Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

NË KUJTIM TË KALIMTARIT

Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe terroristëve, lexon në shtyp, mbeti i vrarë një kalimtar.

Kalimtari është ai që kalon, që tani është, tani nuk është; nuk ka emër, nuk ka as të shkuar as të ardhme. Njëlloj si figurantët ose ekstrat në film, njëlloj si publiku në kinemanë e errët, njëlloj si pjesëmarrësit e çuar zvarrë në mitingun zyrtar – kalimtari funksionon si gur kufiri midis qenies dhe mosqenies.

Një trup njeriu i shndërruar në zhvendosje të ajrit.

Ndryshe nga viktima e aktit terrorist, që duhet menduar si qëllimisht anonime, kalimtari që mbetet i vrarë mund të krahasohet me pasojën e një fatkeqësie të natyrës, ose një aksidenti rrugor.

Ja edhe Baudrillard:

Meqë është më mirë të vritesh nga një plumb i menduar për ty, sesa nga një plumb qorr, dhe meqë ka shumë më tepër plumba qorrë se ata që godasin në shenjë, a është më mirë të jesh një nga terroristët apo një nga viktimat?

[Fragments, Verso 2007, f. 13]

Një shembull tjetër: terroristët hapin zjarr mbi drekëtarët në një restorant, por njëri prej plumbave kalon përmes dritareve, dhe godet për vdekje dikë që fle në krevatin e vet, në apartamentin përbri.

Viktimë e terrorit edhe ky i dyti?

Po atëherë ç’ta quash atë që mbetet aksidentalisht i vrarë nga një plumb i forcave të rendit?

(Ndajfolja aksidentalisht i referohet aksidentit si refuzim i logjikës kontekstuale; ndryshe nga ndajfolja tjetër, pa dashur, që i referohet jo dëshirës së viktimës, por të atij që shkrep këmbëzën. Ashtu kalimtarin mund ta përkufizojmë edhe si dikë që nuk dëshiron të vdesë, së paku në momentin e përkufizimit.)

Vetë emri që ka zgjedhur shqipja për mjetin vrasës – plumb qorr – të bën të mendosh; a thua se plumbat e tjerë, ata që qëllojnë në shenjë, e bëjnë këtë ngaqë e shohin me sy destinacionin, njëfarësoj e zgjedhin duke e parë.

Plumb qorr. Një plumb që ka humbur toruan, që ka humbur drejtimin në jetë a busullën morale, por jo arsyen primordiale të ekzistencës dhe as instinktin e momentum-in vrastar dhe as kompetencën profesionale.

Një plumb që së bashku me vështrimin, ka humbur edhe arsyen por jo forcën – diçka si ajo pula që vrapon nëpër oborr, pasi ia kanë prerë kokën, manifestim ex tempore i terrorit zoologjik.

Me përkufizim, plumbi qorr kap gjithnjë kalimtarin – a thua se ka një lidhje non-lokale mes tyre, një sinkronicitet të pakapshëm nga vrasësit dhe të vrarët e një përleshjeje të armatosur rutinë.

Në kuptimin që mund të thuash edhe se kalimtar është dikush që mund të goditet dhe të shembet përdhé, në çdo çast, nga plumbi qorr; ose që plumbi qorr ka për synim, destinacion dhe objektiv kalimtarin.

Edhe një shprehje tjetër e shqipes që i bashkëlidhet kontekstit: iku për dhjamë qeni. E vështirë të shpjegosh se ku e ka burimin dhe se çfarë është dhjami i qenit – dhjamë që i jepet qenit për ta ngrënë, apo dhjamë që i merret qenit, për t’u përdorur si lubrifikant apo, në raste ekstreme, si yndyrë ushqimore.

Intriguese këtu edhe folja iku, që e shpreh bukur kotësinë e asaj ç’ka ndodhur, e nisur nga premisa, krejt e pambrojtshme, se kush “ikën” (vritet, humb jetën) e bën këtë në mënyrë të arsyeshme.

Gjithsesi: Kalimtari është ai që ikën për dhjamë qeni.

I shkreti kalimtar: ndryshe nga ti, që je gjithnjë i qëllimshëm dhe i kuptimshëm madje edhe kur fle në krevat në një dhomë të blinduar ose jo, kalimtari mbetet përjetësisht i dënuar të okupojë periferinë e vetëdijes sate dhe të kujtdo tjetër: njëlloj si ato figurat e panjohura, që të prishin ndonjëherë fotografitë; njerëz jo vetëm për ty të panjohur, por edhe me një ekzistencë me përkufizim të brishtë; që materializohen vetëm e vetëm për ta normalizuar boshllëkun.

I shkreti kalimtar: gjithnjë do të zërë vendin tënd, për t’u vrarë në një situatë ku fare mirë mund ta kishe lënë kokën ti. Mund të kishe ikur ti për dhjamë qeni.

Autoritetet nuk tregojnë kurrë vëmendjen e duhur ndaj kalimtarëve, përtej kujdesit për të mirëmbajtur vijat e bardha dhe kapakët e pusetave: vdekja e tyre pritet të jetë po aq kalimtare sa edhe jeta.

Në asnjë qytet dhe në asnjë kulturë nuk i ngrihet kurrë përmendore kalimtarit, që ka rënë pre aksidentale e dhunës së arsyetuar; madje as në kulturat ku u ngrihen përmendore jo vetëm viktimave të terrorizmit, por edhe të fatkeqësive të natyrës, tërmeteve, shpërthimeve vullkanike, tsunamit, shembjeve, përmbytjeve, epidemive, rrëzimit të avionëve, mbytjes së anijeve.(1)

Njëlloj sikurse në asnjë karikator fishekësh, nuk gjen të tillë të shënjuar paraprakisht si “qorrë.”

Asnjë regjim politik nuk e respekton kalimtarin; përveç potencialit të këtij për t’u konkretizuar si individ i gjurmueshëm: emri, profesioni, mosha, besimi fetar, gjendja familiare, punësimi, gjendja shëndetësore, ngjyra e syve, shenja të veçanta: nuk ka.

Do të ishte njëlloj sikur të respektoje një përemër: e megjithatë, provoni të lini mënjanë çfarë jeni duke bërë në këtë moment dhe të dilni në rrugë, për t’u rrethuar prej këtyre hapësirave dy-këmbëshe negative dhe për ta ndier rolin e tyre, në logjikën e përgjithshme të sendeve.

Çfarë droje e përgjithshme dhe dëshirë shmangieje ndaj kalimtarit, këtij Tjetri minor, inferior, gjysmë të tejdukshëm, të cilit herët a vonë do të ndodhë që jeta t’i vlejë më pak se plumbi i arratisur që e ka vrarë; pse vetëm ashtu do të fitojë vëmendjen tënde, kur të pushojë së ekzistuari.

Dhe të na kujtojë se, përtej të qenit individë, jemi të gjithë kalimtarë, në pritje që plumbi i taksur për ne të verbohet; në kuptimin se, si kalimtar, ti nuk mund të vdesësh, përveçse në vend të dikujt tjetër.

Çfarë do të ishte edhe forma më abstrakte e më amorale e altruizmit.


(1) Me vrasjen e kalimtarëve merret vetë Zoti – që këtej edhe shprehja: Act of God, që e ndesh ndonjëherë në rregulloret e sigurimeve shoqërore, krahas me force majeure. Si të thuash: këtu kanë hyrë në veprim agjenci eprore ndaj teje.

 

1 Koment

  1. Xhaxha, kalimtari, tek e fundit, është projeksioni i të gjithë individëve. Secili prej nesh është ai kalimtari që e kap plumbi qorr (që qorr nuk është përderisa merr jetë, ngaqë për atë është krijuar, në kuptimin që përdoruesi nuk e kishte nisur për kalimtarin, por prodhuesi e kishte prodhuar për vdekjen e gjithkujt, pavarësisisht se gjendej në trotuar apo në shtrat).
    Megjithatë, deri tani folëm për kalimtarin fizik dhe vdekjen e tij fizike. Mirëpo, vetë indiferenca që e rrethon atë (kush ishte, përse u gjend atje, po shkonte në punë, kishte familje, çfarë fytyre kishte – të gjitha pyetje pa përgjigje) flet për një vdekje tjetër, atë psikologjike e sociale. Të tonën e të tijën. Sepse kalimtari është me përkufizim i padukshëm. I flijuar në nihilizmin dhe egoizmin e të gjitha ngjyrave.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin