CUI PRODEST

Eljan Tanini ishte një nga fytyrat e njohura të protestës kundër betonit në Parkun e Liqenit; por befas ia derdhën mbi kokë tabloidët një kamion të një betoni të tjetërllojshëm sot, kur u bë e ditur se një projekt i tij për një skulpturë parku sapo kish fituar mbështetje financiare nga Bashkia e Tiranës dhe sidomos kur qarkulloi një foto, e bërë në vendin dhe kohën e duhur, e tij duke shtrënguar duart me kryebashkiakun Veliaj.

Për çfarë e përdhosën? Sepse qenkësh treguar kinse me dy faqe, ngaqë kish pranuar “darovën e armikut” – ose para nga ai autoritet, kundër të cilit kish protestuar bujshëm deri dje.

Ngaqë erdhi vetëm dy ditë pas refuzimit tonë, si “Peizazhe të fjalës”, për të marrë një fond që na kish akorduar Ministria e Kulturës, ky linçim që iu bë Taninit u përfshi, dashur pa dashur, në debatin e hapur prej nesh dhe pikërisht: a janë për t’u konsideruar këto lloj fondesh si një kompromis me pushtetin?

Jo, nuk janë; dhe as është pranimi i tyre shenjë e ndonjë gjunjëzimi, pavarësisht se pushteti politik mund të tundohet dhe të thotë, madje të mburret, se “po e krijojnë vetë kritikën” duke e financuar.

Sepse këtyre, në fakt, fondet që e kanë për detyrë të shpërndajnë nuk u vijnë gjë si trashëgim nga baballarët a gjyshërit, por ua kanë besuar taksapaguesit dhe qytetarët për këtë qëllim; dhe një projekt çfarëdo që ka nevojë për ndihmën e shtetit duhet gjykuar për meritat e veta specifike, jo për qëndrimet kritike, të sotme dhe të nesërme, të atij që ka aplikuar.

Ne të “Peizazheve” e refuzuam fondin tonë, pasi kishim aplikuar për të dhe na ishte dhënë; arsyet i patëm shpjeguar në deklaratën tonë të para dy ditëve. Por projekti ynë kushtonte relativisht pak dhe ne mundëm t’ia lejojmë vetes luksin e refuzimit; ndërsa Eljan Tanini nuk mundet, meqë projekti i tij Ëndrra fëmijërie, edhe në versionin më pak të kushtueshëm, do të kërkojë mbi 10,000 USD.

Kjo do të thotë se ne refuzuam edhe për Taninin dhe të tjerë që nuk refuzojnë dot; sikurse do të thotë se e mbështetim pa rezervë qëndrimin e tij, kur thotë se përfitimi nga fondet publike nuk ia pret hovin për të protestuar.

Nuk e kam të qartë se cilët u ngritën me të madhe për ta përqeshur artistin; sepse miqtë e tij të kauzës dhe bashkëprotestuesit te Parku, me sa kam parë, e kanë mbrojtur. Një nga motivet e përqeshjes, me sa shoh, qenka kontradikta – e supozuar – midis qëndrimit politik të Taninit dhe gatishmërisë së tij për të pranuar pará nga “armiku”, çfarë thjesht tradhton një koncept primitiv për ballafaqimet politike.

Për ta zgjidhur këtë koklavitje duhet pyetur: kush përfiton nga poshtërimi publik i këtij artisti? Kush përfiton nga psikoza e ushqyer rishtas, se nuk mund të jesh kritik dhe kundërshtar politik i pushtetit dhe njëkohësisht të pranosh paranë publike për projektet e tua?

Cui prodest?

Nuk mund të shtyhemi dhe të spekulojmë më tutje. Kur miratoi mbështetjen financiare për skulpturën në fjalë, kryebashkiaku Veliaj besojmë se është udhëhequr vetëm nga kriteri i meritës, sikurse edhe duhej të udhëhiqej; pa çka se kjo përçarje mes lëvizjes së protestës nuk mund të mos i shërbejë atij, politikisht.

Nga ana tjetër, reagimi histerik, në tabloidët dhe në portalet dhe ndoshta në rrjetet sociale, kundër faktit rutinë që një artist përfiton mbështetje financiare pa qenë pjesë e elitës në pushtet, përkundrazi, do të konfirmonte – nëse është gjenuin – se sa toksike janë bërë, për qytetarët, marrëdhëniet me pushtetin, sidomos të natyrës financiare; duke na dhënë tërthorazi të drejtë, post factum, edhe neve te “Peizazhet”, që njëfarësoj kërkuam të mbrohemi ndaj këtij toksiciteti kutërbues, duke e parandaluar.

Pak ditë më parë, Kiço Blushi në një editorial te Gazeta Shqiptare fliste për “kultin e individit nëpërmjet investimeve publike”, duke akuzuar pushtetarët – qendrorë dhe lokalë – se po i trajtonin investimet publike dha taksat “jo si detyrim, por si dhurata bamirësie që na bëjnë udhëheqësit bujarë” a si grante nga fondacionet e tyre personale; një nga të shënjestruarit ashpër në atë shkrim ishte edhe kryebashkiaku Veliaj.

Nuk kemi fakte, për të dyshuar se miratimi i aplikimit të Taninit, pikërisht tani, ishte një manovër politike e kryebashkiakut, për të diskredituar një nga zërat më aktivë të protestës te Parku; prandaj le t’i bashkohemi këtu, qoftë edhe vetëm përkohësisht, mirëbesimit të artistit, i cili nesër do të dalë sërish të protestojë, kundër po atij institucioni që ia ka mbështetur financiarisht projektin. Ndoshta kjo do të shërbente edhe si provë e kristalizimit të një vetëdijeje të re qytetare në Tiranë dhe gjetiu.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin