Juve mund të mos ju besohet, Edi Rama më ka dërguar letër! Nuk e di nga ma ka gjetur adresën, por kjo nuk ka rëndësi. Kur të dërgon kryeministri letër, nuk duhet të pyesësh nga e mori vesh që ti ekziston. Duhet të kënaqesh që ai e di që ti ekziston. Dhe që ulet e të shkruan letër.
Nuk jam nga ata që thonë « … kush rri e lexon letrat e tij, atë punë ka ai.” Jo, unë i lexoj rregullisht. Nuk kam qenë në Tiranë në kohën e votimeve dhe sot e gjithë ditën nuk e di për kë do të votoja po të isha aty. Por tashmë E. Rama është kryeministër dhe si i tillë unë i marr seriozisht letrat e tij, pa përmendur faktin që në fillimet e tij vlerësova një kulturë të re qeverisjeje. Pashë shenja që i kam si indikatorë personalë. P.sh., vura re se ai la të kuptojë se vërtet ishte ishte zgjedhur në krye të ekzekutivit, por se nuk e ngatërronte personin e tij me funksionin. Shkurt më la të kuptoj se brenda kostumit të tij të ri nuk do të ndodhte ndonjë proces i padëshiruar mutacioni, aq i rëndomtë midis politikanëve.
Të kthehemi te ajo letra. Këtu më duhet të shtoj se Rama jo vetëm që gjen kohë e më shkruan, por edhe më jep llogari se çfarë ka bërë ai dhe qeveria e tij, çfarë kanë thënë, ku kanë shkuar.
Letra e fundit është e pak ditëve më parë.
Përbëhet nga gjashtë kapituj, që përfaqësojnë veprimtari të rëndësishme qeveritare. I pari titullohet (me të kuqe): Rimëkëmbje e bujqësisë. Për këtë duhej të fliste në fund të pesëvjeçarit, thashë me vete, është gjë e vështirë të rimëkëmbësh bujqësinë shqiptare. Por, përtej titullit, Rimëkëmbje e bujqësisë, ishte fjala për një firmë të një ministri bujqësie (një tip fort i çuditshëm, sidomos kur përpiqet të qeshë) që na siguronte (deri në 2020!) një grant prej 71 milionë euro për fermerët shqiptarë. Duke e ndjerë se kjo histori mban pak erë, Edi më siguron se ky është “granti më i madh i alokuar(!) “ për Shqipërinë deri tani. Pra, ia ka kaluar edhe atyre “të tjerëve”, paçka se as dje e as sot nuk gjen as bulëzimin e idesë më të vogël se cili është programi real qeveritar i rimëkëmbjes së një arkipelagu si bujqësia që pa asnjë kontroll shtetëror dhe parametër evropian, por merr gjithnjë e më tepër trajtat e një veprimtarie kriminale me sasinë e pabesueshme të kimikateve dhe hormoneve që përdor! Sidoqoftë ju mjaftohuni të mbani mend se hedhja e firmës paraqitet si “Rimëkëmbje e bujqësisë”
Kreu i dytë i letrës titullohet: Shërbime moderne. Gjeni një karrige dhe uluni (që të mos bini përtokë) para se të mësoni se nën këto Shërbime moderne është fjala për praninë e vetë Edit në nënshkrimin e një huaje të dyshimtë prej 32 milionë eurosh, me të cilat, vëreni, qeveria jonë (me paratë e BE-së) do të “luftojë ndjeshëm” korrupsionin në administratën publike. Ajo që nuk kuptoj është përse kudo e gjithkund këto procedura banale administrative quhen marrje borxhesh apo zhytje në borxhe që nuk ka shumë ndryshim nga zhytja në m… siç tregoi rasti i fqinjëve tanë jugorë, në këtë letrën time quhen Rimëkëmbje e bujqësisë, Shërbime moderne? Një manipulim me shenjën gjuhësore që fsheh hedhje parash në një fushë me parametra të pamatshëm? Apo kur të zhduken 32 milionë euro do të nga thuhet si u paguan luftëtarët në terren, sa shtunë në xhep ata që bënë “luftë të ndjeshme” dhe sa ata që luftuan më pak “ndjeshëm”?
Më tej vinte kapitulli që rrezaton ngrohtësi: Rimëkëmbje e energjisë. Këtu rrëfehej se një ministër me mbiemrin Gjiknuri kishte përgatitur një projektligj të bukur shumë për “implementimin e drejtpërdrejtë të Paketës së Tretë të Energjisë”. E kuptoj se ju prisni lajmin se më në fund energjia është rimëkëmbur, por edhe këtu Edi flet për projektligje (as ligje jo), por ai lë të kuptojë se ditët e bukura nuk do të vonojnë. Letra shpjegon se pas “pas miratimit të këtij projektligji”, do të ndërmerren hapat e mëtejshëm për ” …hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore…”
Ju siguroj se nuk kam shtuar asgjë nga mendja ime. Përshkrimi i kësaj rutine procedurale nga më baziket për një ministri, më është dërguar nën titullin : Rimëkëmbje e energjisë, por sikundër më lart edhe këtu vëreni morfologjinë fleksionale të titullit që lë të kuptojë se është fjala për një gjë që është e pranishme në jetën e shqiptarve, si një akt i realizuar tashmë, se mrekullia ka ndodhur dhe energjia është rimëkëmbur.
Tani, pasi e zhvilloi, në letër, bujqësinë dhe industrinë energjetike, duket qeveria nuk e harron edhe rëndësinë e elementit njerëzor.
Kështu, kapitulli pasardhës mban titullin: Emancipim gjinor. Është fort i çuditshëm si titull, por kur është fjala për një letër që kryeministri ma ka dërguar mua dhe jo juve, unë jam i prirur ta kap atë nga cepi i pa ndotur dhe të kuptoj se poshtë këtij titulli, Edi më tregon se emancipimi në Shqipëri është ende punë burrash. Nuk ke si të mos mbetesh gojëhapur nga entuziazmi me të cilin ai përshkruan si ka dërguar një ministër me emrin Blendi Klosi në një takim me gratë e për gratë, në një Qendër Rinore në Tiranë ku nuk mungojnë edhe shoqet e “Peace Corp”, por ku (rrushi mbi kabuni) është vërejtur edhe prania apostolike e ambasadorit amerikan . “Tema e këtij takimi,” më siguron Edi, “ishte fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri dhe veçanërisht roli që ajo mund të luajë në vullnetarizëm”
Dhe e gjitha kjo nën titullin: Emancipim gjinor! Ndokush mund të pyesë a ka njeri që i sheh letrat e tij para se t’i dërgojë (se veprimtari të tilla nuk meritojnë as rreshtin e fundit të faqes së fundit të gazetave dhe jo më të serviren si Emancipim gjinor në një komunikate qeveritare), por unë dua të kaloj në pjesën e fundit të letrës që sapo mora, në atë që titullohet: Partneriteti për zhvillim.
Këtu e ndjej se Edi është lodhur pak (mbase ndikon sindroma paskalmilo, sipas emrit të një ministri që dikur zbarkonte në mengjes në një kontinent dhe në darkë shfaqej në një tjetër) ose nuk ka ditur çfarë të shtojë tjetër dhe më tregon se edhe këtë rradhë është ai vetë që ka qenë “i pranishëm në një takim të organizuar në Tiranë me industrialistët e rinj italianë.” “Kostoja e ulët e punës, regjimi i favorshëm tatimor … u renditën nga kreu i qeverisë si arsyet kryesore për të investuar në Shqipëri.” Ky quhet Partneritet për zhvillim! Fraza nuk është as në kushtore, as në të pakryerën e thjeshtë dhe as në të ardhmen. Bëhet një takim diku në një sallë të mbyllur, si qindra të tillë në ditë dhe ai paraqitet si aktivitet në veprim, si realitet, si punë e kryer, sikur vendi është përmbytur nga produkte ndërmarrjesh të panumërta italiane në Shqipëri, madje në partneritet me ato shqiptare! Nga ana ime, nuk di të them nëse i vuri në dijeni investituesit e tij imagjinarë, për mungesën e sindikatave në Shqipëri, si një shkelje syri se punëtorëve shqiptarë mund t’ua marrin pa frikë edhe atë pak shpirt që u ka mbetur nga banditët e mafiozët vendas.
Kjo formë “e re” komunikimi e koduar (edhe pse i ngjan një lloj dadaizmi pushtetor dhe ka paralelet e veta me pikturat e fundit të Edit) mund të deshifrohet në shumë mënyra, por tani më vjen ndërmend se më thjesht se gjithçka tjetër e shpjegon aforizmi i A. Korzybskit (1879-1950) që thotë “harta nuk është toka”. Nuk ka si bëhet më qartë. Rama gjen njerëz të devotshëm si mua, merr një copë letër (jo krejt të bardhë), heq në të ca vija sinusoidale, elipsash e vektorësh kartografikë (që nuk i bën keq) dhe më thotë: ja edhe ti ke tokën tënde. Në të vërtetë ajo është harta dhe e shumta shqiptarët si unë kanë në dorë një letër që përshkruan një realitet imagjinar, i cili me manipulime gjuhësore jo fort subtilë, serviret si të qe përditshmëria e shqiptarve, paraqitet si Rimëkëmbje e bujqësisë, si Shërbime moderne, si Emancipim gjinor, si Partneritet për zhvillim!
Dikur Rama fliste me realizëm e sinqerisht për gjendjen katastrofike të vendit, për punën kolosale që kishte përpara ai dhe qeveria e tij për ta nxjerrë vendit nga prapambetja. Por ajo kohë ka kaluar. U rregulla gjithçka, Shqipëria i absorboi të paktën dy shekuj prapambetjeje ekonomike dhe gjysmë shekulli deformimi shpirtëror?
Duket se qeverisë kjo pak i intereson tani. Në pamundësi të zhvillimit të vendit është imazhi propagandistik i realitetit shqiptar që serviret si realitetet jetësor. Semiologu amerikano-polak që përmenda më sipër, i cili u muar me studimin e sistemit tonë nervor për të kuptuar mënyrën se si ai percepton, interpreton e modifikon gjithçka që e rrethon, na paralamjmëron për rrezikun e përdorimit të foljes “me qenë”, që nuk ka një përcaktim univok në lidhje me objektet që tashmë ekzistojnë. Merre si të duash, pra. E shikoni vrimën e trurit tonë ku futen e kalojnë ato letrat që më vijnë mua me titujt e tyre manipulues?
Në to gjen një rrafshim e barazim të luftës ndaj varfërisë në vend, luftës ndaj krimit, prapambetjes, urisë, mizerjes sociale me luftën në fushën e propagandës (mund të humbë te e para, por ka rëndësi që fiton te e dyta), përmend mbledhje dhe takime nga më banalet që mund të bëhen, vë shenjën dykalimëshe dhe krijon një realitet tjetër, një lloj fshati Potjemkin. Por ndërsa i pari (Potjemkini vetë) e ndërtonte realitetin “e begatë” nëpërmjet panelesh të ngjyrosura që i vinte rrugës andej nga kalonte caresha, në Shqipëri realiteti rindërtohet jo në terren, por në nivel manipulimi sintaksor.
Mizerabliteti aktual i Shqipërisë ka rrënjë të thella, që shkojnë përtej Edit e jo për faj të tij, kjo është e vërtetë, por elementë të një darvinizmi social që kanë nisur të shfaqen, kur nga presioni edhe i “paketave të qeverisë” të varfrit po bëhen edhe më të varfër (që të mbijetojnë u ka mbetur e hapur vetëm dera e shporrjes jashtë vendit) dhe që kriminelët sigurojnë mbijetesën e pasardhësit (trashëgiminë gjenetike) duke u bërë pjesë e jetës politike, ky është fenomen i viteve të fundit.
Por ka akoma më keq, në kushtet e një opozite inekzistente, një numër gazetarësh misionin e tyre natyror për mbajtjen e qeverive nën presion e kontroll e kanë shndërruar në zanat merecenarësh në shërbim të pushtetit. Publiku ka mbetur fare pa asnjë filtër që nxjerr në dritë të vërtetën e gjithë kësaj veprimtarie masive e të përkryer manipuluese.
Populli si unë, çdo mëngjes, lë gjithçka mënjanë dhe ulet ta lexojë me devotshmëri fetare letrën që dërgon rregullisht Edi Rama. Por sa më shumë që lexoj, aq më të vështirë e kam për ta kuptuar atë që kam dëshirë ta cilësoj ende si vëndin tim, sikur në tru, pas çdo letre të tillë, më pikon një perturbator endokrinal.
(c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.
Çfarë fati! Ne të tjetrët kemi marrë letër vetëm nga Spartak Braho.
Po ata që nuk kanë marrë asnjë letër ç’duhet të mendojnë? Nejse, dua të shtoj se analiza e përpiktë e Lyss-it tregon tërthorazi se dikush ka gabuar duke ia adresuar atij letrën. Por nga pikëpamja ime ka bërë mirë, sepse u bë sebep për një përsiatje me shumë interes.
Keshtu foli Rama – Zarathustra.. Nga e thena ne te bere na ndan nje Rama i tere.
Edhe une merak e kam kete punen e sindikatave ne Shqiperi, punetoret e shkrete vuajne akoma nga sindroma e monizmit, “ul koken e shiko punen”.
U zhyta në krizë ekzistenciale tashti. Asnjë letër nuk kam marrë…as edhe një për be…Ujku ankohet se paskësh marrë letër vetëm nga Spartak Braho…. 00farë Spartaku more Ujk, mua më mjafton edhe një pusullkë nga administratori i pallatit që të më vërë në dijeni se si e kemi zgjidhur problemin e rrjedhjes së ujit nga depozitat në tarracë…
Ajo pjesa e emancipimit gjinor sidomos më shkatërroi fare: si nuk mora një ftesë të kisha vajtur edhe unë për të kërcyer në këto mbrëmjet tematiko dëfryese me prani ngazëllyese euroatlantike…
Puna e emancipimit ishte mjaft emocionuese edhe per mua, por ajo qe nuk kuptova ishte nese edhe ato grate nga Amerika i kane sjelle ketu qe t’i emancipoje Bledi. Po qe se ai ka nje potencial kaq te madh emancipues, mbase nuk eshte keq ta dergojne gjithandej neper zonat e prapambetura, madje edhe gjetiu, jashte, ne kuader te bashkepunimit rajonal…