e të votojnë. E vërtetë, pa dyshim. Nga pikëpamja formale kështu është, por nga pikëpamja thelbësore migrantët shqiptarë nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e votës për arsye shpenzimesh, kohe, pamundësie, etj. Një emigrant nga Greqia ose Italia, në kushte ideale e në largësi të pranueshme, pra ata që janë afër kufirit me Shqipërinë, mund edhe ta bëjnë sakrificën personale për të ushtruar të drejtën e votimit. Por të tjerët e kanë shumë të vështirë, sepse shpenzimeve marramendëse të transportit duhet t’i shtojmë kohën, lejen nga puna, angazhimet familjare, etj. Në thelb votimi i migrantit bëhet i pamundur, anipse në letër është shkruar për bukuri[6].

Diskutimi nëse shqiptarët, ose cilët shqiptarë, duhet të votojnë në vendet ku kanë emigruar, apo në Shqipëri, edhe pse legjitim, duhet bërë në vend tjetër. Fakti është se ka plot qytetarë shqiptarë që gjenden në limbon e mosvotës, pra të mospjesëmarrjes, çka do të thotë se janë qytetarë të ndrydhur, përderisa nuk mund të shprehin mendimin e tyre nëpërmjet votës[7]. Nga pikëpamja e shtetësisë dhe e zgjedhjeve janë qytetarë fantazma.

Le t’i lëmë mënjanë argumentet e pakontestueshme të rëndësisë së migracionit nga pikëpamja ekonomike. Le t’i harrojmë për një çast grafikët e shifrat lodhëse të remitancave. Tek e fundit, për sa kohë do ta kenë pasaportën shqiptare, edhe kur kanë dyshtetësi, migrantët kanë të drejtën kushtetuese për të votuar. Por në praktikë kjo nuk mund të bëhet, ose rezulton e vështirë, po të shtojmë gjithashtu problemet burokratike me listat e zgjedhësve, që nuk kanë munguar në Shqipëri.

Migranti është figurë me përkatësi të shumta, që nuk duhet të bien në konflikt me njëra tjetrën, por as të shuhen në krahët e apatisë; kjo gjendje problematike shpirtërore mund të prekë deri ekuilibrin identitar të migrantit, që mund të shkojë nga frustrimi për shkak të margjinalitetit shoqëror deri tek refuzimi i identitetit kombëtar dhe asimilimi përfundimtar[8].

Lapsusi i Samitit

Deri më sot, forcat politike shqiptare nuk janë shprehur kundër votimit të migrantëve shqiptarë në botë. Përkundrazi, kanë bërë premtime të njëpasnjëshme, madje duke përmendur edhe zgjidhje teknike për të ardhmen, si ajo e votimit elektronik. Gjatë viteve të pluralizmit, në politikën shqiptare ndaj çështjes së pjesëmarrjes sociale e politike të migrantëve janë vërejtur në përgjithësi qëndrime me bazë apatinë, indiferencën e konfuzionin. Ka pasur gjithashtu retorikë të pompuar në favor të pjesëmarrjes, ku duhen futur edhe ato rastet episodike, gjithsesi për t’u përshëndetur, kur janë përfshirë në strukturat shtetërore shqiptarë me profesionalizëm, që kanë jetuar jashtë shtetit.

Mungesën e urave mes qytetarëve me banim jashtë shtetit dhe Shqipërisë dhe nevojën e lidhjeve me diasporën e ka pranuar publikisht edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e ka konsideruar “aktivitet historik, të parin e këtij lloji në historinë e kombit tonë”, Samitin e Diasporës shqiptare, që do të zhvillohet në datat 18-20 nëntor 2016 në Tiranë.

Mirëpo, po ta shikosh me vëmendje programin e shpërndarë të këtij samiti dallon elemente interesante e të diskutueshme. Para së gjithash, të krijohet përshtypja sikur programi është konceptuar fillimisht në anglisht e më pas është përkthyer në shqip. Mund të jetë shkruar nga ndonjë ekspert i huaj. Në vetvete nuk do të ishte aspak problem i veçantë, meqë ekspertët ndërkombëtarë na i shkruajnë ligjet e kushtetutat prej dhjetëvjeçarësh. Vetingu docet. Megjithatë, pritet që një vend si Shqipëria, që migracionin e ka histori, kulturë, praktikë e plagë njëkohësisht, t’i kishte krijuar aq kompetenca të brendshme, sikurse edhe ekzistojnë, sa të shkruanin një program njëditor, me disa panele diskutimi, pa aktivizuar aplikacionin e huazimit mekanik. Me fjalë të tjera, nga Shqipëria, që ka rreth një të tretën e qytetarëve jashtë vendit, rast i rrallë në botë po të kihet parasysh koha e përqendruar e migracionit, priten mësime, ndjeshmëri e gjetje origjinale, jo marrje në mënyrë shabllone.

Programi i Samitit të Diasporës dhe materiali shoqërues është stimulues në shumë aspekte[9]. Nuk mund të mos bien në sy gabimet formale, të parëndësishme sikur të mos kishte qenë akt zyrtar me përhapje botërore. E këtu ka vend plot për ata që duan të argëtohen me analizë teksti. Për shembull, paneli i katërt, që do të mbahet në Teatrin Metropolitan ka këtë titull në shqip: “Dija mbi të gjitha: Si të shfrytëzojmë më mirë kapacitetet dhe mundësitë, përfshirë për të ruajtur gjuhën dhe identitetin”. Kurse në anglisht është dhënë në këtë mënyrë: “Education is above everything: How to best make use of capacities, possibilities and opportunities, including for the preservation of our language and identity abroad?”. Sipas gjasës, siç e thamë, përkthimi është bërë nga anglishtja në shqip. E tepërt të shtojmë se, edhe pa qenë ekspertë, gjenden gabime gjuhësore (përfshirë për të ruajtur…?!), por edhe konceptuale, meqë education është arsim, pavarësisht se pastaj arsimi ka të bëjë me dijen. Do të flitet për arsimin në veçanti, apo për dijen në përgjithësi? Rreziku është që shqipfolësit të marrin vesh një gjë dhe anglishtfolësit diçka tjetër. Panele që rrezikojnë rrëmujën tematike pa filluar mirë.

Por lapsusi më domethënës, që duhet parë së paku në këndvështrimin frojdian, vërehet tek titulli i panelit të tretë, që do të zhvillohet në Muzeun Kombëtar: “Të organizuar mund të ndikojmë atje ku jetojmë por edhe në Atdhe: Është koha për një koncept të ri”, kurse në anglisht “An organized Albanian Diaspora may have a better impact where it lives and get involved in the political and social life in the Homeland. It is time for a new concept”. Le të lëmë mënjanë pasaktësitë e vogla si shenjat e pikësimit, që nxjerrin kokën nëpër material me kryeneçësi. Thelbësorja është se në titullin shqip është harruar tërësisht, me një të rënë të lapsit do të thoshim dikur, koncepti i pjesëmarrjes, ose i përfshirjes, në jetën shoqërore e politike. Pikërisht tema e rëndësishme për të cilën folëm pak më sipër. Përse vallë?

Sikur titulli shqip të ishte dhënë ndryshe, ta zëmë “Një diasporë e organizuar mund të ndikojë më mirë atje ku jeton dhe mund të përfshihet në jetën politike e sociale në Atdhe. Është koha për një koncept të ri”, ose me ndonjë riformulim ndryshe, do të kishim një tjetër temë, ku organizimi e ndikimi ndërthuren si koncepte me përfshirjen[10] në jetën shoqërore e politike. Edhe sikur ta pranonim me zemërgjerësi gabimin teknik të titullit, përsëri rezultati nuk do të ndryshonte. Në shqip zhduket si pa të keq koncepti i pjesëmarrjes politike, pikë nevralgjike për migrantët shqiptarë, që e ndjejnë veten të margjinalizuar e të përjashtuar nga proceset sociale të vendit të tyre.

Pjesëmarrja si spirancë

Duket sikur pjesëmarrja politike e migrantëve është tabu për politikën shqiptare, pavarësisht nga fjalët e mira e projektet që dëgjohen për “zgjedhjet e ardhshme”. Në fakt, qeveritë e ndryshme e kanë premtuar gjithnjë votën për zgjedhjet e mëpasshme. Derisa e kanë humbur mazhorancën, për të kaluar në opozitë e për të kërkuar sërish mbështetjen e migrantëve. Fakt është gjithashtu se çështja e votës nuk është marrë asnjëherë seriozisht e nuk është shtruar në tryezë për zgjidhje. Do të kishte qenë më e ndershme t’u thuhej migrantëve shqiptarë se nuk do të kenë kurrë mundësi të votojnë atje ku jetojnë, as me postë e as me kompjuter, e t’u shpjegoheshin arsyet: politike, jo teknike. Sinqeriteti mbi të gjitha, edhe pse është fjalë e rrallë në politikë.

Frika është se mos emigrantët, si shumë gjëra të tjera, ta përmbushin këtë nevojë me forcat e veta, pa ndihmën e shtetit shqiptar. Siç dihet, numri i shqiptarëve që marrin shtetësinë e huaj po rritet progresivisht nga viti në vit, çka sugjeron se nevoja e pjesëmarrjes do të zgjidhet në një farë mënyre nga pasaporta e shtetësisë së re. Sikurse mund të përfytyrohet lehtë, prapa derës gjendet rreziku i indiferencës dhe i asimilimit total[11].

Edhe pse rastet pozitive, gjithsesi sporadike, nuk mungojnë, pra të përfshirjes së migrantëve, vitet e fundit, në diasporë ndjenja se politikanët shqiptarë duan vetëm t’i përdorin migrantët si lopë, për t’i mjelë kur kanë nevojë, ose si limon për t’i shtrydhur, ose thjesht për efekt reklame, po shkon drejt bindjes; për sa kohë nuk shohin ndonjë vullnet të prekshëm, përveç skenave, ekraneve, fishekzjarrëve, fjalëve të bukura dhe selfie-ve me sfond kuqezi[12]. E këtu nuk mund të lëmë jashtë të pashmangshmin “emigrant të suksesshëm”, që valëvitet zakonisht për konsum mediatik.

Diaspora, natyrisht, nuk ekziston në njëjës, as nuk mund të konceptohet jashtë shumëllojshmërisë së mendimeve të qindra mijëra migrantëve në botë. Ajo përmban ngjyra, nuanca, zëra e tonalitete nga më të ndryshmet; edhe nga pikëpamja politike. Por kjo është forca e saj, jo dobësia. Migrantët kanë gjithnjë shpresën e dëshirën natyrale për të marrë pjesë në zhvillimet e vendit, qoftë për të realizuar ëndrrën e kthimit, e njëmendtë apo e pavetëdijshme qoftë. Por u duhen krijuar kushtet e duhen ndihmuar. Një pjesë e tyre, pas zhgënjimit e pritjes së gjatë, rrezikon të largohet gradualisht, si ai uji që derdhet në det, pa krijuar energji e pa vaditur fushat. Me një peng të madh në zemër.

 


[1] Luciano Gallino, Dizionario di sociologia, Utet, Torino 1993, p. 479-480.

[2] Po aty.

[3] Për t’u shënuar se doktrina sociale e Kishës katolike e konsideron pjesëmarrjen si detyrë, që duhet ushtruar në mënyrë të vetëdijshme nga ana e të gjithëve, gjithashtu në mënyrë të përgjegjshme, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët. Madje, nënvizohet se çdo demokraci duhet të jetë pjesëmarrëse, duke shtuar edhe konceptin interesant të pjesëmarrjes solidare. Shiko I principi della dottrina sociale della Chiesa, Libreria editrice vaticana, Città del Vaticano, pp. 102-103.

[4] Luigi Pellizzoni,  Politiche pubbliche e nuove forme di partecipazione,”Partecipazione e Conflitto” – 2008, n. 0, pp. 93-116 .

[5] Paolo Ceri jep këto nivele: pjesëmarrja si përmbushja e një roli, pjesëmarrja si raport vendimarrës, pjesëmarrja si veprim. Paolo Ceri, Partecipazione sociale, Enciclopedia delle scienze sociali, Treccani, 1996.

[6] Këtu dalin hapur edhe mangësitë e politikave të transportit të qeverive shqiptare. Mungesa e një shoqërie ajrore kombëtare ose e marrëveshjeve lehtësuese me shoqëri të tjera për kategori të caktuara qytetarësh bëhet pengesë serioze për ardhjen e migrantëve në atdhe e jo vetëm por arsye votimi, por edhe familjare e turistike.

[7] Rando Devole, L’immigrazione albanese in Italia, Agrilavoro Edizioni, Roma 2006, p. 202.

[8] Aty, p. 203.

[9] Programi i nismës, në version paraprak, u është adresuar, së bashku me ftesën, shumë përfaqësuesve, drejtuesve, veprimtarëve në diasporë. Një kopje, që na ra në dorë, mund të konsultohet këtu.

[10] Nga këndvështrimi ynë koncepti i pjesëmarrjes dhe i përfshirjes janë si të thuash dy anë të së njëjtës medalje. Ndryshon vetëm kahu i veprimit. Në fakt, edhe fjalori shqip e shpjegon formën vetvetore të foljes përfshihem si “Marr pjesë në një veprimtari, hyj si pjesëmarrës diku”.

[11] Mund të bëhet një paralelizëm midis shqiptarëve jashtë shtetit dhe atyre që banojnë në Shqipëri. Të dytët nuk janë aspak imunë ndaj indiferencës, dhe rrezikojnë të bëhen alergjikë ndaj pjesëmarrjes në çështjet publike, sidomos në kushtet e bymimit të partive dhe pafuqisë për t’i ndryshuar gjërat. Pjesëmarrja reale përbën çështje të domosdoshme për shoqërinë shqiptare.

[12] Rando Devole, Ura mbi det: emigracioni shqiptar në Itali, Ora Botime, Tiranë 2008.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin