Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

EMOCIONE TË PAKETUARA

Një letër që i ka mbërritur në redaksi gazetës “Dita” denoncon hiperbolat në deklaratat publike të politikanëve, duke filluar nga Basha, që i quan “krimi më i tmerrshëm” përgjimet e paligjshme që mund t’u jenë bërë disave nga organet e rendit; teksa Noka thotë se vjedhja në pistën e aeroportit të Rinasit qenkësh “ngjarja më tragjike”; dhe Berisha e shpall skandalin e Shukriut si “krimi më monstruoz”.

Vëzhgimi është me vend, denoncimi gjithashtu. Krime a shkelje të ligjit si këto nuk janë as “më të tmerrshme”, as “tragjike” dhe as “monstruoze”, sikurse vetë autorët e atyre deklaratave e dinë. Për këtë arsye, shtrembërimi madje përçudnimi në komunikimin publik, nëpërmjet intensifikimit dhe hiperbolës, nuk mund të shpjegohet me deficiencën e folësve.

Arsyeja ka të bëjë, përkundrazi, me dëshirën e këtyre politikanëve që jo vetëm t’ia mësojnë publikut të tyre çfarë ka ngjarë, por edhe t’i tregojnë si duhet të reagojë, ky publik, ndaj ngjarjes.

Normalisht, cilësorë të tillë si “i tmerrshëm”, “tragjik”, “monstruoz” përmbushin një funksion shprehës (ekspresiv) në ligjërim dhe tregojnë se çfarë emocioni ndien folësi, përkundrejt ngjarjes së referuar.

Tani, edhe Basha edhe Berisha e dinë se korrupsioni seksual i një kryetari bashkie është i dënueshëm në çdo pikëpamje, por nuk mund të jetë krimi “më monstruoz” – sepse pastaj ç’fjalë do të ketë mbetur të përdorësh për Gërdecin? Për Srebrenicën? Për pushkatimet pa gjyq të periudhës totalitare?

Prandaj misioni i fjalëve të tilla, në ligjërimin e politikanit të sotëm, nuk është të shprehin emocionet e folësve, por të përcaktojnë emocionet e dëgjuesve – në kuptimin që politikani e sheh me vend që ta udhëzojë publikun e vet si të reagojë, edhe emocionalisht, ndaj lajmit.

Ky lloj udhëzimi emocional përçohet nëpërmjet disa fjalëve të cilat përdoren në mënyrë rituale në kontekste të caktuara – si fjala “tragjike”, e cila e nxjerr kokën sa herë që duhet evokuar ndonjë farë reagimi emocional negativ.

Dhe sa kohë që forma të tilla intensifikuese dhe sipërore përdoren për të nxitur dhe ushqyer reagime emocionale negative, atëherë mund të supozojmë se “i tmerrshëm”, “monstruoz”, “tragjik” pritet të funksionojnë si fjalëkyçe të zemëratës.

Dhe të një zemërate që nuk ka lidhje me krimet në fjalë: askujt nuk i bëhet vonë nëse publiku i urren apo jo grabitësit e Rinasit. Këtu është fjala për zemëratë ndaj palës tjetër, që ka pushtetin dhe që i lejon këto krime “të tmerrshme” të ndodhin.

Sa herë që t’i dëgjoni këto fjalë, pra, kini parasysh se po përpiqen t’ju manipulojnë; dhe trajtojini njëlloj si të ishin maluer ose viruse të ligjërimit publik.

4 Komente

  1. Ne fakt nuk ka virus qe te infektoje homogjenitetin shpirteror dhe mendimin e shoqerise, kur malueri apo virusi peshtyhet ndaj te majtes. Edhe kur ajo ben sikur do te denoje Gerdecin, apo 21 janarin. Nuk po leshoj maluere, sepse e di qe denimi do te vije pas reformes ne drejtesi e cila po ngjan si testamenti dixhital i Enver Hoxhes. Do ngelet vetem nje parti, ajo e te pakorruptuarve.

  2. Jo se me prish ndonje pune dhe kot po them une tashti, po te quash “kriminel” e lloj-lloj tmerresh e tragjedirash psh Sali Berishen, i cili deri tashti te pakten zyrtarisht nuk ka ndonje llogari te hapur me drejtesine a nuk eshte e njejta pakete e perdorur per po ate qellim, por nga pala tjeter? Ja keshtu thjesht per “par condicio”.

    1. Patjetër e njëjta. Unë u mjaftova të analizoj letrën që kish marrë “Dita” – por me siguri ka edhe letra të tjera, në kah të kundërt, që nuk i kam gjetur. Dhe faqja këtu te ne është e hapur: bujrum, sillni materiale dhe komentoni.

      1. Ju edhe me aq sa kishit shkruar e kishit shterruar problemin e keqperdorimit te fjaleve dhe perdorimit te tyre si “paketa emocionale”. Une nuk isha i interesuar te rishkruaja ato qe kishit shkruar ju tashme, vetem desha te vija ne dukje faktin qe ky eshte nje mekat i te gjitha paleve politike ne Shqiperi dhe nuk ishte aspak nje verejtje apo kritike ndaj thelbit te shkrimit tuaj. Sa per te gjetur materiale te ngjashme nuk eshte ndonje zorr i madh, madje nuk ka nevoje as te kerkosh, mjafton te hapesh cfaredo gazete dhe te dalin perpara vetvetiu, sigurisht jo gjithmone ne formen e ndonje letre te shkruar nga ndonje ithtar i orjentuar.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin