Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

Ç’KE O LIBËR QË RËNKON

Me një shkrim të botuar te Gazeta Dita (Libri, ky armik i shtetit) Kliton Nesturi tërheq vëmendjen për gjendjen e mjeruar të tregut të librit sot në Shqipëri: mungojnë libraritë thotë ai, çfarë e pengon shpërndarjen normale të librit; librashitësit refuzojnë të tërheqin ato libra që mendojnë se nuk do t’u shiten; fuqia blerëse është në rënie edhe ngaqë njerëzit nuk kanë më para për të prishur me libra; shteti, me politikat e veta fiskale të dyshimta, e ka dëmtuar keqazi marrëdhënien midis botuesve dhe librashitësve; për shkak të reformës ekonomike libri po trajtohet si mall dhe jo si vlerë.

Këtu do të shtoja edhe një faktor që gjithnjë më është dukur kyç por që pak herë e dëgjoj të parashtruar: çmimi mesatar i librit është tepër i lartë, në raport me të ardhurat mesatare të njerëzve; çfarë i bën librat, në Shqipëri, afërsisht 4-5 herë më të shtrenjta se në vende si ShBA; pa llogaritur pastaj vende të tjera si Franca, ku libri gëzon tradicionalisht mbështetjen e institucioneve publike dhe kushton akoma më lirë.

Botuesit i vënë librit atë çmim që e gjykojnë të arsyeshme, aq më tepër kur gjenden në vështirësi nga tharja e shitjeve; dhe nuk mund të pritet seriozisht prej tyre që të bëjnë bamirësi me lexuesin, në një kohë kur aktorët e tjerë të tregut nuk e çajnë kryet. Megjithatë, të larta janë edhe çmimet e librave të subvencionuar nga institucione të ndryshme (p.sh. ambasadat), sidomos të librave të përkthyer.

Përndryshe, libri në Shqipëri duhet subvencionuar seriozisht nga shteti – drejtpërdrejt duke i ndihmuar botuesit që të shesin me çmim më të ulët se sot, por edhe tërthorazi, duke krijuar dhe mbajtur gjallë një rrjet kapilar bibliotekash anembanë vendit, që të blejnë sistematikisht libra të rinj me fondet përkatëse. Po të shohim se si i shpenzon sot shteti fondet për kulturën, besoj se do të bindemi që vëmendja institucionale nuk është më te libri por gjetiu; dhe marrin përparësi projekte shumë të kushtueshme, por me vizibilitet të madh dhe që i sjellin përfitime politike të drejtpërdrejta ekipt sot në pushtet.

Ministrisë së Kulturës, edhe pse nuk i kanë munguar përpjekjet dashamirëse, i mbetet një pjesë e madhe e fajit për këtë gjendje të tregut të librit shqip. Fonde të mëdha janë përdorur, në mos shpërdoruar për mirëmbajtje dhe restaurime monumentesh, “monumentesh” dhe gërmadhash gjithfarë; në një kohë që edhe një përqindje e vogël nga këto fonde do t’i jepte një stimulim të ndjeshëm tregut të librit. Fonde të mëdha janë përdorur, në mos shpërdoruar, edhe për veprimtari të ndryshme, të bujshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilat nuk e kanë dhe as mund ta kenë impaktin e librit. Fonde pakrahasimisht të mëdha janë përdorur, në mos shpërdoruar, për të sjellë në Shqipëri “yje” dhe celebritete të çastit dhe për t’i ngjitur këto në tribunat e politikës; pa folur këtu për futbollin dhe për circenses të tjera dhe për marrëzitë që bëhen me arkitekturën.

Ne si shoqëri jemi mësuar, ose më mirë ende nuk jemi çmësuar, nga praktika e periudhës totalitare, kur shteti e mbështeste dhe e subvenciononte tërësisht librin, me kusht që ky t’i shërbente propagandës totalitare. Kohët kur një aradhe shkrimtarësh mbaheshin me rrogë të mirë dhe kur qëllonte që edhe një roman i vetëm të shiste dhjetëra mijëra kopje tashmë kanë perënduar – dhe pakkush i kujton me nostalgji; sepse ato janë edhe kohët e Librarisë “Flora” dhe të inxhinierëve të shpirtrave njerëzorë, kur Enver Hoxhën e lexonim kolektivisht në shkolla e në qendra pune, si të ishte Ungjilli.

Mirëpo ideja se qarkullimi i librit mund dhe duhet t’i bindet ekonomisë së tregut edhe kur nuk është thjesht kriminale, tradhton padije dhe harbutllëk tipik, të atij që nuk e vlerëson librin, sepse nuk e përdor dot menjëherë për qëllimet e veta të pushtetit ose të pasurimit. Aq më qesharake bëhet kjo, kur sheh institucionet, duke filluar nga Ministria e Kulturës, të thyhen më dysh për të nderuar shkrimtarë dhe vepra të konsoliduara prej vitesh, në mos prej shekujsh, dhe të investojnë në gjithfarë arkeologjish dhe muzeologjish të kulturës, në një kohë që problemet e librit shqip sot ia faturojnë, ndonjëherë hareshëm ose duke larë duart, logjikës së tregut.

Qoftë edhe duke harruar se nuk ka gjë më egërsisht të subvencionuar, vetëshërbyese dhe parazitare sot në Shqipëri, sesa vetë pushteti politik, përfshi këtu edhe ekzekutivin dhe të gjithë ata që i shpjegojnë fiaskot kulturore me mekanizmin e lekut; ose faktin e thjeshtë që, po të ishte për ekonominë e tregut, ky regjim që e ka lënë librin në agoni por që deri edhe votën e trajton si mall, duhej të kish shpallur vetë i pari falimentimin, po aq ndershmërisht sa ç’po ia shkakton industrisë së botimeve.

12 Komente

  1. Ha ha ha, keqkuptim themelor. Enveri lexohej sepse vetem Enverin ose enveristet subvenciononte shteti o te uruar. Pse e lexojme mbrapsht historine? Kur gjerat jane kaq te thjeshta. Leket e shtetit e korruptojne librin. Pse cfare eshte libri, Cezi apo Posta a ku di une nje germadhe a gjysem germadhe tjeter shteterore qe te subvensionohet nga shteti. Pse e trajtojme linrin si te ishte eshte nje handikapat.
    Rrisni cilesine e shkrimeve, kjo eshte e vetmja zgjidhje. Ne panairin e librit shqiptaret shpenzojne diku 500-700 mije euro cdo vit per librin. Kerkesa eshte.
    Permiresoni oferten.
    Nuk kemi pse i themi derrit daje.

    1. Keqkuptim themelor, por ndoshta juaji. Propozimi im është që të subvencionohet çmimi i librit, jo industria; me argumentin se libri është edhe mall, por nuk është vetëm mall.

      Krahasoni çmimin mesatar të një libri në Shqipëri me të ardhurat vjetore për frymë në Shqipëri (GDP per capita).

      Pastaj bëni të njëjtën gjë për vende të tjera, si Italia, Franca, Gjermania, Austria, Spanja.

      Me siguri do të zbuloni, si unë, që çmimi mesatar relativ i një libri është shumë më i lartë në Shqipëri se në vendet që përmenda.

      Për shembull, Italia ka një GDP per capita prej rreth 36,000 USD; ndërsa Shqipëria diçka si 4700 USD. Kjo do të thotë se GDP per capita në Itali është 7.6 herë më i lartë se në Shqipëri.

      E megjithatë, një libër paperback në Shqipëri kushton diçka midis 7 dhe 10 USD, ndërsa në Itali 15-20 USD; çka do të thotë, për mua, se librat në Shqipëri duhej të kushtonin diçka midis 2 dhe 2.5 USD – prandaj edhe, në terma relativë, i bie që librat në Shqipëri të kushtojnë 4 herë më shtrenjtë se në Itali.

      Arsyet pse ndodh kjo edhe dihen, edhe nuk dihen; dhe gjithsesi unë nuk jam ekonomist dhe nuk i diskutoj dot mirë. Por si njeri i interesuar për fatin e librit dhe të leximit shqip, edhe si lexues edhe si autor, besoj se kjo diferencë duhet reduktuar nëpërmjet ndërhyrjes së shtetit; ose duke e subvencionuar çmimin e librit, njëlloj siç subvencionohen çmime të tjera.

      Jam pothuajse i sigurt që një italian i mesëm do të mendohej gjatë, para se të blente një libër paperback që t’i kushtonte 60 ose 80 USD. Atëherë pse habitemi që lexuesi shqiptar nuk blen aq sa duhet?

      Sa për ato që thoni për cilësinë – nuk besoj se shërbejnë si argument. Cilësia e librit pak a shumë balancohet nga cilësia e lexuesit. Edhe ju vetë, që pretendoni këtu për cilësi nga autorët, nuk arritët të lexonit dhe të kuptonit mirë tekstin më lart, që është shkruar thjesht fare.

      1. Te subvencinosh librin eshte njelloj si te subvencionosh mendimin e lire. Librin e subvencionon vetem lexuesi.
        Shteti dhe libri. Pa lidhje me njeri-tjetrin. U be gjithe ai revolucion francez, nja pese te tille, ne 100 vjet, qe shtepite botuese te fitonin pavaresine e tyre. Lexoni Adam Michnik. Ne fund te fundit, nje liber qe nuk eshte kunder shtetit, a mund te quhet me liber?
        Lereni GDP, se ai te shpie ne rruge te gabuar. Te mbyt te ne borxhe. Makroekonomia nuk eshte shkence, por metafizike.

        1. Nuk është e vërtetë që librin e subvencionon vetëm lexuesi, pra tregu. Kjo vlen për domatet dhe bostanin. Madje jo gjithnjë. Shteti mund të ndërmarrë politika për ta stimuluar shitjen e librit, si p.sh. mund t’i heqë TVSH (taksën mbi vlerën e shtuar), mund t’i ulë taksat për letrën, kostot e shtypshkronjës, shpenzimet postare… Pra Shteti dhe libri e kanë një lidhje, çka nuk do të thotë që libri të varet nga Shteti.
          A mund të quhet libër një që nuk është kundër shtetit? Patjetër, p.sh. librat për boronicat, bletarinë dhe numizmatikën.
          Ta lëmë GDP? Sepse makroekonomia është metafizike? Nuk më duket argument bindës. E meqë ra fjala, pohimet në trajtë vendimesh gjyqi (sentencash) kanë gjithnjë nevojë për shpjegime. Edhe në gjyq kështu e bëjnë.

  2. Epo mire atehere. Mgjs ketu nuk jemi ne gjyq, une vendosa te shprehem pak me gjate. E ndjej qe kjo do te jete nje kryeveper.
    Me para nganjehere ne paguajme budallallekun tone. Kjo eshte teza ime e pare. Kam nje djale. Disa vite me pare, me pushime, e gjeja veten duke i blere perdite nga nje loder, ne fillim nga qejfi,, pastaj nga keqardhja se i vogli fillonte qante, e pastaj per te na lene te qete.
    I rrisim femijet deri sa ata behen pastaj too big to fail dhe detyrohemi ti mbajme me para gjithe jeten.
    Nje shtet paternalist paguan per budallallekun e vet. Ketu doja te dilja.
    Une jam per nje shtet te mencur, qe paguan me pak. Kriteri i inteligjences eshte padiskutim nje kriter monetar.
    Nje shtet i mencur eshte nje shtet minimal, kjo eshte teza ime e dyte.
    Vime te libri. Ne Shqiperi nuk kemi industri, por tregti te librit. Teza ime e trete. Marrim nje liber te huaj, e perkthejme, e shesim. Tregtia eshte nje kriter i budallallekut, te pakten ajo nuk kerkon ndonje inteligjence shume te vecante. Kjo logjike e thjeshte e shtynte per shembull te vellain e Van Gogut, Teon, te deduktonte se veprat e te vellait nuk vlenin. E kuptueshme, perderisa ai, nje tregtar, nuk arrinte ti shiste. Etj, etj.
    Ja keshtu.
    Se cfare duhet te beje nje shtet i mencur me librin, kete ua them ndonje dite tjeter. Do habiteni. Per sot, u zgjata shume.

    1. Qe shteti te kontribuoje ne uljen e kostos se librit, pra edhe te çmimit final, nuk shoh asgje te keqe. Kjo nuk parakupton cenimin e lirise se fjales e te botimit, as te rregullave te tregut te lire.

      Une nuk pajtohem me idene e subvencionit, per sa kohe qe subvencioni parakupton pagesa perzgjedhese fondesh publike per veprimtari te caktuara, ne kete rast botime librash.

      Nuk duhen subvencione por politika fiskale te favorshme per sektorin e botimeve, si ulje taksash doganore per lendet e para qe perdoren ne tipografi, ulje TVSH-je etj. Praktikisht gjysmen e çmimit final te librit e merr shteti ne forme taksash dhe tatimesh.

  3. Nderhyrjet e Toros kane vlere per nje ekonomi normale, nje ekonomi qe u siguron qytetarve nje numer te ardhurash korrekte. Ne parim, ne kushtet e nje ekonomie te tille edhe une mendoj se shteti nuk ka pune me librin, çdo nderhyrje e tij rrezikon te sitimuloje mediokritetin ose propaganden e maskuar pro-regjim.
    Tani ne pritje te formules perfundimtare magjike te Toros, shtoj modestisht se ne rastin shqiptar ka nje problem tjeter. Ne stendat e librarive kam pare libra qe ishin mjaft te mire, qe edhe une kisha dishire t’i blej te gjitha, por duhej te caktoja ca limite, megjithse rroga ime mund te jete 5-6 here me e madhe se nje rrooge mesatare ne Shqiperi. Atehere si i behet hallit, qe keto libra te mire t’i bleje edhe dikush me rroge pre 300 eurosh ne Shqiperi? Eshte e pamundur! Besoj se e njoh ca ate vend, interesat e njerezve dhe mundesite e tyre financiare. Eshte e pamundur qe keto te pajtohen dhe te kenaqin interesat kulturore te shumices se popullsise me ato te ardhura qe kane. Dhe librat presin ne stenda me çmime te frikeshme. Pra po te flasim me terma te sforcuara, kemi rastin kur malli vertet ka vlere (pra nuk hidhet skarco ne treg, me subvencion shteteror), por ai ka çmim mundesive financiare te shumices se popullsise.

    Ne kete kuptim, nderhyrja te çmimi eshte nje sherbim dhe investim i madh kombetar, terthorazi eshte investim jo vetem ne kulture, por edhe ne ekonomi, edhe ne vete te ardhmen e vendit.

    Ketu duket sikur ka nje kundershti: si jetojne botuesit duke mbajtur te tilla çmime, si nuk vepron konkurenca? Nuk vepron sepse ne Shqiperi ka nje mundesi tjeter per ta, subvencioni i librave shkollore. Ne keto kushte botuesit mund te mbijetojne duke shpenzuar pak per pergatitjen dhe shtypjen e librit artistik, sociologjik, kulturor, memoristikes etj, dhe duke i paraqitur ne treg me çmime proibitive per shumicen e popullsise.

    Por natyrisht, do te gjenden kultivare te pasur tip (pa ia fus kot) Tom Doshi, Kokedhima e ndonje tjeter qe do t’i blejne, por nuk do t’i lexojojne kurre. Kaq eshte e mjaftueshme per botuesit.

  4. Po ju jap edhe nje hint tjeter. Une e di me siguri qe ne Shqiperi shkruajne sot libra mbi 10 Van Goge. Nuk eshte pak apo jo. Problemi eshte se vellai i madh i i ka bere per budallenj, cdo dite e nga pak. I con neper emisione per librin ku bejne gallate me ta, si ne ate darken e te marreve. Ose u gjen ndonje pune andej-kendej, qe te mbajne frymen gjalle. Ndonjehere u thote, akoma me libra ju? Po libra vetem ne komunizem shkruheshin o te mjere.
    Po une jam Van Gogu, mundohet te kundershtoje ndonje nga keta manjaket e librit.
    E di, thote vellai i madh, prandaj dhe je i denuar me vdekje. Pas vdekjes shohim e bejme.
    Po gjuha shqipe, mbrohet i vogli (gjer ne vdekje, kur i thone)
    Shiko te te them nje sekret, vazhdon i madhi, une di sesi ta ktheje librin ne shqip, por nuk di ta ktheje gjuhen shqipen ne liber. Ke ndonje lek te me japesh, atehere po flasim bashke. Perndryshe ik e mos me caj koken.
    Etj, etj.
    Tragjikomedia e librit shqiptar.

    1. Pa përsëritur ato që kam shkruar më lart, po dua të shtoj:

      – Shteti mund të ndërhyjë në çmimin e librit, me mënyra të ndryshme (përcaktimi i tyre është çështje teknike), të cilat mund të jenë edhe selektive, p.sh. duke mbështetur vetëm çmimin e librit nga autorë që shkruajnë shqip (librat e përkthyer ose janë best-sellers dhe shiten vetvetiu, ose mbështeten nga gjithfarë ambasadash dhe fondacionesh).

      – Libri i shkruar shqip ka nevojë për mbështetje sepse “pellgu” i lexuesve është vetvetiu dhe objektivisht i kufizuar nga numri i atyre që mund të lexojnë shqip. Teorikisht, një firmë shqiptare që prodhon bie fjala shampo ose shami hundësh mund t’i shesë këto në gjithë planetin (global economy, economy of scale); por për librin shqip kjo logjikë nuk vepron.

      – Elton, para se të na ndriçosh me “hint”-e që duket sikur i ke përshtatur nga ndonjë broshurë libertariane, mbase do të bëje mirë t’i hidhje një sy buxhetit të shtetit dhe në veçanti të Ministrisë së Kulturës dhe të shihje përpjesëtimin që zë atje libri shqip, në raport me shpenzime të tjera kulturore.

      – Përpiqem ta kuptoj logjikën ekonomike; por kam frikë se, po të ndiqet rigorozisht, atëherë do të arrijmë në përfundimin se vetë lëvrimi i gjuhës dhe i kulturës shqipe nuk “bëjnë sens” ekonomikisht, prandaj kot që mundohemi. Dua të them: nuk ka asgjë, në ekonominë e tregut, që të garantojë mbijetesën tonë, me këtë identitet kulturor që kemi.

  5. Per ta mbyllur, dua te bej dhe nje shenim te fundit. Se neser shkoj me pushime.
    E para njehere, keshtu me komente dhe kunderkomente ne po mberrijme tek thelbi i problemit. Po kuptojme me mire tjetrin, por dhe veten. Metoda e njohur sokratike. Nje falenderim per faqen qe na e beri te mundur kete transparence. Falje per ndonje koment shume sofist. Bere pa te keq, thjesht per te ruajtur nje freski te tonit dhe te argumentit.
    Tej qokave, dua ti kthehem per ta mbyllur, tezes sime te trete, tregtise se librit.
    Kur bejme tregti, i vetmi risk qe marrim eshte risku i cmimit. E marrim gati gjene, te marketuar e te promovuar nga te tjere, i fusim nje marxhin fitimi dhe e hedhim ne treg per ta shitur. Nese ne tregtarit i subvencionojme nje pjese te cmimit, atehere mirupafshim, ai ska me asnje risk. Apo jo? Tregtari mbetet tregtar perfundimisht.
    Nderkohe qe ne duhet te synojme te krijojme industrine e librit. Ja celesi i nje shteti te mencur.
    Ne duhet te krijojme padronet e vertete te librit. Ata, qe dikur bene revolucionin francez, qe zhduken censuren, qe rikrijuan librin dhe qe ne fund fare, bene Francen.
    Une jam frankofon. Kjo eshte teza ime e fundit. Nuk duhet ta tradhtojme testamentin e tyre te librit, sepse ai eshte testamenti i lirise.

    Dhe tani det te qofsha fale….

    1. Shkrimin dhe komentet i lexova me interes te vecante. Pa u zgjatur, mendoj se rruga e subvencionimit te cmimit te librit shqip eshte nje prej mundesive me te mira per ta lehtesuar sado pak situaten.

      Nuk e dija qe ne shkallen e vlerave, te qenet frankofon perben ndonje gje per t’u pasur zili.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin