Më vjen keq për disa media që deri më sot, kanë besuar se unë i paskam thyer këmbën një bosi kur protestoja për Parkun e Liqenit. Madje ishin po këto media që përsiatën hapur dhe bindshëm atë “punën” e lopatës në gjoks. Pak të dashura media, mos merrni kot përsipër të më godisni për një projekt që ka vite që fle. Tre vjet më parë kjo ide për një skulpturë parku i është paraqitur edhe Lulzim Bashës në zyrën e tij. Por asgjë, veç sa fjeti atje. Deri më sot, flinte edhe me mua, pastaj qëndronte në dhomën e pritjes deri sa një ditë hasa në konkursin e Skulpturave të Parkut. Vepra ime (punë në grup) titullohet Ëndrra Fëmijërie – një cikël i gjatë idesh, që lindi prej një ekspozite pamore në ish-Ambasadën Jugosllave, me qendër fëmijërinë dhe e quajtur Njolla të Urta, pastaj me një botim timin që ka dozën e çështjeve të një fëmijërie urbane, e botuar si Pa pik’. Dhe tani, skulptura e parkut, Ëndrra Fëmijërie.
Unë do të vazhdoj të merrem gjithmonë me fëmijërinë. Mos u merrni me mua, në 1 Qershor unë do të dal për Parkun e Liqenit pa beton. Jam fans i mjedisit dhe dashamirës pozitiv i ngjarjeve kulturore, sidomos nga artet pamore: sepse të tilla janë studimet e mia. E gjitha kjo nuk më pengon të jem protestues ndaj një projekti me dhe pa beton, ku më pas të propozoj ide dhe ndryshime. Nuk jam në gjak me antimjedisin dhe as me idetë e mia, për të kundërshtuar dhe pranuar. Një dorë e shtrënguar, nuk tregon asgjë! Unë nuk jam shoqëri civile që merr para lart e poshtë, por qytetar i angazhuar. Nuk ju kërkoj falje se ju kam mërzitur me nismën time Mbill Pemën Tënde. Përpjekjen time artistike nuk e hedh dot poshtë askush, edhe pa nisur mirë ajo. Çdo qytetar duhet të aplikojë në Bashkinë e tij për ide, lër më pas të protestojë. Po, të protestojë dhe të aplikojë për ide. Kjo fjali nuk ju rrinte mirë deri ca orë më parë? Mua po, unë edhe do të protestoj, por edhe do të përpiqem të zbatoj idetë e mia personale edhe duke e kundërshtuar institucionin ku bëhet protesta e radhës. Të paktën ky projekt pati fatin të bëhej publik. Ndryshe mund të ishte vjedhur, dhe unë të përfundoja nëpër gjyqe. Kaq të vështirë e keni ta kuptoni dikë që proteston, por edhe provokon me veprën e tij të artit? Kaq të vështirë e keni të kuptoni dikë që e do mjedisin, por edhe punon për një projekt arti për këtë Tiranë tiranësh prej betoni?
Për Parkun e Liqenit me beton kam qenë dhe do të jem kundër. Kam protesuar gjithmonë si Eljan, pa logo. Do vazhdoj ta bëj. Idetë e mia për qytetin, nuk i vjedh dot askush, as shtrembërimet e mediave gustokëqia me propagandën e thatë. Nuk e keni pare ende banorin e këtij vendi që e do këtë qytet me protesta pro mjedisit dhe me ide për ta mbrojtur atë? Unë kështu do të jem gjithmonë. Me lejen e askujt, do dal të protestoj kundër, ashtu siç edhe do të krijoj ide si projekti fitues në Bashkinë e Tiranës, i titulluar Ëndrra Fëmijërie. Askush nuk më bën dot vegël partie dhe të asnjë individi. Duke falënderuar të gjitha mediat për cinizmin deri me përkëdhelje, po përfitoj nga rasti nga ky publicitet i pakërkuar, por që mund të gjenerohej vetëm nga e njëjta makineri që na ka groposur për së gjalli kur ishin në mëshirë të fatit mes të fortësh… “Pajtimi” im me kryetarin e Bashkisë është po aq i vërtetë sa lopata te gjoksi i Tan Hardhisë, po aq sa këmba e thyer e atij bosit… Unë nuk jam klient, nuk kënaq dot askënd për joshje mediatike. Njerëzit kanë besuar tek unë, se kam mbi 3 vjet që mbjell pemë në çdo cep të Shqipërisë, se kam ngrënë shkelma dhe grushta në mes të natës, në mes të Parkut nga kriminelët. Por kjo gjë nuk më ndalon të aplikoj dhe të fitoj atë konkurs. Kjo mund të jetë një demokraci e re! Nuk më vjen hiç keq për dyshuesit pragmatistë, që nuk të mbështesin për arsye pragmatiste, dhe po ashtu të shajnë po për arsye pragmatiste… Unë po shkruaj për veten time dhe njerëzit që kanë besuar te veprimet e mia, nuk flas në emër të të gjithë aktivistëve, sepse ata janë njerëz të pastër dhe aktivistë si unë. Ndjesë të gjithë njerëzve të pastër dhe tërë miqve aktivistë, nëse nën efektin e orkestrimit kanë marrë mesazhet e gabuara, detyrimin për një sqarim e kam
vetëm ndaj tyre. Nuk kërkoj ndjesë, që në këtë vend gjenden me shumicë dy para: ajo e ekstremistit dhe ajo e militantit. Nuk kërkoj falje që për hir të punëve që vlejnë, të jem bashkëpunues, dhe jo thatësirë. Gjithë këtë mllef për të më kundërshtuar mua mund ta kishim përdorur për një protestë më të mirë! Në datën 3 qershor unë do të jem sërish në gjyq për Këndin prej Betoni në Parkun e Liqenit Dilni mbillni ca pemë, para se të merreni me mua! Njerëz dilni në rrugë, po na vjedhin Shqipërinë, Vjosën, Valbonën, dilni të mbillni Lurën, pa harruar se nën Digën e Liqenit Artificial duan të ndërtojnë disa pallate 17 katëshe. Non Serviam.
Është e qartë, ka fituar në Konkursin e Shpallur nga Bashkia e Tiranës për skulpturat e parkut, ideja (pune ne grup), dhe jo Eljani. Cfarë gabimi u bë? Pse të gjithë kundër? Cfarë kërkon populli të shohi, neveri dhe sharje, apo protesta dhe ide për ta ndryshuar qytetin? A mund të themi që kjo është një mënyrë e mirë për të kapërcyer idete se kush proteston, nuk i fiton konkurset? Apo sipas kësaj stine, Bashkia e Tiranës po krijon një demokraci të re?
Ëndrra Fëmijërie është një vepër arti e cila ka për qëllim të ruaj memorien ose kujtesën kolektive të zonës ku mendohet të vendoset: Ish Fusha e Aviacionit. Raketa ose avioni që imiton aeroplanët prej letre të cilat i bëjnë fëmijët e vegjël, është 11 metra e gjatë, rreth 2.5 m i gjerë, sa gjatësia reale e një Avioni Mig që dikur gjendej shpesh në ish-Fushën e Aviacionit. Është edhe një vepër arti moderne, tek e cila thyhen te gjitha mënyrat se si ndërtohen skulpturat e parkut në Shqipëri, duke e rikonceptuar zonën shumë thjesht nga kjo ide që nuk gjendet në vendin tonë.
1. Si një dhuratë për qytetin e Tiranës ku në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me donatorin, shfaqet si një origami që kërkon t’i bëjë elozhe lojrave të fëmijërisë, por tashmë e zmadhuar. Si një vepër kulti e cila i kushtohet lojës së fëmijeve, bashkë me ta edhe memories së qytetit. Është shumë e rëndësishme kjo e fundit, sepse në Tiranë këtë veprim për të ruajtur të shkuarën përmes lëvizjeve të së tashmes nuk e gjen dot: nuk ka
2. Ky avion prej letre i zmadhuar, që mendohet të vendoset tek Ish Fusha e Aviacionit këtu në Tiranë, është si një fletë letre që mban mbi shpinë, pjesëza letërsie për fëmijë, nga kartonat e asaj kohe, personazhe fëmijësh, psh: nga Çufo dhe Bubi Kaçurrel, etj.
3. Vendosja e kësaj vepre arti në park kërkon ta kthejë zonën e ish-Fushës së Aviacionit në një vend ku të rinjtë kanë dëshirë të promovojnë atje librat e tyre, artin, teatrin etj… Prandaj vepra mban të shkruar mbi shpinë fjali, dialogje që kanë lidhje me një fëmijëri të shkuar, që e kujton këtë ish vend përmes lojës së fëmijëve.
4. Është një vepër arti në park, e cila i jep Tiranës por edhe kësaj zone një pasuri kulturore duke u vendosur tek Ish Fusha e Aviacionit: jo vetëm estetike. 5. Duke shtuar në kujtesën popullore (për herë të parë) një pikë të re orientimi, referimi: Ku do takohemi, ku do shihemi? Takohemi tek Raketa, tek Avioni.
Eshte paksa e veshtire ta konsiderosh nje ide te mevetsishme nga autoret, aq me teper kur behet fjale per nje projekt-ide, qe e ka te pamundur te flase vete. Mua me duket se “populli” do ishte i gatshem te shante cdo protagonist qe do kapej mat, e aq me teper ty- qe dashje-pa-dashje u bere edhe cover boy i protestes. Ndoshta “populli” te shan ngase u duket sikur je shitur, dhe ku i dihet i vjen inat se s’u shit dot vete. “Populli” ku i dihet do kete edhe ndofare alergjie nga keto “ide(te) per ta ndryshuar qytetin” meqe u jane prezantuar aq shume ide saqe kjo e jotja ndoshta nuk perben risi.
Pavaresisht kesaj, e rendesishme eshte qe protestuesit ta bojkotojne konkursin. Protestuesit sot rrezikojne te miklohen nga pushteti, jo vetem me fonde por edhe me hapesira ku ti zhvillojne diskutimet e tyre kritike. Ndodh qe pasi protestuesit perdorin keto hapesira (si COD) te reklamohen nga pushteti, meqe pushteti i paska njohur nje te drejte: ate te kritikes. Keshtu pushteti e tret kritiken njeherazi duke cenuar integritetin e protestuesve(ndaj protestuesve) dhe me keq akoma duke e prezantuar kritiken si produkt te sajin. Reagimi i fundit i “Peizazhe te fjales” ndaj fondit te MK eshte nje shembull i perkryer i asaj pergjigjeje qe duhet te kishe dhene dhe ti, megjithese ti e paske pare me te arsyeshme te pergjigjesh me nja dy fjali deftore. So full of your self.
I nderuar zoti Tanini,
Une jam nje qytetar i Tiranes, banor ne zonen e ish-fushes se aviacionit.
Me vjen vertete mire qe reagimi juaj vjen pikerisht ne PTF, dhe do kisha deshire ta shfrytezoja kete hapesire per t’ju drejtuar disa pyetje ne lidhje me debatin. Natyrisht nuk jeni i detyruar te me pergjigjeni, edhe pse une do ta vleresoja nje reagim tuajin.
Sikurse e thashe, une jam nje banor i kesaj zone, ndaj edhe problematiken qe i perket e kam pak a shume me te qarte. Bashke me banore te tjere, mendojme se me ate bllok ka ndodhur nje abuzim i tmerrshem, ku hapesira e gjelber eshte reduktuar ndjeshem ne raport me betonin e hedhur. Mendojme se gjithe fushat e basketbollit, hapesirat per te luajtur femijet, shatervanet, barrierat anesore te kufirit mes pedonales dhe rruges, kane degraduar nga mosmirembajtja. Mendojme se ajo hapesire nuk mund dhe nuk duhet shfrytezuar nga gjithfare shitesish me thase ekskremental. Mendojme se motorrat e picerive nuk mund dhe nuk duhet te vozisin ne hapesiren pedonale duke rrezikuar jete femijesh. Mendojme se koshat e plehrave nuk duhen djegur nga lloj lloj qeniesh pre-historike qe nuk e kuptojne se cfare demi i shkaktojne ashtu ambientit dhe banoreve. Mendojme se qente e rruges, qe jane shtuar ne menyre te frikshme, duhet gjetur nje zgjidhje per t’u larguar prej aty. Mendojme qe nuk duhen lejuar stervitjet dhe ndeshjet mes pitbulleve bishtkeputur ne oret e mbremjes. Mendojme se gropa e nje pallati te nisur e te pandertuar kurre, qe eshte bere nje oaz per 26 specie bretkosash e qelbesirash, duhet mbyllur. Mendojme se edhe ato pak peme qe jane mbjelle, nuk duhen hequr prej aty gjate nates nga punetore te bashkise, per tu rimbjelle si pasoje e nje emergjence ne rrugen e kavajes.
Ka dhe probleme te tjera, por nuk po zgjatem me se e ndjej dhe vete qe eshte e tepert. Kerkoj ndjese se u zgjata pak, por me duhej per te dhene kontekstin.
Dhe ne kete kontekst, une dhe nje pjese e mire banoresh, mendojme se ne ate zone ka te tjera prioritete, ndaj dhe jemi kundra ndertimit aty te nje skulpture, aq me teper te ketyre permasave. Ne mendojme se zona jone eshte ne gjendje kritike dhe ka nevoje per nderhyrje te qenesishme, dhe ndertimi i nje skultpure vetem sa na kreh vetullat. Shto ketu qe edhe estetikisht ajo veper nuk na entuziazmon, dhe tabloja eshte me e plote.
Deri ketu mendimi im dhe i disa banoreve te tjere. Natyrisht, ka shume banore te tjere qe mund te jene dakort me zbatimin e atij projekti.
Tani, problemi eshte se, sikurse ne rastin e parkut, bashkia nuk u konsultua me askend per nje vendim te tille. Ju protestuat kundra atij vendimi, duke arritur edhe te demtoni punimet here pas here.
Pyetja ime eshte kjo : Nese une dhe kjo pjese e banoreve qe mendojne si une marrim cekicet, kazmat, matrapiket, saldatricet, varete, dhe demtojme gjate nates raketen, ju si do ndiheshit ? Cfare qendrimi do kishit ju per kete ?
Dhe e dyta. Ne konfliktin per ceshtjen e parkut te liqenit, ju jo thjesht protestuar ndaj bashkise. Ju u ofenduat, u neperkembet, u shperfillet,u dhunuat psikologjikisht dhe fizikisht, u ndaluat ne komisariat, u akuzuat pa te drejte per dhunimin e nje polici, u akuzuat si pjese e nje axhende okulte prej qarqesh te opozites, etj etj. Lutem me korigjoni nese jam gabim. Shto ketu edhe, ironikisht, gjithe balten dhe propoganden kundra jush pikerisht post-factum, pra pasi ju e fituat kete projekt, balte e cila mesa di ka arritur edhe ta percaje nje pjese te mire te grupimit tuaj. Ne kete kontekst, ju jeni thjesht kundra ndertimit ne parkun e liqenit, apo edhe kundra nje bashkie qe i trajton keshtu qytetaret e vete ? Duke bashkepunuar ne projekte te tilla si ky i raketes, a nuk legjitimoni ju ne fakt nje institucion qe perndryshe ka bere gjithcka t’a diskretitoje levizjen tuaj (i rendita me siper) ?
Doja te shtoja dhe une komentin tim por, ‘peshperitesi’ e paska qendisur mjaft mire ate veprim prej larve te Taninit.
Qe mbasi u shah, u rrah, u perdhos fizikisht e mediatikisht… cfare ben? Shkon e terheq titullin…shkon e i jep doren kryetarit sikur te mos kish ndodhur gje.
Rreth dy muaj me pare kerkonte ndihmen e qytetareve te mblidheshin perpara komisariatit per te protestuar per te nxjerre cunat dhe gocat qe i kishin marre forcerisht. Nder ta ishte dhe kjo kanderr artificiale qe ktheu faqe kaq shpejt!
Pa bere arsyetime filozofike te tejzgjatura, ky kamaleon nuk tregoi ndonje gje te re faktikisht, thjesht vazhdoi tradtiten qe, fatekeqesisht, eshte duke u tejzgjatur dhe legjitimuar ne shoqerine tone. Traditen e tradhetimit te idealeve.
Rrofte skutheria… ishe tamam nje urith “proteste-prishes” i futur me tendence!
Mos i sulmoni njerëzit kështu, ju lutem, dhe sidomos jo në këtë faqe, sepse këtu kemi standarde të tjera. Të paktën Tanini ka pasur kurajon dhe i ka nënshkruar fjalët dhe veprimet e veta – ndërsa ju shkruani me pseudonim. Nuk më duket veprim i ndershëm ky. Ka mënyra të tjera për të mos u pajtuar me veprimin e dikujt, madje edhe për ta kritikuar keq, pa e tepruar kështu.
Me vjen keq por, Abel ju duket pseudonim?!
Gjithsesi, citoj A. Fugen, qe ka lidhje te vjetra me Taninin nxenes.
Eljani, pas thirrjeve publike që u bëri mijra njerëzve, në raportin me pushtetin lokal në Tiranë, nuk varej nga vetja, por nga ndërgjegja kolektive që ai i bëri thirrje.
Nuk ka të drejtë t’i japë asaj mesazhe kontradiktore.
Nuk mund të shfaqet edhe si artist që pret vlerësime dhe merr fonde; edhe si qytetar kritik dhe mospranues i të njëjtit pushtet pa vendosur kushtet e veta dhe pa bërë transparencë publike për sjelljen e tij para eventit.
Liria individuale kuptohet, por ajo në aksionin social i nënshtrohet logjikës të opinionit kolektiv që ke marrë përsipër të çosh përpara.
E dyta, Eljani nuk është në gjendje të dijë tani nëse aeroplani i tij ka fituar sepse ka vlera estetike, apo sepse bën pjesë në strategjitë e bashkisë për të ngritur veten dhe ulur atë. Kjo është më dramatikja.
Ai kompromentoi kështu fatkeqësisht vlerat e veprës së tij estetike. Sa herë brezat ta shohin atë vepër arti do të pyesin: Ishte merita e autorit, apo ishte fryti i një strategjie komunikimi dhe korruptimi i një qytetari nga pushteti lokal? Kjo është e dhimbshme.
Së treti, termi se ‘është ambientalist por jo opozitar’ nuk ka vend. Ambientalisti është opozitar. Ai ka kritikuar komunikimin, dhunën, mungesën e demokracisë.
Pra nuk është çështje tek dy gropat e pemëve. Dhe në çast pranon të vlerësohet nga pushtete që ai ka kritikuar për mungesë demokracie! Kjo nuk kuptohet dhe nuk pranohet.
Kurse përsa i perket bashkëpunimeve me pushtetin ose me zgjedhjet individuale, sigurisht secili bën si të dojë. Lirisht. Ai mund të merrte pjesë në konkurs dhe pastaj ta refuzonte çmimin nëse bashkia nuk do t’i kërkonte falje për trajtimin e qindra protestuesve. Pa kopshtin ta betonizojë. Punë e madhe. Kjo është dytësore.
Meritat individuale, idealistët i vënë në shërbim të çështjes të së mirës së përgjithshme. Këtë nuk kupton Eljani sipas meje.
Por, ai kishte marrë një përgjegjesi sociale dhe qytetare, të cilës i dha një goditje që për kohë të tëra nuk do ta marrë veten.
Nuk është problemi se a është i ndershem ose jo Eljani. Une e di për të tillë dhe idealist.
Puna është se çfarë mesazhesh jep dhe si perceptohesh, jo si je brenda teje, por si të percepton publiku.
Kjo është gafa dhe kurthi ku ai ra si pa përvojë në komunikimin qytetar dhe duke e marrë lehtë angazhimin e tij.
Ai ka një mënyrë të korrigjojë, bëri mirë që konkuroi, por ai duhet ta refuzonte çmimin dhe kështu do të ngrinte lart kauzën e tij.
Nuk ka kauza qytetare pa sakrifikuar.
Shkruani:
Edhe mua më vjen keq, por nuk kam as kohë as nge për të luajtur me ju. Kjo hapësirë nuk do të përdoret për t’i bërë gjyqin Eljan Taninit. Nuk ju duket se boll i ranë në qafë gjetiu?