Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

LAJME ME LESHTERIKË

Një lajm i çuditshëm mbushi faqet e gazetave italiane këtë fillim korriku. U fol për një djalë shqiptar që u shtir si i mbytur pasi kishte shkuar në det për zhytje. Për katër muaj nuk u bë i gjallë, sepse kishte frikë nga martesa me shkuesi.

Në datën 6 korrik 2016, Il Messaggero titullonte: “Si finge disperso in un’immersione per 4 mesi: era scappato per evitare il matrimonio” (Shtiret i zhdukur gjatë zhytjes për katër muaj: ishte larguar për të shmangur martesën). Në shkrim thuhet se për katër muaj rresht kushërinjtë dhe të njohurit kishin kujtuar se Xhevahir Gjuta, shqiptar 26 vjeçar, rezident në qytetin italian Groseto, kishte vdekur gjatë zhytjes në zonën Punta Ala. Kërkimet në det nuk kishin nxjerrë gjë në dritë. Djaloshi, kameraman i televizionit lokal Teletirreno, kishte vendosur të humbte gjurmët, sepse donte të evitonte martesën e realizuar me shkuesi në Shqipëri.

Shkrimi nuk tregonte asgjë më tepër. Në vend që ta shuante etjen për njohje, e rriste edhe më shumë. Përse vallë një shqiptar është i detyruar të zhduket nga qarkullimi? A nuk kishte mundësi ta refuzonte martesën pa dashuri? Nga cila krahinë ishte? Çfarë rrezikonte pasi nuk e pranoi martesën e kombinuar nga të tjerët? Përse mbijetojnë edhe sot këto dukuri të vjetra? Përse nuk ishte zhvilluar ndonjë intervistë me personin në fjalë? Po me familjen? Po me vajzën që do të bëhej nuse, ose me familjen e saj? As gazetat e tjera italiane nuk jepnin të dhëna të tjera, si shembull mund të jepet “Bergamo Sera” me shkrimin “Giovane si finge morto per evitare il matrimonio” (6 korrik 2016).

Sikurse ndodh në ueb, ku lajmet kërcejnë si topa ping pongu nga një cep në tjetrin të globit, informacionin e dhanë edhe gazetat shqiptare. Gazeta “Tema” botoi artikullin “Historia thriller: Kuksiani në Itali shtiret si i mbytur për të mos u martuar në Shqipëri” (6 korrik 2016) duke e veshur historinë me tis misteri dhe duke i shtuar prejardhjen djaloshit që nuk donte të martohej. Në thelb lajmi nuk kishte hollësi të tjera. Mbetej po ai. Megjithëse gazetaria shqiptare mund të ishte përpjekur të gërmonte disi, ndoshta me ndonjë telefonatë më tepër, për të mësuar diçka më shumë për këtë ndodhi të pazakontë.

Habia kapi majat e veta kur më sinjalizuan se ky lajm ishte botuar tre vjet më parë, që në vitin 2013. Në fakt “Shqiptari i Italisë” e kishte botuar që në datën 18 mars 2013 (Grosseto. Zhduket në det zhytësi 26-vjeçar). Në atë kohë ishte botuar edhe gazetat italiane. Madje ndonjëra syresh e kishte marrë pak me vonesë si Today në artikullin “Sub finge la sua scomparsa durante immersione: voleva sfuggire alle nozze” (Zhytës shtiret sikur zhduket gjatë zhytjes: donte t’i shpëtonte martesës).

Lajme të tilla duken si ato monstrat që dalin nga deti të mbuluar nga leshterikët, që kushedi ku i ke parë ose i ke përfytyruar. E nuk kuptohet nëse duhet të kesh frikë prej tyre apo të gajasesh me të madhe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin