Janë të shumëllojshme shkaqet pse u shmangemi, në të shkruar, rregullave të drejtshkrimit, pa çka se në shkollë praktikisht të gjithë kemi mësuar të shkruajmë sipas atyre rregullave; madje jo vetëm të shumëllojshme, por edhe të ndryshme nga arsyet që sjellim ose sajojmë ne vetë. Mes më kryesoreve, do të përmendja idenë e gabuar, ose rrejshmërinë (fallacy) se të shkruarit shqip është një lloj transkriptimi fonetik i të folurit, që na shtyn të shkruajmë shum në vend të shumë, thjesht ngaqë ë-ja fundore në shumë fjalë të shqipes nuk shqiptohet më, sidomos në regjistrin bisedor; e më tej, hiperkorrektizmin dhe nevojën për ekonomi në të shkruar. Hiperkorrektizmi na bën t’i shmangemi një rregulle duke kujtuar se po e zbatojmë, për shembull kur shkruajmë shqipëtar në vend të shqiptar; dhe jo rrallë shfaqet nëpërmjet shtimit të ë-ve atje ku nuk ka nevojë. Me interes për vëzhguesin janë edhe shmangiet prej rregullave për hir të ekonomisë në të shkruar, ose të nevojës elementare për të prodhuar tekste me një minimum energjie: sot, për të kursyer mundin, po shkruajmë një masë të madhe tekstesh shqip me një alfabet të thjeshtuar, pa ë-të dhe ç-të, ngaqë këto shkronja shpesh mungojnë në tastierat tona të kompjuterëve. Natyrisht, ka mënyra për t’i përftuar shkronjat munguese; por shpenzimi i energjisë, në këtë rast, mendohet si i panevojshëm. Kush e shkruan fjalën është si eshte jo se nuk di të përdorë ë-të a nuk është në gjendje të dallojë në përdorim midis ë-ve dhe e-ve; por thjesht beson se grafia eshte do të mjaftojë, që lexuesi ta marrë vesh se bëhet fjalë për është (dhe kjo shmangie i përket një fenomenologjie krejt tjetër nga shmangia e atyre që shkruajnë âsht ose osht në vend të është). Sot praktikisht të gjithë e bëjmë këtë; unë vetë shkruaj rëndom pa ë-të, në komunikime me natyrë vetjake, private ose, gjithsesi, jopublike; të tjerë shtyhen edhe më tej dhe e shkruajnë shqipen me alfabet të cunguar edhe në publik, për shembull në Facebook. Shqetësim këtu përbën jo aq shkrimi i shqipes me 34 shkronja, sesa fakti që kjo praktikë mund të përgjithësohet te një brez më i ri, që nuk ka pasur kohë ta përvetësojë kodin tradicional dhe prandaj vazhdon të shkruajë herë pas here per në vend të për; dhe ben në vend të bën, edhe në ato rrethana kur përpiqet të ndjekë normën. Dhe përbën shqetësim jo thjesht ngaqë shkelen rregullat, por sepse në shqipen standard dallimi në shkrim midis e-së dhe ë-së është funksional ose luan rol në komunikim, sidomos në fazën e dekodimit – ose nga pikëpamja e atij që e lexon mesazhin; çfarë do të thotë se ekonomizimi që bëj unë, duke shkruar me 34 shkronja, shpesh do të transferohet si mundim shtesë në dekodimin që ia bën tekstit tim lexuesi. Një shkak tjetër i rëndomtë i shmangieve nga norma drejtshkrimore ka të bëjë drejtpërdrejt me interferencën e një kodi tjetër, për shembull atij fonematik të dialektit (gjeografik); siç ndodh kur shkruajmë qfarë në vend të çfarë, ngaqë dialekti na pengon ta interpretojmë drejt çiftin ç/q të standardit; të tilla shmangie duhej t’i eliminonte procesi i alfabetizimit në shkollë, por shpesh nuk arrin, ngaqë mësuesit janë të paaftë ose indiferentë. Në vija të trasha, përvetësimi i rregullave të drejtshkrimit dhe i normës gjuhësore parakupton jo vetëm njohjen e këtyre rregullave dhe përftimin e shprehive përkatëse, por edhe aftësinë për të njohur ato situata dhe kontekste të komunikimit kur duhen zbatuar rregullat, përkundrejt atyre situatave dhe konteksteve të tjera të komunikimit, kur të njëjtat rregulla janë fakultative. Nëse unë, kur ulem t’i shkruaj me dorë motrës sime, sërish e ndjek kodin drejtshkrimor që kam mësuar në shkollë, e bëj këtë sepse ashtu e kam më të lehtë, në kuptimin që nuk di të shkruaj ndryshe me dorë; por me po aq lehtësi përqafoj një kod tjetër, të thjeshtuar, kur më duhet t’i shkruaj sërish motrës sime, por këtë herë me tastierën anglishte të laptopit. Në të dyja rastet, është nevoja për ekonomizim që m’i dikton zgjedhjet. E megjithatë, zgjedhjet e mia janë të dikujt që e ka kaluar “me sukses” procesin e disiplinimit gjuhësor në shkollë; çfarë nuk ndodh me të gjithë; dhe veçanërisht nuk ndodh me ata prej nesh të cilët nuk shkruajnë zakonisht në publik dhe për publikun; por e bëjnë për arsye praktike, për shembull për të mbajtur shënime ose për komunikime private dhe me natyrë intime. Është karakteristikë e bashkëkohësisë, që një pjesë e këtyre teksteve, që ndjekin kode të ndryshme nga ato të komunikimit publik, të përfundojnë megjithatë të lexuara në publik; siç ndodh kur mediat bëjnë publike SMS-të e shkëmbyera nga persona të caktuar; ose edhe në forumet ku shumë përdorues Interneti shkruajnë në mënyrë anonime; në rrjetet sociale; dhe, më në fund, te hapësirat e komenteve në faqet ueb të mediave. Megjithatë, në shembuj si ky më poshtë, i marrë në mënyrë të rastësishme nga një rrjet social, gjen një gërshetim gabimesh shtypi, shmangiesh nga norma (ose gabimesh drejtshkrimore) dhe shmangiesh të vetëdijshme nga kodi – në kuptimin që autori nuk është se përpiqet të ndjekë rregullat e drejtshkrimit, por shkruan në mënyrë transkriptive a duke regjistruar të folurit me teknika rudimentare: dhe duke e krijuar kodin e vet tentativisht dhe hap pas hapi, në bashkëpunim edhe me të tjerë që shkruajnë kështu; çfarë ka çuar tashmë në kristalizimin e një “kodi subversiv” të të shkruarit online, me të cilin anëtarët e një grupi social jo vetëm komunikojnë mes tyre, por edhe identifikohen si të tillë:
Sociolinguistika shqip ende nuk i ka përpunuar mjetet që i duhen për t’u përballur me dukuri të tilla; të cilat me gjasë i përkasin një hapësire të tretë të komunikimit, të ndërmjetme midis gjuhës së shkruar dhe gjuhës së folur; dhe që vjen duke u zgjeruar krahas me përdorimin masiv të kompjuterëve, telefonave smart dhe tabletave në komunikimin ndërpersonal shpesh jo-publik. Vetë përhapja kapilare e telefonisë inteligjente, ose fakti që gjithkush tani zotëron një pajisje me të cilën mund t’i dërgojë dikujt një SMS, po i bën përdoruesit t’i kthehen komunikimit me shkrim në ato kontekste ku më parë do të kishin përdorur, normalisht, ligjëratën e folur; por të paktë janë ata, mes këtyre përdoruesve, që e kanë pasë shkruar shqipen rëndom ose përditë më parë. Shqipja e chat-eve dhe e SMS-ve është e hatashme, në variacionet e saj, shmangiet nga norma dhe kombinimet befasuese të interferencave dialektore me hiperkorrektizmin dhe transliterimin eksperimental, pa folur për shkurtimet dhe manierizma të tjera dhe përpjekjet për të krijuar efekte stilistike të reja; por kjo shqipe nuk mund të studiohet thjesht si shmangie nga norma, përfshi këtu edhe rregullat e drejtshkrimit; dhe thjesht për arsyen se këto rregulla nuk vlejnë për komunikimin privat ndërpersonal; jo në kuptimin se duhen shkelur, por në kuptimin se nuk duhen ndjekur, janë opsionale. Të qortosh gabimet, në kontekste të tilla, është si të rrahësh një kalë të ngordhur.
[vijon]
Përshëndetje !
Më lejoni të shpreh konsideratën time të lartë për Ju si autor i blogut dhe për këtë shkrim në veçanti.Një shkrim që kur e lexon ndjen se kishe të njëjtat mendime,por që del një mjeshtër he t’ i shtjellon paqartësitë që kishe në mendje.
Duke qenë nga Kosova, ndeshja me këto dukuri është e çdoditshme, por dua të theksoj se për të tilla probleme këndej nga anët tona, përveç të gjitha arsyetimeve sociolinguistike, duhet shtuar edhe sistemi i dobët shkollor.Ndoshta duhet pritur edhe një a dy dekada tê shohim me gjeneratat e reja, nëse kemi mundur ta stabilizojmë standardin në Kosovë, ndërkaq për brezat e shkolluar nën apartaheidin serb e që sot janë 30 vjeç e mê shumë davaja është e humbur.
Një çështje me interes që e trajtuat, qe hiperkorrektizimi.E kam vërejtur këtë element, sidomos të pjesoret e foljes.Shpesh kemi një përpjekje të përdoruesve për rrafshim të kesaj dukurie, p.sh.; kemi ardhur, kemi dalur, kemi nxjerrur ose anasjelltas: kemi ardhë etj.Mendoj se këtu duhet t’ i vëmë pak “faj” edhe standardit që nuk ka krijuar një paradigmë të vetme për këtë grup pjesoresh.
Në shkrimin tuaj vërejta edhe një formë jostandarde të së shkuarës tri pjesëshe:kanë pasë shkruar ; në vend të: kanë shkruar….
Ç’ mendim keni për këtë element: a mund të inkorporohen në standardin aktual?
I nderuar Bashkim,
Ju falënderoj për komentin dhe për fjalët e mira. Ngrini një çështje që edhe unë e konsideroj si kyçe; dhe që nga këndvështrimi im, do të ishte nevoja për një zgjerim të standardit. Çfarë do të ishte i ndryshëm nga RISHIKIMI. Zgjerimi kërkon pak më tepër punë dhe një koncept më të artikuluar për shqipen dhe si funksionon ajo sot; dhe pikërisht, një analizë të kujdesshme të dallimeve midis regjistrave të gjuhës, shqipes së folur dhe shqipes së shkruar dhe stileve funksionale; ashtu, në disa lloje përdorimesh mund të lejoheshin dysorë ose forma që në disa lloje përdorimesh të tjera do të konsideroheshin gabime. Për shembull, në anglishte, ka regjistra tejet formalë ku apostrofi në format si can’t, shouldn’t nuk do të rekomandohej; dhe përdoruesve do t’u kërkohej të shkruanin cannot, should not etj.; e njëjta gjë mund të provohej edhe me shqipen. Këtu besoj do të hynin në punë dysorët, të cilët shqipja i ka, të tipit mas/mat, ose plas/pëlcas etj.; dhe që mund të shtoheshin pa krijuar ndonjë vështirësi; me të vetmin kusht që do të ishte konsistenca. Për shembull, në qoftë se pjesore të tipit hapë, lagë, qepë (krahas hapur, lagur, qepur) do të përfshiheshin në normë në disa nivele të shqipes së shkruar, p.sh. në shqipen e letërsisë artistike ose të gazetarisë, atëherë përdoruesit duhej të shkruanin gjithnjë hapë; dhe jo një herë hapur dhe një herë tjetër hapë brenda të njëjtit tekst. Sugjerimi im do të ishte që standardi të artikulohej dhe të pasurohej; duke ia ruajtur thelbin – kjo edhe për të ruajtur një vijueshmëri me tekstet që janë botuar tashmë. Dhe meqë ra fjala, tani po lexoja se, për shkak të ndryshimeve të shpeshta të standardit në norvegjishte, nxënësit e sotëm në Norvegji e kanë të vështirë ta lexojnë Ibsenin në origjinal dhe parapëlqejnë ta lexojnë në anglishte! Duam edhe ne që të ndodhë kështu me klasikët e letërsisë moderne shqipe?
Edhe unë nuk jam për rishikim të standardit.Por, në komunikimin me shkrim, këtu tek ne, ka problem me drejtshkrim tê tipit të këtyre pjesoreve.Në disa raste, shkruesi shkruan mirë sipas rregullave: kanë dalë, kanë marrë dhe vazhdon duke kujtuar se po përfill rregullat: kanë ardhë, kanê hapë, etj.Ose kur pjesoret përfundojnë me -ur ; vazhdon me këtë formë edhe në të gjitha rastet.
A do të duhej në këtë rast që të kemi vetëm një formë për të gjitha pjesoret?
Jam në të njëjten vijë me zgjerimin e standardit që propozoni Ju.Mendoj se një dizajnim i audiencës gjuhêsore është i domosdoshëm në mënyrë që të gjithë të kuptojmë se si ” është vendi, bëhet kuvendi” dhe nxënësit do të mund të edukoheshin nê këtë formê se ka një diversitet gjuhësor në bazë të situatave të komunikimit.
Sa për konsistencën, nuk besoj se është ndër pikët më të forta tonat.