I keni parasysh ato momentet shkumuese, kur gazetarë nga televizionet, radiot dhe mediat e tjera sulmojnë me mikrofona një politikan që sapo ka dalë nga një tubim ose event?
Mua, kur i shoh, më tërheq vëmendjen larmia shumëngjyrëshe e mikrofonave, me siglat e mediave përkatëse: të kuqe, të gjelbra, jeshile limon, bojë portokalli. Nuk duhet ndonjë përpjekje e madhe me imagjinatë, për t’i përfytyruar këto si lule të freskëta, që gazetarët ua ofrojnë të mëdhenjve.
Natyrisht, këta të fundit zakonisht nuk kanë gjë për të thënë, përveç formulave; dhe e dinë këtë, sikurse e dinë edhe gazetarët vetë, dhe sikurse politikanët e dinë që gazetarët e dinë.
Ngjyrat e ndezura në pamje të tilla duhej të simbolizonin pluralizmin – cave do t’ju kujtohet politika “le të lulëzojnë njëqind lulet”, e Maos, në fund të viteve 1950…
Kur qëllon pastaj që ndonjë politikan ka edhe ndjeshmëri të veçantë për “kolorin”, krijohen situata si ajo e djeshmja, kur kreu i PS-së Rama i dëboi gazetarët që e prisnin në dyert e sallës ku sapo kish përfunduar një takim pune.
“Ore jeni në vete ju, se në çdo mbledhje pune që bëjmë ne, vini dhe rrini në shi këtu. Ikni dhe shkoni bëni ndonjë punë tjetër”.
U tha. Duke bërë sikur nuk dinte, që gazetarët prisnin aty për t’i dhuruar lulet e radhës, me të gjitha ngjyrat e spektrit, përfshi edhe ultravioletin.
Unë të zhduk nga faqja e dheut
Shkruam javën që shkoi, për turpin e një letre hoax të bosit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, kinse drejtuar një kosovari, dhe ku “lëvdoheshin shqiptarët” – dhe që praktikisht nuk mbeti faqe shqip në Internet pa e përcjellë si të mirëfilltë.
Askush nuk e lexoi letrën me sy kritik, askush nuk mori mundimin të verifikojë faktet që përmendeshin atje – por veç u mjaftua me aktin që sot praktikisht po e karakterizon profesionin e nderuar të punëtorit të mediave: copy & paste.
Megjithatë, le t’u lëshojmë pe autorëve të mufkës; të gjithëve na qëllon të bëjmë gabime.
Gabimet edhe falen. Çfarë nuk falet, është kur gabimin duam ta fshehim, duke e shndërruar ashtu në faj.
Lajmin e letrës e botoi edhe “Panorama” – në linkun e mëposhtëm:
http://www.panorama.com.al/mark-zyckeberk-deklaron-familja-ime-ka-gjetur-sherim-te-shqiptaret/
E megjithatë, po ta kërkosh këtë lajm sot duke klikuar mbi linkun, të del përpara një “Gabim 404”: faqja nuk ekziston më: redaktorët e kanë zhdukur krejt lajmin komprometues (mund të shihet ende një kopje në cache këtu: http://goo.gl/tfGWlg).
Vëreni si gazeta parapëlqen – ironikisht – të kërkojë ndjesë që faqja nuk ekziston, në vend që të kërkojë ndjesë për lajmin e rremë që e shiti për të vërtetë, ngaqë redaktori përkatës nuk bëri punën e vet.
Në fakt, prej një gazete serioze, që e respekton lexuesin e vet, pritet që -në raste të tilla – t’i dalë zot gabimit dhe t’i kërkojë të falur këtij lexuesi për budallallëkun që bëri, mundësisht edhe duke shpjeguar se çfarë ndodhi dhe si do të shmanget kjo në të ardhmen.
Prej një gazete serioze nuk pritet që të reagojë, ndaj gabimeve të veta, duke i mbuluar me rërë si macja kakën.
Pak javë më parë, të njëjtën gjë bëri MAPO-ja me një shkrim tepër kritik të Edison Ypit, ndaj romanit të fundit të Rudolf Markut, fitues i çmimit “Ismail Kadare”: shkrimi doli dhe pastaj u hoq nga qarkullimi brenda 24-orëve.
Shkrimi i Ypit ende mund të lexohet këtu; ndërkohë, dhe prapë ironikisht, te MAPO-ja mund të gjesh reagimin e autorit Rudolf Marku, ndaj shkrimit në fjalë.
Kush klikon te linku drejt botimit origjinal në faqen e MAPO-s (http://www.mapo.al/2015/12/pleh-nga-rudolf-marku), do të befasohet nga një njoftim në anglishte:
Gjeste të tilla redaktoriale, për të mos thënë editoriale, edhe famëkeqja zyrë e shtypit në KQ të PPSh-së do t’i kish pasur zili – sepse aso kohe, kur materialet qarkullonin në letër, ishte praktikisht e pamundur që t’i zhdukje me një klik, si sot.
Të kopjojmë sepse të duam
Teknika Copy & Paste, krah për krah me shkeljen flagrante të copyright-it, është e vetmja mënyrë që mundëson mbijetesën e dhjetëra mediave elektronike, portaleve dhe faqeve vanitoze.
Shkrimet e blogut “Peizazhe të Fjalës” rregullisht i marrin mediat në Tiranë – edhe pse ne veç u kemi kërkuar, madje u jemi lutur, që të kërkojnë leje para se ta bëjnë këtë (sikurse u kemi kërkuar që të shtojnë në fund një “© Peizazhe të fjalës” ose “Marrë nga Peizazhe të fjalës”, së bashku me një link drejt faqes përkatëse në Peizazhet).
Ashtu u veprua edhe me shkrimin tim të djeshëm, “Gjeneratorë të abuzimit” të cilin e përcollën disa media, mes të cilave edhe TemA, në këtë faqe.
Deri këtu, asgjë e re për t’u shënuar. Por çfarë më duket ironike, është se uebsajti i TemA-s nuk lejon më “right-clicks” dhe as seleksionimin dhe kopjimin e teksteve.
Kjo do të thotë që shkrimi im, i kopjuar hareshëm nga fillimi në fund, tashmë është i mbrojtur nga kopjimi i mëtejshëm.
Nuk di robi të gëzohet apo të vërë kujën.
Shesim kikirikë
Që mediat elektronike kanë nevojë për burime financimi, kjo dihet; sikurse dihet që një pjesë e vogël e këtij financimi sigurohet nëpërmjet reklamave.
Etika elementare e gazetarisë kërkon që reklamat, sa herë që afishohen në faqe, të dallohen qartazi nga materialet jo-reklamë.
Madje edhe kur maskohen si lajme ose reportazhe ose artikuj opinioni, këto reklama i duhen paraqitur lexuesit si “advertorialë” ose “infomercialë” – ose me çfarëdo termi tjetër që t’i lërë këtij të kuptojë se është fjala për ftesa që i bëhen për të blerë diçka.
Por vëreni tani këtë lajm, të botuar dje nga disa media elektronike, përfshi këtu Lapsi.al dhe BalkanWeb: “Check Up, në Spitalin Amerikan”, një reklamë e rëndomtë e një shërbimi me pagesë të ofruar nga ky institucion, ku jepen deri edhe çmimet për paketat përkatëse.
Nuk ka ndonjë të keqe që të jepen informacione të tilla; e keqja fillon kur ato përzihen me lajmet dhe ngatërrohen me informacione të tilla, të cilat nuk kanë natyrë drejtpërdrejt advertoriale.
Që të kryejnë funksionin e tyre publik, mass mediat – të gjitha – duhet të ruajnë besueshmërinë ndaj publikut. Grimcat që solla më lart, secila në mënyrën e vet, tregojnë, të paktën, se mass mediat shqip nuk pyesin shumë për këtë besueshmëri. Veçanërisht mediat elektronike, të cilat i ofrohen publikut falas, nuk kanë ndonjë arsye financiare për t’i thënë lexuesit “unë të respektoj” – meqë paraja u vjen nga tjetërkund.
Këtë zgavër duhej ta mbushte etika, sepse etika i mundëson marrëdhënie të tilla të shkëmbimit, pa ndërmjetësimin e parasë; por pikëpamja sunduese, sot në kafetë e Tiranës, është se për etikën nuk të paguan kush.
Paraja çan bllokadën (*)
Ndodh edhe kështu: një numër mediash online, si Shekulli, TV Klan, Tema, Shqip, Sot, JavaNews, etj., dhe pas këtyre dhjetëra portale, botojnë sot një lajm, sipas së cilit:
Revista prestigjioze The Economist, në numrin e saj të fundit ka botuar një artikull prej tetë faqesh, për Shqipërinë, apo sikurse e cilëson artikulli, vendin që udhëheq reformat në rajonin e Ballkanit.
Raporti, i prodhuar nga Quantum Productions, është publikuar nga The Economist dhe gjatë javës së ardhshme do të bëjë xhiron e botës, duke mundësuar promovimin e gjerë të Shqipërisë. Kjo javë përkon edhe me zhvillimin e punimeve të Forumit Ekonomik Botërore të Davos në datat 20-23 janar, ku “The Ecnomist” zë një vend të rëndësishëm në mediat e pranishme.
Artikulli përshkruan disa nga zhvillimet kryesore të ndodhura në Shqipëri që nga shtatori 2013 kur qeveria e re mori detyrën, duke vendosur një theks të vecantë tek reformat gjithëpërfshirëse dhe mundësitë që Shqipëria ofron në sektorë të ndryshëm.
Në krye të qeverisë, njëkohësisht shtysa më e rëndësishme për reformat, është Kryeministri Edi Rama, i pari Kryeministër që po reformon dhe modernizon realisht vendin.
Në fakt, është fjala për një ADVERTORIAL, të prodhuar nga Quantum Productions dhe pas gjase të porositur nga vetë qeveria shqiptare, të cilin revista në fjalë e boton, por pa mbajtur ndonjë përgjegjësi se ç’thuhet atje.
Materiali në fjalë, reklamë me pagesë me përmbajtje haptazi propagandistike me tone koreano-veriore, KURRSESI nuk mund të referohet si i botuar nga The Economist.
Siç lexoj tani edhe te një status i Klodian Tomorrit në FB, njoftimin propagandistik për këtë artikull propagandistik e paska shpërndarë vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (e cila duhet edhe ta ketë porositur mallin te Quantum Productions – por kjo duhet gjithsesi verifikuar).
Një PDF i këtij advertoriali, të identifikuar haptazi dhe qartë si “Advertisement Feature”, mund të shfletohet këtu.
Siç mund të verifikohet menjëherë, në fund të faqes 1, materiali identifikohet sërish si “sponsored feature produced by Quantum Productions” – çka do të thotë se bëhet fjalë për një reklamë të paguar.
Vini re me kujdes – një institucion qeveritar paguan për një reklamë në një revistë prestigjioze; pastaj tekstin e kësaj reklame e merr dhe ua dërgon mediave, duke e paraqitur, rrejshëm, si artikull të kësaj reviste prestigjioze për qeverinë.
Dhe mediat, natyrisht, e botojnë menjëherë, me ngazëllimin se The Economist na e dha edhe një herë mundësinë të ngopemi me lugë të zbrazët.
(*) Këtë seksion e pata nxjerrë më parë si koment; por tani që më dërguan edhe një fotokopje të origjinalit në The Economist, mendova se e ka vendin si pjesë e shkrimit.
shyqyr qe nuk kam televizor, por sa here me bie rasti te shohe lajme tek Klan, Top Channel, apo ndonje tjeter, ka gjithmone ne fund apo ne mes te edicionit te lajme te tilla informeciale e reklama te fshehura: sot ne teg apo qtu u hap nje dyqan i ri, ka oferta te reja; ne filan spital ka ardhur filan mjek roje i nje klinike private ne nje fshat te Barit; ne filan bar do te mbaje tallavane e rastit Qemone Derebardhi etj.
Ne kete sektor te reklamave kryhen me mijera euro evazion fiskal, pasi keto para per te tilla reklama nuk figurojne asgjekundi, dhe pse kemi nje autoritet te medias dhe nje drejtori tatimesh qe duhet te merren me kete pune. Por jo, ata merren me njerin qe ka ngritur nje kasolle pa leje ne maj te bjeshkeve.
Ja një shembull flagrant dizinformimi.
Sot një numër mediash kanë botuar një lajm, sipas të cilit prestigjiozja The Economist ka shkruar për Shqipërinë, duke e cilësuar “vend lider i reformave në Ballkan.”
https://xhaxhai.files.wordpress.com/2016/01/the-economist.png
Në fakt, është fjala për një advertorial, të prodhuar nga Quantum Productions dhe pas gjase të porositur, të paguar dhe kushedi edhe të hartuar nga vetë qeveria shqiptare, të cilin revista në fjalë e përfshin në numër, por pa mbajtur ndonjë përgjegjësi se ç’thuhet atje.
Siç lexoj tani edhe te një status i Klodian Tomorrit në FB, njoftimin propagandistik për këtë artikull propagandistik e ka shpërndarë vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (e cila duhet edhe ta ketë porositur mallin te Quantum Productions).
Duke lexuar edhe sot reagimet e palëve dhe komentet në mediat, në lidhje me advertorialin në “The Economist”, kam përshtypjen se po turbullohen ujërat, dhe jo pa qëllim.
Janë disa çështje që mund dhe duhen diskutuar.
Duke filluar nga porositja e këtij advertoriali vetë dhe paratë e shpenzuara për propagandë qeveritare (260 mijë euro): sa ia vlen?
Por nuk është ky i vetmi problem. Sepse edhe çfarë thuhet në ca nga ato tekstet e reklamës meriton vëmendje: propaganda atje është pak si e trashë, madje edhe për një të huaj që nuk di gjë për këtë skenën tonë të vogël të teatrit.
Aty ka të vërteta, por ka edhe të pavërteta. Ka edhe lëvdata të shpëlara për qeverinë, kryeministrin dhe ministra të caktuar; ka edhe zbukurime dhe retushime sa të duash – të cilat pak a shumë edhe tolerohen, kur është fjala për një reklamë.
Pastaj kemi një problem të tretë: si u përgatit ky lajm dhe pse. Qartazi, simitja ka dalë nga një furrë qeveritare – dhe është paketuar në mënyrë të tillë, që reklamën ta paraqesë si artikull, por vetëm në dukje, ose sa kohë që ai lajm nuk lexohet me kujdes.
Dhe kjo është propagandë e një lloji tjetër – më të papranueshëm se botimi i një advertoriali në “The Economist.” Sepse lexuesit po i thuhet që “The Economist ka shkruar për Shqipërinë”, jo që “qeveria ka paguar një firmë reklamash, e cila të vendosë një advertorial në The Economist.”
Janë dy lloj propagandash, të cilat nuk duhen ngatërruar: njëra për jashtë, tjetra për brenda.
E dyta pësoi fiasko tashmë; e para pak gjasë ka të ketë sukses. Për më tepër, ky lajm që iu shpërnda mediave ishte edhe i panevojshëm – meqë advertoriali në The Economist, ishte si ishte, u drejtohej lexuesve të huaj të asaj reviste; ndërsa lexuesit shqiptarë të mediave shqip nuk kanë nevojë për “The Economist”, që t’u tregojë se jetojnë në një Shqipëri të lulëzuar.
Çështja e katërt: mediat. Redaktorët që e morën këtë paketë, duhet ta kenë kuptuar se për çfarë bëhej fjalë – sepse edhe teksti shqip i lajmit të paketuar e pohonte që bëhet fjalë për një produksion të një kompanie reklamash: Quantum.
E megjithatë, lajmi u botua, në shumë media, ashtu siç kish mbërritur nga zyra përkatëse e propagandës, gjë që, për mua, dëshmon për një problem të medias me përgjegjshmërinë ndaj lexuesit.
Jo vetëm padije, pra; por edhe mospërfillje. Një shkelje syri kolektive – e shoqëruar me ndonjë “ç’të keqe ka?” Dhe një tjetër instancë e asaj sëmundjeje të vjetër të mediave, për të botuar me vrap çdo gjë që shkruhet poshtë e lart për Shqipërinë – ndonjë ditë do të na thonë: The Wall Street Journal shkruan: Shqipëria është vend malor, kryeqyteti i saj është Tirana, shqiptarëve u pëlqen tava e kosit…