Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

DEMOKRACI ME SHORT

Shumë qytetarë, pasi t’i kenë hedhur një sy rubrikës gazmore të përjavshme “Sot në Parlament”, pyesin: Vallë këta janë më të mirët mes nesh? I kemi zgjedhur vërtet që të na përfaqësojnë?

Për fat të keq, bëmat e përfaqësuesve të zgjedhur në Parlament, por edhe kudo gjetiu ku i ka çuar vota e lirë, janë sot karikatura besnike e demokracisë zgjedhore – ose e bindjes së çuditshme se një shumicë e madhe njerëzish nuk kanë si të gabojnë.

Kjo nuk ndodh vetëm me Parlamentin në Tiranë, por në masa të ndryshme shfaqet kudo ku funksionarët e lartë janë të zgjedhur me vota: me gjasë, aftësitë për të fituar shumicën e votave nuk përkthehen detyrimisht në aftësi për të drejtuar shtetin; madje përkundrazi. Shpesh ndodh që votën ta fitojnë pikërisht ata që do të duheshin mbajtur larg posteve të larta.

Ka mundësi që një sëmundje e tillë e sistemit, sepse për sëmundje bëhet fjalë, të lidhet drejtpërdrejt me meritokracinë: funksionarët e zgjedhur zhgënjejnë jo sepse nuk janë “më të mirët”, por pikërisht sepse “janë më të mirët.”

William F. Buckley, një gazetar i njohur amerikan, pat thënë një herë se do të preferonte të jetonte në një shoqëri të qeverisur nga dy mijë emrat e parë në librin e telefonave të Bostonit, sesa në një shoqëri të qeverisur nga dy mijë pedagogët e Harvardit.

Në një libër mjaft të përfolur, të botuar në 2015 nga Feltrinelli, politologu David van Reybrouck e identifikon të keqen që në titull: “Contro le elezioni: Perché votare non è più democratico.” Të votosh nuk është më demokratike.

Autori ia bën një analizë demokracisë zgjedhore, e cila vende-vende merr tonet e një autopsie.

Demokracia perëndimore, shkruan ai, vuan nga mos-pjesëmarrja e zgjedhësve (astensionismo), paqëndrueshmëria elektorale, hemorragjia e partive politike, impotenca administrative, paraliza politike, frika nga disfata elektorale, mungesa e vendeve të punës, nevoja obsesive për të rënë në sy, ethet elektorale kronike, stresi mediatik rraskapitës, dyshimi, indiferenca dhe të këqia të tjera – të cilat së bashku përftojnë një sindromë të lodhjes demokratike, që rrjedh nga një krizë edhe e legjitimimit edhe e eficiencës së sistemit të tanishëm.

Për të ilustruar dramën e demokracisë përfaqësimtare, Van Reybrouck citon një proverb që ndonjëherë ia atribuojnë Gandhi-t, por që në fakt, shkruan ai, e ka prejardhjen në Afrikë: “Gjithçka ti bën për mua, por pa mua, e bën kundër meje.”

Faji këtu bëhet qyrk dhe qyrkun nuk e vesh njeri. Populistët bëjnë me faj politikanët, teknokratët bëjnë me faj vetë demokracinë si teknologji politike, ithtarët e demokracisë direkte bëjnë me faj sistemin përfaqësimtar.

Autori, përkundrazi, mendon se fajin e ka pikërisht mekanizmi i zgjedhjeve, ose çfarë ai e quan “fondamentalizmi zgjedhor.” Ne mund t’i përçmojmë të zgjedhurit, thotë ai; por ne i adhurojmë zgjedhjet. Për pasojë, vazhdon ai, “fondamentalizmi ynë elektoral merr pastaj formën e një evangjelizimi të ri të botës,” ku zgjedhjet do të funksiononin si sakramentet e fesë së re demokratike.

Ndërkohë, kryesisht për shkak të deformimit dramatik që ia shkaktojnë mediat procesit para-zgjedhor dhe faktit që qytetari tashmë po shndërrohet çdo ditë e më tepër në konsumator, zgjedhjet janë katandisur në një betejë mediatike ku palët përpiqen qenërisht për të fituar simpatinë e zgjedhësve.

Van Reybrouck citon këtu një slogan që është përhapur në Internet: “Zgjedhjet janë thjesht një konkurs bukurie për njerëz të shëmtuar” (Elections are just a beauty contest for ugly people). Dhe me siguri nuk është fjala për shëmti fizike.

Për të dalë nga ky moçal kutërbues, ai propozon një metodë alternative ndaj zgjedhjeve: shortin, si procedurë demokratike dhe si metodë të sprovuar për të luftuar atë çfarë ai e quan “oligarkizim” të demokracisë.

Libri sjell shembuj mbresëlënës për rolin që shorti luante në demokracinë athinjote – ku organet qeverisëse më të rëndësishme i rekrutonin anëtarët e tyre nëpërmjet kësaj procedure: Këshilli i të pesëqindëve, Gjykata e popullit dhe praktikisht krejt sistemi i magjistraturës. Nga shtatëqind magjistratët, vëren ai, gjashtëqind ishin të zgjedhur me short.

Autori citon me këtë rast Aristotelin, i cili pat shkruar: “Kur vjen puna për magjistraturat, shorti konsiderohet atje demokratik, ndërsa zgjedhjet oligarkike.” Dhe ishte pikërisht ky Aristotel që diku tjetër do të shkruante: “Parimi themelor i regjimit demokratik është liria… Dhe një nga tiparet dalluese të lirisë është që të jesh, me radhë, edhe i qeverisur, edhe qeverisës.” Athinjotët, shkruan Van Reybrouck, do ta kishin gjetur “absurd” idenë e politikanëve profesionistë.

Autori sugjeron këtu një emër të ri për formën e demokracisë që praktikohej në Athinë: demokraci përfaqësimtare aleatore, ku “dallimi mes qeverisësve dhe të qeverisurve përftohet nëpërmjet shortit, jo zgjedhjeve.”

Libri i Van Reybrouck-ut përmban analiza të hollësishme të shortit si procedurë dhe si mekanizëm përzgjedhës, në histori dhe për aplikime të mundshme në bashkëkohësi; ose në një periudhë kur jo vetëm zgjedhësit e kanë humbur besimin në institucionet dhe në të zgjedhurit prej tyre, por edhe politikanët e kanë humbur besimin te qytetari (sipas disa studimeve të holandezit Peter Kanne, nëntë politikanë nga dhjetë nuk kanë më besim te populli).

Sipas autorit, nëse demokracia do të ripërtërihet ndonjëherë dhe do të rehabilitohet në sytë e “popullit”, kjo nuk mund të ndodhë veçse nëpërmjet zgjerimit të procedurave të shortit, në kombinim me procedura të tjera më tradicionale, përfshi këtu edhe referendumin.

Të mos harrojmë, shkruan ai, rolin e rëndësishëm që luajnë sot, si përcaktuese të vendimeve dhe të zgjidhjeve politike, të ashtuquajturat sondazhe të opinionit, të cilat në fakt bazohen edhe ato në mekanizma kampionimi aleator.

Reforma e tanishme e sistemit gjyqësor në Shqipëri e ka përfshirë edhe shortin në procedurat përzgjedhëse, çfarë mund të jetë pritur me skepticizëm, në mos me hilaritet nga disa. Ndoshta kjo është për t’u përshëndetur, jo vetëm në vetvete, por edhe si shenjë paralajmëruese e një mënyre të re të të bërit demokraci, për një vend si Shqipëria, e cila e ka pasur tradicionalisht të paaftë, në mos “të trashë”, aristokracinë e vet – e cila sot i paraqitet si oligarki.

Hapësirat për të shtuar pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë nëpërmjet shortit nuk mungojnë; dhe vetë libri i Van Reybrouck mund të shërbente si manual mundësish të tilla për t’u eksploruar, por edhe si shembujsh të argumentuar suksesi nga bota.

 

5 Komente

  1. Shorti eshte i drejte nder te barabarte, por jo i lire. Ne sistemin e demokracise liberale ka perparesi liria.

    1. Nuk të kuptoj. E lirë është pjesëmarrja (ose mospjesëmarrja) në short, e lirë është edhe tërheqja, nëse të “rastis” të fitosh. I vetmi detyrim është që fituesi të zgjidhet me short – gjë që nuk mund të kthehet mbrapsht në: ai që zgjidhet me short, është i detyruar të jetë fitues.

  2. Nuk jam une i lire, si zgjedhes e qytetar, te zgjedh ate qe mendoj se eshte me i pershtatshmi per pushtetin. Pra nese shorti cakton, fati, atehere une nuk jam i lire as te zgjedh, e as te zgjidhem ne saj te meritave te mia. Jam viktime e fatit, jo e epersive te mia.

    1. Dakord. Por teza e autorit është se vota e lirë, si teknikë tashmë e universalizuar, ka pjellë monstruozitete. Që do të thotë se liria jote, si zgjedhës, për të dërguar një përfaqësues tëndin në Parlament, ka përftuar oligarki – e cila po e shkatërron demokracinë. Shorti është një alternativë ndaj kësaj. Unë e gjej si tezë me interes, prandaj edhe e solla këtu; nuk do të thotë se e bëj timen; edhe pse mendoj se roli i votës sot për sot është ekzagjeruar, dhe kjo sidomos për demokraci të reja si në Shqipëri, që në fakt gjithnjë tundohen të funksionojnë si tirani e shumicës.

  3. Tirania e shumices, mendoj, mund te kufizohet me ane te ligjeve, respektivisht te drejtat e grupeve te ndryshme te mos cenohen nga shumica, te jente te garantuara.Pra, te limitohen funksionet dhe mandatet, p.sh; te kemi nr. te caktuar ministrish, deputetet te mos kene te drejte ne nje mandat te trete, perfaqesim i garantuar i pakicave ne qeveri e kuvend ( rasti i Kosoves dhe Maqedonise),kuota e perfaqesimit gjinor etj,

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin