Kryeministri Rama paska hedhur idenë për studimin e fesë në shkollat e republikës, çka është pritur me kundërshtim dhe skepticizëm nga shumë anë.
Disa media kanë folur për një futje të “mësimit të fesë” në shkolla, gjë që nuk më duket e saktë.
Në mësimin e fesë, nxënësit mësojnë për fenë e tyre; përkundrazi, ideja e kryeministrit, që përsiatet prej kohësh në Europë, është që në shkolla nxënësit të mësojnë për fenë e tjetrit.
Mes pështjellimit dhe formulimeve të pasakta, kam frikë se ideja e kryeministrit përfundoi në një batutë për t’u kundërshtuar me batuta të tjera.
Nuk besoj se sot në Shqipëri mund të kërkojë kush futjen e fesë në shkollat publike, qoftë ai edhe kryeministri vetë; por vetëm studimin e historisë së feve, diçka krejt tjetër.
Njohuritë për fetë, që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian (dhe jo vetëm); në rrethanat kur fetë e ndryshme ballafaqohen mes tyre, por edhe me ateizmin, agnosticizmin dhe misticizmin haptazi dhe fshehurazi.
Brezi im u rrit në një mjedis fetarisht të sterilizuar; por kjo sot na krijon jo pak vështirësi, në përpjekjet për të komunikuar me kulturën, në Perëndim dhe në Lindje.
Brezat më të rinj se imi, që kushedi i ekspozohen trysnive nga burime të radikalizuara të dijes fetare, ndeshin në vështirësi të një lloji tjetër: atje ku ne më të vjetrit mezi i dallojmë diferencat dhe fillesat e ndryshme kulturore, atyre më të rinjve këto mund t’u duken arsye të mjaftueshme për konflikt moral dhe jo vetëm.
Të dyja këto patologji ekspozojnë ndaj rreziqeve dhe konflikteve sociale, sidomos në afat të gjatë.
Padija që shpesh kemi për fenë e tjetrit, por edhe fenë tek e cila thjesht nuk besojmë, shndërrohet në burim përçarjeje dhe dhune.
Të paditur, e shohim Tjetrin si karikaturë, ose veç duke ia lexuar shenjat e jashtme.
Tjetër punë si do të realizohet njohja e fesë së Tjetrit, ose kush do t’i mësojë mësuesit dhe kush do t’i edukojë edukatorët: historia e feve është displinë komplekse dhe e vështirë për t’u rrokur, përtej klisheve pseudo-ekumenike ose kurioziteteve antropologjike.
Vetëm vullneti i mirë nuk mjafton; puna e filluar tani, do të japë frytet e saj shumë më vonë.
E këndova fjalën e KM nga fillimi në fund, pastaj ca pjesë nga dy a tre herë. M’u duk, në krye, si një detyrë kursi e një studenti teologjie, i cili përpiqet t’i bëjë përshtypje profesorit me enciklopedizmin e tij. Studenti, fatkeqësisht, vetëm sa ka lexuar germat e zeza apo italike të enciklopedisë, po s’ka hyrë dot më thellë në idetë që bartin pas emrat, datat, ngjarjet. Pastaj, si në bingo, ka zgjedhur emrat: “Jahja bej Dukagjini”, “Augustini i Hipos” (i Afrikës, thotë KM, për ta përgjithësuar, po nejse), “Suzi Prizrenasi”, “Themistokli Gërmenji”. Po kështu, ka zgjedhur fraza dhe shprehje nga magjja e frazave kalk, dhe ka bërë një kolazh fjalish. Na informon se adoleshentët në Shqipëri dhe Evropë nuk njohin islamin e vërtetë (se mos e njohin krishterimin!), pastaj na lajmëron se do bashkëpunojë me Evropën, do të sjellë mësues të diplomuar andej, për t’u mësuar adoleshentëve islamin. A nuk është konfliktual në ato që thotë? Nuk di ç’ka pasur në mendje, përderisa nuk e shoh të thënë. KM përdor fjalën “luftë” me nënkuptim paqësor (“…luftë që fitohet në mendjet dhe në zemrat e më të rinjve në mbarë globin”), njësoj siç përdorej dikur, nga një regjim i së shkuarës, fraza “luftë sistematike kundër fesë, si ideologji e klasave shfrytëzuese”…. Ka pa fund konfliktualitet KM në fjalët e tij, po nuk kam kohë të merrem më gjatë me të. Nuk më duket, i nderuar A.V., se KM e ka fjalën për historinë e fesë. Siç e thotë fjala e ekciklopedizmit kaotik kryeministëror, qëllimi fundor është mësimi i mirëfilltë i fesë, që të mos na dalin adoleshentët xhihadistë. (Në parantezë, KM thotë, si ndonjë instruktor trushpëlarës: “Hajde t’i përpunojmë ne adoleshentët, t’i mësojmë si të mendojnë, që t’i kemi nën kontroll”.) Këtu më pështjellohet edhe një herë mendja, teksa kujtoj se ishte pikërisht ky kryeministër, i cili, tek na thotë se “besimi yt […] është pjesë e një kurore, pa të cilin njerëzimi do të na dukej sot, krejt i zhveshur dhe i pafuqishëm përballë sfidave”, gushtin e shkuar thoshte: “Ajo ndërtesë është garazh, nuk është kishë”. Në fund, cilën nga fjalët e KM të marrim seriozisht?
Pa lidhje komenti i z. Çunga i bere nga pozita radikale me karakter etno-religjoz per mllef ndaj rehabilitimit te nje siti ku ndodhej nje objekt pa leje qe fyente ligjin, fene dhe historine e qe u “mbrojt” nga Athina me shume se nga Himara.