Shumëkujt do t’i ketë ndodhur që, në mes të një diskutimi rreth një çështjeje që ky e gjykon me interes, ta ndërpresin duke i thënë se kjo çështje është e dorës së dytë ose minore dhe se problemet e mirëfillta që shqetësojnë njerëzit janë të tjera. Ndokush nga ne madje mund edhe ta ketë bërë këtë vetë, në ndonjë diskutim. Për shembull, ti thua a shkruan se plazhi i Durrësit t’u duk shumë pis këtë vit dhe ai tjetri të qorton se njerëzit nuk kanë bukë të hanë, ti flet për plazhet; ose ti thua se nuk ke ku të parkosh makinën dhe ai tjetri ta pret se halli u duhet qarë atyre që nuk kanë makina fare; ose ti thua se çmimet e abonimit në palestër janë rritur shumë këtë vit dhe ai tjetri të thotë se qenke i privilegjiuar që arrin deri edhe të mendosh që të abonohesh në një palestër; ose ti ankohesh për shërbimin në një lokal dhe ai tjetri të thotë sa mirë të del koha të shkosh edhe në lokale.
Kjo është një teknikë argumentimi që e përdorin trollët, por edhe njerëz që e kanë seriozisht dhe që vërtet mendojnë se vlera e një argumenti ndikohet edhe nga pesha e problemit që të shqetëson ty në raport me problemet e tjera, që shqetësojnë atë ose që ai beson se duhej të na shqetësonin të gjithë. Italishtja ka një emër për këtë patologji të debatit: benaltrismo, dhe për këdo që e manifeston: benaltrista, që rrjedhin, të dyja fjalët, nga shprehja ben altro, me kuptimin “diçka krejt tjetër”, ose që “i problemi sono ben altri.”
Shumë prej këtyre benaltristëve as që e kuptojnë sa irrituese janë ndërhyrjet e tyre, sa poshtëruese për “kundërshtarin”, sa kohë që në vend që t’ia konsiderojnë atë çfarë thotë, ia hedhin poshtë duke ia shkulur që në rrënjë; tek e fundit, t’ia hedhësh poshtë tjetrit arsyen për t’u shqetësuar është më e rëndë, psikologjikisht, se t’i thuash që e ka gabim; sa kohë që ne si rregull futemi në diskutime dhe debate publike me bindjen se po mbrojmë një të mirë të përbashkët, nga një rrezik që, sipas perceptimit tonë, na kanoset pak a shumë të gjithëve; dhe një gjë është të thuash se ky rrezik nuk është aq i madh, dhe një gjë tjetër të thuash se ky shqetësim yti është pa vend… përballë shqetësimeve reale, të mirëfillta të njerëzve.
Një teknikë propagandistike e ngjashme me benaltrizmin përdorej rëndom në vitet e Luftës së Ftohtë, sidomos nga pala sovjetike, në përpjekje për të diskredituar një pozicion duke vënë në dukje se edhe pala kritikuese nuk kish vepruar në pajtim me atë pozicion; për shembull, kur Perëndimi kritikonte trajtimin psikiatrik të disidentëve nga Bashkimi Sovjetik, sovjetikët përgjigjeshin me kundër-argumentin se mendjet më brilante në Perëndim po shkatërroheshin nga drogat. Këtë teknikë e kanë quajtur, në anglishte, whataboutism, meqë në anglishte shprehja “what about…” shpesh u paraprin kundërshtimeve të kësaj natyre.
Disa vëzhgues të mediave dhe të propagandës kanë konstatuar një rikthim të kësaj teknike në komunikimin publik të regjimit të Putinit, ndërsa të tjerë kanë vërejtur se whataboutism-i është karakteristikë e mendësisë sovjetike. Edhe për shkak të trashëgimisë sonë kulturore nga vitet e regjimit totalitar, kjo teknikë e manipulimit të debatit është nga rrejshmëritë (fallacies) më të rëndomta, në forumet e sotme online; por edhe në çdo forum tjetër ku debatohet publikisht, si në programet televizive ose në parlament; shpesh edhe e ndërthurur me argumente ad hominem të llojit “ti pse nuk flet për kohën kur ishe vetë drejtor i Cirkut dhe nuk arrite të vije një shfaqje në skenë”.
Në fakt, disa përplasje me jehonë të madhe mediatike, që kanë ndodhur midis protagonistëve të show business-it mediatik, mund të përdoren si modele të benaltrizmit të ndërthurur me ad hominem, në leksionet e artit të debatit, në universitetin e ardhshëm të gazetarisë në Martanesh. Koncepti dhe vetë teknika kanë një lidhje edhe me traditën dhe urtësinë popullore, siç mund të shihet nga proverba të tipit “sheh qimen në syrin e tjetrit dhe nuk sheh trarin në syrin e vet”; dhe që i referohet, në analizë të fundit, një thënieje të Jezuit: “Përse shikon lëmishtën në syrin e tjetrit dhe nuk vë re traun që ke në syrin tënd” dhe më tej “Ose si do t’i thuash vëllait tënd: ‘Më lër të nxjerr lëmishtën nga syri yt’, kur ke traun në syrin tënd’; dhe më tej akoma: ‘Ti hipokrit, hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh më qartë, që të nxjerrësh lëmishtën nga syri i vëllaut tënd.’ (Mateu 7:1-5, Predikimi në mal, përkthimi i Vladimir Dervishit). Me sa duket, edhe Jezui nuk i ka rezistuar dot tundimit të whataboutism-it.
E megjithatë, ky denoncim i hipokrizisë ngjan, por nuk përkon krejt me benaltrizmin; sepse ky i fundit nuk akuzon vetvetiu për hipokrizi, por vetëm për paaftësi për të krahasuar problemet dhe për të dalluar çfarë është më e rëndësishme nga çfarë është më pak e rëndësishme. Prandaj edhe versioni benaltrist i argumentit të Jezuit do të ishte: “përse shikon lëmishtën në syrin e dikujt dhe nuk vë re traun në syrin e dikujt tjetër”; ose, edhe më mirë: “përse merresh me lëmishtën në syrin e dikujt, gjatë kohës që këtij tjetrit po ia hanë sytë korbat.”
Natyrisht, i formuluar kështu, argumenti qëndron. Kur njerëzit nuk kanë bukë të hanë,nevoja për të kufizuar konsumin e karbohidrateve komplekse duhet përsiatur me shumë takt; një të sëmuri terminal nuk mund t’i flasësh për rëndësinë e aktivitetit fizik të përditshëm; sikurse është punë e kotë ta angazhosh eunukun në një debat për përvojat e trishtimit post-koital. Edhe këtu populli është shprehur: “mua më digjet mjekra, ti kërkon të ndezësh cigaren” (me variante të ndryshme).
Problemi kryesor me benaltristin është se ai kërkon të imponojë opinionin e vet, se për çfarë duhet debatuar, në një bisedë që tashmë ka filluar; dhe se jo rrallë, prapa kësaj përpjekjeje, edhe kur nuk fshihet dëshira për të dalë nga një pozicion humbës, fshihet dëshira tjetër, për të vendosur kontroll mbi të tjerët ose për t’u paraqitur si interpret i common sense-it; ose edhe më shpesh akoma, për ta goditur kundërshtarin, simbolikisht, me shuplakë turinjve.