Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

TË VOTOSH APO TË MOS VOTOSH

Vota tronditëse në favor të Brexit, referendumi italian që do të zhvillohet në vjeshtë për ndryshimet në Kushtetutë dhe ideja e hedhur së fundi që shqiptarët ta votojnë reformën e drejtësisë me referendum, na detyrojnë t’i kthehemi sërish diskutimit për demokracinë referendare dhe sistemin mazhoritar.

Pas votës për daljen e Britanisë së madhe nga Bashkimi Europian pati shumë interpretime e debate. Vetë shenjat e pendesës, që po shfaqen në shumë zgjedhës anglezë tregon se mjaft prej tyre nuk ishin shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e temës në çastin e votimit. Po kështu milionat e firmave për zhvillimin e një referendumi tjetër dhe kërkimet e ankthshme në motorët e kërkimit në internet për të mësuar se çfarë është BE-ja.

Nuk është vendi për të analizuar gjatë arsyet që i shtynë mbështetësit e “leave” dhe atyre të “remain”; as të ndalemi tek matja e flukseve të votave, që tregoi qartë se të rinjtë votuan me shumicë në favor të BE-së. Fakti është se ata që votuan daljen nga Bashkimi Europian kishin arsyet e tyre, herë të mbështetura dhe herë imagjinare, herë të shoshitura me logjikë, herë të induktuara nga propaganda frikëndjellëse. Partitë nuk e ndihmuan qytetarin të merrte një vendim të vetëdijshëm, të bazuar në peshimin e faktorëve pro dhe kundër, larg emotivitetit kontigjent dhe pasioneve verbuese. Siç u vërtetua tashmë, gjatë fushatës pati edhe informacione manipuluese.

Që ky Bashkim ka shumë të meta dhe duhet të ndryshojë absolutisht e dinë të gjithë ata që jetojnë në Europë. Mirëpo, për fat të keq, referendumi ka vetëm dy kuti ku mund të vihet shenja: ose Po, ose Jo (jashtë ose brenda). Ndërkohë që ka pasur me siguri nga ata qytetarë anglezë, që nuk duan të rrinë brenda këtij Bashkimi, por duan të bashkëjetojnë me rregulla të tjera, ta zëmë më pak burokratike, pra në një Bashkim tjetër. Mirëpo sistemi referendar dhe ai mazhoritar është i prerë. Ka vetëm dy opsione dhe fitojnë ata që kalojnë 50% + 1 votues. Të tjerët, pavarësisht nga arsyetimet e thella apo jo, mbeten me gisht në gojë. Po sikur referendumi të kishte, ta zëmë, tre opsione? Daljen, qëndrimin dhe qëndrimin me ndryshim të BE-së? Kush do të fitonte?

Meqë nuk është rasti e gjithsesi antihistorike të vëmë në diskutim votën universale, pra të drejtën e votës nga ana e të gjithë atyre që mbushin moshën madhore, pavarësisht nga arsimi ose shtresa shoqërore, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të gjejmë sisteme të tjera për të shmangur votimet e diskutueshme siç ishte ai për Brexit. Ndoshta duke riparë rregullat e ftohta aritmetike që nuk e bëjnë demokracinë, por vetëm sa e shtrëngojnë. Megjithatë, referendumi ishte brenda rregullave ekzistuese të demokracisë dhe si i tillë duhet të respektohet. Fakti është se partitë politike jo vetëm nuk siguruan informacion cilësor e të bollshëm për qytetarët, por e rritën temperaturën e debatit për t’ua mjegulluar arsyen. Me fjalë të tjera, ka rëndësi referendumi, por edhe mënyra se si zhvillohet ai.

Pa hyrë në rastin italian, ku në tetor do të votohet reforma kushtetuese, me një po ose jo të thatë, mund të përmendim hipotezën e votës referendare për reformën e drejtësisë në Shqipëri. Kjo reformë na është shfaqur këto muajt e fundit në mënyrë enigmatike, më shumë në trajtën e përplasjeve partiake, krejtësisht autoreferenciale, duke na e fshehur praktikisht përmbajtjen. Por nga ana tjetër, edhe për ata që kanë dashur të dokumentohen seriozisht, nuk është e lehtë të gjykojnë me dy opsione (ose merre, ose lëre) lidhur me një reformë të artikuluar e të koklavitur, ndoshta të pakuptueshme për disa pika edhe për juristët vetë.

Problemi është se demokracia përfaqësimtare ka hyrë në krizë prej kohësh, çka shfaqet si diçka ciklike në histori, por në epokën e internetit tendencat e demokracisë direkte duken më të forta. Në të vërtetë, për të trajtuar tema të tilla të ngatërruara, qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Këta, pasi i studiojnë problemet e ndryshme, qoftë me ndihmën e ekspertëve përkatës, vendosin për një zgjidhje të caktuar dhe më pas u përgjigjen zgjedhësve, të cilët kanë gjithnjë armën e votës së lirë për t’i gjykuar.

Në këtë drejtim, duket interesant mendimi i ekonomistit nobelist Amartya Sen, sipas të cilit “referendumi duhet të përdoret vetëm për çështje të thjeshta e të veçuara”. “Në demokraci – shprehet ai – disa çështje duhet të vendosen nga ata që qeverisin, por pasi të nisin një diskutim publik, me kontroll të fakteve”. Pjesa e dytë e pohimit duket më e rëndësishme se sa e para dhe lidhet gjithsesi me referendumin.

Politikanët dhe partitë duhet t’u krijojnë kushtet ideale qytetarëve të vet, kur ata shkojnë në kutitë e votimit. Në këtë pikë ndihmon shumë debati publik, i hapur, i sinqertë dhe i barabartë për të gjithë, edhe nga pikëpamja mediatike; duke shmangur instrumentalizimet, manipulimet e ideologjizimet.

Por ajo çka i mungon klasës politike është përgjegjshmëria dhe përgjegjësia, dy elemente të domosdoshme edhe për menaxhimin e krizës aktuale europiane.

8 Komente

  1. Shkrova dy radhë reagim në shkrimin e mëhershëm të A. Vehbiut dhe nuk përtoj ta përsëris edhe këtu, aq më tepër që sot ka edhe më shumë informacion nga ç’kishte më parë: ideja se britanikët kanë votuar të painformuar, për çka dhe na qenkan penduar pas votimi, është mashtrim mediatik. Nuk ka kurrfarë kërkimesh të ethshme në internet “se çfarë është BE-ja” – bëhet fjalë për një numër njerëzish më pak se një mijë vetë atë mëngjesin e famshëm pas daljes së rezultatit. Edhe peticioni për një referendum të ri “me miliona nënshkrues” është bërë objekt hetimi për shkak të mashtrimeve të shumta të vërejtura. Sa për ato intervista që kanë mbirë televizioneve me njerëz të penduar për votën e largimit, s’ke ç’thua shumë – dhjetë, njëzet, ja edhe pesëdhjetë veta që kanë shprehur pendesë për si kanë votuar janë pesë me hiç në raport me 45 milion votuesit që morën pjesë në atë referendum. Madje, për këtë të fundit, i duhet njohur merita shpirtit britanik, që karakterizohet përgjithësisht nga përmbajtja. Hiti ndër proceset e pendimit televiziv është një intervistë e BBC “me Adamin e penduar”. Po t’ua kishin lënë në dorë italianëve këtë punë, patjetër që hit do të ishin intervistat e Adamit dhe Evës. Ndërsa po të kishin ngarkuar shqiptarët për këtë operacion mediatik, veç intervistave të Adamit dhe Evës, do të kishim në të njëjtin kolazh edhe intervistat e Ademit dhe Havasë, si dhe atë të kryeministrit (jo të britanikut, por të këtij tonit, që s’le dot rast pa i treguar botës sa plot e ka shinikun). Për të nxjerrë edhe një herë në pah, meqë do jepej rasti, harmoninë tonë fetare.
    PTF zakonisht tregohet e ndjeshme për gjepurat që publikohen në shqip. Çfarë kanë kaq tërheqëse gjepurat e publikuara në gjuhë të huaj?

    1. Për saktësim, pse pas postimit vura re një ngatërresë që kam bërë: 45 milion ishte numri i qytetarëve me të drejtë votë, numri i votuesve ishte nja 30 milionë.

    2. null

      Fotografia është e një autobusi propagandistik, të përdorur gjatë fushatës së referendumit, nga partia e “LEAVE.”

      Për më tej, lexoni këtu.

  2. Nuk është mendimi im, por i shumë analistëve se referundumi Brexit u kushtëzua shumë nga frika ndaj imigrantëve. Me pak fjalë emocioni e mbyti arsyen. Mirëinformimin unë e lidh edhe me kinse gabimet që bëhen në fushatë siç ishte ajo e Nigel Farage, i cili në programin Good Morning Britain në ITV, tha se nuk mund t’i garantonte 350 milionë sterlinat për Shërbimin shëndetësor britanik. Ky premtim, sipas tij ka qenë gabim gjatë fushatës. Për mua këto nuk janë gabime, por keqinformime, sikurse janë ato që duan t’i kallin datën njerëzve për imigrantët që mbërrijnë në brigjet europiane.
    Pastaj, shkrimi i mësipërm nuk ishte vetëm për Brexit. Fliste edhe për Shqipërinë, apo jo?

    1. Me frikën, politikanët në botën perëndimore kanë kohë që luajnë – rasti i Britanisë nuk është se përbën ndonjë përjashtim. Pastaj, kur përmendni elementin e frikës që është përdorur për t’i shtyrë njerëzit të votojnë largimin, mirë është t’i hidhni sytë edhe nga kampi tjetër. Një nga akuzat kryesore që i bëhet sot Kameronit është se u përpoq t’i trembte votuesit me ‘katastrofën” që do i ndodhte Britanisë pas largimit. Mesa duket, qytetarët s’ia varën shumë kësaj linje dhe ndoqën interesin e tyre. Unë vetë u habita nga rezultati i referendumit, pasi i bëja llogaritë nisur interesat e mia si shqiptar për atë çfarë efekti do të kishte rezultati aktual për vendin tim, por duket se anglezët as interesit tim nuk ia varën shumë.
      Sa për referendumin në Shqipëri, nuk shoh ndonjë lidhje me atë tjetrin dhe as kam dëshirë të harxhoj kohë me shashkat e politikës shqiptare. Në Britani njerëzit u pyetën për një çështje të caktuar, ata votuan dhe tani qeveria e tyre është e shtrënguar të marrë masat për ta përmbushur atë politikë. Në Shqipëri nuk di t’i ketë pyetur kush njerëzit. Nga ana teorike, ideja e referendumit për reformën në drejtësi është vënie para faktit të kryer – politikanët, ekspertët dhe të huajt kanë zhgarravitur një biçim reforme dhe tani duan të na shtrëngojnë ta votojmë apo jo, në vend që të na pyesnin fillimisht me një referendum me disa pyetje e pastaj të ndërmerrnin reformën. Por kjo vetëm nga pikëpamja teorike. Se nga ana praktike, zhurma për referendum s’është tjetër veç mbulesë për dëshirën e qeverisë së këtij biçim kryeministrit për zgjedhje të parakohshme, me të cilat kërkon të zgjidhë dy gjëra që s’kanë hiç lidhje me atë reformën e famshme: të shmangë rënien e mëtejshme të kuotave të veta politike (të cilat pas një viti mendohet të jenë edhe më katastrofë nga ç’janë sot) dhe të sigurojë sa më tepër avantazh të mundet në betejën politike për zgjedhjen e presidentit të ri që ligjërisht i bie të ndodhë verën e ardhshme, në një periudhë vakumi parlamentar. Unë nuk është se ngazëllehem shumë vetëm ngaqë politikanët bërtasin se do bëjnë zgjedhje të parakohshme dhe referendum bashkë. Nuk kam dëgjuar gjë të jetë miratuar ende ligji (i detyruar për hartim) mbi referendumet, dhe as di të jetë shfuqizuar kapitulli i vjetër i Kodit Zgjedhor që ndalon mbajtjen e zgjedhjeve dhe referendumeve bashkë, apo që ndalon mbajtjen e referendumeve gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të parlamentit dhe tre muaj pas mbledhjes së parlamentit të ri – shto pastaj dhe kohën që kërkon shqyrtimi i kërkesave referendare nga Gjykata Kushtetuese dhe KQZ-ja. Me procedurën e ngatërruar që është lënë qëllimisht në fuqi për referendumet, praktikisht ato nuk organizohen dot për çfarëdolloj çështjeje qoftë as këtë vit që ka mbetur, as vitin tjetër, pse nuk kapin dot afatet e nevojshme kohore. Ju për çfarë referendumi në Shqipëri po flisni?

      1. Fakti që politikanët në botë luajnë me frikën nuk e bën këtë akt të pranueshëm për mua. Përkundrazi, tregon degradimin e politikës. Kur emotiviteti i kalon caqet e duhura, duke asfiksuar arsyen, për mua ekziston një problem serioz. Që mund të jetë kudo, dhe e përdorur nga të gjitha palët si praktikë tashmë të konsoliduar, kjo vetëm sa më nxit ta theksoj më shumë si çështje.
        Nuk më shkon absolutisht ndër mend të vë në diskutim legjitimitetin e referendumit britanik. Vullneti i popullit duhet të respektohet deri në fund.
        Thashë të ngrija, modestisht, ngaqë nuk kam të vërteta në xhep, disa pikëpyetje për probleme që na takojnë të gjithëve. Në tetor do të votohet për Kushtetutën në Itali, kurse në Shqipëri flitet prej kohësh për një referendum për reformën e drejtësisë. Për të qenë të saktë, fola për hipotezën e referendumit, e ritheksoj për hipotezën (shikoje me vëmendje më lart), sepse arsyeja dhe përvoja më tregojnë se, kur ekziston vullneti politik për diçka, ligjet dhe rregulloret (sidomos në Shqipëri) trajtohen si lidhëse këpucësh; zgjidhen e lidhen sipas dëshirës. Po t’u shkrepet politikanëve shqiptarë, të mbështetur nga faktori ndërkombëtar (më pëlqen si shprehje), referendumin e propozuar nga disa palë e bëjnë kur të duan. Nuk ka ligj apo afat që i ndalon. Ia gjejnë anën, po të duan.
        Dakord, ka mundësi të jenë shashka dhe e kuptoj që jo të gjithë kanë kohë të merren me to. Por mua, që “kohën nuk di si ta vras”, më interesojnë, qoftë për zhurmën që krijojnë. Fundja një palë veshë kemi. Edhe gjepurat janë mjaft relative… p.sh. ai pohimi i mësipërm i Nigel Farage, që u la në harresë, nuk duket pa rëndësi. E kam fjalën për vete.
        Pra referendumi për Brexit na dha mundësi të reflektojmë për tema madhore siç janë referendumi, demokracia direkte, informacioni gjatë fushatave zgjedhore, etj. Brexit po i bën shumë mirë edhe Europës vetë, që është e detyruar të ndryshojë thelbësisht, përndryshe vdes pas një agonie të gjatë, ose të shkurtër. Nuk e di.

  3. E njoh çështjen e “autobusëve të Farazhit” pse e kam ndjekur në linja të trasha referendumin në Britani. Fundja, ja dhe atij i kërkuan llogari për hesapet pa hanxhinë që u kishte bërë votuesve britanikë dhe e detyruan të shkojë në shtëpi, njësoj si dhe kryeministrin e vendit. Këtu nuk po diskutoja çfarë na pëlqen e çfarë jo nga gjërat që s’i kemi në dorë. As mua s’më pëlqen kur dëgjoj që njerëzia hedh të tjerët në erë me dinamit, por ja që e bëjnë – nuk do më marrin dorën mua si i zgjidhin punët e tyre. Ju thoni se s’ju pëlqen kur shihni që politikanët përdorin frikën mbi elektoratin dhe se me këtë nuk pajtoheni kurrë. Epo, ja që ata e përdorin dhe s’pyesin shumë as ju, as mua për këtë punë. Ajo që ju keni në dorë është të tregoheni intelektualisht i paanshëm kur analizoni një çështje, dhe jo të zgjidhni pjesën e frikës që ju shkon për shtat ideve tuaja dhe ta paraqisni fitoren e një krahu në referendumin britanik si pasojë e asaj frike, duke i dhënë një kështu përmasë të matshme dhe me efekt, dhe duke injoruar frikën e injektuar dhe duke e përmasuar në zero efektin e saj në rastin e përdorimit nga kampi humbës i atij referendumi. Sepse sot për sot askush nuk është në gjendje të thotë sa vetë kanë votuar për largimin nga BE, të shtyrë nga frika e induktuar prej “emigracionit përmbytës” apo “parave që po i ha BE-ja”, ashtu siç askush nuk është në gjendje të thotë sa vetë kanë votuar për qëndrimin në BE të shtyrë nga frika e induktuar për “rrënimin ekonomik britanik” apo “katastrofën e të ardhmes së përbashkët evropiane”. Njerëzit i dëgjuan politikanët e në fund votuan sipas xhepit të tyre, duke i dhënë një shuplakë të fortë elitave politike e atyre financiare, vendase e evropiane.
    Nuk di të them për referendumin në Itali, pse s’e ndjek prej kohësh ç’bëhet në atë vend – politika dhe pasqyrimi i saj mediatik atje m’u kanë dukur prej kohësh thjesht një format ca më i zbukuruar i këtij variantit të rrëgjuar që kemi në Shqipëri. Por në qoftë se në rastin e Italisë kam mundësi t’ia plotësoj “dëshirën” vetes, në rastin e Shqipërisë nuk mundem, se jetoj këtu. S’kam dëshirë, por jam i shtrënguar t’i mbaj veshët hapur për të kuptuar gjëmën e radhës që do të na bëjnë. Dhe pikërisht nuk dua të ndodhë ajo që parashikoni ju, që po të duan, ia gjejnë anën gjërave. Jo, unë – dhe si unë, mund të ketë plot të tjerë – dua që ata t’u përmbahen kontratave. Sepse, pas midesë sime, në rrafshin shoqëror e vetmja gjë e vërtetë janë kontratat që njerëzit lidhin mes tyre, të tjerat janë pallavra. Ligjet janë kontrata, premtimet elektorale të votuara janë kontrata, deri edhe të drejtat – për të cilat ca bërtasin se janë hyjnore e ca të tjerë se janë natyrore – s’janë gjë tjetër veç ca kontrata që kemi bërë mes vedi për ta bërë pak më të mirë e më lehtë të përballueshme këtë jetë si qenie shoqërore. Ndaj kur ju merrni përsipër të analizoni e të informoni publikun shqiptar mbi një referendum të bërë në Britani dhe, duke e bërë këtë, preferoni të zgjidhni mes fakteve vetëm ato që ju shkojnë për shtat e t’i lini në harresë të tjerat që s’bien në hapësirën e pëlqimit tuaj, s’keni bërë tjetër pos keni thyer kontratën e informimit të saktë e të paanshëm. Atë që bëjnë tërë ditën e ditës mediat tona të dashura, për përdorim të brendshëm, pas stilit tonë, në formë të egër, në përshtatje me zakonet tona. Vetëm se ju i keni dhënë këtij informacioni bukurinë e stilit perëndimor. Problemi është kjo punë e formës ka kohë që ka filluar të na lodhë, na intereson më shumë përmbajtja.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin