Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Letërsi

ARSYET E KARVANIT

Kur mbërritëm ne në lokal, e gjetëm zotin Shyti që kish arritur tashmë dhe kish hyrë menjëherë në një debat impromptu me një burrë të shkurtër tullac tek tavolina përbri, të cilin të gjithë e njihnim veç si Qemolin e Institutit.

Kot e ngatërron këtë punë, i thoshte Qemoli: ka një karvan që marshon përpara, ka edhe qen që lehin, sepse duan që karvani të ndalojë. Por karvani nuk mund të ndalojë sa herë që i leh një qen, xhanëm! Në qoftë se puna e qenit është që të lehë, puna e karvanit është që të vazhdojë të bëjë përpara. Ne në popull kështu e përdorim.

Shyti pa nga ne gjithë dëshpërim, teksa merrte vrull mendor për kundërpërgjigjen. Ti fol në emrin tënd, jo të popullit, i tha ai Qemolit. Ti fol në emrin tënd, që të flas edhe unë në emrin tim, jo të kafenesë. Dhe unë i nënshkruari, në emrin tim personal jo të kafenesë, ja ku po të them që kjo shprehje nuk ka ndonjë kuptim të qartë. E para, sepse nuk merret vesh nëse qentë i lehin karvanit apo jo, meqë mund të ndodhë që edhe qentë të jenë pjesë e karvanit; dhe nëse janë pjesë e karvanit, ata lehin sepse kanë pikasur ose nuhatur ndonjë rrezik që i kërcënohet karvanit, por që personi që ka në ngarkim karvanin e gjykon si jo dhe aq serioz, sa të ndalet karvani. Çfarë do ta rrëzonte supozimin tënd, Qemol, se qentë i lehin karvanit sepse ndihen ata vetë të kërcënuar.

Qemoli i Institutit nuk ishte nga ata që zbytheshin para këtij sulmi të lehtë këmbësorie. Unë nuk thashë gjë që qentë po i lehnin karvanit, tha ai; por vetëm pranova se dy ngjarjet e pranëvëna, ose lehja e qenve dhe përparimi i karvanit, ndodhnin njëkohësisht dhe kishin njëfarë lidhjeje mes tyre. Qentë mbase i lehnin Hënës ose njëri-tjetrit; por ndokush, nga karvani, mund të kujtonte ndryshe; sikurse ndokush tjetër mbase i priste qentë që të lehnin dhe do të shqetësohej, si Sherlock Holmes-i, sikur qentë që pritej të lehnin, të mos lehnin.

Nuk e the, vërtet, por ama e nënkuptove, tha z. Shyti, që qentë po i lehnin karvanit; në një kohë që unë ta argumentova se qentë fare mirë mund t’i lehnin jo karvanit si karvan, por një rreziku pa emër, që mund t’i kërcënohej karvanit nga errësira. Çfarë do të thotë se qentë për të cilët bëhet fjalë mund të jenë të fshatit afër të cilit po kalon karvani; por mund të jenë edhe palë e karvanit vetë. Dhe, në të dy rastet, ata janë në rolin e tyre të pritshëm, ose që ua ka dhënë instinkti dhe besuar kultura: ata lehin jo sepse duan të trembin njeri, dhe as të ndalin karvanin – përparimi i një karvani, nga pikëpamja e një qeni çfarëdo, është diçka pa kurrfarë rëndësie dhe domethënieje; por lehin sepse duan të lajmërojnë për diçka. Tani, në qoftë se këta janë qen fshati, ata mbase po lajmërojnë të zotët se po afrohet karvani, ky entitet kompleks, që lëshon dhe shpërhap nëpër natë gjithfarë erërash, aromash dhe kutërbimesh dhe që, me mendjen e qenve, mund të përbëjë rrezik për fshatin; por në qoftë se flasim për qen si palë të karvanit, ata kushedi lehin për të lajmëruar të zotët e tyre, në karvan, për një rrezik çfarëdo që u avitet, për shembull një fshat armiqësor.

Prit, prit, z. Shyti; ndale pak hovin, i tha Qemoli. Ma ke bërë edhe herë të tjera kështu: më vë përpara në tavolinë gjithfarë alternativash, që të më hutosh dhe unë të mos di se nga ta filloj kundërshtimin. Por këtë herë nuk të lejoj të më hedhësh hi syve, prandaj le ta fillojmë këtë muhabet për së mbari: kjo thënia “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, sipas teje, është proverb kryesisht për qenin apo kryesisht për karvanin? Unë do të thoja për karvanin më shumë se për qenin, sepse shkolla linguistike e Pragës nuk më lë hapësirë për hipotezën e kundërt – dhe mjaft të shohësh për këtë renditjen e dy pjesëve të proverbit, në kuptimin që pjesa asertive ose pohuese, ose ajo që ka të bëjë me karvanin, e ndjek pjesën e parë, atë të qenve.

E çë pastaj? – tha z. Shyti, mospërfillës.

Nëse pranojmë se ky proverb na thotë diçka për karvanin, para se të na thotë diçka për qentë, tha Qemoli i Institutit, atëherë do të pranojmë edhe që pjesa e tij e parë, ose qentë që lehin, sillet në vështrim si pengesë për kryerjen e veprimit të shënjuar nga pjesa e dytë; pra një pengesë për karvanin, por që megjithatë nuk është e tillë, ose aq e rëndësishme, sa ta detyrojë këtë të fundit të ndalet ose fundja të ndërrojë rrugë. Preokupimi i proverbit nuk është me qentë, në këtë rast; po me karvanin dhe pikërisht: a do të ndalet karvani, apo do të vazhdojë të ecë përpara, pavarësisht nga ç’bëjnë qentë?

O zotëri i mirë, i tha z. Shyti Qemolit, ti nuk më ke shpjeguar mua kryesoren: ç’punë i prish qenit, nëse karvani vazhdon të ecë përpara, apo ndërron rrugën dhe kthehet majtas ose mbrapsht, apo edhe ndalon krejt? Për mendimin tim, asnjë punë nuk i prish. Në qoftë se qentë janë të fshatit, dhe karvani i afrohet fshatit nga jashtë, qentë lehin jo se duan ta ndalojnë karvanin, por sepse duan të lajmërojnë të zotët e tyre për këtë karvan që afrohet; dhe në këtë skenar, shprehja ‘qentë le të lehin, karvani shkon përpara’ është reagim tipik prej krye-karvanari kapadai, të cilit i kanë ardhur ndihmësit t’i thonë se kanë dëgjuar qen të lehin; dhe ky u është përgjigjur, vazhdoni rrugën, se nuk do rrimë ne të ndalojmë për çdo qen që leh. Dhe mbase me mendjen e vet ky kujton se ka të drejtë; meqë karvani nuk ka ndërmend të sulmojë fshatin, por vetëm t’i kalojë afër, sipas parimit të pashkruar as nuk të ngas, as mos më ngit. Kushedi rreziku i vërtetë, gjithnjë sipas këtij skenari, nuk është karvani për fshatin, por fshati për karvanin; sepse kemi dëgjuar për karvanë që sulmohen natën prej fshatarëve të uritur a të babëzitur, por nuk kemi dëgjuar për fshatarë që sulmohen natën prej karvanëve. Dhe aq më pak mund të themi se rreziku për karvanin janë qentë vetë.

Këtu Qemoli i Institutit mori frymë thellë, si për t’u siguruar që z. Shyti nuk e kish harxhuar krejt oksigjenin në dispozicion brenda kafenesë: Tani po na shfaq filma, Shyti, tha, dhe psherëtiu. Me shpresë se do të na hutosh aq sa të harrojmë se qeni shpesh leh nga frika, ose kur nuk di se ç’të bëjë tjetër. Dhe refuzon ta kuptosh që qeni lehës nuk e ka idenë se çfarë po i afrohet: karvan, apo tabor me ushtarë, apo çetë komitësh; nuk e peshon as e gjykon dot rrezikun; prandaj bën atë që mundet, jo atë që duhet. Prandaj krye-karvanari doemos ka të drejtë të porositë vartësit e vet që të mos ua vënë veshin qenve, por të vazhdojnë rrugën; sepse një karvan serioz nuk mund t’ia lejojë vetes që të ndalet dhe të hetojë sa herë që dëgjohet ndonjë e lehur qeni gjëkundi.

Po nuk e di ti, o Qemol, ia ktheu këtij z. Shyti, se sa karvanë kanë shkuar për lesh, pikërisht ngaqë krye-karvanarët nuk ua kanë varur shenjave paralajmëruese? Ose, edhe më keq akoma, e kanë analizuar vetë paralajmërimin si të ishte rrezik potencial dhe pastaj e kanë shpërfillur, në kuptimin që kanë menduar se qentë që lehin nuk kanë se ç’t’i bëjnë një karvani të organizuar mirë? Pa folur pastaj për të gjithë ata skenarë të tjerë, të cilët ti i shpërfill, dhe ku qentë që lehin janë qen të karvanit që mbase lehin edhe për t’iu përgjigjur qenve të tjerë, atyre që nuk janë të karvanit; sepse karvanët që di unë nuk shkonin asgjëkund pa qen me vete, qoftë edhe për t’u mbrojtur nga qentë e rrugëve ose të katundeve anës xhadesë ose edhe nga çdo rrezik tjetër i papritur sidomos natën, ose kur operohet vetëm me veshë dhe me hundë. Qentë aso kohe kanë qenë si sistemet elektronike të alarmit sot, o Qemol; dhe ai krye-karvanar që nuk ua vinte veshin shenjave të tilla, një ditë prej ditësh do të gdhihej pa karvan fare. Prandaj unë të them se populli vërtet mund ta përdorë këtë ‘qentë le të lehin, karvani shkon përpara’ në muhabet, por ama origjinë ky nuk ka qenë proverb që e përcjell drejtpërdrejt një këshillë ose udhëzim; por thënie a citat shembullor, që e bart mësimin moral tërthorazi, në kuptimin që ata që thonë kështu, janë tipa që nuk pyesin për rrezikun edhe kur u fanitet përnjëmend përpara. Me kohë kjo erdhi dhe u shtrembërua, ndoshta edhe nën ndikimin e interesuar të vetë krye-karvanarëve në ligjërim, aq sa tani të jetë veshur tebdil si proverb. Dhe këtë ta thotë një si unë, të cilin nuk e njeh kush si dashamirës të qenve, përkundrazi.

Ma mbushe mendjen, Shyti, tha Qemoli i Institutit, pa u kuptuar mirë nëse me ironi apo me tërë mend; vetëm se mos kujto se mua më shpëtoi që gjithë pjesa e dytë e argumentit tënd mbështetej mbi një interpretim që ishte yti, jo imi. Qentë e tu, Shyti, i lehën një karvani që s’ishte imi; ose më mirë, një kundër-karvani, që e sajove ti sipas midesë, që pastaj ta shpartallosh. Po fajin e kam unë, që hyj në debate me ty që në sabah.

3 Komente

  1. Një gjë nuk kuptova, pasi është e qartë si drita e diellit (të Saharasë) që qentë u lehin deveve: karvani është këmbësor, a si?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin