Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

DY DITË NË FESTIVAL

Të premten pasdite dhe dje të shtunën ishin dy ditët “e mia” në Festivalin e Letërsisë së Re nga Europa; më parë me një bisedë së bashku me kolegë shkrimtarë rreth të shkruarit me përgjegjësi, dhe pastaj me një “performancë” gjatë së cilës autorët lexuan në origjinal pjesë nga veprat e tyre, të shoqëruara me përkthim të njëkohshëm, projektuar në ekranin në sfond.

Pata fatin dhe mundësinë të takoj shkrimtarë të cilët i njihja, pse ua kisha lexuar ndonjë libër tashmë – si Bogdan Suceava (Coming from an Off-Key Time), nga Rumania dhe Alek Popov (Mission in London), nga Bullgaria; por edhe katalanin Jordi Punti, me të cilin zbulova se paskëshim një mik të përbashkët, B. Shehun; por edhe gjermanen Bettina Suleiman, autore e një romani (Auswilderung) që, njëlloj si Boleroja ime, ende nuk është përkthyer në anglisht.

Biseda e së premtes ishte edhe pjesa më impenjative për mua, edhe pse ma lehtësoi zorin moderatorja Maaza Mengiste, përballë një salle plot, ku – për habinë dhe gëzimin tim – pashë shumë miq e bashkatdhetarë. Për fat të keq, romani im nuk është përkthyer; unë gjithnjë parapëlqej të them “not yet”, kur më pyesin; përndryshe shumë të pranishëm u interesuan për ta blerë, dhe të tjerë për t’u njohur me të.

Ardian Vehbiu ReadingTë shtunën pasdite, përkundrazi, lexova një kapitull të shkurtër nga “Bolero” përballë një publiku që e kish mbushur sallën Victor Borge, në Scandinavia House; sërish me bindjen se një pjesë jo e vogël do të më kuptonin. Edhe një herë, interesimi për romanin tim “fantazmë” nuk mungoi – pa folur pastaj për miqësinë dhe kuriozitetin që treguan shumë rumunë, bullgarë, çekë dhe polakë mes të pranishmëve, me të cilët kemi një gjuhë të përbashkët që kushedi buron nga eksperienca tashmë të lëna pas.

Të gjitha këto kultura dhe letërsi nga Europa e Lindjes kanë institutet e tyre prestigjioze dhe agjentët letrarë të specializuar në NYC; në një kohë që ne të Shqipërisë kemi mbetur peng të metodave “agjenturore.” Këtë e biseduam të shtunën paradite edhe me ambasadorin Ferit Hoxha, në një pritje mëngjesore – më mbeti peng që nuk e kisha njohur më parë, së bashku me keqardhjen e heshtur për komunikimin e munguar mes nesh.

Në pritjen e mëngjesit më thanë se u shfaq edhe drejtori i “Albanian Cultural Institute” Dino Korça, sigla e të cilit figuron në listën e instituteve pjesëmarrëse në Festival; por që unë nuk e kam takuar kurrë dhe që, edhe këtë herë, nuk e takova dot, me siguri për shkak të axhendës së ngarkuar që kanë personalitete në poste të tilla.

Përndryshe, Festivali ishte një eksperiencë fantastike – edhe për nga simpatia që gjeta mes të panjohurish, por dashamirësish nga Europa dhe këtu në NYC; por sidomos nga hapësirat intelektuale dhe artistike që krijoi, sidomos nëpërmjet ndërveprimit dhe komunikimit.

Mirënjohja ime u shkon të gjithë miqve dhe bashkatdhetarëve që më nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe ngrohtësinë; sikurse u shkon organizatorëve të Festivalit, të cilëve do t’ua shpreh veçan.

3 Komente

  1. Të falemnderit ty, Xha Xha! Kësaj radhe ishim në dorë të sigurt…

  2. Xhaxha, do kisha qenë me qejf pjesë e këtij aktiviteti. Por meqë s’isha, a bën të pyes cilët pjesë të Bolero lexove?

    1. Kapitullin “Letërsia dhe realiteti”, meqë i përmbushte kushtet e vëna (jo më gjatë se 5 minuta lexim); por edhe ngaqë e përcjell mirë – besoj unë të paktën – frymën e romanit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin