Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
1x10

1×10: KANOA PREJ LETRE

 

12265612_923770844365338_5330250609522251894_o

Titulli: Kanoa prej letre: Ese në antropologjinë e teatrit
Autori:
Eugenio Barba
Përktheu:
Romeo Kodra
Pika pa sipërfaqe, nëntor 2015

Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Romeo Kodra

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

1.

Më kërkuesit janë paraardhësit. Pa librat e tyre, pa fjalët e tyre të nyjëtuara, si autodidakt, nuk do të kisha mundur kurrë të bëja teatër. Pa dialoguar me ta, nuk do të kisha mundur ta gdhendja këtë kanoe. Emrat e tyre dyzohen: teksa përgjatë rrjedhës së pyetjeve janë prani të gjalla, në shënimet bibliografike janë libra.

2.

Si emigrant, për vite me radhë, kam jetuar përditë kolovajzën rraskapitëse të të qenit i pranuar apo i refuzuar mbi baza “parashprehimore”. Kur hipja në tramvaj, sigurisht nuk “shprehja” asgjë, e megjithatë disa spostoheshin për të më lënë hapësirë, e disa të tjerë për të më qëndruar larg. Njerëzit thjesht reagonin ndaj pranisë sime që nuk shfaqte as agresivitet, as simpati, as dëshirë për vëllazëri, as sfidë.

3.

Ata të paktë, që ne i quajmë rebelët, heretikët, apo reformuesit e teatrit (Stanislavskij, Mejerchol’d-i, Craig-u, Copeau-ja, Artaud-ja, Brecht-i e Grotowski) janë krijues të një teatri tranzicioni. Spektaklet e tyre kanë hedhur poshtë mënyrat e parjes e të bërit teatër, na kanë detyruar të reflektojmë mbi të tashmen dhe të
kaluarën me një vetëndërgjegjësim krejtësisht ndryshe. Thjesht fakti që ata kanë ekzistuar i heq legjitimitetin justifikimit të zakonshëm që thotë: asgjë nuk mund të ndryshojë.

4.

Shkrimet mbi aktorin, thuajse gjithmonë, favorizojnë teoritë dhe utopitë, duke anashkaluar qasjen empirike. Antropologjia Teatrore e drejton vëmendjen e saj ndaj këtij territori empirik për të përvijuar një udhë midis specializimeve të ndryshme disiplinore, teknike dhe estetike që merren me të vepruarit në
skenë.

5.

Mes formash të ndryshme të etnocentrizmit teatror që na mbulojnë sytë, njëra nuk i përket zonave gjeografike dhe kulturore, por varet nga marrëdhënia skenike. Është fjala për etnocentrizmin që vrojton teatrin ekskluzivisht nga pikëpamja e spektatorit, domethënë nga rezultati.

6.

Marrëdhënia që lidh teatrin me librin është pjellore. Por ka prirje të çekuilibrohet nga ana e fjalës së shkruar, e cila është diçka që mbetet. Gjërat e qëndrueshme kanë një pikë të dobët: qëndrueshmërinë.

7.

Antropologjia Teatrore është një studim mbi aktorin dhe për aktorin. Ajo është një shkencë pragmatike, që bëhet e nevojshme kur studiuesin e bën të prekë me dorë procesin krijues dhe kur aktorit, përgjatë procesit krijues, i shton lirinë.

8.

E kundërta e një kulture të kolonizuar apo të marrosur pas një kulture tjetër nuk është një kulturë që izolohet, por një kulturë që di të gatuajë dhe të hajë në mënyrën e vet atë që merr apo që i vjen nga jashtë.

9.

Dallimi i ngurtë midis teatrit dhe kërcimit shfaq një plagë të thellë, një zbrazëti tradite që vazhdimisht rrezikon të tërheqë aktorin drejt memecërisë së trupit, dhe kërcimtarin drejt virtuozizmit. Ky dallim u duket absurd aktorëve të traditave klasike aziatike, njësoj siç mund t’u dukej absurd edhe artistëve europianë të epokave të ndryshme historike, një loloje, një aktori të Komedisë së Artit apo Teatrit Elisabetian.

10.

Lënda e parë e teatrit nuk është aktori, hapësira apo teksti, por vëmendja, vështrimi, dëgjimi, mendimi i spektatorit. Teatri është arti i spektatorit.

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

1×10 është një seri e re që i prezantohet lexuesit të Peizazhe të Fjalës. Ideja është e thjeshtë: një libër në dhjetë copëza. Ky “cungim” i librit nuk vjen gjë nga parimi se mjafton një gotë për të marë vesh ç’verë ka fuçia, por nga shpresa se oreksi për dijen dhe leximin vjen duke “pirë”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin