PENGU I BASHKIMIT KOMBËTAR

Pas fitores së kombëtares mbrëmë, shumë njerëz të emocionuar dhe krenarë, në mënyrë krejt spontane dëshirojnë edhe një fitore tjetër, atë të Bashkimit Kombëtar. Emocionet që ndeshja nxiti tek të gjithë shqiptarët, interpretohen si argument për pashmangshmërinë dhe domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar. Populli e dëshiron këtë përndyshe nuk do të ngazëllehej kaq shumë për fitoren. Por a janë gjërat kaq të thjeshta? Çfarë ndodh kur emocionet bien dhe përditshmëria me monotoninë e saj rikthehet?

Për nacionalistët bashkimi kombëtar është qëllim në vetvete. Për mua bashkimi kombëtar duhet te jetë një mjet për realizimin e vlerave humane universale në kontekst të një populli si shqiptarët. Nëse ngatërrohet qëllimi dhe mjeti i realizimit të tij, atëherë bashkimi kombëtar nuk vlen asgjë. Nëse nuk synohet përmirësimi i jetës, emancipimi nga mbikqyrjet e traditave shtypëse e kështu me radhë, atëherë bashkimi për hir të bashkimit është ide veçse romantike. Në vetvete bashkimi nuk përbën kurrfarë hapi drejt përparimit shoqëror dhe emancipimit kolektiv. Nëse nuk bashkohemi për ndonjë ideal më të lartë mbinacional, bashkimi vetvetiu jo vetëm që nuk shenjon progres por madje, mund të shenjojë rrëshqitje në ide reaksionare dhe fashiste. Idealet mbarënjerëzore janë më të larta, më të shenjta se bashkimi kombëtar. Askush nga propaganduesit e idesë kombëtare nuk e shtron çështjen e bashkimit si çështje të realizimit të idealeve mbarënjerëzore por si diçka natyrore (jemi të gjithë shqiptarë pra) dhe si përmirësim të grabitjes së tokave shqiptare.

Bashkimi Kombëtar deri sot është vetëm një ndjenjë sublime, një emocion nostalgjik për një të kaluar imagjinare. Por nuk ekziston një projekt racional që do ta bënte këtë emocion plan të realizueshëm në praktikë. Dhe mendoj që arsyet se pse nuk ekzistojnë plane të këtilla kanë të bëjnë me dy shkaqe kryesore:

  1. Njëri është ai që e përmenda më sipër: ngatërrimi i qëllimit me mjetin e tij të realizimit. Njerëzit intuitivisht e kuptojnë që nëse një entitet i ri nuk u përmirëson jetën – njeriu fundja e fundit është krijesë egoiste dhe nëse idealet nuk i kthehen në leverdi materiale (jo vetëm ekonomike), pavarësisht sa zhurmë e brohoritje që mund të bëjë në momentet kyçe, do të hezitojë ta implementojë idealin. Ëndrrat e realizuara shpesh kthehen në ankth.
  1. Shkaku i dytë ka të bëjë me dallimet reale dhe disa herë të thella që ekzistojnë mes shqiptarëve të cilat mund të harrohen vetëm në momente ekstaze emocionale. Kemi një gjuhë të përbashkët por çdo gjë tjetër na ndan. Unë si shqiptar i Maqedonisë ndihem mirë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri por në Kosovë ndihem pjesë e kulturës së saj kurse në Shqipëri pa të njohurit, do të ndihesha pothuajse tërësisht i huaj. Edhe gjuhën madje nuk e kemi aq të përbashkët sa mendojmë. Si do të realizohet ky bashkim me këto differenca kaq të thella mes shqiptarëve?

Prandaj ideja e bashkimit kombëtar është ide sublime por e parealizueshme në praktikë. Për më tepër, realizimi i saj mund të bëhet vetëm duke ushtruar dhunë që do të rezultonte nga formimi i klasave te reja të përbuzura nga elitat intelektuale dhe politike me baza solide ekonomike në Tiranë. Mund ta imagjinoj se si shqiptarët e Maqedonisë do të jenë klasa më e ulët e këtij bashkimi duke qenë se ata nuk kanë as dije, as kulturë universale, madje edhe gjuhën nuk e flasin si duhet.

Këto janë dy arsye/kushte të brendshme që pengojnë realizimin e bashkimit kombëtar. Por kemi edhe kushtet e jashtme, raportet me fqinjët që nuk do të qëndronin duarkryq duke vëzhguar pa ndërhyrje realizimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Potenciali i dhunës është aq i madh sa për ta bërë secilin nga ne të trembet nga perspektiva të tilla. Gjithsesi edhe pse shkaqet e jashtme janë të rëndësishme, ato nuk janë strukturore sikurse janë shkaqet e brendshme. Kështu që është në interesin e të gjithëve që kjo ide të mbetet thjesht ide; një ide sublime dhe nostalgjike që ndjell emocione të forta por jo më shumë. Më mirë se kaq prishet: le ta duam njëri tjetrin por nga larg.

3 Komente

  1. Ne kushtet aktuale, Bashkim Kombetar, nuk mund te realizohet ashtu sic duam ne.Nje komb, nje shtet.Kete nuk na e lejojne rrethanat politike nderkombetare sot per sot, porse ka zgjidhje kreative qe kjo te arrihet., p.sh., nje Konfederate midis Shqiperise dhe Kosoves.Me kete rast ne do te permbyllnim nje faze te rendesishme te unifikimit dhe njekohesisht duke pasur nje mirekuptim edhe per “dallimet” qe mund te kemi.
    Nje nder problemet qe kane dy shtetet shqiptare sot, sa i perket shkembimit tregtar, nuk eshte si pasoje e nderskamsave qe i vene me qellim njeri-tjetrit,por pasoje e ligjeve te proteksionizmit te prodhimit vendes qe kane akcili shtet, gje qe konfederata shqiptare do t’sheshonte keto mosmarreveshje.Madje-madje mund te kishim dy kryeqytete, njesoj si Afrika e Jugut, ku gjyqesori eshte ne njerin kryeqytet, ndersa ekzekutivi ne tjetrin.Madje, edhe dallimet gjuhesore do te merrnin nje trajtim me serioz, vetem ne kete forme, do te mund te rehabilitohej gegnishtja, qe mund te kishte statusin si gjuha e uellsit apo gjuha skoceze ne Britanine e Madhe.
    Rruga ka, vetem se duhet kerkuar ato.

  2. Bashkimi kombetar behet per nje qellim kryesor, per te fuqizuar kombin. Vlerat humane universale, emancipimi etj. jane synime te dores se dyte, dmth edhe po nuk u arriten menjehere, mospermbushja e tyre nuk duhet ta pengoje bashkimin kombetar, sepse fuqizimi ekonomik do te sjelle si pasoje te paevitueshme edhe realizimin e emancipimit etj.

  3. Dmth gegerishtja e Maqedonise eshte larg gegerishtes se Shqiperise dhe statusi si qytetare te dores se dyte ne nje shtet te bashkuar jane arsyet qe na do nga larg. Ne Maqedoni perndryshe kuptoheni mire me sllavet dhe jeni qytetare te dores se pare. Bashkimi nuk pyet per keto ‘arsye’. Romantika apo ndjenja kombetare jane ne funksion te asaj qe eshte pervijuar ne 100 vjet shtet, dmth shteti i Shqiperise ka nevoje te mbrohet nepermjet nje kordoni shqiptaresh jashte kufijve, derisa te jete aq i fuqishem sa ta perfshije kete kordon brenda kufijve. Krijimi i Kosoves, Maqedonise dhe Malit te Zi e ka bere Shqiperine me te sigurte se kurre, por edhe ia ka rritur vetiu fuqine rajonale. Sot nje ndodhi jashte kufijve, psh ngjarja e Kumanoves irriton publikun e gjere ne Shqiperi, i cili duke mos patur fare frike prej Maqedonise eshte ne gjendje te shtrengoje qeverine te nderhyje ne punet e brendshme te Maqedonise. Maqedonia vete nuk ka takat te reagoje simetrikisht, pikerisht sepse mungon simetria mes paleve. Jugosllavia ishte muhabet tjeter. Jane fenomene qe vijne natyrshem ne vete mendesine e banoreve te nje shteti. Ne Shqiperi askush nuk do pranonte absolutisht neperkembje prej malazezve ne rast ferkimi cfaredo, kurse me Greqine behet cik zhurme. Per tu rikthyer tek Bashkimi, ai do te ndodhe kur Shqiperia si shtet te mundet ta beje, qofte nepermjet fuqise se saj e faktorit shqiptar ne Ballkan, qofte nepermjet aleancave te duhura, sigurisht ne kontekst gjeopolitik ndryshe nga ai i sotmi.
    Ndersa per arsyet e diferencave dialektore e socio-kulturore nuk pyet kush, as ne rast se Bashkimi do kalonte nepermjet nje referendumi, se ne kete hipoteze referendare, ambjenti do ishte aq i ngarkuar sa s’ do gjeje jo media po as kafene ku te guxoje te flisje kunder. Leqe as do te interesonte se referendumi do fitonte dhe ne kontekstin e ri do dilje jashte loje mediatikisht, politikisht e cfaredo interesi publik do te kishe.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin