Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Psikiatri / Sociologji

KUR VUANIM NGA NERVAT

Në Fjalorin e Shqipes së Sotme (botim i vitit 2006), neuroza dhe histeria përkufizohen si “sëmundje nervore”, njëlloj si epilepsia dhe somnambulizmi (“çrregullim nervor”); në një kohë që psikoza përkufizohet si “sëmundje psikike”; ndërsa skizofrenia dhe paranoja si “sëmundje mendore”; mania si “gjendje e sëmurë psikike” dhe, më në fund, depresioni nuk përkufizohet fare si sëmundje, por më tepër si “lodhje e përgjithshme… rënie shpirtërore”.

Çfarë mund të jetë thjesht efekt i redaktimit të keq të Fjalorit, pasqyron në të vërtetë mënyrën si i mendon, sot e kësaj dite, kolektiviteti sëmundjet mendore dhe si i ndërton dhe i mirëmban tabutë përkatëse.

Kështu në vështrim të parë, mund të tingëllojë pak paradoksale që të quash “sëmundje mendore” çrregullime të tilla si skizofrenia, të cilat jo rrallë shoqërohen edhe me dëmtime organike a gjenetike; ndërsa termin “sëmundje nervore” ta përdorësh për neurozat, ku çrregullimet janë, si rregull, funksionale. Megjithatë, parapëlqimi i një dallimi të tillë nuk ka të bëjë me njohuritë shkencore për këto sëmundje, por për mënyrën si i janë paraqitur ato të sëmurëve dhe publikut.

Sëmundjet mendore mbeten përgjithësisht tabu, dhe viktimat e tyre persona pak a shumë të përjashtuar nga kolektiviteti; siç e tregon edhe vetë shqipja, që përdor fjalën “i çmendur” për të shënjuar të sëmurin mendor – ose dikë që perceptohet si ta ketë “humbur” mendjen (ç-mendur), ose kontrollin racional ndaj sjelljeve, dëshirave dhe mendimeve të veta.

Që këtej, nën influencën edhe të teorive neuro-psikiatrike të shekullit XIX veçanërisht në hapësirën gjermane-austriake, që hynë pastaj në Shqipëri nëpërmjet mjekëve të përgatitur në Perëndim, u parapëlqye – nga kolektiviteti dhe nga vetë gjuha – që në rastin e çrregullimeve mendore më pak serioze, të flitej jo më për “mendje”, por për “nerva.”[1]

Fjala nerv, huazim relativisht i vonë i tipit libror, por që ndoqi pastaj një rrugëtim sociolinguistik në thelb të njëjtë me atë në gjuhë të tjera europiane, u përhap në shqipe me shpejtësi të pazakonshme, sepse u dha shtresave të mesme dhe në veçanti qytetarëve mundësinë për të folur pak a shumë lirisht, për probleme që deri atëherë nuk mund të ziheshin në gojë, për shkak të stigmës që shoqëronte çrregullimet mendore.[2]

Që këtej edhe denduria e shprehjeve të tilla si jam sëmurë nga nervat, vuan nga nervat, krizë nervash (nervore), doktor nervash, ilaç nervash (për nerva) etj., të cilat i përkasin në thelb shqipes bisedore dhe mënyrës si e ka trajtuar kolektiviteti çrregullimin mendor, gjatë shekullit XX dhe më pas.

Po çfarë janë pikërisht nervat, në këto kontekste? Natyrisht jo njësitë e sistemit nervor, në kuptimin anatomik, por diçka tjetër, që ka të bëjë drejtpërdrejt me mendjen, përjetimin që ia bëjmë botës dhe shkallës së kontrollit që kemi ndaj emocioneve.

Edhe këtu, Fjalori i Shqipes së Sotme dështon në mënyrë spektakulare. Pasi jep përkufizimin anatomik të NERVIT si “tufë fijesh…” etj., ai jep një kuptim të dytë përdorimit në shumës, si “gjendje e acaruar e sistemit nervor; tërësia e energjive të brendshme që përdor njeriu për të arritur diçka” – çfarë nuk i përgjigjet realitetit gjuhësor të shqipes. Mjaft të analizosh një shprehje të rëndomtë si m’u ngritën nervat, për të parë se këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjendje të acaruar, por me një funksion që i përgjigjet një emocioni të caktuar; pa folur pastaj për m’u acaruan nervat, ikë mos më ngre nervat, më hipën nervat, më ranë nervat, etj.

Në përdorime të tilla, fjala nervat, rigorozisht në shumës, shënjon thjesht një funksion ose aspekt të mendjes, jo shkallën e acaruar të këtij funksioni.

Përkundrazi, kuptimin e nervave si mendje ose psike, që del në shprehje të tipit vuan nga nervat ose krizë nervash, Fjalori e ka përfshirë në kuptimin anatomik të fjalës NERV; pa çka se kur themi për dikë që vuan nga nervat nuk kemi parasysh ndonjë çrregullim të llojit neurologjik, por një sëmundje mendore, zakonisht një neurozë (ose ezauriment nervor).

Nuk është e lehtë, të dokumentosh për shqipen, marrëdhëniet midis këtyre dy kuptimeve të fjalës NERVA – si mendje që vuan nga një çrregullim psikik i çfarëdoshëm dhe si gjendje emocionale e caktuar ose aftësi për të kontrolluar një gjendje emocionale. Nëse pranojmë se të sëmurëve nga nervat, veçanërisht femrave “histerike” – sipas perceptimit që u bëhej këtyre nga mjekësia e shekujve XIX dhe deri në vitet 1960-1970 – u mungon forca, aftësia ose vullneti për të kontrolluar emocionet e tyre ose të paktën shfaqjen a komunikimin e këtyre emocioneve (zakonisht negative, si frikën, zemërimin, ankthin, etj.) ose për të mos kopjuar reagimet emocionale dhe fiziologjike të së tjerëve (çfarë është quajtur edhe histeri kolektive) edhe tërthorazi nëpërmjet simptomave fiziologjike (p.sh. të fikëtit, të vjellat, djersitja e tepruar, takikardia, dhimbjet e kokës, etj.), atëherë një shprehje si vuaj nga nervat i përket së njëjtës paradigme me vuaj nga zemra, vuaj nga mëlçia, vuaj nga stomaku, vuaj nga veshkat etj.; ku nervat thjesht do të përvijohen si organi ose selia e mendjes.[3]

Po të jetë kështu, atëherë termi NERVAT mund të shërbejë si emër për aftësinë tonë për durim dhe kontroll të sjelljes dhe të emocioneve (por jo të mendimit – çfarë ka rëndësi kritike për analizën); dhe, tek e fundit, durimin si virtyt suprem (Kafka e pat quajtur padurimin si “të vetmin mëkat madhor”). Dikush që është me nerva të dobëta, nuk i përballon a i duron dot për një kohë të gjatë situatat e stresit; Fjalori i Shqipes së Sotme deri edhe NEVRASTENINË, një çrregullim mendor që tashmë nuk konsiderohet më si kategori diagnostike e mirëfilltë, e përkufizon si “sëmundje e sistemit nervor pa ndonjë cenim të dukshëm biologjik” etj.; të mos harrohet këtu se nevrastenia ka qenë për një kohë të gjatë kundër-termi rutinë i histerisë, ose një diagnozë më e përshtatshme për burrat neurotikë (krahas astenisë dhe psikastenisë, kategori që sot i njohin vetë historianët e psikiatrisë).

Nga ana tjetër, te m’u ngritën nervat, më ranë nervat, jam gjithë nerva etj. gjejmë një përbërëse kuptimore që ka të bëjë me zemërimin dhe inatin – e njëjta përbërëse që del në fjalë etimologjikisht të lidhura, si nervoz dhe nevrik; por këtë do ta marrim më shumë si një lloj zhvillimi metonimik të kuptimit të parë, ku NERVAT i referohen aftësisë për vetëpërmbajtje ose për të ruajtur kontrollin ndaj emocioneve negative e shtysave përkatëse si dhe për të mos lejuar ndonjë passage à l’acte.[4]

Në një shoqëri ku, siç e thamë dhe siç dihet, sëmundjet mendore mbeten tabu, dikush që vuan nga nervat do të ketë nevojë për një doktor nervash (Nervenarzt). Në Shqipëri, për një kohë të gjatë, doktori i nervave ka qenë jo aq psikiatri, kjo figurë mjekësore profesionale relativisht e vonë; sa e sidomos neurologu, ose mjeku i specializuar për “sëmundjet nervore” (sërish Fjalori). Edhe me logjikën e Fjalorit, që regjistron pak a shumë normën në të menduarit kolektiv shqip gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, nëse histeria dhe neurozat janë “sëmundje nervore”, atëherë mjeku që merret me to do të jetë pikërisht neurologu, ose “specialisti për sëmundjet nervore.”

Në fakt, Fjalori veç fotografon një praktikë të rëndomtë, të Shqipërisë deri edhe sot, ku personat me probleme të natyrës psikike – që nga depresioni te neurozat gjithfarësh – i drejtohen për ndihmë neurologut[5]; dhe, për fat të keq, mjekët neurologë sistematikisht kanë bërë sikur nuk e kanë vënë re se kjo përfshirje e tyre profesionale në një fushë diagnostike dhe një realitet patologjik që me neurologjinë ka të bëjë po aq sa edhe, të themi, me toksikologjinë (alkoolizmi, varësia nga drogat), i detyrohet një aberracioni psikologjik dhe semantik të kolektivitetit, ose një keqkuptimi me natyrë polisemike, të ushqyer nga tabuja.[6]

Nga njëra anë, neurologjia nuk e ka pasur dhe nuk e ka stigmën e psikiatrisë; sepse e para merret me çrregullimet “nervore” të atyre që e kanë mendjen në vend, ndërsa e dyta me “të çmendurit,” ose ata që e kanë humbur mendjen ose arsyen dhe kontrollin ndaj të menduarit; nga ana tjetër, ky identifikim i çrregullimeve mendore gjithfarësh me “nervat” u ushqye në Shqipëri më parë nga qasjet materialiste-biologjike të mjekësisë së përgjithshme në Perëndim ndaj sëmundjeve psikike (të cilat aso kohe i kundërviheshin psikanalizës); dhe më pas e në mënyrë vendimtare nga shkolla neuro-psikiatrike sovjetike, e ndikuar në origjinë nga shkolla gjermane dhe më pas e sunduar nga teoritë materialiste të Pavllovit dhe të identifikimit të mendjes me sistemin nervor, ku përfshihej doemos edhe truri dhe të menduarit, si “sekrecion” i këtij organi.

Identifikimi i shkaqeve të çrregullimeve psikike me “nervat” është për t’u analizuar edhe në kontekstin shqiptar të viteve 1920-1930, kur shqiptarët filluan të kërkojnë ndihmë nga mjekët në vend që të shkonin tek hoxha, xherahu, mjektari apo te ndonjë vend i shenjtë. Edhe pse këto çrregullime do të kenë prekur krejt popullsinë, duhet menduar, me arsye, që më parë kanë qenë shtresat e mesme urbane, ato që e kanë ndier nevojën e mjekut; në një kohë që në fshat ato mbaheshin zakonisht të fshehta, si sekrete të familjes, ose të prekurit konsideroheshin sikur u kishin bërë magji ose i kishin shkelur xhindet ose – në rastin mbizotërues të vajzave dhe të grave të reja – sikur kishin devijuar nga normat e sjelljes seksuale.

I sëmuri mendor, pavarësisht nga lloji i sëmundjes ose simptomat, gjithnjë e rrezikonte (dhe ende e rrezikon) baraspeshën sociale, duke i vënë në dyshim ca norma të sjelljes dhe rregulla që, përndryshe, komunitetet i kishin interiorizuar në atë shkallë, sa të mos i vinin re fare. Por edhe në qytetet, çdo lloj dialogu mjek-pacient që e vinte theksin te “nervat” jo te “mendja” do të ishte i mirëpritur; dhe në fakt mbeti i mirëpritur deri në vitet 1990 në mos deri sot e kësaj dite; sepse “nervat” jo vetëm i përshtaten një lloj etiologjie materialiste (a “shkenciste” nëse duam) të sëmundjeve të tilla, por edhe i japin pacientit mundësinë për t’u distancuar nga sëmundja; ose për t’ia atribuuar çrregullimin trupit. Ashtu edhe shumë viktima të këtyre çrregullimeve e kishin më të lehtë për të folur rreth tyre, me mjekun, me familjarët dhe në komunitet, dhe kjo duhet parë, në atë kontekst specifik, si një hap përpara. Më tej akoma, një “të sëmurë nga nervat” nuk kish arsye pse ta izoloje dhe as ta mbyllje në “çmendinë” – që, siç e tregon edhe emri, ishte një institucion i rezervuar për ata që e kishin humbur mendjen.


 

[1] Shkrimtari Robert Musil e pat cilësuar Vjenën e belle époque si “epokën e nervave.” Të tjerë autorë të atyre viteve i lidhnin sëmundjet “nervore” me stresin e pashembullt të jetës moderne.

[2] Ngrami i mëposhtëm tregon dendurinë e fjalës nerves në tekstet anglisht gjatë viteve 1800-2000:

Capture

[3] Ky shkrim nuk synon të analizojë prejardhjen e këtij termi dhe të përdorimeve përkatëse në gjuhët e ndryshme europiane. Parashtrimin më të mirë të kësaj dukurie, ose të teorive dhe praktikave “neurologjike” në lëmin e sëmundjeve mendore, e kam gjetur te libri i Edward Shorter, From Paralysis to Fatigue, A History of Psychosomatic Illness in the Modern Era, The Free Press 1992, veçanërisht ff. 201-232.

[4] Që në vitin 1860, Wilhelm Griesinger i shpjegonte neurozat funksionale – ose ato që nuk shoqëroheshin me dëmtime organike të “sistemit nervor” – si “dobësi e irritueshme”; këtu dua të tërheq vëmendjen që irritimi mund të shërbejë si hallkë lidhëse mes nervave si seli e mendjes dhe nervave si sinonim i zemërimit.

[5] Shorter-i, në veprën e lartcituar, përmend një letër të një mjeku, August Forel-it, që ish thirrur për një konsultë, në Venezia, me Mbretëreshën Elizabetë të Rumanisë. Në këtë letër që Forel-i ia shkruante të shoqes, ai thotë mes të tjerash se “Mbretëresha nuk është mendërisht e sëmurë (geisteskrank). Ajo ka veç probleme nervore (nervenkrank)… Sot pata një konsultë më të gjatë dhe pastaj fola me Mbretëreshën për një copë herë. E theksoj sërish, ajo nuk është e sëmurë mendore por vetëm një pacient nervor (të paktën, kështu do t’u themi të tjerëve).” Në fakt, siç e pohon vetë në letër, Forel-i besonte se pacientja e tij mbretërore vuante nga histeria.

[6] Në Shqipërinë totalitare çrregullimet mendore, si neurozat dhe depresioni, që preknin familjarë të elitës politike dhe të kupolës, trajtoheshin si rregull prej neurologëve, kryesisht ngaqë një psikiatër që të hynte dhe të dilte në shtëpinë e një polit-byroisti ose në “klinikën speciale” do të ngrinte detyrimisht dyshime.

3 Komente

  1. Nervi si pozitiv:
    Marredhenia e shqipes me “nervat”, “nevriket”, “ngritjen e nervave” vertet nuk eshte edhe aq e keqe. Sidomos krahasuar me kultura disi te largeta ne hapesire me tonen. Madje nje “njeri pa nerv” apo “shkrim pa nerv” eshte i padeshirueshem. Po ashtu perdorimi i fjales ne “pike nevralgjike” si momenti ose pjesa me e rendesishme, eshte pozitiv. Kete kuptim te fundit duhet ta kemi huazuar.

  2. Faleminderit Xhaxha, shkrim interesant.

    Në mos gaboj ju kërkoni të vini në dukje se “pështjellimi” që gjejmë në fjalor ka një lidhje pak a shumë të drejtpërdrejtë me qasjen që shoqëria Shqiptare ndër vite ka patur ndaj sëmundjeve/çrregullimeve/shqetësimeve mendore/nervore/shpirtërore. Pra një qasje pak a shumë “tabu” ka vështirësuar apo influencuar thellësisht të shprehurin qoftë popullor ashtu edhe atë mjekësor/profesional.

    Do të ishte interesant një studim krahasues në një kontekst socio-linguistik më të “zhvilluar” si p.sh. ai anglo-sakson për të parë ndonjë ndryshim apo zhvillim që mund të provojë (hipo)tezën tuaj.

    Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme të theksojmë se shoqëria e sotme Shqiptare ka nevojë për një “revolucion” për sa i përket përqasjes meta-linguistike të atyre që nuk gëzojnë shëndet të plotë mendor. Them meta-lingustike se ndërsa punojmë dhe presim të zgjidhim “pështjellimin” linguistik disa nga ne dhe bashkëkombësit tanë vuajnë në heshtje stigmën sociale që rëndon si mal mbi supet e atyre që e gjejnë veten në “luginën e hijeve të vdekjes”. Pa pretenduar se ndjek nga afër jetën politiko-shoqërore-kulturore dhe intelektuale të Shqipërisë kam përshtypjen se shumë pak nga ata që kanë arritur “majat” kanë patur guximin të bëjnë publike pjesë “më të errëta” të rrugës së tyre drejt majës. Statistikisht i bie që të paktën një përqindje e tyre duhet të kenë patur ndonjë takim me “atë që nuk mund të shqiptohet”! (më kujton pak tetragrammaton!)
    Sidoqoftë shumë faleminderit për shkrimin,
    Gjithë të mirat

    I

    1. I nderuar, libri i Shorter-it, të cilin e kam cituar në shkrim, jep një pasqyrë të kësaj dukurie në vendet perëndimore; dhe një ide për situatën sot mund të krijohet edhe nga ngram-i i Google-it që kam sjellë në shënimet. Do të thoja, kështu në vështrim të parë, se shoqëria shqiptare – në mendësitë e pasqyruara në gjuhë por jo vetëm – ka një prapambetje rreth 50-100 vjeçare, në konceptimin social të sëmundjeve psikike; edhe pse metodat e mjekimit sot janë modernizuar, sidomos sa i përket farmakoterapisë. Si edhe në raste të tjera, është vështirë të gjykosh në mënyrë të drejtpeshuar dhe të parapëlqesh distancën me të cilën i jemi larguar bestytnisë ndaj distancës që ende na ndan nga vendet të cilave duam t’u bashkëlidhemi kulturorisht. Me fjalë të tjera, sukses apo katastrofë? Pa harruar pastaj se shumë patologji sociale të shqiptarëve sot kanë një komponente psikologjike, e cila zakonisht shpërfillet, pikërisht atje ku duhej të ishte në qendër të vëmendjes – ose atje ku identifikohen dhe zgjidhen problemet sociale, kriminaliteti në moshat e reja dhe në imigrantët e brendshëm, dhuna ndaj gruas brenda familjes dhe degradimi moral për shkak të eksternalizimit të autoritetit etik. Po kush të merret me këtë punë? Elitat akademike në Tiranë dhe gjetiu po refuzojnë deri edhe të dalin nga krevati në mëngjes, sepse kanë ftohtë!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin