Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PUNË ETIKETASH

Kryeministri italian Renzi, gjatë një lectio magistralis që mbajti këto ditë në Universitetin e Buenos Aires-it, në Argjentinë, deklamoi edhe vargje nga një poezi e Borges-it, në origjinal.

Për fat të keq të Renzi-t, por edhe e sidomos të Borges-it dhe siç u vu menjëherë në dukje sërish anembanë Internetit, kjo poezi nuk është e shkrimtarit të mirënjohur, por një krijim i shpëlarë anonim që çon jetën e vet parazitare në Internet.

Kureshtarët mund ta lexojnë këtu.

Që Borges-i ka shkruar edhe vargje, kjo dihet; por kush ka lexuar qoftë edhe dy-tre nga poemat e tij, vështirë se mund të gënjehet nga stili bajat i kësaj Poema a la amistad, që recitoi Renzi para studentëve argjentinas.

Vite më parë, pat qarkulluar – sërish në Internet – një si tip testamenti poetik i Gabriel Garcia Marquez-it (La Marioneta); i cili njëlloj kish rrëmbushur milionat, me kitsch-in e vet sublim.

Në atë rast, Marquez-i pat thënë se “çfarë po më shkatërron, është turpi që disa njerëz vërtet e besuan se unë mund të kisha shkruar diçka aq vulgare.”

Diçka e ngjashme pat ndodhur me një poemë kinse të Pablo Neruda-s, “Muere lentamente”, e cila është po aq bajate dhe e sherbetosur, sa dy veprat e tjera të cituara më lart.[1]

Shembuj të tillë flagrantë, por edhe të tjerë që mund të sillen lirisht, tregojnë mes të tjerash që ambicia në shije dhe kompetenca shpesh nuk përkojnë.

Ose, me fjalë të tjera, që kur vjen puna për art, pjesa më e madhe e publikut nuk është në gjendje të dallojë vlerën nga plehu; por orientohet nga “tabelat rrugore.”

Interneti, dhe sidomos kultura e sotme e rrjeteve sociale, ku fytyra që i tregojmë njëri-tjetrit shpesh përvijohet në bazë të gjërave që i bëjmë tonat dhe i ekspozojmë duke i promovuar, ofrojnë një truall ideal për sajime të tilla.

Megjithatë, lehtësia me të cilin marrin dhenë këto mashtrime, të bën të reflektosh edhe për natyrën e artit në përgjithësi.

Në artet vizuale dhe në muzikë kjo ndodh rëndom: vetëm një pakicë e papërfillshme mes nesh, do të ishin në gjendje të dallonin, bie fjala, një kompozim serial të Schoenberg-ut nga muzika e kompozuar në mënyrë algoritmike me kompjuter; ose një pikturë të mbajtur si “kryevepër” të Pollock-ut nga një leckë e përdorur, prej një piktori tradicional, për të mbuluar dyshemenë e studios.

Dhe njëlloj e papërfillshme do të ish ajo pakicë, mes nesh, në gjendje të dallonte një pikturë të Caravaggio-s a të Rembrandt-it nga një hoax i ekzekutuar profesionalisht; ose një nature morte të Cézanne-it, nga tabloja e varur në murin e një moteli në upstate New York.

Mjafton një emër i njohur, si autor i veprës, që të na lëshojnë gjunjët.

modi

Një nga skulpturat e rreme, që u kujtua si e Modigliani-t.

Si rregull, publiku i afrohet një vepre me gjykimin të kushtëzuar nga reputacioni i autorit; e kundërta ndodh më rrallë – ose që reputacioni i një autori të ngrihet mbi gjykimin spontan të publikut ndaj veprave të tij; edhe pse kjo e dyta vlerësohet si reagim më “autentik”.

Një skandal i paradokohshëm me “le teste di Modigliani” e konfirmon këtë, duke na vënë të gjithëve përballë me absurden.

E megjithatë, dukuria nuk lidhet vetëm me vanitetin, as me padijen dhe as me hipokrizinë; tek e fundit, një autor nuk është veçse një sistem specifik pritjesh, ose një makinë për interpretimin e veprës; dhe në qoftë se mua më thonë se këtë poezi e ka shkruar Lasgush Poradeci, do ta interpretoj ndryshe nga ç’do ta interpretoja, sikur të më thonin se, i njëjti tekst, është përkthimi shqip i një poezie të Pushkinit ose Eminescu-t.[2]

Dhe në këtë kuptim, atribuimi është pjesë e veprës.

A mund ta kish shkruar Borges-i poemën “Amistad”, që recitoi Renzi në Buenos Aires? Unë them se jo, por çdo gjë është e mundshme. Tek e fundit, asgjë nuk na pengon ta lexojmë sikur ta kish shkruar Borges-i. A nuk na sugjeron, vetë argjentinasi, që të eksperimentojmë me autorët dhe ta lexojmë, bie fjala, “Imitimin e Krishtit” sikur ta kish shkruar Céline-i?

E gjithë kjo më kujton një incident që i ndodhi shkrimtarit Bill Bryson, gjatë një udhëtimi në Britaninë e Madhe, dhe që ai e tregon te Notes from a Small Island. Gjatë një shëtitjeje në provincë, ai sheh në hartë një vend ku gjendeshin “rrënojat e një vile romake” dhe vendos të shkojë dhe t’i shohë in loco, në mes të pyllit.

Bryson ngashërehet nga lashtësia e kësaj vile, përfytyron si në hapësirat e saj dikur shëtisnin romakë të veshur me toga dhe sandale; dhe provon mallëngjim të thellë, kur zbulon se, poshtë një mbulese mbrojtëse prej plastmasi, fshihet një mozaik romak i mirëfilltë.

Mirëpo, pak pasi botohet libri i tij në Mbretërinë e Bashkuar, Bryson-it i shkroi një lexues, për t’i thënë se rrënojat në fjalë nuk janë aspak të lashta, por veç një kopje a replikë, e bërë gjatë periudhës viktoriane.

Autori e rrëfen të gjithë këtë me sportivitet – tek e fundit, një kopje prandaj është kopje, që t’i afrohet sa më shumë origjinalit; pa shtuar pastaj që rrënojat romake mund të kenë qenë të rreme, por përjetimi i vizitorit ishte gjenuin, i mirëfilltë, sa kohë që ky mbetej i gënjyer.

Çfarë do të ndryshonte, sikur vila romake të kish qenë autentike? Një ekspert ndoshta do ta kish dalluar këtë menjëherë – por a kanë ndonjë vlerë të spikatur përjetimet e ekspertëve, sa kohë që na intereson impakti i këtyre artifakteve ndaj publikut?

Një përgjigje të tërthortë për këto pyetje na e jep poema e mirënjohur e John Keats-it, “Ode on a Grecian Urn”; le të supozojmë, për një çast, se poetit i erdhi frymëzimi për këto vargje nga një urnë e lashtë dhe të pyesim: çfarë do të kish ndryshuar, sikur ne sot të merrnim vesh se urna në fjalë të kish qenë e rreme?


 

[1] E kundërt me këtë lloj falsifikimi, është praktika e njohur, kur një shkrimtar me emër detyrohet të përdorë shërbimet e një “ghost writer”-i, për të përfunduar një vepër për të cilën është paguar tashmë, por që vetë nuk e përfundon dot; ose për gjithfarë arsyesh të tjera. Letërsia amerikane e zhanrit është e pasur me shembuj të tillë, ku autorëve dikur tërheqës dhe origjinalë fillon t’u ndryshojë stili në mënyrë rrënjësore, pasi veprat e tyre tashmë best-sellers diktojnë kontrata shumë-milionëshe për vepra të reja.

[2] Më kujtohet se, kur bëja stazhin njëmujor si “kandidat” në gjimnazin Sami Frashëri në vitin 1982 dhe isha ulur një ditë në bankën e fundit, për të dëgjuar një kolegun tim të jepte mësim, pashë se një nxënëse, në bankën para meje, jepte e merrte me ca fletë të shkruara me kaligrafi, ku munda të shquaj konture vargjesh dhe strofash. E pyeta se ç’ishin, më tha se ishin “poezi të pabotuara të Ismail Kadaresë”, çfarë më bëri kurioz; prandaj i kërkova që të m’i tregonte edhe mua. Ishin vërtet nga I.K., por jo të pabotuara; ishin marrë, në fakt nga vëllimi “Ëndërrime” (i vitit 1957), prandaj edhe tingëllonin jotipike për autorin poet, të paktën ashtu siç e studionin kalamajtë në shkolla aso kohe, me “Princeshën Argjiro” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male”. Ma do mendja se prezantimi i tyre si “të pabotuara” i bënte edhe më tërheqëse, për të rinjtë e asaj kohe, që përndryshe nuk do t’i kishin lexuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin