Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Jurisprudencë / Politikë

GJYQTARËT DHE DEMOKRACIA MILITANTE

nga Denar Biba

Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë gjykimit ndaj të ashtuquajturve “xhihadistë”, njëri prej tyre tha se “Shqipëria nuk është e pavarur dhe se vetëm ISIS mund ta çlirojë vendin nga qeveritarët e korruptuar

Nuk ka asgjë për t’u komentuar në këtë qëndrim të të pandehurit përkatës, përveçse që në demokraci, a priori, gjithkush ka të drejtë të shprehë mendimin e bindjet e tij publikisht.

Çfarë më tërhoqi vëmendjen nuk ishte ky delirim nga thellësia e psikës së një individi, i cili me sa duket, jo thjesht mendon ndryshe nga shumica e bashkëkombësve të tij (mua përfshirë), por edhe ka vendosur të veprojë për realizimin praktik të qendrimit të tij ideologjik; por apatia, hutimi apo indiferenca (quajeni si të doni) e gjyqtarëve dhe përfaqësuesit të prokurorisë në këtë gjykim, sjellje e paparanueshme për mënyrën sesi e shoh unë rolin e magjistratëve në demokraci.

Nuk e teproj ndërsa shkruaj se tonelata të tëra boje janë konsumuar për të (fillimisht) identifikuar, (e më pas) mbrojtur e përshkruar pozitën dhe detyrat e gjyqtarit në demokraci, por me sa duket, për shkak të marrëdhënies sonë ende foshnjore me vlerat e parimet perëndimore, këto të fundit ende nuk janë bërë pjesë e natyrshme e filozofisë ekzistenciale të këtyre mbrojtësve të vijës së parë të frontit përballë kujtdo që aspiron përmbysjen e rendit tonë kushtetues.

Sepse dallon një kriminel i rëndomtë, qoftë ky edhe një vrasës gjakatar, nga individët që po gjykohen në gjyqin e sipërpërmendur. Këta të fundit nuk duan thjesht të likuidojnë ata banorë të Tokës, pa dallim kombësie, që nuk besojnë posaçërisht në atë që ata vetë besojnë (që, veç dreqi e di se ç’është), por shkojnë shumë përtej se kaq, ndërsa synojnë (dhe e shpallin botërisht këtë) vendosjen e një Kalifati Islam, i cili është radikalisht i ndryshëm e në antagonizëm të plotë me mënyrën sesi ne jetojmë, parimet tona të sjelljes dhe vlerat me të cilat jemi brumosur.

Paradoksale është se këta individë, e bëjnë “luftën” e tyre duke përfituar plotësisht nga instrumentet fizikë e juridikë që mbajnë markën e mirënjohur të Perëndimit: këta përfitojnë nga të drejta dhe liri themelore të njohura e mbrojtura nga kushtetuta perëndimore (ndër to edhe ajo Shqiptare) për të shprehur mendimet e qëndrimet e tyre, për t’u mbledhur, diskutuar e pozicionuar dhe e bëjnë këtë në objekte kulti të ndërtuara me miratimin (apo, në rastin më të keq, mosndalimin) e Shtetit, në TV të licencuara nga Shteti, në gazetat e regjistruara nga Shteti apo në Internetin e shpikur dhe mbarëvajtur nga shtetet kundërshtarë të ideologjisë së tyre. Ky është një paradoks tipik demokratik, që nga ana tjetër tregon edhe një virtyt të çmuar të saj.

Por Shqipëria nuk është “një demokraci”. Fatmirësisht jo. Nëse do të ishim vetëm kaq, këta të pandehurit në fjalë, por edhe shumë të tjerë (pa lidhje me ta) që do të guxonin të kishin mendime a qendrime të ndryshme nga “shumica qeverisëse” do të ishin dhunuar në të drejtat dhe liritë e tyre themelore (e kam fjalën për ato të prezumuarat universalisht se na takojnë natyralisht, për shkak të lindjes “njërëz”). Jam i vetëdijshëm që për ndonjë që më lexon ndërkohë, teksti mund të jetë bërë konfuz, ndaj edhe po nxitoj të sqaroj se demokracia, në kuptimin e saj të pastër, nuk është tjetër veçse pushteti (absolut) i “shumicës së qytetarëve votues”, në injorim të plotë të interesave, bindjeve, besimeve etj., të të mbeturve në pakicë. E tillë ishte Athina antike ndërsa dënonte me vdekje Sokratin, e tillë ishte Shqipëria e diktaturës së proletariatit. “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë” do ta përshkruante këtë periudhë një ndër liderët e demokracisë(!) shqiptare të post ’90, duke relativizuar me qëllime manipulative të vërtetën historike.

Ne: unë, ti, ata, kemi një marrëveshje me njëri-tjetrin; e quajmë Kushtetutë! Neni më i parë i saj shpall se Shqipëria është republikë parlamentare. Me fjalë të tjera, republikë demokratike, pasi në rastin tonë, demokracia nuk ushtrohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por përmes përfaqësuesve të popullit në parlament (Kuvend). Dhe për ata që nuk e kanë vetëdijen, po e them unë se është pikërisht Republika (bashkë me Shtetin e së Drejtës) çfarë i vendos kufizime vullnetit të shumicës në demokraci, duke u shndërruar në mbrojtës të të drejtave e lirive themelore të njeriut, madje edhe të atyre që duan ta përmbysin atë.

Gjykatat dhe gjyqtarët, këta (të supozuar) “aristokratë të dijes”, janë produkte e në funksion të Republikës, jo të Demokracisë! Dhe janë aty për ta mbrojtur si demokracinë, ashtu edhe republikën. Sepse jemi në luftë! Sistemi, mënyra jonë e jetesës, parimet e vlerat tona kushtetuese e ligjore po kërcënohen haptazi nga terrorizmi ndërkombëtar, forma më e re (apo ndoshta më e vjetër?!) e autoritarizmit shtetëror e ideologjik.

Dikur Cicero shkruante “silent enim leges inter arma”, që do të përkthehej në gjuhën letrare “kur flasin topat, ligjet heshtin”. Unë, sikundër dhe të tjerë (njërëz të mençur të cilëve i’u detyroj bindjet dhe edukimin tim personal e profesional) mendojmë se pikërisht atëherë kur topat buçasin, ligjet dhe ata që i’u japin atyre gojë duhet të flasin më shumë se kurrë. Natyrisht, nuk dua të them me këtë që gjyqtarët të shndërrohen në politikanë apo opinionistë, Zoti na ruajtë! Nga ana tjetër, edhe në i mbajtshin për vete (e ashtu duhet) bindjet e tyre politike, pasi nuk mundem as ta imagjinoj një gjyqtar pa bindje politike (si mund të jesh gjyqtar pa qenë qytetar e, si mund të jesh i tillë pa pasur një qendrimin tënd mbi çështjet politike?!), në këtë rast nuk po flasim për këto, për të majtë a për të djathtë, për barazitizëm apo liri të iniciativës, por për ideologjnë bazë shtetformuese e për parime kushtetuese. Ky gjykim është rasti që demokracia – në  fjalët e Gjykatës Kushtetuese gjermane – të shndërrohet në një “streitbare Demokratie”, pra në një demokraci militante, ku strukturat e saj ekzistenciale, ndër to edhe gjyqësori, të militojnë haptazi në ushtrim të detyrës së tyre kushtetuese për të mbrojtur rendin tonë liberal-demokratik. Ndaj edhe do t’i kisha mirëpritur, madje dëshiruar, dy – tre fjalë të mençura nga gjyqtarët a prokurorja në seancën e djeshme si përgjigje ndaj agresionit verbal të atij zotërisë pas hekurave. Më së paku të tilla që të vinin në dukje virtytet e pikërisht kësaj republike parlamentare që, edhe armiqve të saj, u’a respekton liritë e të drejtat.

E dini çfarë më frikëson? Ndjesia se, jo thjesht u tutën nga një kërcënim apo se iu mungon gojëtaria, por se nuk e kanë të tyren, nuk iu buron nga brenda vetëdijes personale filozofia e res publica, pra e të mirës së përgjithshme në respekt të të drejtave individuale, gjë që do të shpjegonte shumë edhe në lidhje me korrupsionin, një tjetër sabotator (veçse) të heshtur të demokracisë liberale.

9 Komente

  1. po ne c’lufte je? po i bie daulleve kot. E megjithate, duke i qendruar linjes tende te argumentit, mendoj se personat e gjykuar per terrorizem se pari delegjitimojne gjykaten (prandaj nuk mund ta mbroje veten gjykatesi, ca me pak se eshte ne mbrotje te rendit kushtetues).
    Se dyti ata (simpatizantet e ISIS) vendosin nje alternative, te dhunshme, sikur eshte edhe dhuna e gjykatave ndaj atyre qe preken nga mungesa e drejtesise. Rreziku i bombave frikeson qytetare qe nuk e kane hequr dhunen e shtetit apo te nje kolektivi te tere (dhuna strukturore) mbi kurrizin e tyre.
    Se treti, alternativat e dhunshme ndaj pushtetit nuk i kane munguar ketij vendi qe me clirimin, transformimin e sistemit socialist, 1997, 1998 e deri tek 11 Janari.
    E se fundmi, meqe gjuha e argumentimit nuk ze ne keta njerez qe ‘kercenojne’ jetet, jo rendin kushtetues (se ate e ka zene belaja me kohe dhe keta jane me te paket ne numer), atehere mjeti i zgjidhjes se ketij konflikti eshte dhuna shteterore, e palegjitimuar as edhe ne saj te performances (ngase shteti yne eshte i dobet), e kjo dhune behet shkak per me shume dhune, e cikli nuk mbaron kurre.

    1. Episodi nga seanca gjyqesore eshte thjesht nje mekanizem i perdorur per te dale diku tjeter dhe jo qellim ne vetvete i shkrimit.
      Argumenti qe nxit (me shume se sa zhvillon autori – per shkak te vetekontrollit kufizues te kuptueshem) synon te vere ne dukje ne mos boshllekun, pamjaftueshmerine e formimit filozofik e intelektual te trupes se magjistrateve me botekuptimin liberal demokrat e parimet republikane.
      Eshte nje qendrim i bere publik edhe ne shkrime te tjera, gjetiu, se, formimi profesional i nje niveli te larte mund te jete (proporcionalisht) barriere per korrupsionin (ne cfaredolloj kuptimi te tij).
      Shkrimi shfaq nje kontrapunkt ndermjet asaj qe gjyqtari duhet te jete (“aristokrat i dije”) dhe asaj qe (fatkeqesisht) eshte…

      1. dakord, por episode te tilla qe deshmojne memecerine e gjykateseve, tregojne pikerisht se gjykatesit edhe sikur ta kishin formimin filozofik pjese te ekspertizes se tyre, nuk jane moralisht ne gjendje te mbrojne rendin kushtetues qe eshte detyra e tyre kryesore.

        1. Epo c’eshte morali pervecse nje teresi parimesh e vlerash qe burojne nga nje filozofi e caktuar (social-politike, fetare, a te dyja bashke sikurse ne perendim)? Mungesa e ketij morali (alias filozofie), ua pamundeson gjyqtareve tane te dalluarit e te mires nga e keqja.
          Se psh, nuk shpjegohet dot ndryshe fakti qe, mire se marrin rryshfet, por edhe e demostrojne pa turp e frike duke bere jete luksoze me 4-5 shtepi, pushime ne rezorte spektakolare, ora e makina dhjetra mijera eurosh e keshtu me radhe.
          Nuk eshte se u ka plasur cipa, une them se nuk e kane pasur kurre.
          Ne kete kontekst, ai burri me mjeker eshte shume me i forte perballe gjyqtarit; ai te pakten ka nje moral, te tijin natyrisht, por gjyqtari ska asgje, vec mendimit se si ta heqe qafe sa me shpejt kete seance se nje dreke e mire me peshk te fresket e vere “Barolo” po e pret, e paguar nga hallexhiu me i fundit. Kjo dhe berja gati e valixhes se pasneser FC Barcelona (ekipi i tij i zemres) luan ne Milano dhe ai bashke me 2-3 shoke (me biznese te dyshimta) do te shkoje ta shohe…

  2. Nuk besoj se ka te ardhme demokracia ne Shqiperi. Gjykatesit prandaj heshtin.

    1. E kam shkruar dhe më parë dhe nuk po dua të përsërit veten e as të bëhem i mërzitshëm, vetëm se tema e kërkon si ndërhyrje: prania masive e Europës dhe në përgjithësi e Perëndimit në Shqipëri, për mirë dhe për keq, i pengon madje i bllokon zhvillimet politike të natyrshme, ose të tilla që t’u përgjigjen situatave ekonomike, sociale, demografike dhe kulturore në vend. Kjo e bën të ardhmen e sistemit atje diçka eksperimentale – sepse gjymtyrë dhe organe të rëndësishme, për ta thënë me një metaforë biologjike – nuk amputohen as hiqen krejt nga trupi, madje edhe atëherë kur gangrenizohen; meqë i kërkon skema abstrakte që të jenë aty. Nga njëra anë, për ta vazhduar metaforën, kemi një këmbë të gangrenizuar, që duhej të ish amputuar me kohë por që në fakt vazhdohet të mjekohet intensivisht me gjithfarë antibiotikësh për lopë; nga ana tjetër, pacienti ka zënë krevatin dhe ajo këmbë nuk i duhet më për të ecur, prandaj është çështje indiferente për të nëse duhet bërë amputimi apo jo; sidomos ngaqë askush nuk do ta lërë të vdesë në mënyrë të natyrshme. Në fakt, shumë institucione të shtetit dhe të pushtetit nuk janë përftuar si rezultat i ndonjë nevoje të mirëfilltë, por thjesht janë adoptuar në mënyrë formulaike ose abstrakte, sepse ashtu i kanë pasur “të tjerët”; dhe ne që habitemi pse nuk funksionojnë, në fakt jemi të ngjashëm me ata që i kanë adOptuar, madje edhe fare pa i adAptuar. Shto pastaj edhe që, për shkak të mendësisë së trashëguar, shumë politikanë dhe ligjvënës, madje edhe mes atyre që janë mirëfilli të orientuar ndaj Europës dhe Perëndimit, i shohin këto si të ishin Bashkimi Sovjetik i djeshëm ose Perandoria Osmane (koncepti i perandorisë zero) – ose si burime të dogmës dhe të nevojës për bindje të verbër; çka do të ishte, në thelb, e kundërta e frymës perëndimore në politikë dhe në shoqëri. Situatën e ka bërë më keq edhe imperativi për të plotësuar me çdo kusht kriteret e vëna nga Europa, të cilat shumë herë i shoh të përdoren si alibi, jo vetëm për politika idiote, por edhe për politika të dështuara. Me një fjalë, sistemi është konfiguruar në mënyrë të tillë që të përjashtojë përgjegjshmërinë e elitave në pushtet (accountability) ndaj qytetarit; njëlloj si trupi i pacientit, që solla si shembull më lart, i cili ka hequr dorë nga pjesëmarrja në luftën kundër vdekjes; duke ua deleguar atë mjekëve.

        1. Uroj te mos merret seriozisht ky sharlatan, e qe te jete sjelle ketu per humor. Por kam pershtypjen se per shume “elita” ne Shqiperi “analiza” te tilla jane te mirepritura ndoshta se keshtu ngushellojne veten se nuk po i flasin murit kur EDHE te huajt, kushdo qofshin keta, vene re te njejtat shqetesime e drame qe shpaloset diten me diell. Te flas nje ambasador se ashtu ja kerkon roli edhe e kuptoj. Por ky sharlatan flet sikur ka zbuluar ujin e ngrohte. Me trishton tej mase mundesia se analizat e tij mund te merren si fjala e shenjte thjesht se dolen nga goja e nje te huaji a thua se diagnoza qe i bejme vetes nuk mjafton. Atehere drama eshte edhe me e rende!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin