Fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut të këtij viti përkoi edhe me dendurinë më të madhe të përdorimit të një fjale të re në gjuhën shqipe: vetingu. Për ata që nuk e dinë, fjala është marrë nga anglishtja vetting që, sipas fjalorit të Oxford-it, tregon veprimin ose procesin e shqyrtimit/verifikimit të dikujt ose diçkaje [1].
Fjala, që ende duhet ta marrë pasaportën e huazimit, u lakua së fundi në të gjitha format: në deklaratat e të huajve, në shkëmbimet e zjarrit verbal midis politikanëve, në komisione parlamentarësh, në vizita dypalëshe, në intervista mediatike, në tituj gazetash e gjetiu.
Arsyet e përdorimit të dendur gjatë verës përputhen me siguri me momentin e negocimit pikërisht të kësaj pjese të reformës së drejtësisë. Por edhe me rëndësinë kapitale që ka tema e verifikimit të personave që punojnë në drejtësinë shqiptare.
Që termi nuk ka hyrë në masë në përdorimin e gjuhës shqipe ta thotë bonsensi, sepse reforma nuk ka kohë që po debatohet në ligjërimin publik.
Nuk është vendi të zhvillojmë një disertacion për huazimet në shqip, por le ta themi që në fillim se mendimi i shumë studiuesve se huazimet e pasurojnë gjuhën duket i drejtë dhe i bazuar. Me huazime kuptojmë fjalët që merren nga një gjuhë tjetër e që përdoren në gjuhën amtare. Megjithëse huazimet mund të jenë edhe të brendshme, në rastin tonë nuk kemi dyshime: vetting është huazuar nga anglishtja.
Qëllimi i këtyre shënimeve nuk është fillimi i një kryqëzate kundër fjalës së huaj vetting, edhe për faktin se armata ekzistuese nuk ka nevojë për ushtarë të rinj, por thjesht nënvizimi i disa aspekteve me karakter sociolinguistik për këtë prurje të re.
Huazimet ndodhin për shkak të kontaktit midis kulturave të ndryshme. Por nuk mjaftojnë vetëm takimet individuale apo kulturore për të krijuar kushtet ideale për huazimin. Në analizë të fundit, duhet që gjuha marrëse të ketë nevojë për fjalën e re, përndryshe verifikohet dukuria e huazimeve të panevojshme (të ashtuquajtura huazime luksi, pra kur gjuha pritëse e ka konceptin prej kohësh); koncept që është vënë gjithsesi në diskutim, përderisa gjuha shpeshherë i specializon fjalët nga pikëpamja denotative dhe konotative, në të kundërt i braktis rrugës duke i lënë në harresë.
Të gjithë do të ishim dakord me faktin se globalizimi i ka shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme kontaktet midis kulturave, duke e rritur gjithnjë e më shumë peshën specifike të mediave të reja dhe të internetit, të cilat nuk kanë nevojë për karakterin fizik e gjeografik të territorit për të krijuar kushtet e kontaktit.
Fjala vetting nuk e ka marrë ende statusin e huazimit, sepse nuk është rrënjosur ende në gjuhën shqipe. Jemi akoma në fazën e interferencës, ngaqë gjuha marrëse nuk e ka metabolizuar dhe integruar tërësisht fjalën angleze. Kjo është aq e vërtetë sa fjala përdoret herë në formën e huaj (me dy “t”), herë duke e shpjeguar në kllapa me fjalë të tjera shqip (verifikim, shqyrtim, skanim…) dhe herë të lakuar sikur të ishte fjalë e përdorur prej kohe në sistem (vetingun, vetingut..). Kjo tregon se një pjesë e shkruesve e ndjen që lexuesi ka nevojë për shpjegimin e fjalës, ndërkohë që përdorimi mbetet në rrethe të caktuara, pavarësisht se mediat e kanë përdorur gjerësisht.
Ja disa shembuj nga qindra që janë shfaqur në median e shkruar dhe atë elektronike. “Rama: PD ka kapur Drejtësinë duhet të heqë duart nga Vetingu” (Shqiptarja). “Vetingu, kjo gozhdë e Nastradinit në trupin e Drejtësisë” (Sot). “Përse keni frikë nga vetingu i huaj?” (Gazeta Shqiptare). “Makthi i vetingut!” (Sot). “Vetingu”, tremb politikanët dhe tmerron Salih Berishën. Ja pse” (Shtypi.net). Si do të bëhet verifikimi (vetingu) i gjykatësve dhe prokurorëve? (Exit). “Anti-vetting-istët janë shqiptarët më të pakuptueshëm të 25 viteve të fundit” (Tema). “Ky është shpjegimi i vetting-ut” (Arbëria). “Të “ngatërrosh” vetting-un me arratisjen e gjyqtares durrsake!” (Durrës Lajm).
Flukset e huazimeve varen nga një sërë arsyesh, siç mund të jetë zhvillimi teknologjik, por edhe prestigji i kulturave që japin fjalë të reja. Në rastin tonë, dyshimet janë të pakta. Prestigji i anglishtes përballë shqipes është i padiskutueshëm. Këtij duhet t’i shtojmë autoritetin politik dhe ndikimin e madh të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, sidomos gjatë procesit të përpunimit e miratimit të reformës së drejtësisë. Në një farë mënyre, fjala vetting është llambushkë që tregon ndikimin e fortë kulturor në lëmin politik e juridik të komunitetit ndërkombëtar, ku është dalluar aktivizmi i theksuar i përfaqësisë diplomatike të SHBA-ve në Tiranë.
Për t’u shënuar fakti se puristët, që nuk janë të paktë në Shqipëri, nuk kanë ndërmarrë ndonjë fushatë për shmangien e kësaj fjale, ndryshe nga ç’kanë bërë, ta zëmë, me fjalët turke ose fjalë të tjera të huaja. Mos vallë vetting jep përshtypjen e modernitetit dhe konoton gjithashtu nevojën politike të birësimit të reformës në drejtësi?
Që shqipja mund ta pranojë fare mirë këtë huazim leksikor e tregojnë gjithashtu rastet pararendëse. Në fakt, ka shumë fjalë të huazuara, që kanë pak a shumë të njëjtën formë të vetting-ut, si për shembull: parking, miting, marketing, presing, lobing, doping, etj. Këto fjalë janë tashmë shqip dhe përdoren rregullisht në të folur e në të shkruar, pra janë integruar tërësisht, me ndonjë problem të vogël për shumësin.
Huazimi është element i huaj nga origjina, por krejtësisht i integruar në sistemin e gjuhës marrëse. Ai nuk dallon me asnjë tipar gramatikor apo tjetër (ndonëse jo gjithmonë është kështu) nga fjalët e gjuhës marrëse. Mirëpo, po e përsërisim, vetting ende nuk e ka marrë statusin e huazimit, gjithashtu për shkak të “imponimit” nga lart. Sipas gjasës, kjo fjalë është përdorur fillimisht nga grupet e ekspertëve juridikë, nga parlamentarët e më pas nga mediat, ndonëse perceptohet nga folësit ende si fjalë e huaj, që i përket një zhargoni të caktuar.
Në qoftë se fjalët e huaja përdoren shpeshherë për arsye saktësie (ta zëmë në fusha të ndryshme shkencore), por edhe për motive psikologjike, ose thjesht snobizmi, duhet pranuar se këto përdorime u japin mundësi fjalëve të hyjnë në qarkullimin e përditshëm.
Nuk mund të përjashtohet mundësia që vetting të jetë përdorur fillimisht nga ekspertët për të treguar njohjen e thellë të temës dhe si rrjedhim duke përshenjuar një farë superioriteti ndaj të tjerëve. Por edhe shtysa me elemente eufemistike, për të mos përdorur fjalë shqipe ose togfjalë me kuptimin “verifikim i thellë” ose “shqyrtim i hollësishëm” duhet të ketë pasur ndikimin e vet, përderisa mund të krijojë shqetësim në radhët e punonjësve të drejtësisë. Një fjalë e huaj ka gjithnjë aftësinë të vishet me vello misterioze, të thotë e të mos thotë çdo gjë, të shprehet e të mos shprehet tërësisht, të tregojë e të mos tregojë gjithçka. Karakteri nebuloz i kuptimit të fjalëve të huaja është tërheqës e fshehës në të njëjtën kohë.
Megjithatë fjala u shfaq në ligjërimin publik në mënyrë të stuhishme. Në fakt, sa herë që ka dalë në skenë, është shoqëruar vazhdimisht me polemika të ashpra politike. Në qendër të vorbullave të debatit gjendet gjithnjë vetingu. Por kjo varet kryesisht nga koncepti i shenjuar, që për politikën shqiptare ka rëndësi parësore, sepse nëpërmjet verifikimit të hollësishëm të operatorëve të drejtësisë ushtrohet edhe kontrolli mbi të. Mund të supozohet se vrulli, me të cilën hyri fjala në përdorim, mund të ketë lenë ndonjë gjurmë më të thellë në ligjërimin publik, meqë prek një pikë nevralgjike të politikës, të reformës në drejtësi dhe të ekuilibrit midis institucioneve.
Nga pikëpamja e linguistëve strukturalistë, përfshirë edhe francezin Martinet, që janë bazuar në parimet e pionierit Ferdinand De Saussurre, fjalën vetting do ta shikonim si shprehje fillestare në nivelin e parole, që është duke kaluar në nivelin e përgjithshëm të langue. Pra nga një përdorim individual e të përkohshëm, në përdorimin e zakonshëm nga ana e komunitetit shqipfolës. Nevoja komunikuese, për të cilën flasin studiuesit, rrjedh nga mungesa e emërtimeve të objekteve dhe koncepteve të ndryshme, që plotësohet nga fjala e huaj. Do të shtonim se kjo nevojë do të ketë filluar në komunikimin me të huajt, e më pas me publikun shqiptar, duke e përdorur më gjerë në ligjërimin publik. Duhet të kujtojmë se shpeshherë, deklaratat drejtuar kinse publikut shqiptar, kanë si marrës të ashtuquajturin faktor ndërkombëtar; që këtej edhe përdorimi, deri diku i pavetëdijshëm, i fjalëve të huaja si vetting.
Procesi i hyrjes në gjuhën shqipe të fjalës vetting nuk mund të trajtohet pa përmendur kultin e kargove, sipas të cilit në Shqipëri pas restaurimit të pluralizmit u verifikua një importim mekanik i legjislacionit të huaj, me idenë se transplatimi, në mënyrë magjike, do ta përmirësonte gjendjen socioekonomike. Kulti i kargove mund të veprojë edhe në lëmin e leksikut, duke i shndërruar fjalët në formula magjike për zgjidhjen e problemeve të ndryshme.
Është e vështirë ta parashikosh fatin e fjalës vetting në shqipe, sidomos në situatën aktuale ende viskoze. Mund të kodifikohet përfundimisht në legjislacion dhe të tregojë procesin e verifikimit të hollësishëm në kuadrin e reformës së drejtësisë, pra të futet në shqipe (qoftë vetëm në lëmin juridik). Megjithatë ka pak gjasa të mbetet vetëm në këtë qerthull, ngaqë procese të tilla verifikimi, nëse bëhen seriozisht, kanë jehonë të madhe për efektet e tyre. Por mund edhe të harrohet pas disa kohësh. Në rastin e dytë mund të ndodhë për shkak të zëvendësimit me ndonjë fjalë tjetër pas miratimit të reformës, ose të humbasë së bashku me reformën në lojërat bizantine të politikës shqiptare.
Sidoqoftë, huazimet nuk tregojnë vetëm sende ose koncepte të reja, por edhe proceset e kontaktit midis kulturave të ndryshme. Në një farë mënyre, na ndihmojnë të kuptojmë veten e të tjerët.
[1] Vetting: “The action or process of vetting a person or thing; esp. the investigation of a person’s background and credentials to determine his loyalty or trustworthiness; positive vetting, vetting which includes a search for weaknesses of character or anything else that could render the subject vulnerable to exploitation” (Oxford English Dictionary). Fjalori anglisht-shqip i Ramazan Hysës e shpjegon si “shqyrtim i imët, verifikim”. Po e lëmë mënjanë çështjen e etimologjisë në gjuhën angleze për arsye se nuk na intereson, nuk perceptohet në shqip e gjithsesi mund të shkaktojë keqkuptime.
Bibliografi e përgjithshme
Fanfani, Massimo, Enciclopedia dell’Italiano: Prestiti, Treccani, 2011.
Gusmani, Roberto, Saggi sull’interferenza linguistica, Le Lettere, Firenze 1986.
Hysa, Ramazan, Fjalori anglisht shqip, Edfa, Tiranë 2000.
Martinet, André, Elementi di linguistica generale [Elements de linguistique generale, 1963], Laterza, Bari 1966.
Saussure Ferdinand de, Corso di linguistica generale, Laterza, Bari 1978 (përgatitur nga Tullio De Mauro).
Vaccaro Valeria Anna, Il prestito linguistico tra teoria e retorica, “Analisi Linguistica e Letteraria” (1/2007), Milano 2008.
Vehbiu, Ardian, Sende që nxirrte deti, Dudaj, Tiranë 2013.
Weinreich Uriel, Languages in contact: Findings and problems, Mouton 1968. [it. Lingue in contatto, Utet, Torino 2008]