Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

PARTITOKRACI + ARITMETIKË

Iu bënë disa javë përleshjes dhëmb për dhëmb, rreth Reformës në Drejtësi; dhe qytetarët po marrin shumë më tepër informacion “nga vija e frontit”, numrat e votave që priten dhe rezultatet e ndeshjeve mes palëve, sesa për çfarë po luftohet pikërisht.

Edhe pse tashmë duhej të ishte bërë e qartë se për çfarë po luftohet: (1) për marrjen nën kontroll të gjyqësorit nga ana e legjislativit dhe (2) për fuqizimin total të partitokracisë, në dëm të sovranitetit qytetar dhe parimeve republikane.

Zhurma mediatike, se reforma do t’i japë fund korrupsionit të sistemit të drejtësisë, e fsheh thelbin e krizës; dhe jo ngaqë sistemi i drejtësisë nuk është i korruptuar, por për arsyen e kundërt: ngaqë i korruptuar është.

Mirëpo ky korrupsion në sistemin e drejtësisë nuk është produkt specifik i këtij sistemi, por simptomë e një sëmundjeje të përgjithshme, që ka prekur tashmë të gjitha pushtetet në Shqipëri; dhe të njëjtin korrupsion me atë që ka kapur drejtësinë, e gjen edhe tek ekzekutivi, edhe te legjislativi.

Kjo do të ishte edhe një arsye pse qytetarët janë indiferentë: lufta kundër korrupsionit është një gjë, por lufta midis partive politike, për hegjemoní partitokratike, një gjë tjetër. Mund të mallëngjehesh akoma me të parën, por e dyta veç të revolton, sepse partitokracia është faktor madhor, për korrupsionin.

Konflikti që po konsumohet dita-ditës themelohet mbi një fotografi të ndarjeve politike ekzistuese, midis numrave të votave në Parlament, sipas partive politike. Së shpejti përfaqësuesit e qytetarëve do të thirren të votojnë sipas urdhrave të lëshuara nga këto parti, dhe për interesat immediate e këtyre; çfarë do të thotë se, kjo paketë e tanishme ligjesh që pritet të rregullojë gjyqësorin për dekadat në vijim, do të duhet të pasqyrojë me besnikëri humoret dhe numrat e një kontingjence banale, siç është ndarja e sotme e votave në Parlament.

Në media flitet për ato pak vota që i duhen akoma palës që ka shumicën, për ta kaluar Reformën; dhe që shpresohet se do t’i “rrjedhin” opozitës. Pakkush flet për mundësinë që “rrjedhje” të votës mund të ketë edhe në drejtim të kundërt.

Sikur kaq të mos mjaftonte, përplasja thjesht partitokratike po i paraqitet publikut si të ishte një “morality play”, ose një dramë bajate ku ndeshet drejtpërdrejt e mira (ata që e duan Europën, Perëndimin, etj.) dhe e keqja (ata që nuk e duan reformën, por duan të ruajnë statu quo-në).

Kush i ka ndjekur sado pak zhvillimet e kësaj komedie – sepse e tillë është, nëse do të vazhdojmë me metaforën teatrale – do ta ketë vënë re se ajo organizohet rreth çështjes së numrit të votave që duhen për të kaluar Reformën në Parlament, ose një kriter thjesht sasior, në vend që të ngrihet mbi një debat për natyrën e reformës, ose edhe të neneve të veçanta; dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe ky numër votash që po u dashkan siguruar, ka lidhje me mënyrën si do të zgjidhet, sërish me vota, një organizëm (Këshilli i Lartë i Gjyqësorit) i cili do të vendosë, edhe ai me vota, për çështje të pushtetit gjyqësor në Republikë.

Dhe nëse e gjithë kjo bëhet, serialisht, për çështje votash dhe votimesh, atëherë duket qartë se edhe këtë herë puna është te kontrolli i ushtruar prej partitokracisë; meqë votat, si faktor sasior, mbeten prerogativë e partive politike.

Vota, vota, vota. Premisa e farsës është kjo: sa kohë që ne mund të zgjedhim njerëzit tanë në këta organizma, atëherë vendimet e këtyre i kemi nën kontroll – sepse këta njerëz do të votojnë sipas indikacioneve tona.

Çfarë edhe na bind që ta përkufizojmë demokraturën, ose pushtetin absolut të “shumicës”, si partitokraci + aritmetikë. S’i bën dot me faj qytetarët, për indiferencën e tyre ndaj këtij formalizmi të mbrapshtë.

P.S. Sqarimet më të mira për natyrën e përplasjeve deri më sot dhe argumenteve të sjella nga palët e kam gjetur tek exit.al: është e vetmja faqe, mes atyre që kam parë, që u rri larg argumenteve të tipit: “këtë e kërkon edhe ambasadori i ShBA-ve”.

11 Komente

  1. Në mos gaboj, ky është shkrimi i dytë në PTF kohët e fundit që vërtitet rreth temës së reformës në drejtësi. Unë u bëra dy vjet që dëgjoj nga të katër anët për këtë reformë, kush “fiton’ e kush “humbet” prej saj, kush “ia hedh” kujt, si do ta kapë njëri e si s’do ta lëshojë tjetri, e të tjera të këtij lloji. Por ende nuk shoh njeri të dalë të sqarojë çfarë është kjo reformë, cila është struktura e saj, çfarë ndryshon në strukturën e vjetër dhe, më e rëndësishmja, si parashikon t’i zgjidhë problemet që ka krijuar kjo strukturë e vjetër. Sepse, një njeriu që do jepte këto sqarime, do t’i bëja ca pyetje.

    1. Kam vënë një link, lart në shkrim, drejt një seksioni në faqen Exit.al ku jepen disa sqarime të mira (ashtu më janë dukur mua të paktën). Edhe teksti i paketës së ligjeve gjendet online. Përndryshe edhe unë kam të njëjtin problem: gjithandej flitet si do të votohet kjo reformë, por askush nuk begenis të sqarojë se për se është fjala tamam, përtej retorikës dhe bullshit-it. Kjo thatësirë informative nuk është thjesht efekt anësor i partitokracisë, por edhe objektiv: po të ngrihesh nesër të thuash ndonjë fjalë, do të thonë: je i painformuar; edhe pse fajin për mungesën e informacionit e kanë ata, jo ti.

    2. Ky është nga ato raste ku shpërndarja e fajit ka pak rëndësi. Struktura që synon të ngrerë kjo reformë, qoftë në u miratoftë pas dy ditësh a pas dy vjetësh, është e tillë nga natyra që, me gjasë, do të më shoqërojë në të gjallët tim për tërë pjesën e mbetur. Dhe ndikimi që do të ketë produkti i kësaj strukture, në pjesën dërrmuese të kohës në mënyrë indirekte e në ndonjë rast edhe direkt (se kësaj bote s’i dihet ç’të sjell), do të më shoqërojë tërë jetën. Ndaj dhe shtroj pyetjen se ç’është kjo reformë, përtej pallavrave të përditshme televizive e gazetareske. Dhe shqetësimi im është krejt i ndryshëm nga “halli” i politikës.

    1. Siç mund ta keni kuptuar edhe vetë, nuk duhet ndonjë kulturë e madhe juridike për të vërejtur nga këto shpjegime se tërë kjo reformë vërtitet rreth “hallit” të politikës, kush zgjedh kë, si dhe ngre një labirint të ri institucionesh, në vend që ta thjeshtojë sistemin. Ndërsa shqetësimet e qytetarëve dhe problematika e vërejtur gjer tani në sistemin e drejtësisë nuk sheh ndonjë adresim.

  2. Çfarë lë të kuptohet sikur problemet e sistemit të drejtësisë janë, në thelb, probleme procedurale dhe mund të kapërcehen duke ndryshuar procedurat; pa çka se problemet që ka sot sistemi i drejtësisë nuk rrjedhin nga mënyra si është i organizuar, por nga fakti që ky sistem, si shumë sisteme dhe institucione të tjera, është kopjuar nga kultura të tjera dhe rende të tjera kushtetuese, pa e vrarë shumë mendjen sa i përshtatshëm është ai për shqiptarët dhe Shqipërinë, një vend me traditë juridike sovjetike dhe më parë edhe otomane. Po çfarë të thuhet për një paketë ligjesh që arrin deri atje sa të pretendojë të funksionojë si e tillë në gjuhën angleze? Me fjalë të tjera, ata që na e kanë këshilluar, nuk u kanë zënë besë as edhe aftësive të shtetit shqiptar dhe të institucioneve, për ta shprehur frymën e këtij ligji në gjuhën shqipe.

    1. Drita nën të cilën e paraqisni më sipër angazhimin e huaj në këtë proces të le përshtypjen sikur ata interesohen më shumë për qytetarët e këtij vendi nga vetë klasa politike, çka s’është e vërtetë. Për interesat korporative që mbulojnë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri, mua ma ndjen po aq sa për interesat private të aktorëve politikë në këtë proces reforme. Dhe si unë, të papërfaqësuar, janë një numër ende i panjohur qytetarësh të tjerë.

      1. Mendoj se të huajt dhe “ndërkombëtarët” që po merren me këtë punë, japin llogari para eprorëve të tyre, ose institucioneve që i kanë dërguar të shërbejnë në Shqipëri; por nuk kanë veçse një lloj përgjegjshmërie morale, para qytetarëve shqiptarë. Roli i tyre si arbitra nuk njihet me ndonjë ligj të Republikës. Nga ana tjetër, interesi i BE-së ose i SHBA-ve është para së gjithash që Shqipëria të jetë stabël, çfarë do të thotë që të mos u duhet të merren me budallallëqet tona. Në këtë kuptim, unë do t’u zija më shumë besë të huajve dhe “ndërkombëtarëve”, sesa përfaqësuesve të popullit, të cilët shpesh kanë treguar se vetëm falë budallallëqeve arrijnë të mbijetojnë në rolet që kanë.

    2. Llojin e stabilitetit që duan të mëdhenjtë e kësaj bote e kanë treguar në vende të tjera – mjaft t’u rrjedhë vija e ujit në arën e tyre. Ndërsa kur të vetët e ntrashin zullumin, populli instinktivisht shtie në punë diplomacinë e Meternikut dhe “shtie dashuri” me këta të huajt, edhe pse Meternikut s’ia ka dëgjuar ndonjëherë emrin. Jo se populli harron që të huajt gozhdën duan të ngulin diku në një qoshe, si në përrallën e Nastradinit në vaftit. Por di edhe tjetrën, që këta që ka në krye nuk i kanë rënë nga qielli, nga mesi i vet i ka zgjedhur, “ajkën”, “creme de la creme” siç i pëlqen të tallet një humoristi. Se po ky popull është ai që vjedh në gjykata, në dogana, në spitale, në hipotekë, në tatime, tek fatura dhe peshorja e ushqimores, në pesticidet që u hedh bimëve, kudo. “Ajka” vjedh tenderat, koncesionet, bregdetin e me radhë. “Të egër” kish shkruar Bajroni, paçka se ne na pëlqen ta përkthejmë “të rreptë”. Ky popull, kur mendon individualisht, mendon si egërsirë. E kur mendon kolektivisht, mendon “një sy për një sy”, një drejtësi të thjeshtë, të shpejtë e efikase. Kjo drejtësia me njëqind dhoma i ngjan atyre kullave që sheh ëndërr kryeministri – u shërben vetëm pak interesave korporative. Njerëzia e ndjen që të huajt kanë katranosur një palo reformë, ndërsa këta të vetët zihen për thela.

  3. Procesi i reformës së drejtësisë kujton në një farë mënyre procesin zgjedhor. Si para votimit, ashtu edhe gjatë numërimit të votave, në Shqipëri kanë më shumë rëndësi përbërja e komisioneve, ndarja e zonave zgjedhore, caktimi i përfaqësuesve të partive, mënyra e votimit, procedurat në qendrat e votimit, numërimi i fletëve të votimit e të tjera mekanizma që janë larg objektivit thelbësor të zgjedhjeve vetë.

    Me pak fjalë, ka më shumë rëndësi kontrolli i procesit se sa procesi vetë. Domethënia dhe synimet e procesit kalojnë kështu në plan të dytë, në mos tjetër. Për sa i përket reformës së drejtësisë, tashmë në sytë e qytetarëve është shndërruar në një proces negocimi të pakuptueshëm, gjithsesi rraskapitës, midis palësh që argëtohen me takticizma gjithfarëlloj dhe ku rolin e korrierit midis në front e bën faktori ndërkombëtar. Reforma e drejtësisë i është shfaqur qytetarëve si një fushë e madhe kaotike ku luhet midis forcave kundërshtare, ku flitet për rregullore e lojtarë, por mes rrëmujës askush e kupton se cili është objektivi i lojës dhe kush po fiton. Arbitri duket jo vetëm pjesë e lojës, por edhe i pamundur që t’ia shpjegojë publikut qëllimet e saj.

    Megjithatë, reforma e drejtësisë nuk është lojë. Nuk mund të mos biesh dakord me këtë shkrim, ku nënvizohet qartë se lufta ka të bëjë direkt me marrjen nën kontroll të gjyqësorit nga ana e legjislativit dhe fuqizimin total të partitokracisë. Në fakt, nuk kuptohet se si do të shërohet drejtësia nga virusi i korrupsionit, kur edhe pushtetet e tjera që po duan ta shërojnë janë po aq të sëmura.

    Siç është thënë në komente të tjera, diskutimi për reformën e drejtësisë ka një fiksim procedural, që nuk mund të shihet veçse si orvatje për kontroll të drejtësisë. Çka e bashkon diskutimin për kodin e dikurshëm zgjedhor dhe reformën e drejtësisë është pikërisht kjo mani dhe aspekti qendror: mungesa e besimit mes palëve.
    Është fare e qartë që palët politike nuk kanë kurrfarë besimi tek njëra tjetra. Që këtej edhe numërimi i votave dhe negociatat e lodhshme. Në rast se partitë politike do të kishin pasur si objektiv reformën e drejtësisë (çka do të thotë realizimin e një drejtësie “të drejtë”), do të kishin rënë dakord pa vështirësi. Mirëpo mosmarrëveshjet fillojnë kur qëllimi është kapja e timonit dhe jo mbarëvajtja e makinës.

    Kjo reformë si rregull duhet të kishte arritur përfshirjen më të gjerë të mundshme të qytetarëve në një diskutim të hapur publik e mediatik, sepse përdoruesit e fundit të sistemit të drejtësisë janë pikërisht ata. Përveç indiferencës së induktuar të “publikut” të hutuar në shkallët e stadiumit parlamentar, vihet re një farë apatie e aktorëve të vetë drejtësisë. Me përjashtimet e rastit, sepse ka pasur reagime nga shoqata gjyqtarësh, dhe pa llogaritur ndërhyrjet individuale, nuk vihet re ndonjë debat serioz për elementet dhe pasojat e kësaj reforme, të promovuar nga ata që (do të) punojnë brenda sistemit dhe këtë e njohin mjaft mirë. Të paktën kështu është përshtypja. E jo gjithçka mund të shpjegohet me “respektin” ndaj legjislativit si pushtet autonom. Që këtej lind vetvetiu dyshimi sipas së cilit drejtësisë në thelb nuk i ndryshon gjë nga reforma.

    Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se premisa e reformës përbën akuzë të tmerrshme ndaj sistemit të drejtësisë dhe anëtarëve të gjyqësorit. Ja çfarë mund të lexohet në shpjegimet zyrtare të objektivit të reformës:

    “Korrupsioni, keqfunksionimi, mungesa e integritetit, profesionalizmit, pavarësisë, efiçencës, besueshmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së sistemit tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomene dëmtuese, që duhet të jenë në fokus të kësaj reforme të thellë, me qëllim ndryshimin e situatës në sistemin e drejtësisë në vend. Lufta kundër këtyre fenomeneve në sistemin e drejtësisë përbën sfidën thelbësore për konsolidimin e barazisë së qytetarëve para ligjit dhe çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, që sot është mbizotëruese” (Pse një reformë në drejtësi? http://reformanedrejtesi.dmcs-online.com/pse-nje-reforme-ne-drejtesi)

    Nuk ka qenë e qartë deri tani se cilët kanë qenë faktorët që çuan në dështimin e reformave të drejtësisë, të cilat bëhen periodikisht nga politika shqiptare. Faqja zyrtare e lartcituar e shpjegon me “dinamikat e zhvillimi të shoqërisë”, por nuk tingëllon aspak bindëse, ngaqë në asnjë vend të botës nuk bëhen reforma (edhe kushtetuese) kaq të dendura. Sepse ndryshimet e thella në drejtësi kërkojnë gjithashtu prekjen e Kushtetutës. Pastaj, nuk pranohet hapur që sistemi i ndërtuar deri më sot ka dështuar krejtësisht; sistem që me siguri ka pasur edhe ai ekspertët e vet juristë ndërkombëtarë (e cila reformë apo ligj nuk e ka pasur?).

    1. Vërtet, Pishak – kështu nga larg, të krijohet përshtypja sikur të dy partitë e mëdha, PS dhe PD, po duan ta shfrytëzojnë reformën për kapital politik: PS-ja sa për të konsoliduar kontrollin ndaj edhe gjyqësorit, aq edhe madje sidomos për t’u identifikuar dhe konfirmuar si referenti i Perëndimit dhe veçanërisht i ShBA dhe i BE në politikën shqiptare; PD-ja për t’u konstituuar si opozitë e besueshme, pas disa vjetëve të humbura kot, ose duke u marrë me trashëgiminë aq toksike të Berishës.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin