RROBAT E REJA TË KRYEMINISTRIT

Tre vitet e fundit të pushtetit kryeministror i kanë kushtuar shumë imazhit të Edi Ramës. Gjithnjë e më i thinjur, më i rrudhur dhe më i ngurtë në fjalët e tij, ai dëshmon për një plakje pazakonisht të shpejtë. Askund më tepër nuk bien në sy pesë dhjetëvjeçarët që rëndojnë mbi supet e kryeministrit, sesa në seancat e përjavshme të Kuvendit. Duelet verbale të përfaqësuesve të popullit janë, tanimë, pak më shumë sesa shkëmbime batutash të stërpërdorura e të dala boje, shumë herë (në rastin e kryeministrit) të ardhur me një makinë kohe drejt e nga kryeqyteti i fundviteve tetëdhjetë. Ato e kanë humbur freskinë dhe risinë e dikurshme sepse audienca drejt së cilës drejtoheshin nuk përbën më atë masë vendimtare të elektoratit që ishte dikur. Për shumë të rinj, Rama qëndron mjaftueshëm larg në kohë e botëkuptim sa për të mos qenë familjar, por ende jo aq larg sa për t’u shndërruar në mit, në të njëjtën mënyrë si Berisha.

Plakja e Ramës, fizikisht po aq sa politikisht, ka krijuar një problem komunikimi për kryeministrin. Ai duket se refuzon të rinohet artificialisht, ashtu si çdo politikan tjetër që kërkon rizgjedhje, duke ndjekur këshillat e një stafi të jashtëm imazhi. Në vend të kësaj, ai ka zgjedhur, në ato pak raste kur e ka parë të arsyeshme a të volitshme, të ndjekë mendjen e tij drejt disa ‘shpërthimeve’ në të veshur që të rikujtojnë veten e tij të dikurshme, por pa e arritur kurrsesi ndikimin që kishin në ato kohëra. Është e trishtë vdekja e ngadaltë e kësaj ane të Ramës, njeriut që e bëri të veshurën çështje të diskutimit publik në Shqipëri. Më shumë se kaq, mungesa e brekusheve të gjera, pantallonave të shajakut, xhaketave të vjetra ushtarake e gjithfarë elementësh të tjerë që ishin pjesë integrale e imazhit të z. Rama, lë një zbrazëti të madhe në shprehjen e tij publike që duhet mbushur disi.

Duhet thënë se ekstravaganca e dikurshme me rroba sportive dhe informale zë ende një copë vend, kryesisht gjatë udhëtimeve në rrethe, ku daljet mund të menaxhohen në mënyrë shumë më të kontrolluar. Ato kryesisht shfaqen nëpër albumet fotografike të faqes kryeministrore në Facebook, duke kënaqur njëkohësisht vanitetin e protagonistit të tyre në moshë të mesme dhe nevojën për të shmangur komentet e bezdisshme të shtypit mbi këto çështje, të cilit nuk ia ka më ngenë njeri, na është lënë të kuptojmë. Gjithsesi, këto përbëjnë një pjesë fare të vogël te spektaklit publik të kryetarit të qeverisë, i cili, këtë mandate, na ka ofruar një shumicë kostumesh me jelek, palltosh, këmishësh të bardha borë, e ndonjë kravatë të rrallë me lule shumëngjyrëshe për të kujtuar antikonformizmin e harruar tashmë.

Shumë më interesante ishin dy dalje të kryeministrit gjatë këtij muaji maj, secila e bërë në një kontekst relativisht ndërkombëtar, gjatë së cilave ai u përpoq të ritheksonte më me forcë dallimin e tij të qartë nga pjesa e tjetër e klasës politike, prej të cilëve është bërë pothuajse i padallueshëm. Së pari me rastin e një mbrëmjeje të Ministrisë së Integrimit Europian në TKOB për ditën e Europës[i], e më pas si i ftuar i veçantë i presidentit Erdoan në dasmën e së bijës[ii], zoti Rama kishte lënë kostumin e detyrueshëm perëndimor për një zëvendësues po aq të vlefshëm nga pikëpamja protokollare, por tepër të rrallë në ditët e sotme, atë Nehru[iii]. Të dy rastet, pak ditë nga njëri-tjetri, duhet të ishin pjesë e së njëjtës valë frymëzimi, që nuk është bërë më e gjallë prej atëherë.

Kostumi i habitshëm blu i kryeministrit ishte një kopje e saktë e atij që vishte shtetari që i dha emrin petkave, deri në shaminë e palosur në formë trekëndore brenda xhepit të gjoksit të xhaketës. Pundit Xhavaharlal Nehruja[iv], kryeministri i parë i Indisë së lirë vetëm sa popullarizoi një version të përditësuar të një veshjeje, të njohur si akçan[v], që mendohet të jetë përdorur në nënkontinent prej shekullit të dhjetë. E krijuar si një rrobë e lehtë kindagjatë pambuku, ajo u kthye në një veshje të rëndë oborri, si përgjigje ndaj përhapjes së gjerë të frakut britanik[vi] mes elitave indiane. Zyrtare, me jakë të lartë mandarine dhe e kopsitur fort, xhaketa me pamje ushtarake dallohej qartë nga rrobat luksoze të imperialistëve europianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Fakti që vetë Nehruja ishte pinjoll i një familjeje të pasur që studio në Kejmbrixh e u bë avokat në Londrën perandorake eduardiane, nuk e pengoi aspak përhapjen e veshjes pas vdekjes së tij më 1964.

Në botën perëndimore, kostumi Nehru u vesh nga Bitëllsat, tek Shon Konëri si 007-a, nga të gjithë aktorët që luanin kundërshtarin e tij të përhershëm, Ernst Stavro Blofeldin, e deri tek satira e tyre nga Majk Majërsi si dr. i Ligu në filmat Ostin Pauërs. Për një sërë arsyesh, mes të cilave edhe njëfarë ngjashmërie me kostumin à la Mao, i cili dyshohet ta ketë origjinën nga uniformat e kadetëve japonezë që shërbenin në Kinë në vitet ’20, ky kostum u përhap në perëndim mes kryengritësve që ishin të pakënaqur me kapitalizmin e Luftës së Ftohtë. Këto rroba morën një karakter kundër-perëndimor, kundër-borgjez dhe imperialist në kohën e luftës së Vietnamit dhe majit ’68. Kostumi Nehru-Mao u bë kaq i identifikueshëm me lëvizjen kundër-kulturore të 1960-70-ës, sa, në botën perëndimore, ai e humbi pothuajse krejtësisht rolin e vet origjinal prej kostumi formal të klasave qeverisëse.

Është e vështirë të kuptosh se përse, pikërisht në një mbrëmje për ditën e Europës, kryeministri të zgjidhte të jepte këtë mesazh nëpërmjet rrobave të tij. Ka shumë të ngjarë që ai të mos jetë në dijeni të shtegut historik që ka përshkuar rroba që mbante veshur e të konotacioneve politike që mbart me vete. Ndoshta kërkonte thjesht të spikaste me anti-konformizmin e tij të dikurshëm përballë audiencës në ndenjëset e operës kryeqytetase. Në qoftë kështu, lënia mbresë pak dhjetëra anëtarëve të trupit diplomatik që shërbejnë në Tiranë e një trumbe zyrtarësh e qytetarësh të ftuar, nuk mund të jetë objektivi real i një kryeministri, qoftë të një vendi tre milionësh. Në një rreth aq të ngushtë e aq të zgjedhur, z. Rama nuk duhet të ndjente nevojën të bënte përshtypje fare, por, nëse do ti duhej, duhet të kishte parasysh se në vend që të shkruanin editoriale që ti bënin jehonë atij, spektatorët e asaj mbrëmjeje do të përpilonin raporte të fshehta për kancelaritë përkatëse, të cilat kanë kohë që kanë zënë pluhur nëpër cepa.

Përsa i përket dasmës së të bijës së presidentit Erdoan, misteri është edhe më i madh. Nga të gjithë të ftuarit e shquar, kryeministri shqiptar ishte i vetmi që nuk ishte veshur me kostum, e atje ishte i pranishëm edhe kryeministri pakistanez, i cili ka arsyet historike për të veshur uniformën e rajonit të tij. I vetmi shtetar tjetër që është dukur në Europë me një kostum të ngjashëm është sekretari i përgjithshëm i PKK-së dhe presidenti kinez Shi Jinping. Në dy vizita, fillimisht në Holandë[vii] dhe pastaj në Mbretërinë e Bashkuar[viii], ai u shfaq me një version të ndryshuar të kostumit kinez, pothuajse te njëllojtë me kostumin Nehru, si një alternativë e vendit të tij ndaj kostumeve të mbrëmjes. Ngjashmëria në shije me udhëheqësin e superfuqisë së vetme komuniste në planet e bën të panevojshëm komentin.

Ne gjendemi përballë të vërtetës se kryeministri i vendit kërkon të rinojë e ripërtërijë imazhin e tij pas tre vitesh të një qeverisje tepër të kontestuar, nëpërmjet një kostumi që ka tridhjetë vjet që ka dalë nga moda. Në vend të ndikimit pozitiv që pati stili agresiv i Varufakisit[ix], apo edhe refuzimi diskret i Ciprasit për të mbajtur kravatë para zgjidhjes së krizës[x], zoti Rama rithekson padashur pikërisht atë që dëshironte të fshihte, vjetërsinë e tij. Nëse, në mendjen e tij, ai përpiqet njëkohësisht të shfrytëzojë elementin politik të kostumit të tij Nehru, askush, mendoj, nuk mund ta ketë marrë më seriozisht sesa parullat dhe dekoratat komuniste të veteranëve të brezit të Lenonit dhe Mekartnit, në rastin më të mirë. Përsa i përket presidentit Jingping, sikur të kishte vërtet një mundësi që Shqipëria të rreshtohej sërish me Kinën kundër pjesës së mbetur të botës, analiza e veshjes së zotit Rama mund të merrej seriozisht, edhe pse me vështirësi; në kushtet konkrete, është komike.

Dikush duhet ta paralajmërojë përpara se të dalë sërish shëtitje me rrobat e tij të reja.


Burime:

[i] http://27.al/thanas-liro-rripin-foto-lsa-malton-dibra/

[ii] http://www.balkanweb.com/site/rama-i-ftuar-ne-dasmen-e-vajzes-se-erdoganit/

[iii] https://www.gentlemansgazette.com/nehru-jacket-guide-mao-suit/

[iv] http://www.pmindia.gov.in/en/former_pm/shri-jawaharlal-nehru/

[v] http://www.oxforddictionaries.com/definition/english/achkan

[vi] http://www.blacktieguide.com/blog/2012/08/09/1907-formal-wear-iii-frock-coat/

[vii] http://cn.hujiang.com/new/p597633/

[viii] http://www.telegraph.co.uk/news/politics/11941937/Chinese-president-Xi-Jinping-begins-UK-visit.html

[ix] http://www.theguardian.com/fashion/fashion-blog/2015/feb/02/greek-finance-minister-yanis-varoufakis-on-how-not-to-dress-for-a-meeting

[x] https://www.washingtonpost.com/news/worldviews/wp/2015/02/04/greeces-new-leftist-prime-minister-is-shaking-up-europe-by-not-wearing-a-tie/

 

1 Koment

  1. Nuk më duket se ka vërtetë nevojë, që dikush ta paralajmëroj kryeministrin për rrobat e reja. Përkundrazi. “Merruni me gunën dhe mos ma shikoni punën”, ka kohë që është mesazhi i tij, për shqiptarët e të huajt bashkë… : )

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: