Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

CLANDESTINO ALBANESE

nga Eleana Ziakou

Ngrihuni ju o të munduar,
ju t’urët skllevër anembanë,
na buçet gjaku i turbulluar,
s’duam padronë dhe as tiranë.

Botën mizore ne do ta shkatërrojmë
që nga themelet, e pastaj
me duart tona do ndërtojmë
botën e re në vend të saj.
Është lufta finale,
vendimtare mbi dhe,
Internacionale
do jetë bota e re.
Është lufta finale,
vendimtare mbi dhe,
Internacionale
do jetë bota e re.

Duke dëgjuar deklaratat e Kryeministrit Rama mbi pamundësinë e Shqipërisë për të strehuar refugjatë, nuk mund të mos çoja në mendje karvanët e pafund të refugjatëve kosovarë, të cilët për t’i shpëtuar tmerrit të luftës kërkonin të gjenin strehim në Shqipërinë e tyre. Për më tepër, Eksodi Kosovar i 99-ës ndodhi dy vite fill pas ngjarjeve të 97-ës në Shqipëri, vit në të cilin me mijëra shqiptarë humbën shtëpi e katandi, u gdhinë pa dhëmbë e flokë, qanë të dashurit e tyre të masakruar nga plumbat-qorre të “guerrilasve” mafiozë, panë sesi vendi i tyre u shndërrua në një çmendinë të madhe ku politikanë veshur me përparese doktorësh eksperimentonin me shpirtrat e tyre, sesi kartëmonedhat e tyre u shndërruan në letra higjenike të një prapanice piramidale majuce që dhiste kufoma gjysmë të gjalla. Një luftë shtazarake, e paformë, pa shtyllë kurrizore, pa armik konkret, pa ballista, gjermanë e partizanë, “kalashnikov, kalashnikov, kalashnikov, eeeeeeh”. Eksodi i 2-të shqiptar… Arratisje nga liria e kallashnikovit…

Por, ndonëse shqiptarët të rrënuar, me shpirtin e trupin vrima, përqafimi i dramës kosovare në shtëpitë e tyre ngrihej mbi kodet e shkruara dhe të pashkruara të mikpritjes, ishte një akt mbi aktin, një vazhdimësi e natyrshme e bashkëekzistencës dhe solidaritetit në kohë të vështira. Në atë kohë konsiderohej afërmendsh nga aparati shtetëror strehimi dhe mikpritja e shqiptarëve kosovarë si obligim shpirtëror dhe kombëtar, që ngrihej mbi strukturat e brishta shtetërore dhe mekanizmat ekonomikë. Fatmirësisht për shqiptarët e Kosovës, fatmirësisht për shqiptarët, fatmirësisht për Shqipërinë triumfoi ndjenja e obligimit të epërm, i cili kërkonte një mobilizim të madh njerëzish në bashkëveprim me strukturat lokale dhe shtetërore. Rasti i Kosovës, pavarësisht teorisë “një komb, një gjak” dhe lehtësisë operuese, vërteton se kur shteti ka vullnetin të krijojë struktura akomoduese dhe të kultivojë mentalitetin e mikpritjes si obligim konvencial dhe moral, strehimi i refugjatëve të luftës nuk ngjan të jetë so complicated. Deklarata e Kryeministrit i ngjan atyre statuseve të facebook-ut, si “it’s complicated”, “in an open relationship”, të cilat facebook-u i ka krijuar për t’i dhënë mundësinë përdoruesve t’u shmangen detyrimeve standarte dhe konkrete që krijohen nga një lidhje normative.

ETHNOPHOBIADikur, në një intervistë të ish Kryebashkiakut atëherë Rama, dhënë për një revistë greke, më kishte tërhequr vëmendjen një fragment ku flitej për ndihmën që shqiptarët i dhanë grekëve gjatë kohës së Luftës Civile në Greqi, ku shume grekë të cfilitur dhe të uritur gjetën strehim në Shqipëri. Ishte një kundër-argument i përdorur nga Rama, për t’u treguar grekëve në mënyrë dinjitoze, që ndihma nuk mjafton të jetë proporcionale për t’u konsideruar si e tillë dhe se miqësia e vërtetë mes dy popujve është një paridigmë momentesh të tilla historike.

A nuk janë shqiptarët, që krenohen në gjithë botën për strehimin që u dhanë hebrenjve gjatë kohës së luftës dhe faktin e pamoheshëm të mosdorëzimit të tyre në duart e nazistëve?! Me qindra shkrime dhe konferenca brenda dhe jashtë shtetit janë zhvilluar për të theksuar dhe promovuar këtë gjest bujarie të shqiptarëve. Madje para tre vitesh gati, u zhvillua në Bruksel një konferencë me një video filmike mbi ndihmën që shqiptarët myslimanë u dhanë hebrenjve, duke u përqëndruar rreth elementit mysliman. Ideja ishte, që në ndryshim nga gjithë popujt e tjerë të Evropës, Shqipëria e vogël jo vetëm që nuk iu bashkua barbarizmit të vendeve të tjera, por me shembullin e saj tregoi se si modeli i harmonisë fetare në Shqipëri, ngrihej mbi një sistem sipëror vlerash njerëzore. Shqipëria atëherë ishte një vend akoma më i varfër, me struktura inekzistente, por që njerëzit ishin thjesht më njerëz dhe më solidarë përballë katastrofave të tilla njerëzore.

Fakti që Shqipëria nuk kufizohet me Sirinë dhe që populli shqiptar, përvec mercenarëve shqiptarë që luftojnë në Siri, ka orientim të ndryshëm etno-kulturor, (çka lë vend për shumë diskutime), nuk mund të përdoret si alibi nga shteti dhe shoqëria shqiptare për të mbyllur sytë përpara kësaj tragjedie ndërkontinentale. Pasiviteti i shoqërisë shqiptare është i frikshëm, egocentrik dhe etnocentrik, ku Shqipëria gjithmonë ka qëndrim viktimizues dhe minimizues si anëtare e plotë e një bashkësie ndërkombëtare njerëzish dhe shtetesh.

Është e njohur teoria sipas së cilës, demonizimi i tjetrit ështe projeksion i fobive dhe përjetimeve tona negative. Por, çfarë i tremb më shumë shtetin shqiptar dhe shoqërinë shiptare? Frika e identifikimit të shtetit shqiptar që ka shumicë myslimane me Sirinë? Frika e xhihadizimit të shoqërisë shqiptare? Frika e shami-zimit të grave shqiptare? Frika e arabizimit? Frika e tjetërsimit? Frika e ç’shqiptarizimit?…

Si mundet Shqipëria, që njihet botërisht si vend eksporti masiv emigrantësh dhe refugjatësh, të jetë kaq indiferente dhe kaq arrogante në të njëjtën kohë përballë këtij realiteti të ri me përmasa biblike? Nërkohë që në gjithë kryeqytetet e Evropës zhvillohen protesta dhe marshime për refugjatët dhe lehtësimin e kalimit të tyre, Shqipëria zhytet gjithmonë e më tepër në detin e saj të errët mendor, shpirtëror dhe jetësor…

 

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading