Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

TË GËNJESH ME PROVA

U habita kur pashë, fare rastësisht para ca ditësh, se një internaut qenkësh ndier i provokuar, besoj në identitetin e tij etnik, kur kish parë se Pjetër Bogdani quhej “macedone” në faqen e parë të botimit origjinal të librit të tij “Cuneus Prophetarum”; dhe kish komentuar: “Pjetër Bogdani na qenka maqedon!

Nuk do t’i kisha dhënë rëndësi këtij aksidenti të vogël, po të mos kisha lexuar, praktikisht në të njëjtën kohë, një lajm tjetër që kish nxjerrë, këtë herë “Lapsi”, në rubrikën “Dossier”, për një letër të një grupi klerikësh katolikë drejtuar mbretit Zog, në vitet 1930, për të kërkuar që të mos ligjërohej divorci në Kodin civil që po miratohej.

Këtë dokument “Lapsi” e paskësh “marrë nga Arkiva e Shtetit.”

Kush e njeh sadopak historinë e qëndrimeve të Vatikanit ndaj divorcit, nuk do të jetë habitur që katolikët shqiptarë kanë protestuar, në vitet 1930, kundër lejimit të tij nga legjislacioni civil; sikurse kush e njeh sadopak historinë e shqiptarëve në Ballkanin mesjetar dhe osman, nuk do të jetë habitur, kur ka parë që Pjetër Bogdani quhet “macedone” në faqen hyrëse të librit të vet.

Problemi është te reagimet e atyre që u mungon kjo njohje sadopak.

Është bërë e modës tashmë, që mediat të qëmtojnë dokumente gjithfarësh në arkivat dhe t’ia japin ato lexuesit ose publikut pa asnjë informacion për kontekstin historik përkatës.

I tillë ishte edhe botimi i letrës së katolikëve kundër divorcit; meqë ajo letër nuk përfaqësonte veçse një reagim rutinë të një komuniteti, ose një jo-lajm edhe në kohën kur u dërgua, dhe sidomos sot.

I vetmi kuptim i saj atëherë dhe sot do të ishte që katolikët shqiptarë paskan qenë… katolikë.

Natyrisht, publikut të gjerë nuk ka pse t’i interesojnë hollësi të tilla; në një kohë që vetë media, duke ia ofruar, lë të kuptohet sikur paska në to ndonjëfarë lajmi, ose diçkaje me probabilitet më pak se një.

Të nxjerra nga konteksti, këto “fakte” jo vetëm përfundojnë në anakronizma, por edhe – objektivisht – e shtrembërojnë historinë, duke i dhënë asaj atribute që ajo nuk i ka.

Për pasojë, dikush do të mendojë se Pjetër Bogdani nuk e paska konsideruar veten “shqiptar”; ndërsa dikush tjetër do të thotë: “Pa shih, pa shih, katolikët paskan qenë kundër divorcit!”

Këtë unë do ta quaja dizinformim nëpërmjet dokumentit.

Në të vërtetë, prapa një vërtetësie a autenticiteti iluzor, dokumenti historik sot do të ishte krejt artificial, në mos i pamundur për t’u kuptuar nga publiku profan, pa ndërmjetësinë e historianit.

Truku ku mbështeten mediat, dhe të gjithë popullarizuesit vullnetarë të cilëve u bien në dorë rastësisht është se publiku është mësuar, prej mediave, që t’i jepen lajme; pa çka se shumë prej dokumenteve historike, që ruhen në arkivat, vetëm lajme nuk janë.

Këtu ka një ngatërresë që shkon aq thellë, sa edhe funksionet e tekstit të shkruar (i cili mund të informojë, por mund edhe thjesht të regjistrojë); por që lehtësisht po hyn në punë për të manipuluar lexuesit – duke përfituar edhe nga padija e tyre, nga pamundësia e tyre për t’u përballur me tekste jashtë kontekstit dhe nga indiferenca e ekspertëve.

Nga kjo pikëpamje, reagimi më i shëndetshëm i një lexuesi përballë një dokumenti që e gjen rrugën, i zhveshur lakuriq, drejt një medie me natyrë të përgjithshme, pa komentin ose interpretimin shoqërues nga një historian, do të ishte: ja si po më gënjejnë sërish.

2 Komente

  1. New historicism sipas meje nuk eshte fare “new”, por e pranoj qe eshte e vetmja menyre per analizen e tekstit qe gjithnje eshte tekst historik.

  2. Ekziston një disiplinë krejt më vete në fushë të studimeve historike, që quhet “metodologji e kritikës dhe botimit të burimeve historike” (formulimi mund të luhatet nga vendi në vend). Jo çdo dokument mund të tundet lart e poshtë për çdo arsye dhe qëllim. Pikë së pari, cenon etikën e sjelljes me dokumentin; së dyti, e zhvlerëson dhe e përdhos dokumentin. Tjetri hall që shoh tek artikulli i lapsi.al, është mënyra si ofrohet teksti dhe fotografitë e dokumentit të sjellë: asnjë referencë arkivore! Profesionalizëm prej historiani jo e jo, por as profesionalizëm gazetari! (Në kushte normale, Arkivi Qendror Shtetëror, në raste të tilla, penalizon studiuesin që ka fotografuar dokumentin, gjithmonë, nëse e ka bërë me leje. Ka një rregullore dhe ligj për këtë.)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin