Tashmë është bërë traditë, sikurse e pohojnë edhe institucionet, që në verën e çdo viti, të organizohet seminari mbarëkombëtar me mësues të gjuhës shqipe në diasporë. Në këtë nismë, e cila realizohet falë bashkëpunimit midis Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, marrin pjesë mësuesit e shqipes (mësimi plotësues) në diasporë.
Aktiviteti kërkon vëmendje në shumë aspekte, nga aspektet e mësimdhënies tek politikat kulturore, nga nevoja për mësimin e gjuhës shqipe deri tek ndryshimi i diasporave në epokën e globalizmit. Por nuk është ky rasti i duhur. Megjithatë, nuk janë pa rëndësi disa detaje të nismës, që në pamje të parë duken dytësore. Për t’u kujtuar se këtë vit seminari u mbajt në Shkodër, por herë të tjera është mbajtur në Kosovë.
Deklarata e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (botuar në faqen zyrtare të internetit në 3 Gusht 2016) bie në sy që nga titulli: “Seminari i XII mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”. Së pari për objektivin ambicioz të mësimit të gjuhës shqipe të kulturës shqiptare, së dyti për fjalët “diasporë dhe mërgatë”.
Të mësosh gjuhën dhe kulturën shqiptare është diçka pozitive, por deri pak kohë më parë flitej vetëm për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Pra kemi një ndryshim thelbësor në synimet e Ministrive përkatëse. Një gjë është të mësosh shqip, një gjë tjetër është të mësosh kulturën shqiptare. Nga pikëpamja e angazhimit e të investimit janë dy gjëra të ndryshme. Si rrjedhojë, edhe masat administrative për arritjen e qëllimit madhor duhet të respektojnë përpjesëtimet e duhura.
Deri një vit më parë seminari i mësipërm i kushtohej mësimit shqip në diasporë. Kështu thuhej në publik, kështu jepej në media. Këtë vit, jo pa habi, vihet re shtesa e fjalës “mërgatë”. Me siguri organizatorët e kanë shpjeguar këtë ndryshim cilësor të seminarit, sepse nënkupton së paku shtrirjen më të gjerë të mësimdhënies, por për ata që nuk ishin të pranishëm (si puna jonë) mbetet mister. Çfarë dallimi ka diaspora nga mërgata? Po të shikonim fjalorët, jo shumë. Fjalori i Shqipes 1984 e shpjegon kështu mërgatën: “Njerëzit e mërguar në dhe të huaj, mërgimtarët. Mërgata shqiptare e Misirit”. Kurse Fjalori i 2006: “Njerëzit e mërguar, mërgimtarët”. Ndërsa fjalën diasporë e ka vetëm ky i fundit me këtë përkufizim: “1. Shpërngulja e një grupi të një etnie a të një kombi dhe vendosja në një vend tjetër për të jetuar e për të punuar. 2. Ngulim i një grupi të një etnie a të një kombi në një vend tjetër: shqiptarët e diasporës”.
Dallimi mund të hamendësohet, por interpretimet mund të ishin të gabuara. Edhe specialistët mund të ngatërrohen. Dallimi është kohor apo hapësinor? Varet nga periudhat e migrimit, apo nga vendet prej të cilave janë nisur? Kanë lidhje vendmbërritjet? Përndryshe, lind dyshimi që Samiti i Diasporës, që do të zhvillohet në nëntorin e këtij viti në Tiranë, mund të jetë i mangët, sepse lë jashtë mërgatën. Apo mërgata është vetëm kosovare? Po të ishte kështu, përse deri vitin e kaluar është folur vetëm për mësuesit në diasporë?
Në deklaratën e lartcituar thuhet:
Në seminar marrin pjesë 130 mësues nga Kosova dhe Shqipëria, që japin mësim në gjuhën shqipe në diasporë dhe te emigrantët shqiptarë në vende të ndryshme të Europës si Angli, Austri, Finlandë, Greqi, Gjermani, Kosovë, Kroaci, Shqipëri, Slloveni, Suedi, dhe Zvicër.
Dikush mund të thotë përse shfaqet termi emigrantët dhe jo mërgimtarët, por këtu do të hynin më hollësi semantike e nuk është momenti i duhur. Problemi është që në listën e vendeve të mësipërme mungon Italia. Në rast se nuk është “harresë”, çka është e pagjasë, jemi përballë një fakti të rëndë. Përtej habisë që në listë bën pjesë edhe Shqipëria (por mund të shpjegohet me mësuesit e përkohshëm, që nisen nga Shqipëria për të dhënë mësim e pastaj kthehen; natyrisht, në rast se ka të tillë), përmenden 10 shtete ku ka mjaft emigrantë shqiptarë. Mirëpo, me përjashtim të Greqisë, asnjë prej tyre nuk ka shifrën e emigrantëve shqiptarë në Itali. Për ata që nuk e dinë, në Itali gjysmë milioni i shqiptarëve është kaluar prej disa vitesh. Natyrisht, përllogarisim edhe ata që kanë marrë shtetësi italiane, të cilët ndoshta kanë më shumë nevojë të mësojnë shqipen e kulturën shqiptare.
Kjo mungesë, sikurse ajo e Shteteve të Bashkuara e ndonjë tjetër, shpresojmë t’u ketë tërhequr vëmendjen specialistëve dhe politikanëve që merren me arsimin, kulturën dhe politikën e jashtme. Sepse flet më shumë ajo mungesë, se sa prania e të gjithë të tjerëve. Përse nuk kanë ardhur mësues të shqipes nga Italia dhe vende të tjera? Çfarë problemesh ka sot mësimdhënia e shqipes në diasporë? Po në Itali specifikisht? Si mund të interpretohet kjo mungesë dhe çfarë masash mund të merren për shmangien e saj?
Së fundi, tërheq vëmendjen çështja e abetareve. Ja edhe deklarata e plotë e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla (po e citojmë ad litteram):
Çdo vit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, siguron mbi 6 mijë e 500 libra (mbi 4 mijë e 500 tekste shkollore dhe 2 mijë fletore pune), të cilat nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësive tona diplomatike, u dërgohen fëmijëve emigrantë në diasporë për përdorim falas. Edhe këtë vit, MAS-i siguroi mbi 3200 abetare dhe tekste te gjuhës shqipe për tu shpërndarë në diasporë.
Duke e marrë të mirëqenë numrin e deklaruar dhe shpërndarjen e plotë e të saktë të tyre, në zinxhirin e burokracisë shqiptare, mund të vërehet se numri i abetareve nuk është i mjaftueshëm. Në rast se do ta pjesëtonim me shtetet ku ka shqiptarë, do të dilte një numër tejet i ulët. Ta zëmë se 3200 abetaret duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë (çka është absurde, sepse duhet pasur parasysh numri i emigrantëve) në 20 vende të botës, pra edhe në SHBA, Belgjikë, Itali, Francë, Kanada, etj. I bie që, në çdo vend, të shkojnë 160 abetare. E atyre që thonë “më mirë pak se hiç”, pa rënë në kurthin e populizmit, mund t’u kujtohen remitancat, që dërgojnë shqiptarët çdo vit në Shqipëri, ose paratë që kanë paguar e paguajnë për shërbimet konsullore. Pastaj, sa kushtojnë 3200 abetare?
Në deklaratën zyrtare duket se ka një mospërputhje. Çdo vit shkollor Ministria e Arsimit “siguron mbi 6 mijë e 500 libra (mbi 4 mijë e 500 tekste shkollore dhe 2 mijë fletore pune)” për tu shpërndarë në diasporë. Mirëpo këtë vit Ministria “siguroi mbi 3200 abetare dhe tekste te gjuhës shqipe”. Mos kemi të bëjmë me rënie të numrit? Apo 3300 të tjerat janë fletore pune e tekste të ndryshme shkollore? Paragrafi lë shteg për ndonjë keqkuptim. Ndoshta Ministria duhet të kishte qenë pak më e saktë në deklaratat e veta.
Gjithsesi, jemi përsëri në sasi të pamjaftueshme, po të kemi parasysh se seminari nuk i kushtohet vetëm mësimit të gjuhës shqipe, por edhe të kulturës shqiptare. Mund të ishin dërguar më shumë abetare, libra shkollorë dhe libra të tjerë, nga letërsia tek tekstet divulgative. Nga njoftimet e shtypit duket sikur Kosova bën diçka më shumë në drejtimin e dërgimit të librave (100 mijë libra për diasporën shqiptare).
Ministrja e Arsimit ka pa dyshim të drejtë, kur shprehet:
Qeveria shqiptare ka vullnetin për të plotësuar detyrimin ndaj fëmijëve të emigrantëve, që ata të mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Gjuha amtare përbën shenjën e parë të identitetit kombëtar. Si e tillë, ajo duhet mësuar e zhvilluar, që të ruhet e të zhvillohet identiteti ynë kombëtar.
Mirëpo, deklaratat programatike kanë gjithnjë nevojë për anën konkrete, përndryshe mbeten vetëm shprehje të vullnetit të mirë dhe kaq. Sepse siç thuhet ndonjëherë, idetë kanë nevojë për këmbë, që të ecin përpara.