Të shkruarit me gabime mund të duket si diçka që ndodh rëndom, por mjafton një analizë sado e përciptë e prezumimeve që i nënvendosen, për t’ia rrokur kompleksitetin. Duke filluar nga vetë koncepti i gabimit; po të përjashtojmë gabimet mekanike ose të njohura edhe si gabime shtypi ose typos; dhe gabimet e tjera që mund të kenë shkaqe neurologjike (disleksia) ose psikiatrike dhe që gjithsesi lidhen me patologji të individit shkrues si dhe shmangiet e imponuara nga teknologjia (tastiera e anglishtes), ky koncept u referohet gabimeve drejtshkrimore, dhe vetvetiu parakupton ekzistencën e një kodi, ose një mënyre të drejtë për të shkruar; në krahasim me të cilin kod, gabimet e dikujt janë shmangie, mosbindje ose edhe thjesht manifestime të një kodi tjetër, ndonjëherë edhe rival. Pra, kush shkruan me gabime dhe e di këtë, pranon në mënyrë implicite ekzistencën e një modeli të së shkruarit i cili idealisht duhej ndjekur; sikurse pranon edhe autoritetin virtual ose formal të këtij modeli. Në shqipe, modeli përkon me atë çfarë e quajnë Drejtshkrimi i vitit 1972, ose Rregullat e Drejtshkrimit të vitit 1972; ose, në vija më të përgjithshme, atë bashkësi rregullash që u miratuan dhe, për disa, edhe u sanksionuan nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. Nëse unë shkruaj me gabime dhe e di këtë, sepse ma kanë vënë në dukje shpesh, mbase qëkur isha në shkollë, kjo do të thotë se jam i vetëdijshëm që ekziston një mënyrë e drejtë e të shkruarit shqip, e cila ka një farë autoriteti shoqëror dhe kulturor ndaj meje si shkrues i shqipes dhe ndaj atyre që do ta lexojnë tekstin tim dhe do të gjejnë atje gabime; edhe pse natyra e këtij autoriteti nuk është pandërmjetëm e qartë. Rregullat e drejtshkrimit nuk janë ligj, edhe pse mund të shoqërohen me sanksione administrative po të shkelen, në rrethana të caktuara; por gjithsesi dhe në përgjithësi, ta shkruash shqipen keq nuk përbën ndonjë shkelje të ligjit. Në të njëjtën mënyrë, rregullat e drejtshkrimit nuk mishërojnë ndonjë autoritet moral, sepse ta shkruash shqipen sipas rregullave mund të jetë shenjë virtuoziteti, por jo virtyti. Gjithsesi, për disa nga ne pritet që ta shkruajmë publikisht shqipen sipas rregullave, dhe kjo pritje ka drejtpërdrejt të bëjë me statusin tonë (për natyrën e pritjes vetë do të flas më tutje). Disa i kanë konsideruar rregullat e drejtshkrimit si rezultat i një përpjekjeve të shkencës gjuhësore për të formuluar të vërtetën në lëmin e drejtshkrimit, ose për të përftuar një model sa më besnik ndaj thelbit të shqipes së shkruar; disa e kanë identifikuar autoritetin e tyre me traditën, ose e kanë përligjur “drejtësinë” e tyre me faktin që ato janë vazhdim legjitim i mënyrës si është shkruar shqipja tradicionalisht. Për disa të tjerë, rregullat e drejtshkrimit janë rezultat i një marrëveshjeje që ka marrë edhe bekimin nga shteti; në kuptimin që zbatimi i tyre është i detyruar në shkollat publike dhe në tekstet shkollore që përdoren nga shkollat publike; prandaj autoriteti që ato mishërojnë është autoritet formal ose shtetëror. Ky diskutim mund të na çojë larg; këtu do të mjaftohemi me konstatimin se, për shumicën prej nesh, drejtshkrimi i shqipes, si tërësi rregullash për shkrimin e shqipes së njësuar, përfaqëson autoritet – formal, juridik, shtetëror, kulturor, akademik, tradicional, konvencional, politik ose të ndonjë lloji tjetër. Dhe, më tej akoma, ky autoritet është i padukshëm dhe praktikisht jo-ekzistues për të gjithë ata që i kanë përvetësuar mirë rregullat e drejtshkrimit; dhe për ata të tjerët që nuk e kanë idenë se ekzistojnë rregulla të tilla dhe që, zakonisht, nuk shkruajnë; por përndryshe, materializohet dhe vepron ndaj të gjithë atyre të tjerëve, që e dinë se po shkruajnë me gabime ose të cilëve ua vënë këtë në dukje. Çfarë do të thotë se autoriteti drejtshkrimor manifestohet si agjenci a forcë imponuese, penguese ose qortuese, qoftë sociale a institucionale, qoftë brendashkruar vetëdijes individuale, në momentin që konstatojmë ose na konstatojnë të tjerët, se kemi bërë gabime në të shkruar. Pikërisht gabimi, ose shmangia nga rregullat drejtshkrimore, për arsye të mosnjohjes, moskokëçarjes, të interferencës dialektore, të ndikimit të një drejtshkrimi “alternativ” ose thjesht si shenjë mospajtimi ose rebelimi është edhe momenti kur shfaqet a materializohet autoriteti drejtshkrimor; në të njëjtën mënyrë siç shfaqet ligji në momentin kur konsumohet një akt i kundërligjshëm ose një krim. Dhe kjo është e vërtetë jo vetëm për atë që e bën gabimin dhe pastaj ia vënë në dukje, por edhe për të gjithë ata të tjerët, të cilët kujtohen për ekzistencën e këtij modeli drejtshkrimor ose autoriteti, sa herë që i gjejnë këto gabime në shkrimin e tjetrit; sepse kontakti me një fjalë të shkruar “gabim”, për shembull tregëtar në vend të tregtar ose lojra në vend të lojëra, na kujton menjëherë se ka një mënyrë “të drejtë” për t’i shkruar këto fjalë dhe se ekziston një autoritet, sado i butë dhe i mishëruar kryesisht në praktikën shkrimore, i cili rregullon të shkruarit publik. Sikur sistemi shkollor të funksiononte në mënyrë të përsosur dhe askush të mos u shmangej rregullave të drejtshkrimit kur shkruan në publik, atëherë ky autoritet nuk do të funksiononte dhe as do të ushtrohej më; madje as në mënyrë implicite, kur ta shkruanim shqipen në pajtim me rregullat; meqë të gjithë ne që shkruajmë pak a shumë sipas rregullave të drejtshkrimit nuk është se e vendosim si do ta interpretojmë këtë apo atë rregull, në momentin kur e shkruajmë fjalën; por thjesht zbatojmë një shprehi shkrimore dhe shkruajmë vetvetiu mirë, ose siç na e kanë mësuar. Që nuk ndodh kështu, kjo ka të bëjë jo vetëm me atë që sistemi shkollor nuk mund të jetë i përsosur, dhe me atë tjetrën që shkruesit e shqipes ndikohen edhe nga interferenca gjithfarësh, përfshi këtu ato dialektoret; por edhe me atë tjetrën, që rregullat drejtshkrimore nuk janë të krahasueshme me ato të mbledhjes dhe të zbritjes dhe të shumëzimit në aritmetikë; dhe se janë edhe ato produkt i një marrëveshjeje pak a shumë arbitrare, mes gjuhëtarësh, mësuesish, shkrimtarësh, gazetarësh dhe intelektualësh të ndikuar dhe të manipuluar nga konteksti politik i kohës kur ka ndodhur marrëveshja – siç ka qenë rasti me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, i cili u mblodh nën bekimin e regjimit totalitar të Enver Hoxhës. Çfarë nuk do të thotë se vendimet e Kongresit, përfshi këtu edhe vetë Rregullat e Drejtshkrimit, i diktoi personalisht Enver Hoxha; dhe as që Kongresi vendosi ashtu siç vendosi, në mënyrë që t’i bënte qejfin liderit totalitar; por vetëm do të thotë se këto rregulla drejtshkrimore që kemi sot pasqyrojnë, në shumë mënyra, edhe situatën politike të kohës kur u sanksionuan si rregulla; njëlloj siç pasqyrojnë edhe shumë gjëra të tjera, duke filluar nga tradita e shkrimit shqip dhe nga tradita e zhvillimit dhe ndërveprimit të varianteve letrare të shqipes gjatë shekujve XIX-XX. E rëndësishme, për argumentin tonë, është të kemi parasysh se gabimet drejtshkrimore që bëjmë sot mund t’i kenë rrënjët jo vetëm në mangësitë dhe në indiferencën tonë, ose në keq-funksionimin e sistemit arsimor, por edhe në faktorë socialë dhe politikë, sikurse edhe thjesht në arbitraritetin që shoqëron çdo lloj konvencioni kaq gjithëpërfshirës.
1 Koment
Komentet janë mbyllur.
Mendoj se kompleksiteti i rregullave dhe modeli mekanik i mesimdhenies jane arsyet kryesore. Kush arrin t’i kompesoje me pasion individual per gjuhen dhe letersine ul numrin e gabimeve. Besoj se kompleksiteti i rregullave imponon edhe modelin e mesimdhenies.Ka njefare ngjashmerie me kompleksitetin e legjislacionit dhe nevojen per juriste. Pak a shume presim qe ligji te jete logjik e i pranueshem per mendesine dhe etiken tone, mirepo kemi nevoje per avokatin, perndryshe bejme gabime kolosale. Pertej krahasimit e kompleksitetit, qe te shkruhet mire edhe duhet menduar mire, gje qe mund te duket edhe e vertete banale, por edhe e kunderta, dmth krejt e pavertete, madje pa lidhje fare. Kushdo mund t’i mbeshtese me argumente pafund te dyja qendrimet. Por, besoj se mund te bihet dakort qe perpjekjet mendore per zoterimin sa me te mire te logjikes se gjuhes kane nje kosto me te ulet sesa mekanika qe mbart leximi i vazhdueshem i letersise. Kritika e te tjereve ndaj gabimeve tona duhet te hyje tek kategoria e perpjekjeve mendore rreth logjikes se gjuhes, se nqs eshte vetem nje vizore kokes se forma eshte x e jo y, atehere sa te ike kujtesa e dhimbjes qe solli vizorja, do te ike edhe forma x. Me tej, rebelimi ndaj imponimit merr permasa te frikshme kur futen ne mes elemente socio-politike. Ne kete prizem rezulton kunderprodhuese te meshohet ne koncepte si arbitrariteti e konvencioni i gjuhes, rregullit apo normes, pasi kushdo ndihet i legjitimuar te kerkoje nje konvencion te ri. Pa pasur kurrfare kompetence gjuhesore, kushdo mund te dale e te thote qe sasia e gabimeve drejtshkrimore kerkon nje konvencion te ri, si hapi i pare per daljen nga kriza, pasi pa nje marreveshje te re publike, mbarekombetare, asnje perpjekje per ristabilizim te rendit gjuhesor, nuk mund te kete sukses. Fakti qe deri me sot nuk ka ndodhur gje ne kete drejtim nuk i detyrohet mungeses se perpjekjeve per nje konvencion te ri, por binomit gjuhe-komb, qe ka rrenje te thella ne ndergjegjen publike,ka njefare pengese ne radhe te pare ontologjike, persa kohe qe nje konvencion i ri do shkaktonte krizen e binomit gjuhe-komb, ne kuptimin qe nqs rishikojme gjuhen atehere hapet mundesia edhe per rishikimin e kombit. Nuk besoj se askush ne vendimmarrje ka ndermend qe per nje plesht te djege jorganin, sepse nqs flasim troc shqipja e shkruar nuk ka kurrfare tradite apo brezi qe ka ditur te shkruaje relativisht mire, gjithnje ka qene rrumpalle drejtshkrimore, thjesht ne epoken e internetit bie ne sy me shume.