MARKU KUNDËR MARKUT

Sapo më lajmëroi Facebook-u se si sot, tre vjet më parë, kisha nxjerrë në “Peizazhet” një shkrim kritik (Votoni me prostatë) ndaj një artikulli të dr. Myftar Barbullushit, botuar në “Panorama” (Telefonata e tmerrshme – i cili natyrisht nuk gjendet më në arkivin e gazetës, por mund të gjendet ende gjetiu në ueb).

Polemika që pasoi këtë shkrim besoj pati interes, për të sqaruar marrëdhëniet midis fjalës së ekspertit dhe fjalës së qytetarit, në forumet publike; nuk është vendi për t’iu kthyer këtu, sepse gjendet lirisht brenda kësaj faqeje.

Çfarë m’u kujtua, përkundrazi, ishte ndërhyrja publike e Mark Markut, i cili shkroi sërish në “Panorama” një opinion me titull Doktor Vehbiu dhe analiza filologjike e testit të prostatës, sërish i hequr nga arkivi (por mund të lexohet ende këtu), në të cilin unë qortohesha, në thelb, se pse isha ballafaquar me dr. Barbullushin – duke qenë ai specialist i fushës ndërsa unë jo.

Përgjigjja ime ndaj atij shkrimi të Mark Markut sërish mund të lexohet te “Peizazhet” (Zëri i qytetarit).

Çfarë më shtyu sot t’i kthehesha kësaj teme, ditën e përvjetorit të tretë të botimit të shkrimit tim fillestar, ishte se – ironikisht – pashë të botuar, sërish në “Panorama”, një editorial të Mark Markut, me titull “Realiteti ekonomik që Rama nuk e sheh” dhe ku ky autor diskuton klimën e biznesit në Shqipëri, opinionet e përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pasojat e qeverisjes Rama në ekonominë e vendit dhe të tjera probleme të mprehta ekonomike.

E lexova këtë opinion dhe pyeta veten: sikur të isha unë Mark Marku, a nuk do t’i kthehesha autorit të artikullit të sotëm dhe t’i hiqja veshin, ex cathedra, se ish marrë gjerësisht me një temë jashtë ekspertizës së tij?

Me sa shoh në CV-në e këtij autori, të botuar në faqen e Fakultetit Histori-Filologji, ai është diplomuar për gjuhë-letërsi dhe më pas është specializuar për gazetari dhe specialist i shkencave të informacionit dhe të komunikimit.

Çfarë do të thotë se, gjithnjë sipas logjikës së Mark Markut që më kritikonte mua, ky i tanishmi nuk as titull as të drejtë “etike” për t’u marrë me çështje të ekonomisë dhe të biznesit.

getty_rm_photo_of_man_in_doctors_officeMe një fjalë, pres që nesër Mark Marku i djeshëm të dalë dhe të shkruajë një artikull kundër këtij të sotmit dhe t’i thotë se “ka humbur etikën e profesionit të tij si doktor i fjalës.” Mos u habitni: gjëra të tilla edhe kanë ndodhur!

Të shpjegohem: ndryshe nga Marku kritik ndaj shkrimit tim të para tre vjetësh, unë gjithnjë besoj se çdo qytetar ka të drejtë të shprehet, madje edhe në një forum publik, për çështje të biznesit dhe të ekonomisë, duke i trajtuar ato nga pozitat e qytetarit, jo të ekspertit ekonomist.

Madje të mbrojë interesat e qytetarëve, në forume të tilla, përballë ekspertëve nga njëra anë dhe politikanëve nga ana tjetër, kjo është një nga detyrat, në mos karakteristikat dalluese të veprimtarit dhe të intelektualit publik – të paktën sipas meje.

Këtë e bën Marku sot, këtë e pata bërë edhe unë dje, kur polemizoja me një artikull të lehtë dhe divulgativ të dr. Barbullushit, i cili mes të tjerash më ftonte drejtpërdrejt mua, si qytetar, që të merrja vendime të caktuara, në lidhje me shëndetin tim.

Tani nuk di nëse duhet ta përshëndet këtë kthesë dramatike të profesorit tonë të shkencave të komunikimit, apo të trishtohem dhe të mendoj se ndërhyrja e tij e atëhershme kundër meje frymëzohej nga arsye të tjera.

Dhe pikërisht, që disave, si Marku u lejohen ekskursionet në fusha ku nuk kanë ndonjë ekspertizë, ndërsa disa të tjerëve jo; sidomos kur këta të fundit guxojnë të cenojnë prestigjin dhe autoritetin e miqve familjarë të Markut. Çfarë do të meritonte që ta quaja edhe përdorim të diskursit publik për interesa private, po të më lejonte profesori.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: