PAZARI I PUNËS

Në fund të prillit 2016 në Tiranë u zhvillua panairi i punës. Nëse për efektin e punësimit mund të ketë mendime të kundërta, për suksesin mediatik të eventit do të binin dakord të gjithë. Jo vetëm shikueshmëria e madhe, por edhe mesazhet politike, i siguruan panairit rezultate pozitive në nivel komunikativ.

Por fikja e projektorëve dritëshumë të skenave, na mundëson të reflektojmë me qetësi për disa aspekte më të thella të punës.

Së pari duhet thënë se pritshmëria ndaj këtij panairi ishte e madhe, të paktën në fjalët prezantuese të promovuesve. Sipas këtyre në panair do të bashkoheshin të gjithë aktorët e tregut të punës, për të plotësuar vendet e lira të punës. Panairi ishte konceptuar si gërshetim i ekspozitës dhe forumit. Kompanitë do të shpallnin vendet e lira të punës, kurse ofruesit e formimit profesional do të prezantonin aktivitetin e tyre si dhe do të sjellin të rejat e fundit për zhvillimin e aftësive. Nga ana tjetër qëndronte pjesëmarrja aktive e ekspozuesve në konferenca e forumet duke mbajtur leksione e relacione.

“Ekspozuesit kanë mundësinë, thuhej në prezantim, që të demonstrojnë dhe shpjegojnë ofertat e tyre, jo vetëm brenda stendave. Ky model tërheq gjithashtu edhe vizitorët që duan të ndjekin prezantimet dhe diskutimet e paneleve. Ekspozuesit mund të marrin pjesë aktivisht në konferencë, duke rezervuar mbajtjen e leksioneve dhe prezantimeve, lidhur me shërbimet, rekrutimin, konsultimin dhe trajnimin profesional të burimeve njerëzore”.

Materiali prezantues i Panairit të Punës dukej ambicioz që në fillim. Midis të tjerash, atje do të realizohej punësimi, shpalosja e politikave e kompanive, njohja e punëdhënësve, treguesi real i formimit profesional, njohja e tregut të punës, fushata publicitare e kompanive. Nga të gjitha këto, më e prekshme dhe e verifikueshme ishte pika e fundit, meqë publiciteti nuk mungoi në media[1].

Jo vetëm nga fjalët e prezantimit, por edhe nga vetë zhvillimi i mëpasshëm i Panairit u pa qartë se në qendër të nismës ishin kompanitë, kurse punëkërkuesit ishin në rolin e klientëve, që i shikojnë mallrat nga vitrinat.

Që i ashtuquajturi Panair ishte një megaevent me vlerë të jashtëzakonshme komunikative e vërtetuan edhe fjalët e Kryeministrit Rama:

Panairi është një hapësirë informacioni e jashtëzakonshme, për të kuptuar se çfarë po ndodh sot në tregun e punës dhe po ashtu, për të parë nga afër se miti që sot ka punë vetëm për ata që pranojnë të paguhen shumë pak është absolutisht i ngritur mbi një të pavërtetë shumë të madhe. Faktikisht, në këtë panair ka nga të gjitha llojet e ofertave.

Edi-Rama-Panairi-i-PunesKryeministri shqiptar dërgoi pa hezitim dhe menjëherë një mesazh efikas nga pikëpamja mediatike dhe politike, sipas të cilit në Shqipëri punë ka plot, por nuk ka kualifikim. Në fakt, parulla e madhe ku u fotografuan qeveritarët thoshte që në hapje të eventit: “Në Shqipëri ka punë. Duhen profesionistë”. Me fjalë të tjera, politika e ka bërë pjesën më të madhe të punës, duke hapur vende pune, por u takon edhe të interesuarve, pra njerëzve, të kualifikohen.

Shqetësimi i këtyre radhëve nuk është të vërtetojë nëse fjalët e Kryeministrit janë të bazuara në shifra, por të nënvizojnë një mungesë të madhe. Pikërisht të punës si koncept dhe të qytetarëve në kërkim të punës. Përshtypja fillestare u shndërrua në bindje gjatë zhvillimit të Panairit vetë. Për punën dhe konceptin e saj nuk u fol aspak.

Megjithatë, për të diskutuar ka shumë dhe nuk kemi të bëjmë me teori. Duke filluar nga zgjedhja e fjalës Panair, që pavarësisht modës dhe tingullit pozitiv, lë shumë për të kuptuar lidhur me idenë e punës që ekziston në Shqipëri. Fjalori i gjuhës shqipe[2] e shpjegon panairin si “1. Pazar i madh me mallra të ndryshme, që zgjat zakonisht disa ditë; 2. Ekspozitë e madhe me prodhime bujqësore, industriale etj. Ku mund të bëhen porosi”. Të dyja shpjegimet e lidhin panairin me mallin e produktin. Me pak fjalë, nuk ka panair pa mall e produkte. Po cili ishte malli në Panairin e Punës? Puna, natyrisht.

E këtu na duhet të ndalemi tek një temë madhore, të cilës njerëzimi i ka kushtuar vëllime pa fund: koncepti i punës. Për Shqipërinë kjo është temë thelbësore, edhe për faktin se dhjetëvjeçarët e fundit i ka kaluar në dy sisteme të ndryshme ekonomike, me koncepte të ndryshme për punën. Nga ana tjetër, koncepti ndaj punës lidhet drejtpërdrejt me shoqërinë që njerëzit duan të krijojnë.

Natyrisht, një temë e tillë nuk mund të shterohet me pak faqe, megjithatë të gjithë do të binim dakord, të paktën parimisht, se puna nuk është mall. Megjithatë, në panair puna u trajtua si mall në supermarket, me vitrina, reklamues, çmime, shitës… Dikush mund të thotë se këtë e sugjeron edhe togfjalëshi “tregu i punës”, pra treg, çka përdoret edhe për mallrat, mirëpo në këtë rast nuk nënkuptohet ndonjë vend fizik i veçantë, por koncepti i takimit midis kërkesës dhe ofertës. Gjithsesi, puna nuk mund të konsiderohet mall, sepse e tillë nuk është. Arsyet janë të shumta e të thella, por do të mjaftonte të përmendnim faktin se malli është produkt i punës së njeriut, ndërkohë që vetë puna është përmasë tejet e rëndësishme e vetë njeriut.

Koncepti i punës nuk ka qenë i njëjtë gjatë historisë së njerëzimit. Në lashtësi puna lidhej kryesisht me skllevërit, që përdoreshin njëlloj si kafshët. Njerëzit e lirë e të pasur nuk punonin, merreshin me aktivitete të tjera. Me kalimin e kohës puna filloi të konsiderohej ndryshe nga njerëzit. Feja pati ndikim të dukshëm në këtë pikë. Vetë Bibla përmend se Hyji e krijoi botën për gjashtë ditë dhe në të shtatën vendosi të pushonte. Me fjalë të tjera kemi një Krijues punëtor e njëkohësisht një vlerësim “hyjnor” për punën.

Ndërsa feudalët dhe aristokratët e shikonin me përbuzje punën, sepse kishin shërbëtorët që rropateshin, lindja e borgjezisë solli një koncept të ri, duke e lidhur punën me transformimin e natyrës dhe ngjitjen e shkallëve sociale. Për t’u përmendur vepra e njohur e filozofit Max Weber, në fillim të 1900[3], sipas të cilit kapitalizmi kishte lidhje të forta në etikën e fesë protestante, në veçanti me atë kalviniste. Mirëqenia dhe pasuria filluan të shikoheshin si dhuratë e perëndisë, ndërsa puna mori vlerë fetare. Pas punës dhe suksesit të njerëzve shihej dora e Hyjit. Të varfrit dhe lypësit shikoheshin si të harruar. Sipas Weberit, ka dallim midis botëkuptimit katolik dhe atij protestant, ngaqë i pari e shikon lutjen si mjet për të arritur diçka, kurse i dyti si mënyrë për të falënderuar për arritjet e realizuara.

Proceset e industrializimit dhe zhvillimi i teknikës, në 1800, e vunë punën në qendër të shoqërisë moderne. Mbi këtë bazë lindën rrymat si teilorizmi dhe fordizmi që synonin racionalizimin dhe standardizimin maksimal të ciklit prodhues, edhe nëpërmjet zinxhirit të montimit. Filmi “Kohët moderne” i Çaplinit mbeten edhe sot e kësaj dite një analizë mbresëlënëse.

Marksi nuk mund ta shikonte punën si faktor dytësor. Përkundrazi. Sipas tij, jo vetëm që puna i dallonte njerëzit nga kafshët, por ajo ishte mënyra kryesore për të mbijetuar, gjithashtu shtylla e organizimit shoqëror. Madje edhe ndarja në klasa bazohej mbi punën. Marksi ishte kundër shndërrimit të punës së mall. Në fakt ai e konsideronte rrogën, që kapitalisti i jepte punëtorit, një lloj çmimi për një mall të veçantë, por gjithsesi mall[4]. Kapitalistët e krijonin pasurinë duke shfrytëzuar punën e klasës punëtore.

Pa u ndalur në këndvështrimet neomarksiste dhe të tjera konceptime të punës, mund të thuhet se puna mbeti në qendër të filozofisë njerëzore edhe më pas, megjithëse u zhvesh nga konflikti klasor. Nga ana tjetër, kolapsi i bllokut të lindjes e hodhi poshtë idenë e punës në sistemet socialiste, ku nuk pranohej prona private dhe “shfrytëzimi i njeriut nga njeriu”.

Interesant përpunimi që i ka bërë konceptit të punës doktrina sociale e kishës katolike. Shkurtimisht, ajo e konsiderohen punën si përmasë thelbësore të ekzistencës së njeriut. Nëpërmjet punës, njeriu realizon vetveten dhe bëhet më njeri.

Në këtë pikë, për ata që nuk e dinë, një vëmendje të veçantë do të kërkonte neni i parë i Kushtetutës italiane: “Italia është republikë demokratike e themeluar mbi punën”. Përveçse i rrallë në panoramën e kushtetutave në botë, ky nen është mjaft kuptimplotë. Midis të tjerash, ai e vë punën në qendër të jetës shoqërore, duke përfshirë të gjitha llojet e punës, nga sipërmarrësi tek puna shtëpiake, e njëkohësisht duke i dhënë punës një rol social dhe duke e lidhur me dinjitetin, sepse nëpërmjet saj njerëzit bëhen të barabartë.

Kushtetuta shqiptare e përmend punën kryesisht në kapitullin për “Liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore” (nenet 49-52), ku puna shikohet kryesisht si e drejtë[5]. Mirëpo, praktika tregon se jo të gjitha të drejtat e deklaruara gëzohen nga qytetarët. Papunësia kronike tregon se shumë të drejta mbeten në letër. Kjo nuk do të thotë se shteti e ka për detyrë t’u gjejë punë të gjithë qytetarëve, por shteti duhet të krijojë kushtet për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e tyre, pikërisht se puna nuk është thjesht një mjet për të siguruar mbijetesën.

Nuk është nevoja të bëhen citime për të pranuar se puna jo vetëm ka lidhje me dinjitetin e njeriut, por edhe me përmasën e tij identitare. Shpeshherë, duke i kërkuar tjetrit profesionin dhe punën që kryen, kërkojmë të njohim identitetin e tij. Në fakt, njeriu pa punë është i zhveshur nga dinjiteti, nuk është njeri, sepse nuk e realizon veten, përveçse nuk arrin të mbajë frymën dhe familjen gjallë. Puna është më e rëndësishme se sa një mjet për të fituar një rrogë. “Chi non lavora, non fa l’amore”, thoshte një këngë e njohur e Adriano Celentano-s.

Mund t’i kthehemi Panairit të Punës duke cituar fjalimin përmbyllës të Ministrit të Punës, Blendi Klosi, sipas të cilit panairi ishte “madhështor, kuptimplotë dhe i suksesshëm”. Fjalimi ishte interesant, sepse u përgjigjej të gjitha shqetësimeve, sipas gjasës të shprehura ose të supozuara, lidhur me nismën në fjalë. Ministri shpjegoi se “sipërmarrësit në këtë panair, erdhën për të kërkuar kapital njerëzor, që sipas përfaqësuesve të ‘Biznes Albania’-s, është aseti më i rëndësishëm i një sipërmarrjeje. I rëndësishëm aq sa vetë biznesi!”; çka është e drejtë, por paksa reduktive, e jo vetëm ngaqë mund ta shmangte citimin e varfër të një biznesi me histori të shkurtër, por sepse po flitet për përgjegjësinë shoqërore të ndërmarrjes (encorporate social responsibility, it. responsabilità sociale d’impresa), një koncept tejet serioz për ekonominë moderne botërore, ku ndërthuren çështje etike dhe strategjike, shpeshherë të panjohura për sipërmarrësit shqiptarë, disa prej të cilëve i shikojnë punëtorët si pjesë këmbimi.

Nuk ishte rastësi që, në fjalimin e lartpërmendur, u përmend sërish ideja se në Shqipëri ka punë, por ka nevojë për profesionistë; sikurse nuk ishte rastësi shpjegimi i “panairit”[6] dhe përdorimi i fjalës “i denjë”, edhe pse dikush mund të dallojë aty një mbidozë retorike[7]. Përfaqësuesi i qeverisë e pranoi se panairi nuk jep punë, por krijon kontakte: “Ne e dimë që puna nuk fitohet në panair, por kontakti i parë u krijua në këtë panair. Sepse, kjo është një histori që duhet sqaruar – në panair punën nuk ta fal njeri, por panairi të ndihmon të gjesh një punë nëse je i kualifikuar dhe nëpërmjet aftësive”. Në këtë pikë, duket sikur panairi ishte edhe më pak se një pazar, përderisa aty nuk bëhen transaksione, ose marrëveshje, por vetëm kontakte, që më pas mund të vijojnë më tej, ose jo. Praktikisht, pak më shumë si një formular online, ku personi mund të shkruajë, të bashkëngjisë CV-në dhe të kërkojë një takim me seleksionuesin.

Ministri citoi edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, duke rimarrë disa tema të munguara në Panair, por pa prekur konceptin e punës, që është instauruar tashmë në Shqipëri, ose atë që kjo klasë politike dëshiron të vendosë.  Në fund dha gjithashtu lajmin e mëposhtëm: “Dhe u kërkua nga sipërmarrësit rritja e pagës minimale, gjë që përkon edhe me kërkesën e sindikatave dhe që sjell një mirëqenie më të madhe për më të varfrit e tregut të punës”; çka tingëllon disi e çuditshme për sa kohë, në të gjithë botën, janë punëtorët e përfaqësuesit e tyre, që kërkojnë rritje rrogash dhe jo sipërmarrësit. Por kjo në mënyrë indirekte tregon se në qendër të Panairit dhe të diskursit publik shqiptar ishte biznesi dhe askush tjetër.

Tani, biznesi dhe sipërmarrësit nuk duhet të demonizohen absolutisht, sikurse bën një lloj vizioni i së majtës ekstreme me prejardhje marksiste, sepse janë pasuri e madhe për vendin, ngaqë janë aktorë të zhvillimit. Mirëpo, çdo ndërmarrje pa punonjësit dhe kompetencat e tyre është e destinuar të dështojë. E këtu hyn në lojë roli i të ashtuquajturit “kapital njerëzor”, që si përkufizim mund të konsiderohet disi difektoz, për ata që mendojnë se njeriu nuk mund të jetë kapital, sepse ka epërsi ndaj mjeteve të tjera të prodhimit dhe ndaj kapitalit klasik. Megjithatë, kapitali dhe puna plotësojnë njëra tjetrën.

duarNë qoftë se qëllimi i punës është vetëm fitimi, ose rroga, atëherë kemi të bëjmë me një koncept të caktuar; por nëse puna ka në qendër dhe si qëllim final njeriun, atëherë kemi të bëjmë me një koncept krejt tjetër, që e përfshin përmasën e shpërblimit, por shkon edhe më tej. Por a mund të diskutohet për punën duke e lënë në qerthullin e individualizmit, pa përmendur karakterin social të saj? Absolutisht jo, sepse puna rrallë herë bëhet e vetme dhe ka gjithnjë lidhje me njerëz të tjerë. Puna është takim, njohje, rrjet, komunitet…

Në këtë kuadër, edhe pse në Shqipëri duket herët nga pikëpamja kulturore, meqë edhe për fjalën kooperativë ka ende alergji, mund të flitej për pjesëmarrjen ekonomike të punonjësve në sipërmarrje, meqë kur ndërmarrja shkon mirë, është lajm pozitiv edhe për punëtorin e familjen e tij. Mirëpo kjo kërkon emancipim nga të gjitha palët, si nga ata që i shikojnë punonjësit si krahë të thjeshta pune, ashtu edhe nga ata që i shikojnë sipërmarrësit me smirë, indiferencë e antagonizëm. Por kërkohet emancipim e vizion gjithashtu nga politika.

Janë të gjitha çështje të rëndësishme, që duhet të diskutohen duke filluar nga puna si çështje e dinjitetit të njeriut. Por këto muhabete nuk bëhen në pazar.

 

 


[1] Për hollësi të mëtejshme shih faqen zyrtare të nismës http://www.kerkojpune.gov.al/panairi-i-punes-2015-29-prill-1-maj/ ku shpjegohen me hollësi qëllimet dhe objektivat e Panairit; kurse fjalimi i Kryeministrit gjendet këtu: http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme/tete-mije-vende-pune-ne-panairin-e-punes-2016-31-mije-ne-zyrat-e-punes.
[2] Fjalori i Gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2006.
[3] Titulli i librit: “Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit”, shiko botime të ndryshme.
[4] Augusto Illuminati, Il concetto di lavoro in Marx (Koncepti i punws tek Marksi), http://www.treccani.it/scuola/tesine/lavoro/illuminati.html
[5] Nga Kushtetuta e Shqipërisë: “Neni 49. 1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional. 2. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës. Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës. Neni 51. 1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar. 2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme. Neni 52. 1. Kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri ose kur është i paaftë për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj. 2. Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj”.
[6] Ministri u shpreh: “Ky nuk është një panair i zakonshëm ekspozimi, ky është një panair i diçkaje shumë të rëndësishme. […] Në këtë panair morën pjesë 130 kompani, që janë përfshirë, aspak për të reklamuar produktet e tyre. Në asnjë prej stendave nuk do të gjeni produktet, por do të gjeni kërkesa për punësim”. Fjalimin mund ta lexoni tek gazeta “Zëri i Popullit”, http://www.zeri-popullit.com/index.php?option=com_content&view=article&id=9995:shqiptaret-nuk-jane-dembele&catid=54:opinione&Itemid=123
[7] Ja edhe paragrafi ku përmendet puna e denjë: “Ky është një panair që gumëzhin nga prania e jashtëzakonshme e njerëzve, e mijëra njerëzve në kërkim për një punë të denjë. E qindra bizneseve që ofrojnë një punë të denjë, prandaj në emër të organizatorëve të tjerë dhe partnerëve tanë në këtë aktivitet do të doja shumë që të falënderoja të gjithë ata njerëz që erdhën në kërkim të një page të drejtë, të një jete të denje e cila mund të realizohet vetëm në kërkim të një pune të denjë”. “Zëri i Popullit”, http://www.zeri-popullit.com/index.php?option=com_content&view=article&id=9995:shqiptaret-nuk-jane-dembele&catid=54:opinione&Itemid=123

2 Comments

  1. ky skripti per te mos kopjuar, qe cuditerisht qenka imun ndaj uMatrix per bllokim skriptesh, nuk te le gjithashtu te shkosh tek lidhjet e renditura ne artikull.

    1. Besoj se e rregullova. I vura të gjitha lidhjet. Lexim të mbarë.

Comments are closed.