Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Sociologji

MË PAK SHQIPTARË NË ITALI?

Po të shikosh numrin e përgjithshëm të shqiptarëve në Itali del në përfundimin se emigrantët, në krahasim me vitin e kaluar, janë pakësuar. Në fakt, në fillim të 2014-s shqiptarët kapërcyen gjysmë milionin (502.546), pas një rritjeje progresive në vite.

Sipas të dhënave të Istat-it italian, në fillim të vitit 2015, në Itali jetonin si rezidentë 498.419 shqiptarë. Çfarë ka ndodhur? Përse shqiptarët, pas 25 vjet emigracioni, shënojnë ulje në numër?

Përgjigjen mund ta gjejmë lehtë në disa faktorë me peshë specifike të ndryshme. Faktori kryesor është marrja e shtetësisë. Gjithnjë sipas Institutit statistikor italian, shqiptarët dhe marokenët kanë qenë dy komunitetet që kanë marrë më shumë shtetësi italiane gjatë vitit 2014, pothuajse 40% të të gjitha shtetësive. Më saktësisht, janë bërë shtetas italianë 21.148 shqiptarë.

Ky numër i jashtëzakonshëm shpjegon edhe rënien e numrit të shqiptarëve në statistikat e vendit fqinjë. Në fakt, po t’ia shtonim numrit të përgjithshëm të shqiptarëve të gjithë ata që kanë marrë shtetësi atëherë shqiptarët do të rezultonin rreth 520.000.

Arsyeja e rritjes së numrit të dhënies së shtetësive lidhet në një masë të madhe me moshën e emigracionit shqiptar në Itali. Pavarësisht se marrja e shtetësinë italiane është maratonë më pengesa (sepse duhen dhjetë vjet rezidencë për natyralizimin), shqiptarët u bënë kohë që janë në Itali dhe i kanë përmbushur kriteret më të vështira.

Nuk është rastësi që shtetësitë e marra për arsye martesore ishin deri në vitin 2008 më të shumta, ndërsa ato për rezidencë ishin më të ulëta në numër. Vitet e fundit ky numër ka qenë gjithnjë e më i lartë.

Duhet të kemi parasysh se të huajt që lindin në Itali, fëmijët e brezit të dytë të imigrantëve, mund ta zgjedhin shtetësinë italiane kur mbushin moshën madhore. Numri i përgjithshëm i kësaj kategorie është rritur mjaft gjatë vitit të fundit e kjo ndikon pa dyshim në statistikat e përgjithshme.

Kjo situatë ishte disi e parashikueshme, sepse numri i atyre që kanë lejeqëndrim me afate të gjata po rritej nga viti në vit, çka tregon drejtpërdrejt se imigracioni shqiptar në Itali është tashmë stabilizuar.

Pra në thelb mund të themi se numri i shqiptarëve po rritet në Itali edhe pse jo me ritmin e dikurshëm. Ndikojnë gjithashtu mungesa e flukseve të rregullta për punë, lejeqëndrimet e skaduara, kthimet në vendlindje dhe emigracioni drejt vendeve të tjera. Këta faktorë kanë rëndësi relative, që duhen hulumtuar ende nga pikëpamja statistikore.

Pavarësisht se në statistika shqiptarët humbasin terren, duhet të kuptojmë se marrjet e reja të shtetësisë i bën ata aktorë nga pikëpamja politike. Ndërkohë, me përjashtim të problemeve burokratike, si ripërtëritja e mërzitshme e lejeqëndrimit, një pjesë e madhe e problemeve mbeten ende në tryezë.

Ky realitet i ri me siguri do të ngjallë interesin e politikës, por edhe të shoqërisë civile, por nga pikëpamje të ndryshme. Le të shpresojmë që Shqipëria të mos tregohet indiferente.

 

* Të dhëna të tjera do të botohen nga Dossier Statistico Immigrazione 2015, që do të prezantohet në Romë, më 29 tetor 2015. Programin e plotë në italisht e gjeni këtu.

4 Komente

  1. Pishak, nese aktualisht kemi shqipetare rezidente ne Itali rreth 500 mije, ti shtojme te themi rreth 30 mije ilegale/te pa regjistruar dhe rreth 200 mije qe kane arritur te marin shtesine italiane gjate ketyre 23 viteve, atehere arrihet ne shifren e rreth 730 mije persona. Apo e kam gabim?

    1. Ka disa probleme me vlerësimet statistikore. P.sh. asnjë nuk e di se sa shqiptarë të parregullt ka në Itali. Janë pa dokumente, mund të behen vlerësime, por saktësisht asnjë nuk e di. Në këtë pikë mund të ndihmonte databaza e Ministrisë së Brendshme, sepse zyra e kufirit e di prej vitesh se sa vetë kanë dalë dhe sa nuk kanë hyrë në vendlindje. Por ata i mbajnë për vete të dhënat. Nuk i bëjnë publike, në një faqe internet çfarëdo. Por edhe këto të dhëna do të ishin të vlefshme deri në një farë pike, sepse shqiptarët mund të kenë shkuar ndërkohë, ta zëmë, në Angli.
      Ata që kanë marrë shtetësinë italiane në vite nuk janë aq sa thua ti, por shumë më pak. Për arsye të ligjit italian për shtetësinë. Vlerësohet të jenë rreth 80 mijë shqiptarë që janë “bërë” italianë, por nuk është shumë e vështirë të gjejmë edhe shifra më të sakta. Në rast se nuk rrimë dot pa numra, le të themi se shqiptarët në Itali mund të jenë rreth 600 mijë. Pak a shumë. Por mund ta përgënjeshtroj veten pas pak orësh.
      Të dhënat që kam ofruar më sipër janë zyrtare, nga Istat, pra për shqiptarët rezidentë me lejeqëndrim të rregullt.
      Ja pse është i domosdoshëm një Regjistër i përgjithshëm i shqiptarëve me banim jashtë shtetit. E kanë shumë vende. Atje mund të regjistroheshin shqiptarët që banojnë jashtë shtetit për më shumë se 1 vit, pavarësisht nëse kanë apo jo lejeqëndrim. Kjo do të na ndihmonte shumë për njohjen e emigracionit.

  2. Nje numer kaq i larte shqiptaresh justifikon shkollim te rregullt te tyre ne shqip. Eshte johumane te lesh nje sasi te tille femijesh me gjuhe nene te ndryshme nga ajo shkollore dhe shoqerore, me edukim gjuhesor rastesor.
    Pishak: kur thua “fëmijët e brezit të dytë të imigrantëve, mund ta zgjedhin shtetësinë italiane kur mbushin moshën madhore.” e ke fjalen per vete brezin e dyte te shqiptareve emigrante, apo per bijte e brezit te dyte? Mendoja se gjithe femijet e lindur ne Itali, pas moshes 18 vjec mund te kerkojne qytetaresi nese nuk kane lene token italiane per nje periudhe te caktuar… qe s’e di tamam se sa e gjate eshte. Eshte keshtu apo jam gabim?

    1. Presje, pyetjen tënde e konsideroj me shumë rëndësi, prandaj më lejo të shkruaj së shpejti një shkrim të veçantë për temën e shtetësisë në Itali, ku edhe të shpjegoj këtë veçorinë e moshës madhore. Faleminderit për nxitjen dhe interesin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin