NJË AMERIKË SOCIALISTE?

Me mbarimin e garave primare, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar tashti në fazën finale të fushatës presidenciale të 2016, që pritet të fillojë zyrtarisht pas konventave republikane e demokrate në korrik. Dhe dalja e Donald Trump si flamurmbajtës i republikanëve përballë demokrates, përndryshe centriste, Hillary Clinton, ka nxjerrë edhe një herë në pah debatin e ashpërsuar lidhur me rolin e shtetit në përgjithësi, e në politikat ekonomike në veçanti. Në fakt përkrahësit e shumtë të Trump po paraqiten për një rol minimal të shtetit, duke absolutizuar parimet e tregut të lirë, pothuaj pa asnjë lloj ndërhyrjeje nga ana e autoritetit publik. Këto pozicione janë të ngjashme me ato që fraksioni Tea Party* brenda partisë republikane ka mbrojtur me pasion qysh prej 2009, por tashti ato po shërbehen si e vetmja mënyrë për të mbrojtur Amerikën nga ‘‘socializmi’’, duke nënkuptuar që një fitore e Clinton do të shënonte fundin e kapitalizmit amerikan. Edhe konkurrenca e fortë ndaj kësaj të fundit nga ana e të vetëshpallurit ‘‘socialist’’ Bernie Sanders ka krijuar një konfuzion të madh rreth këtij termi, por a mund të thuhet se Amerika është në prag të socializmit duke u nisur vetëm nga masa e ndërhyrjes së shtetit, apo nga madhësia e administratës shtetërore që parapëlqehet prej një kandidati?

Ne fakt debati rreth këtij aspekti të politikave publike është i hershëm në botën Perëndimore, dhe dy rrymat kryesore kanë qenë dhe janë liberalët e konservatorët, në kuptimin tradicional të këtyre kategorive. Kështu mendimtarët e politikanët liberalë përkrahin një rol aktiv të shtetit në ekonomi si mbështetës i iniciativës private, por edhe si rregullator i saj në emër të së mirës publike, ndërsa konservatorët janë për një epërsi sa më të madhe të iniciativës së lirë dhe pakësim të rolit të autoritetit shtetëror. Në Shtetet e Bashkuara këto rryma janë përfaqësuar përkatësisht nga demokratët dhe republikanët, por në krahasim me vendet e tjera të zhvilluara ato paraqesin mjaft veçori që përcaktojnë edhe përmbajtjen e formën konkrete të debatit në fjalë.

Kështu një veçori e tillë është mosbesimi tradicional i amerikanëve ndaj rolit të qeverisë, dhe për këtë ka pasur disa faktorë historikë si përbërja racore, etnike e fetare, shumë më e larmishme se në vendet europiane. Po ashtu ekzistenca e hapësirave e mëdha, me popullsi të rrallë e të izoluar, ka mbrujtur doemos traditën për zgjidhje të problemeve në nivel individual, pra si të thuash “me forcat e veta”. Këto bënë që sistemi ekonomik amerikan të merrte qysh në fillim tipare të forta individualiste, shumë më të theksuara se në vendet e tjera të zhvilluara, duke u veshur po ashtu edhe me tipare mitike në ndërgjegjen kombëtare amerikane. Kjo sepse vetë Amerika shihej si një organizim politik ‘‘natyror’’, në kuptimin që ajo përfaqësonte zhvillimin e shoqërisë njerëzore në mënyrë racionale e natyrore, ku gjërat janë ashtu si duhet të jenë. Dhe rritja e vrullshme ekonomike prej mbarimit të Luftës Civile (1861-1865) deri në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dukej se e konfirmonte një konceptim të tillë.

Mirëpo pasojat e rënda të krizës së viteve ‘29-’33 e bënë të qartë se mekanizmat e tregut të lirë s’ishin të mjaftueshme për të zgjidhur kërkesat e kredos amerikane: të drejtën themelore të çdo qytetari për jetë, liri e kërkim të lumturisë. Në kushtet e kaosit dhe humbjes së shpresës nga një krizë e tillë, administrata e sapozgjedhur demokrate e Franklin Roosevelt ndërmori një sërë masash ndërhyrëse të njohura me emrin New Deal, e që kushtëzuan edhe debatin e parë të madh rreth rolit të shtetit në ekonomi. E djathta konservatore u pozicionua fort kundër politikës se re, duke e kritikuar kryesisht për preferencë të kolektives ndaj individuales, pra për prirje socialiste e për ‘‘regjimentim’’ të punëtorëve,  kritika të kuptueshme për kohën, duke pasur parasysh se Bashkimi Sovjetik ofronte asokohe një model ekonomik e shoqëror ende në lulëzim.

Me gjithë kritikat e korrektimet, New Deal çoi në gjallërimin e ekonomisë duke i siguruar presidentit Roosevelt rizgjedhje me shumicë të madhe votash më 1936 e më 1940, dhe rëndësia e këtij suksesi u vu sidomos në dukje nga konteksti historik, me kursin e ri amerikan që jepte një shembull pozitiv, përkundër dy alternativave të mëdha të kohës, komunizmit sovjetik dhe fashizmit italo-gjerman. Në fakt depresioni ishte po aq katastrofik në Amerikë sa edhe në Gjermani, e në të dy vendet presionet për reforma ishin të ngjashme, duke vënë edhe presidentin e sapozgjedhur Roosevelt, edhe kancelarin e sapoemëruar Hitler para problemeve pak a shumë të njëjta. Por përgjigjet ndaj krizës ishin krejt të ndryshme: demokracia dhe kapitalizmi amerikan u reformuan e mbijetuan, ndërsa dihet se ku e çoi Gjermaninë aventurizmi i kancelarit të saj famëkeq. Reformat e Roosevelt jo vetëm që ndikuan pozitivisht në ekonomi, por bënë që qytetarët të shikojnë konkretisht se qeveria mund të bëjë shumë punë të mira pa e ndrydhur iniciativën private, gjë që shtoi besimin e tyre tek administrata federale.

Politikat ndërhyrëse vazhduan ku më shumë e ku më pak edhe në administratat pasardhëse demokrate e republikane në vitet ‘50-’60, dhe roli aktiv i shtetit në ekonomi nuk u vu përgjithësisht në diskutim nga ana parimore. Qeveria federale vazhdoi të miratonte rregulla e organizma që synonin mbrojtjen e interesave publike nga disa praktika të dëmshme të korporatave, por sektori privat po i shihte gjithnjë e më tepër si ‘‘disfata’’ këto zgjerime të rolit të autoritetit shtetëror. Kjo ishte një nga arsyet për gjallërimin në vitet ‘70 të zërave që shikonin çdo ndërhyrje të shtetit si automatikisht negative. Administrata e presidentit Reagan e përkrahu revanshin individualist, të mishëruar në batutat e tij të famshme si p.sh. “qeveria nuk zgjidh asnjë problem, qeveria vetë është problemi”, e prej asaj kohe debati rreth rolit të shtetit është karakterizuar nga një ideologjizim e politizim në rritje.

Një tjetër faktor kryesor, dhe specifikisht amerikan, i këtij politizimi ka qenë edhe adoptimi i rekomandimeve të mosndërhyrjes e të minimalizmit nga ana e grupimit politik të së Djathtës Fetare (Religious Right) dhe shprehjes së saj më të fundit në fushën ekonomike, që është Tea Party. E Djathta Fetare u kristalizua në fund të viteve ‘70 si reaksion ndaj degjenerimit moral në fushën kulturore, por shpejt u kthyen në një platformë politike që përputhej ndjeshëm me programin e partisë Republikane, përfshi këtu edhe fushën ekonomike. Rreshtimi i tyre ishte hapur kundër administratës gjatë presidencës Clinton, dhe po aq në favor të saj gjatë presidencës G.W. Bush, duke qenë bile faktori kryesor në rizgjedhjen e këtij të fundit më 2004. Më vonë kritikat ndaj kandidatit, përkatësisht presidentit, Obama arritën nivele të papara, gjë që çoi në konkretizimin më 2009 të një lëvizjeje politike të veçantë nën emrin e Tea Party, si fraksion brenda partisë republikane.

Ajo që na intereson këtu janë pikëpamjet e kësaj lëvizjeje lidhur me politikat ekonomike, fushë në të cilën, siç thamë më lart, debati ndërmjet dy pozicioneve filozofike rreth rolit të shtetit është krejt legjitim në kushtet e një sistemi demokratik. Tea Party është deklaruar këtu për një shtet minimalist, nëpërmjet shkurtimit drastik të shpenzimeve, uljes së tatimeve e taksave, dhe thjeshtimit masiv të akteve normative që rregullojnë aspekte të ndryshme të ekonomisë kombëtare. Këto janë pozicione tradicionale të konservatorizmit e të libertarianizmit ekonomik, por ajo që e dallon Tea Party, përndryshe mbështetësit e sotëm të Trump, është ideologjizimi dhe politizimi i skajshëm i këtyre pozicioneve. Dhe nëse një politizim i tillë ishte disi i natyrshëm në kohën e New Deal, apo ndoshta edhe gjatë Luftës së Ftohtë, ai është pa vend në kohën e sotme, kur sistemet e socializmit totalitar nuk ekzistojnë më (përjashto Korenë e Veriut, Kubën e ndonjë tjetër) dhe janë diskredituar nga historia. Filli i kuq që përshkon sot kritikat e këtyre libertarianëve të revoltuar amerikanë ndaj çdo ndërhyrjeje të shtetit është frika ndaj një komploti të madh liberalo-majtist për të minuar tregun e lirë e për të vendosur një regjim socialist totalitar. Kjo ka bërë që qeveria federale të shihet gati-gati si armike e individit, që tingëllon pak si e tepruar duke pasur parasysh se flitet për demokracinë më të zhvilluar të botës. Debati e humbet kështu aspektin teknik të çështjeve, duke u varfëruar e duke u kthyer në sulme dhe etiketime personale.

Në kritikat e Tea Party dhe të së Djathtës Fetare kundër çdo politike të iniciuar nga Shtëpia e Bardhë, bie në sy ngatërrimi i dy mënyrave të ndryshme të realizimit të rolit të shtetit në ekonomi që janë eksperimentuar në periudhën moderne, por që nuk kanë pothuaj asgjë të përbashkët mes tyre. Ato janë, siç dihet, mënyra totalitare, mishëruar në përvojat e Bashkimit Sovjetik e të ish-bllokut Lindor, që na u imponua edhe ne shqiptarëve për 45 vjet me radhë, dhe mënyra demokratike, d.m.th. ajo e ekonomisë sociale të tregut, e mishëruar në përvojat e suksesshme të mjaft vendeve Perëndimore. Por për Tea Party dhe audiencën e saj këto dy rrugë të ndryshme janë shprehje të të njëjtit botëkuptim, dhe kjo bën që vendosja e një regjimi socialist totalitar të konceptohet si një kërcënim gradual, pra rezultat i pashmangshëm i rritjes së vazhdueshme të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Sipas kësaj logjike, çdo reformë që mund të afrojë ndonjë aspekt të ekonomisë amerikane me modelet europiane, trajtohet automatikisht sikur të ishte vetëm një fazë paraprake drejt totalitarizmit stalinist. Një konceptim i tillë, në kundërshtim me të gjitha përvojat e njohura botërore, është aq i ngulitur në elektoratin e pasionuar të Tea Party, saqë merret i mirëqenë, pavarësisht nga fakti që s’ka bazë reale e s’ka ndodhur kurrë në historinë botërore.

Duhet theksuar këtu ndërkaq se analiza historike nuk e vërteton mëtimin se ndërhyrja e shtetit shkakton ngadalësim të rritjes ekonomike nëse shohim peshën specifike të shpenzimeve totale të qeverisë federale në prodhimin kombëtar bruto (GDP). Në rastin e SHBA kalimi nga një nivel modest i ndërhyrjes (7 për qind të GDP në fillim të shekullit XX) në një nivel mesatar (rreth 33 për qind në vitet ‘50) ndodhi pa shkaktuar ngadalësim në rritjen e GDP. Por argumentet më të mira vijnë nga përvoja e vendeve të tjera të OCDE (si Gjermania, Franca, Kanadaja, vendet Skandinave, etj.), të cilat krahasohen me Amerikën nga niveli i zhvillimit ekonomik, por që janë edhe shumë më sociale se kjo e fundit. Dhe për të kuptuar se si janë realizuar arritjet e tyre pa ndonjë efekt të dukshëm negativ mbi GDP faktori më domethënës është të shihet veprimtaria faktike e administratës shtetërore në secilin vend, dhe jo të krahasohet një kapitalizëm ideal, pa asnjë ndërhyrje shtetërore, d.m.th. një kapitalizëm që s’ka ekzistuar kurrë, me socializmin totalitar e kriminal të tipit lindor. S’mund të krahasohet pra Amerika e sotme me ish-BRSS apo Korenë e Veriut, siç bën shpesh Tea Party, apo drejtuesit e emisioneve të panumërta radiofonike anembanë vendin (talk shows), por vetëm praktikat reale midis shteteve të ngjashme demokratike. Nga ai krahasim del se në demokracitë e zhvilluara shpenzimet qeveritare nuk janë të kota, nuk e kufizojnë lirinë personale dhe nuk shkaktojnë varfërim të vendit. Në fakt, të dy anët e kësaj balance të mendimit ekonomik, edhe liberalët edhe konservatorët, zbatojnë politika pjesërisht të suksesshme, dhe prandaj asnjëra prej tyre s’ka epërsi të qartë lidhur me efektin mbi GDP. Por avantazhi i shteteve sociale qëndron në arritjet pikërisht në këtë fushë, pra në atë sociale, përtej faktorit thjesht ekonomik të GDP.

Atëherë përse sot në Amerikë flitet pothuaj kudo, dhe shumë më tepër se në Europë, vetëm për politikat e mosndërhyrjes e të shkurtimit të shpenzimeve (austerity)? Kjo i detyrohet në radhë të parë faktorëve historikë të mësipërm, por edhe thellimit të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave që prej viteve ‘70. Në fakt përqendrimi i fuqisë ekonomike në më pak duar është shoqëruar doemos me rritjen e ndikimit politik të shtresës që dëmtohet më shumë nga shtimi i taksave, e kjo duket edhe në njëanshmërinë e debatit politik haptazi në favor të mosndërhyrjes (të paktën deri në daljen e kandidatit Sanders).

Më në fund, prania e faktorit specifikisht amerikan të së Djathtës Fetare, ka bërë që çështjet ekonomike të zhvendosen në plan të dytë, e që pozicionet konservatore të vishen me një farë autoriteti moral. Në terma praktike kjo do të thotë që një kandidat për në Kongres mund të jetë përkrahës i një politike të caktuar në favor të korporatave, kundër interesit të votuesve të shtresës së ulët në zonën e tij. Por meqë ky kandidat është njëkohësisht edhe kundër abortit, ai arrin të zgjidhet duke marrë edhe votat e shtresës në fjalë, sepse pozicioni i së Djathtës Fetare është që çështjet ekonomike janë dytësore në krahasim me ato të ‘‘luftës kulturore’’. Në të vërtetë mbështetja e padiskutueshme nga ana e tyre e individualizmit të një tregu të lirë e të pakontrolluar përbën një veçori tjetër të angazhimit kristian në politikë në Shtetet e Bashkuara, krahasuar me Europën Perëndimore, ku partitë demokristiane kanë qenë kurdoherë për një rol aktiv të shtetit në zbutjen e plagëve të pabarazisë sociale, gjë që i pozicionon ata vendosmërisht në të majtë të homologëve të tyre amerikanë.

Polarizimi i debatit publik amerikan ilustrohet qartë me betejën politike të nisur më 2009 rreth ligjit për kujdesin e përgjithshëm shëndetësor, të njohur me nofkën Obamacare, kur tërë fryma e përçuar nga e djathta e nga Tea Party ishte se ky ligj përbën një afrim galopant drejt një sistemi totalitar. Kjo kur në fakt sistemi Obamacare nuk është një sistem sigurimi shëndetësor publik, si në vendet e tjera të OCDE, por një shtrirje e sigurimeve private, sepse qeveria vetëm sa e detyron çdo qytetar të ketë një farë mbulimi, duke u ndaluar njëkohësisht siguruesve privatë të diskriminojnë ndaj aplikantëve varësisht gjendjes së tyre shëndetësore. Por aq e madhe është frika e konservatorëve nga ky ligj, saqë edhe pasi ai ka hyrë në veprim, shfuqizimi i tij mbetet për ta objektivi primar, bile përpjekja për t’ia prerë fondet ligjit në fjalë ishte ngjarja që bëri të njohur senatorin e ri nga Texas, Ted Cruz. Kundërshtimi i tij i vendosur ndaj çdo lloj kompromisi shkaktoi më në fund krizën kushtetuese të tetorit 2013 kur qeveria federale e ndaloi pjesërisht veprimtarinë për më se dy javë, e që pati pasoja në tregjet financiare. Por nga ana tjetër ai episod lançoi karrierën e Cruz i cili u paraqit si kandidati ideal i Tea Party e i së Djathtës Fetare në garën primare republikane, pavarësisht se dalja e Trump dhe fitorja e tij e paparashikuar ua ka ngatërruar tashti hesapet në një farë masë këtyre grupimeve.

Të gjitha gjasat janë që debati lidhur me rolin e qeverisë e të shtetit në ekonominë kombëtare (me fokus të veçantë në kujdesin shëndetësor) të intensifikohet edhe më tej gjatë fushatës së përgjithshme për zgjedhjet e 8 nëntorit. Po ashtu do të dëgjohen gjithmonë e më tepër akuzat e paralajmërimet për rrezikun iminent të socializmit, për ‘‘humnerën’’, sipas Cruz, apo katandisjen ‘‘si Venezuela’’ sipas Trump, që pret krejt qytetërimin amerikan në rast të një fitoreje të Clinton. Kuptohet që një ashpërsim i atmosferës politike në përmasa të tilla e të panevojshme nuk i shërben aspak mirëqeverisjes së vendit, dhe është një tregues paraprak edhe për atë se si do të jetë ajo atmosferë pas zgjedhjeve, sidomos nëse presidencën do ta marrë Clinton. Dhe në një rast të tillë është e sigurt që nevoja e ndaljes së ‘‘rrezikut socialist’’ do të vazhdojë të jetë një parullë e fuqishme mobilizimi për të djathtën amerikane, pavarësisht se sa i pavend mund të duket një shqetësim i tillë.

======================================

*ky emër rrjedh nga një incident në fillimet e Revolucionit Amerikan më1773 kur demonstruesit në Boston hodhën në det një ngarkesë të madhe çaji të importuar nga East India Company për të protestuar kundër taksës mbi çajin që sapo ishte vendosur nga parlamenti britanik.

3 Komente

  1. Mendoj se Tea Party u katalizua si levizje politike prej emerimit te Obames si president. Nuk mund ta ndajme mendoj ngritjen e Tea Party pa patur Obamen ne krahun tjeter politik. Dhe kjo jo pse Obama eshte ndonje radikal i flakte i se majtes qe kerkonte pergjigje nga e djathta. Ne fakt ai pertej fjalimeve te fushates se pare presidenciale nuk ndryshon shume ne politikat e tij nga Clinton, Bill dhe Hillary. Poashtu ligji i tij mbi sistemin shendetesor eshte praktikisht i mbeshtetur ne ate te Mitt Romney. Akoma me teper, ne kontekst tjeter, psh. France apo Gjermani, Obama dhe demokratet do te qendronin ne te djathte te spektrit politik. Per ti thene gjerat shkoqur Tea Party u katalizua nga Obama per shkak se nje afro-amerikan guxoi e u be president. Racizmi ne vecanti duhet permendur ne cdo diskutim mbi tea party.

    Cfare eshte interesante eshte se votuesit e simpatizantet e Tea Party nuk jane te rinj si grupim dhe kane qene prezent me kohe. Jane kokeboshet e te djathtes amerikane, ai 10-12% i perhershem qe ndjehet kurdohere i tradhtuar nga elitat e qe perdoren rregullisht nga krahu republikan afer biznesit. Cfare i katapultoi ata ne skenen nacionale praktikisht brenda nje viti dhe i dha mundesine te permbysin establishmentin republikan ne kongres e senat brenda 5 vitesh eshte pyetja. Ketu ka vend per shume diskutime por mendoj se tea party nuk ishte nje levizje nga poshte, grass roots, sic pretendon por nje perpjekje e mireorganizuar dhe e financuar nga lart e figurave e biznesmeneve republikane per te perdorur kokeboshet si ngahere per aresyet e tyre duke i lejuar te bejne opozite totale. Shpagimin keto figura po e marrin tani kur senatore qe kane dekada ne senat po zevendesohen nga wacko si Ted Cruz.

    Tek republikanet ka filluar nje lufte brenda sojit qe e fiton kush paraqitet si me purist e me i pakompromis. Kam frike se republikanet me radio programet e televizionet e veta kane nxjera nga kutia nje miks toksik racizmi, populizmi e nativizmi qe nuk e kontrollojne dot me e po i ha koken. Fitorja e Trump nen kete aspekt nuk eshte vecse konsequence logjike. Ish-partia e Linkolnit, tashme inekzistente ne qendrat e medha urbane e te zhvilluara, si Bay Area apo NY, e ka bazen e mbeshtetjes ne jugun e thelle amerikan, ish-shtete te konfederates, nder rajonet me te pazhvilluara e te pashkolluara ne Amerike.

    1. Eni, ju falenderoj per komentet.

      Qenia ”me ngjyre” e Obames eshte sigurisht nje faktor me rendesi, por mbetet gjithmone i pashpallur per shkak te ”political correctness” e prandaj s’e kam permendur. I njejti faktor mund te dallohet edhe ne kritikat e pafundme e te vazhdueshme ndaj gjithe sistemit te ‘welfare’, edhe gjate administrates Clinton, po perseri mbetet ne hije.

      Sa per rrenjet e Tea Party, sigurisht qe ka shume faktore, por sa per ate te mireorganizimit e financimit nga lart, varet se çfare kuptohet. Nese eshte fjala per vendime te marra paraprakisht nga nje grup njerezish dmth ”puppeteers” une personalisht nuk e besoj, dhe me teper prirem te mendoj se ajo ishte nje levizje qe plasi spontanisht bazuar ne pakenaqesite e grumbulluara prej kohesh, si shume e shume levizje te tilla ne histori. Pastaj perkrahja, gjetja e burimeve financiare etj sigurisht qe mund te hetohet e te rezultoje se vjen nga biznesi, gje qe eshte krejt e natyrshme, dhe e pranishme ne politiken amerikane te pakten qysh nga koha e New Deal.

  2. ‘Turp’ eshte me thene por apoftegma maoiste “Gjithçka nen qiell eshte ne kaos te plote. Situata eshte e shkelqyer” eshte e nje aktualiteti çarmatoses.
    Dhe sigurisht qe jo vetem ne Amerike!

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: