Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PO SIKUR

Mes serialeve televizive amerikane të këtij viti, më tërhoqi vëmendjen Wayward Pines, i realizuar nga Fox, në bazë të një triologjie romanesh nga Blake Crouch.[1] Personazhi kryesor i serialit, Ethan Burke, një agjent i shërbimeve sekrete të ShBA që heton zhdukjen e dy kolegëve të vet, përfundon në qytetin e vogël dhe idilik të Wayward Pines, në Idaho – ku gjërat nuk janë ashtu siç duken.

Shikuesve të këtij seriali me siguri do t’u jetë kujtuar filmi i mirënjohur The Truman Show, ku heroi kryesor, Truman Burbank, nuk e di që po jeton në një realitet butaforik, ose të ndërtuar për hir të një programi televiziv të llojit “reality show.”

Veç ngjashmërive të tjera, heronjtë në të dy filmat e kanë të pamundur të largohen nga qyteza e tyre, ose skena ku luajnë si aktorë të pavetëdijshëm, në role a në misione që nuk i kuptojnë.

Mirëpo pamundësinë për të dalë nga një realitet i simuluar, sidomos në rrethanat kur ky realitet është doemos i kufizuar në hapësirë dhe në kohë, e gjen edhe në filma të tjerë të mirënjohur, së paku për amatorët e këtij zhanri: Dark City (1998) i Alex Proyas dhe The Thirteenth Floor (1999) i Joseph Rusnak; situata të ngjashme i ndesh edhe në Vanilla Sky (2001) i Cameron Crowe, eXistenZ (1999) i David Cronenberg dhe në trilogjinë The Matrix (1999 etj.) të vëllezërve Wachowski (aso kohe ishin ende vëllezër); pa përmendur një nga elementet kryesore të fabulës në serialin televiziv Lost (2004-2010), ku personazhet nuk arrijnë të largohen nga ishulli (“you can’t leave the island”).

Lulëzimi i këtij memi ose ideje narrative në fund të viteve 1990 lidhet, me sa duket, me përmirësimet dhe potencialin e teknologjisë së realitetit të simuluar nëpërmjet kompjuterit; të kombinuar me paranojën e një jete private, të survejuar non-stop nga kamerat dhe, në analizë të fundit, nga një Big Brother – trashëgimi krejt e papritur e kontrollit totalitar ndaj jetës së individit në regjimet komuniste të sapo-përmbysura të Lindjes.

Megjithatë, kush rrëmon në zanafillën e gjetjes në The Truman Show, do të mësojë se autori i skenarit, J Michael Straczynski, e pat eksploruar idenë në “Special Service”, një episod i serisë televizive The Twilight Zone, shfaqur në 1988; teksa memi i të jetuarit në iluzion, të shkaktuar me rrugë subliminale nga një entitet armiqësor (alienët), shërben si kyç narrativ i filmit They Live (1988) të John Carpenter.

Dhe më tej akoma, lexuesit seriozë të fantashkencës do ta kenë vënë re këtu ngjashmërinë flagrante me një roman të Philip K. Dick, Time Out of Joint, të botuar në vitin 1960; dhe ku personazhi kryesor, Ragle Gumm, beson se jeton në një suburb të fjetur të provincës amerikane, krejt i pavetëdijshëm për rrethanat “reale” të ekzistencës së tij dhe bashkëkohësinë. Një ide relativisht të ngjashme, në lidhje me alterimin e realiteteve (reality shifting) e ka shtjelluar edhe Stanislaw Lem, në The Futurological Congress (1971).

Kur e lexova këtë roman, më shkoi natyrisht mendja për obsesionin e kinemasë amerikane së sotme me vizionet, preokupimet dhe paranojën e autorit Philip K. Dick (PKD); por m’u kujtua sakaq edhe një tregim i Robert A. Heinlein, They, i botuar në prill të vitit 1941 (botimi origjinal mund të shfletohet këtu); protagonisti është një burrë i burgosur në një spital psikiatrik, ngaqë beson se është nga të paktat qenie “reale” që kanë mbetur në univers, ndërsa gjithçka tjetër që e rrethon është krijuar posaçërisht për ta mashtruar (diagnoza: skizofreni paranoide); dhe e kalon kohën duke e diskutuar këtë delir me psikiatrin e vet.

Në mbyllje të tregimit, lexuesi mëson se personazhi paskësh pasur të drejtë; dhe se bëhej vërtet fjalë për një realitet të simuluar.

I njëjti mekanizëm narrativ, që përcillet dora-dorës në tregime, romane, seriale televizive dhe filma, duke iu referuar sipas rastit paranojës, perceptimit të alteruar si pasojë e drogave ose barnave psikotrope, ose kushtëzimit psikologjik të detyruar (brainwashing), ose simulimit kompjuterik, ose inskenimit teatral. Për historianët e zhanreve të letërsisë pop do të kish më shumë interes të ndiqej transformimi i memit në dekada, në pajtim me atmosferën ose tonalitetin e kohës, se vetë ideja e një realiteti të cilit nuk mund t’i zihet besë.

Në qëmtimet e mia, krejt të sipërfaqshme dhe të kufizuara, nuk kam arritur të shtyhem dot më mbrapa, në kalendar, se tregimi i Heinlein-it; të cilin në fakt e pata ndeshur fillimisht në një antologji të botuar në italishte dhe që më kish mbetur në mendje, pse krejt i ndryshëm nga prozat e tjera në vëllim. Aso kohe madje as që e kisha bërë dot lidhjen me Kongresin Futurologjik të Lem-it dhe me valën e filmave në fund të viteve 1990; përveçse a posteriori, nëpërmjet Philip K. Dick-ut.

Një filozof bashkëkohor, besoj se Baudrillard-i, shkruan diku se nëse qëllon të ta vjedhin idenë, atëherë ajo nuk ka qenë tamam jotja. Borges-i, nga ana tjetër, na këshillon të lexojmë Iliadën dhe Odisenë me bindjen se ato janë shkruar (krijuar) pas Eneidës; këtu do të guxoja të shtoja se mund edhe ta lexojmë Odisenë si një ritregim, në prozë, i filmit O brother, where art thou, të vëllezërve Coen.

Nëse është kështu, atëherë kemi të drejtë të përfytyrojmë një botë të produkteve narrative-fiksionale ku rrjedha e kohës – në trajtën e filiacionit – nuk ekziston; dhe ku autorët nuk janë veçse rikonfigurime idesh dhe mekanizmash narrativë. Tek e fundit, nuk ka nevojë të kesh lexuar as Heinlein-in, as Dick-un; dhe as të kesh parë The Truman Show, për të shijuar një serial si The Wayward Pines, i cili eksploron pak a shumë të njëjtat territore të planetit “po sikur,” përfshi edhe pamundësinë për të ikur/për t’u arratisur nga realiteti burg; dhe mikrobotën të pasinkronizuar në kohë me makrobotën, të paktën nga pikëvështrimi subjektiv. Nëse pastaj kjo vjen e funksionon si një interpretim i mundshëm për human condition në përgjithësi, nuk mund të bësh me faj autorët.

Këtu nuk po më shpëton ironia që, hipotezën për mungesën e filiacionit të mirëfilltë ose të kronologjisë në strukturat narrative-fiksionale po e ilustroj me shembuj narrativash ku vihet në dyshim vetë përjetimi subjektiv i realitetit – në kuptimin kantian, që përfshin edhe kohën dhe hapësirën si kushte të perceptimit.


[1] Çfarë do të shkruaj këtu dhe më poshtë për veprat e zëna në gojë, përmban spoilers.

1 Koment

  1. kjo meme eshte perdorur ne shume zhanre te tjere, ne horror p.sh. keto qe pershtaten nga video-game, per vete natyren e virtualitetit te perjetimit ne keto lojera, si p.sh. nja dy franchising te Resident Evil ..

    po ashtu dhe keto filmat e fundit per adolishente qe jane pershtatur nga libra si The Maze apo e gjithe saga e Hunger Games permbajne te njejtin ide..

    kam idene se kjo meme eshte me e suksesshme tani pikerisht se rinia eshte e familjarizuar me idene e perjetimit virtual te se vertetes .. cfare tregon se njerezit tanime e kane kuptuar se media jo vetem percjell nje realitet, por edhe krijon nje te tille..

    Ndersa ne vargun e filmave te permendur do te sugjeroja edhe 12 Monkeys (1995), megjithese ky mund te hyj ne kategorine e time travel

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin