nga Arb Elo
Zhvillohet këto ditë në Tiranë Panairi i Librit dhe, si gjithmonë këto vitet e fundit, botuesit-et e gjithëkudondodhshëm të Diturisë, Pegi-t, Dudajt, Toena-s, Onufrit, etj., nuk mungojnë nga njëra anë të reklamojnë titujt e tyre të rinj e, nga ana tjetër, të ankohen për bjerrjen e leximit dhe rënien drastike të numrit të librave të shitur (këtë vit 40% më pak se vitin që shkoi, pak a shumë kjo, se statistika nuk para ka), porse edhe për politikat e munguara shtetërore për librin, rrjetin e paorganizuar të shpërndarjes, gjenden e mjerueshme të librarive, taksat e larta për librin, etj.
Çka botuesit, si gjithnjë këto vitet e fundit, por edhe më parë, mungojnë afërmendsh ta bëjnë është po ashtu roli i atyre vetë në bjerrjen e leximit, thënë ndryshe: në rënien e biznesit që kultivojnë, pa çka se ata vetë i mëshojnë ku të munden gatishmërisë së tyre për vetëmohim, si të thuash, për idealizmin e sjelljes së vlerave „lexuesit“. Shpesh ata, duke u përpjekur t’i vënë vetulla lexuesit (të përfytyruar, pra iluzor, por për këtë më poshtë), i nxjerrin sytë këtij të fundit me fushata për „libra vere“, me zhurmën mediatike e tam-tamin artificial që krijojnë për zbulesën e fundit të aksh politikani, të aksh gazetari, për librin e kuzhinës që paskësh shkruar moderatorja e njohur e një emisioni të ndjekur e kështu me radhë.
„Lexuesi“, ky koncept është më shumti i përfytyruar, pasi për të ditur se si funksionon më së shumti shoqëria jonë, do të mjaftonte një lundrim në rrjetet sociale dhe në statuset e Facebook-ut, për të kuptuar se kjo kimerë, ashtu si përflitet rëndom nga mediatikët, është iluzor; nuk ka lexues të qetë atje jashtë, të kulturuar e që paguajnë e blejnë gjithçka që u del përpara; lexuesit e kulturuar lexojnë edhe në gjuhë të tjera e ndaj nuk e kanë të nevojshme të çarten nga babelizimi i përkthimeve pa kriter e pa bonsens, nga rrokopuja e belbëzimeve të gjithkujt që mendon se i ka të nevojshme, sot e kësaj dite, ekranin e të përditshmet e grykësinë e botuesve për „promovime“, çfarëdo qenkëshin këto të fundit. Me një fjalë, lexuesi nuk është ufo, realiteti i së cilit qenkësh i pavërtetueshëm me fakte kokëfortë.
Ndonëse ka një shoqatë të botuesve, këta të fundit janë të përçarë, luftojnë për hesap të vet për t’ia hedhur publikut e për t’ia bërë ndjellës libra e letërsi në të vërtetë të dobët e harrojnë ndërkaq që lexuesi i lexuar e di se ia kanë me hile, ndërsa ai pa përvojë mësohet keq e kërkon më shumë nga kjo çorbë e prishur; rezultati është gjithnjë meskin dhe i trishtë: edhe në këtë panair, e ky është faktor kundërprodhues për ata që vetë po e shkaktojnë, shikon të trumbetohen vlera që nuk janë të tilla, t’u lihet kryet e vendit autorëve që në të vërtetë prodhojnë letërsi të dobët, për të mos përdorur epitete cinikë, por këtë nuk e thotë kush, ndonëse e dinë ( e dimë) të tërë që është ashtu.
Çdo shkrues shqiptar që ka provuar të publikojë një libër e di se, me përjashtimet e rralla që vërtetojnë rregullin, se botuesit të kërkojnë para për këtë me pretekstin, e vërtetë, duhet thënë, se libri nuk shitet. Mirëpo, nga ana tjetër, libri nuk ka se si të shitet, nëse gjithkush mund të publikojë duke paguar, pasi nuk ka se si që paraja, si e tillë, të jetë masa me të cilën matet kultura, libri, përmbajtja e tij.
Cilësia e librit dhe vlera e tij monetare nuk shkojnë medoemos krah për krah, por, ndërsa vlera e librit si mall mund të llogaritet lehtë, është fort e vështirë të matet vlera e tij kulturore, të paktën pa hallkat e domosdoshme që përkujdesen pikërisht për ta filtruar atë: redaktorët, korrektorët, politikat botuese, kritika, media, reklamimi; hallka këto, sikurse dihet, në më të shumtën të paqena apo, kur gjenden, keqfunksionuese e që vuajnë simptomat që tregon pacienti, shoqëria shqiptare, në të gjitha fushat e jetës: korrupsioni, mashtrimi, vjedhja, tarafllëku, mungesa e masës, keqpagimi, mungesa e përgjeshmërisë qytetare e me radhë.
Në këtë kuptim kriza e librit radhitet në vazhdën e krizës së vlerave; bjerrja e leximit është, në fund të fundit, një nga dukuritë e bjerrjes së vlerave morale e etike të shoqërisë.
Sidoqoftë, fakti që këtë vit botohen pothuaj shumë më pak tituj se vitin e shkuar (pothuaj gjysma) nuk është medoemos negativ: sasia nuk tregon gjithnjë cilësi, aq më shumë në tregun shqiptar të librit, të mbushur deng vitet e fundit me përkthime të dobëta, me tekste të këqija, me shkarrashkrime e gjithfarë dënglash informative e teori konspirative të kushedi se ç’botuesish të dyshimtë që shtypin pa iu dridhur qerpiku çfarëdo u bie nën thonj.
Bjerrja e leximit është tregues i bjerrjes së arsimit, i trandjes së edukimit si të tillë, i trandjes së moralit të shoqërisë sonë dhe humbjes së orientimit të saj kah e bukura, e drejta, e vërteta dhe e mira; koncepte këto që përkthehen në realitet më së shumti me antipodet e tyre, ndonëse fjalët, fasada e protagonistëve i keqpërdoron për reklamë e pasurim vetjak.
E megjithatë, falimentimi i kësaj fasade shenjon një fazë të re të këtij sistemi që ushqehet me bijtë e tij; aktorëve u kanë rënë maskat; askush nuk i beson më broçkullat e banorëve të ekraneve dhe të të përditshmeve; zhgënjimi ka ndodhur e çdo krizë përmban në vetvete një shans të ri, një përpjekje të re, në mos shpresën se tash e tutje vetëm më mirë mund të bëhet, pasi më keq nuk ka se ku të vejë.
Ka edhe lajme të mira nga ky panair; më në fund botuesit e kanë kuptuar se gjysma e shqiptarëve, të cilët nuk kanë mundësinë fizike për të rrëmuar në ato pak librari publike të kryeqytetit, për të mos folur për rrethet, ku për për të tilla as që bëhet fjalë, e kanë kuptuar pra se gjysma e lexuesve potencialë jetojnë jashtë vendit e po i qasen librit elektronik; ky është progres, për mendimin e shkruesit të këtyre radhëve, pavarësisht se dyshuesit dhe mërmëritësit, si gjithnjë, nuk mungojnë dhe se kjo hapje vjen, – e si mund të ishte ndryshe në Shqipëri? – me një vonesë gati dhjetëveçare.
Për kritikën mund të bëhej gjithashtu një shkrim më vete, nëse kjo do të ekzistonte, por që nuk është ashtu, për politikat shtetërore të librit mund të thuhej e njëjta gjë, për çmimet letrare e me radhë, për të gjitha hallkat e këtij sistemi që po rrënohet, që nga autori e deri te lexuesi, për nënvlerësimin që i është bërë kulturës nga pushtetarët tradicionalisht; mund të shkruhej gjatë; por nga ta kapësh këtë dem pa brirë?
Minotauri, që është, në fund të fundit, vetëdija e shoqërisë shqiptare i ka brirët e shkulura; ai, fundja, jemi ne vetë, unë e ti. Gjithsekush duhet ta kapë veten për hunde e të nisë e reflektojë për pafuqinë e tij, e cila nuk është vetëm e tillë. Të drejtat që i jepen me ligj gjithkujt, shumëkush mund t’i përdorte ndryshe, shumëkush mund të bënte të tjera zgjedhje, të cilat më së shumti janë mohore e kanë bëjnë me fjalëzën „mos“. Në këtë kuptim, mos-i i lexuesit ndaj së rremes, ndaj grafomanëve, bojkoti ndaj librave të këqinj, nuk është medoemos zgjedhja e gabuar.
Këtë zgjedhje i bie, nga ana tjetër, ta vuajnë edhe ata që nuk e meritojnë atë, të shkojë i njomi me të thatin, siç thuhet. Por se cilët qenkëshin këta, kjo mbetet të zbulohet, të zbulohet siç duhet e për këtë duhet punë e përkushtim e vetëdije shoqërore; kjo e fundit është sugjerimi që mund t’u bëhet të gjitha palëve që merren me librin, porse që mund të mbetet vetëm i tillë, sugjerim pra, pasi vetëdija është me përkufizim e brendshme e, të paktën te të rriturit, nuk mund të injektohet nga jashtë.
Arb Elo: Ka edhe lajme të mira nga ky panair; … e kanë kuptuar pra se gjysma e lexuesve potencialë jetojnë jashtë vendit e po i qasen librit elektronik.”
Shkrimi eshte nje qasje qe prek telat e te gjitha paleve. Mendoj se tregu i vertete mbetet brenda territorit shqipefoles. Nese ka levizje drejt librit dixhital, kjo tregon se fitimi i librit leter ka arritur ne nivelet e ulta te leverdise per botuesit qe kontrollojne tregun e librit. Sic duket botimi ne leter po marxhinalizohet si dukuri, per shkak te kostos. Eshte me shume nje levizje e imponuar nga rrethanat dhe jo nga deshira per te perqafuar teknologjine dixhitale.
Mjaft te kujtojme cka Petrit Ymeri deklaronte tre vjet te shkuara te cilin e kam sjelle ne nje shkrim ne PTF.
“Kryetari i shoqatës së shtëpive botuese Petrit Ymeri e hapi panairin e librit këtë vit(2012) me këto fjalë:
Në botë sot po vrapohet drejt librit elektronik, sot mund të botosh edhe në internet, pa kosto botimi dhe shpërndarjeje. Por nuk ka gjë më të qëndrueshme se sa libri i shtypur në letër, ai që e mban në dorë, që e shfleton faqe pas faqeje, që e mbush me shënime dhe e lexon edhe kur korrenti mungon.”
Linku: https://peizazhe.com/2012/11/19/udhet-e-shkronjave/
Jane keta botues qe kane mbajtur tregun te kontrolluar nga libri leter, sepse atje eshte(ishte) leverdia ne kushtet e Shqiperise, nga mendesia dhe frika e humbjes se tregut. Nje Kindle(kosto e perballueshme) do te zgjidhte shume probleme shqiptareve, qe do t’i bente te vraponin me shpejtesi larg librit shqip, e do te blenin literature te huaj ne origjinal duke lene menjane pacavuret letrare shqiptare dhe perkthimet bloze.
Te gjitha arsyet qe shtron Ymeri sot tingellojne qesharake. Nostalgjia e hiperbolizuar per librin leter, nuk mund te mbaje shqiptaret te ngujuar ne raftet e librave te nje kohe qe po perendon dhe te nje niveli letrar mjeran. Mbi te gjitha ekspozimi masiv ndaj boten dixhitale te librit eshte nje lloj akulturimi(acculturation) “par excellence”. 🙂
Sapo u lajmeruan fituesit e ketij Panairi. Une mesova per to permes nje statusi (10:06 EST) botuar ne FB te Shoqates se Botuesve Shqiptare. Cmimi per autorin me te mire te vitit i shkon poetit Parid Teferici per librin me poezi “Largesi ideale”. Me duket ironik ky titull kur imagjinoj sa reale eshte kjo largesi me lexuesin. Nje kerkim i shpejt ne Google per kete liber nuk me jep asnje rezultat. ASNJE! Pra ky liber sado i mire nuk me del te jete permendur te pakten edhe nje here, ku te lajmerohej lexuesi se libri eshte botuar ose po behej gati per botim. Disa nga gazetat kryesore kane nje rubrike per librat e rinj ku normalisht do duhet te ishte permendur libri. Pra ne nje kohe ku Ymeri flet per leximin dixhital dhe elibrin, lexuesit nuk i jepet as informacioni baze per te zbuluar librat te rinj.
Sot po ashtu ka nje shkrim te Gentian Çoçolit tek MAPO, ku me te drejte shqetesohet per gjendjen e mjerueshme te revistave letrare, ne vecanti ate te Revistes Helicon. Jam plotesisht dakort me qendrimin por njekohesisht me vjen te them “mire u behet”. Per revisten “Helicon” kam degjuar fiks nje here kur i doli emri tek lista e perfitueseve te fondeve nga Ministria e Kultures. Perndryshe per 12 muaj aktivitet nuk di te kete patur ndonje perpjekje per t’u afruar me lexuesin. Keta ose nuk duan ose bejne snobin se ne kete kohe ku shumica e leximit behet online (per revistat letrare e kam fjalen) mund te kishin krijuar dhe nje faqe modeste online (ne FB apo Twitter) ku thjesht te lajmeronin se ka dale ne treg numri i ri.
Nderkohe, per krahasim, nje reviste letrare elitare qe sapo lindi ne NY (Freemans Journal), ndonese nuk ka ende nje faqe te dedikuar online, ka patur nje fushate goxha te forte per te promovuar autoret dhe shkrimet. Shkrime nga njerez te fushes e nga editori i saj, John Freeman, per te njohur lexuesin me profilin e revistes e shkrimet brenda saj. Gjithashtu, kane patur dhe nje turne neper USA dhe UK per tu afruar edhe me me lexuesin. Ne kete nuk e bejme dot me librin e jo me me nje reviste letrare. Ne i bejme gjerat e presim te na duartrokasin per heroizmin. Nga Azem Qazimi, kryeredaktori, nuk me del te kete patur as edhe nje shkrim per revisten Helicon ne mediat e tjera. As nga Cocoli. Atehere si presin qe te kene mbeshtetje morale kur keta vete nuk dine t’ua bejne hyzmetin puneve? Per mbeshtetjen financiare duhet koment me vete dhe uroj qe Ministria te mos i marr keto qe them per te justifikuar veten. Keto revistat letrare kur nuk jane projekte vaniteti, projekte per te thithur fonde jane tani kohet e fundit projekte per te afirmuar nje klan ose nje shtepi botuese.
une kam kohe qe kam emigruar totalisht ne librin elektronik (kam Boleron diku ne faqet e fundit qe ka ngecur ne radhen e peste apo te gjashte te listes time elektronike) – Libri elektronik te kushtezon nje tjeter lloj leximi, te shpejte, te disinteresuar etj. – keshtu e imagjinoj lexuesin e sodit, qe lexon diagonal maksimumi 20-30 faqe ne dite, e pastaj i duhet te lexoj 100 faqe larte e poshte neper internet.
Flitet per botime e perkthime te reja, por jane te gjitha libra te vjeter – me zuri syri ne panair nje kolane te T. Dreiser, qe nuk ka adoleshent ne USA ta njohe. Pashe ca libra te shkrimtareve interesant (shtepite botuese Pika pa Siperfaqe e Zenit) qe jane gjithashtu te vjeter (Vonnegut, Pessoa, Fannon etj.) por qe jane gjithsesi te vjeter, te beat generation etj.
Dmth. nese cdo brez ka autoret e tij (une jam rritur ne Dy vjet pushime dhe te Mjeret), libra per kete brez te rinjsh (qe jane 40% te papune) nuk mendoj se ka. Ka per 30 e kusur vjecaret e kenduar (pash diku edhe nje perkthim te Jonathan Franzen), te cilet mendohet se kane para per te blere te tille libra, por qe nuk kane kohe se jane te gjithe me dy a tre punera.
I hodha nje sy me pas librave te akademise se shkences te Shqiperise dhe Kosoves. Kopertinat me foto shpifarake i perkisnin atyre te akademise sone, se ne Kosove kishin zgjedhur design profesional per te tilla seri. Po nuk gjeta gje qe ja vlente te sakrifikoje nje tjeter sherbim, p.sh. kafene qe pagova me nja dy miq ne nje klub aty afer.
A.E “Çdo shkrues shqiptar që ka provuar të publikojë një libër e di se, me përjashtimet e rralla që vërtetojnë rregullin, se botuesit të kërkojnë para për këtë me pretekstin, e vërtetë, duhet thënë, se libri nuk shitet. Mirëpo, nga ana tjetër, libri nuk ka se si të shitet, nëse gjithkush mund të publikojë duke paguar, pasi nuk ka se si që paraja, si e tillë, të jetë masa me të cilën matet kultura, libri, përmbajtja e tij.”
Lexova para do kohesh nje duzine me shkrime tek portali “Zgjoje” -shkrime qe vertiteshin rreth “krizes se librit” dhe “krizes se leximit” dhe rrekeshin te kapnin fillin e lemshit te problematikes se krijuar ne kete fushe ku mpleksen kultura me tregun. Pershtypja ishte se te gjithe ankohen kunder te gjitheve.Ministria qe predikon kultin e lexuesit dhe minimizon rolin e politikave shteterore me e per librin, studiues qe ankohen per mjegullimin e hierarkise se vlerave , autore qe fajesojne shtetin per mungesen e talenteve te spikatur, pronare te shtepive botuese qe ankohen per deformimin e tregut!
Ne kete lemsh ku mpleksen shume fije, interesa, egoizma, shije, klane e kulte, mendoj se ka nje hallke kyce e cila mund te disiplinojne situaten kaotike ne tregun e librit dhe kulturen e leximit: kjo hallke eshte enti botues, si rregullator i cilesise se botimeve , si hallka e pare e perzgjedhjes, seleksionimit dhe filtrimit te autoreve te cilet meritojne publikimin.
Coroditja e krijuar ne tregun e librit , si nje nga faktoret e bjerjes se leximit, buron prej faktit se cdo kush qe mund te prodhoje fjale te radhitura , mund te botoje kundrejt pageses per shtepine botuese. Kesisoj tregu mbushet me skarcitete dhe shija e lexuesit demtohet prej reklames komerciale. Ne bote, nga sa dime e nga sa kemi lexuar, duhet te kalosh ne “brimen e gjilperes” te re-censoreve, redaktoreve dhe kritikes se specializuar per te pare driten e botimit. Kush ka lexuar romanin “Pyesni pluhurin” por jo vetem ate, i ka te gjalla ne memorie ecejaket, negociatat me botuesin , lumturine e marrjes se paradhenies dhe ankthin e pritjes te Bandinit, shkrimtar aspirant.
Nqs ka nje shoqate botuesish te cilet jane grupuar se pari te mbrojne interesat e tyre si biznesmene, perse te mos kete nje shoqate te autoreve, te cilet mund dhe duhet te vendosin rregullat e lojes me ndermjetsuesit e produktit te tyre te destinuar per lexuesin, pra me botuesit, shperndaresit, institucionet?
Gati ne cdo shkrim per kulturen e librit lexon te thuhet se nuk kemi kritike, si nstitucion. Nisur nga popullsia dhe tregu i shperndarjes se librit artistik, them se ajo qe na mungon nuk eshte kritika si instiuticion dhe entitete ( revistat kritike, emisionet letrare, suplementet dhe rubrikat e shtypit per letersisne ) por Kritikuesit.Ajo qe mund te ishte nje filtruese e vlerave, nje ledh pengues per botimet skarco dhe udherrefyese e mire per lexuesin, tash per tash eshte nje kritike pershkruese , ledhatuese dhe shperndarese qokash klanore. Ne te patat rubrika per letersine ne shtypin e shkruar por edhe ne nje reviste te specializuar si LETRA , psh, mbizoteron fryma e promovimit, recenca lineare dhe sherbetosja e cdo krijimi. Jane teper te rralla analizat apo zerat qe kane kurajon te artikulohen “negativisht” per nje roman apo autor.
Megjithate, renia e leximit mbetet nje dukuri e diskutueshme . Nqs krahasimet behen me shoqerine e mbyllur qe lame pas, ku leximi aq sa detyrim shkollor, ishte dhe i vetmi argetim individual, krahasimi nuk qendron. Por edhe nese krahasohemi me shoqeri me te zhvilluara , me treg me te organizuar dhe kulture leximi me te kultivuar, perseri pesimizmi relativizohet. Perpos problematikave te brendshme te botim-shperndarjes se librit, kultura e leximit reflekton edhe kontekstet social-ekonomike, krizen e te ardhurave dhe “krizen” e te ikurve… Sado te predikojme se “shpirti nuk ushqehet vetem me buke”, ne nje shoqeri ku shtohen radhet e atyre qe psheretijne per “buken e perditshme”, refuzimi leximit mund te “lexohet” si simptome e depresionit social.