Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

PELLAZGËVE PO UA DORËZOJMË ÇELËSAT

Mora vesh këto ditë se një studiues i quajtur Stavri Trako ka mbrojtur, pranë Departamentit të gjuhës shqipe, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës, doktoratën me temë “Vepra ‘Pellazgjika’ e Jokovu Thomopullu nën dritën e studimeve albanologjike nga Kristoforidhi te Çabej.

Udhëheqës shkencor i kësaj doktorate është prof. dr. Shezai Rrokaj, dekan i Fakultetit Histori-Filologji dhe personalitet i mirënjohur në fushën e mësimdhënies universitare dhe të gjuhësisë.

Nga sa shoh në pasqyrën e lëndës, punimi i Trakos prek një numër çështjesh shumë të vështira të parahistorisë gjuhësore të Mesdheut, përfshi Anatolinë Perëndimore si djep i gjuhëve indo-europiane, marrëdhëniet e shqipes me pellazgjishten, gjurmët e homerishtes në dialektet pellazge, çështje të mbishkrimeve etruske dhe të mbishkrimeve të lashta të Kretës dhe të Qipros, etj.

Nuk e kam lexuar këtë punim dhe nuk mund të shprehem për çfarë trajtohet aty (edhe pse të interesuarit mund ta konsultojnë lirisht në Bibliotekën Kombëtare); por di që tema të tilla lidhen sot disa nga problemet më të koklavitura të parahistorisë gjuhësore të Mesdheut, përfshi këtu hipotezën pellazgjike në përgjithësi, etno-gjenezën etruske dhe leximin e deshifrimin e mbishkrimeve jo-greke në Kretë dhe në Qipro. Numri i specialistëve që merren me këto punë, në universitetet e botës mbarë, është natyrshëm i kufizuar.

Kam lexuar, nga ana tjetër, një intervistë të autorit Trako në lidhje me shqipen si “çelës të disa dialekteve të lashta”, në të cilën ai thotë se mbishkrimet “eteokretase” dhe mbishkrimet pellazgjike të Lemnos-it janë të shkruara “në gjuhën heleno-pellazge e cila ngjan me shqipen e sotme”; dhe se gjuhë pellazgjike ishin edhe “lykishtja, karishtja dhe etruskishtja.” Autori i bashkohet tezës së studiuesit Thomopullu, i cili “ka bindjen se shqipja është çelësi i të kuptuarit të këtyre dialekteve të lashta.”

Nga sa kuptohet prej intervistës – edhe pse nuk është aspak e lehtë – autori bën thirrje që tekstet homerike të transkriptohen saktë, “me ndihmën e gjuhës shqipe.”

Nuk dua të paragjykoj punimin në fjalë pa e pasur në dorë; sepse mund të jetë edhe tërësisht solid dhe ashtu të hapë një faqe të re, me rëndësi të jashtëzakonshme, në të kuptuarit jo vetëm të parahistorisë së shqipes, por edhe të Mesdheut paragrek; duke ndihmuar edhe në shkoqitjen e problemeve të tilla madhore, si gjuha e popullsive para-greke, statusi i pellazgjishtes dhe i etruskishtes dhe deshifrimi i disa prej mbishkrimeve më misterioze në historinë e arkeologjisë dhe të parahistorisë mesdhetare.

Nëse është kështu, ky punim duhet popullarizuar menjëherë, përkthyer në gjuhët e mëdha (anglisht, gjermanisht, frëngjisht) dhe promovuar në nivelin akademik europian dhe më gjerë, me mbështetjen agresive të atyre institucioneve që e kanë gjetur të meritueshëm për gradën e doktorit të shkencave.

Nga ana tjetër, ekziston edhe mundësia – le ta quajmë teorike për korrektesë – që punimi i studiuesit Trako të jetë një gonxhe e shtuar rishtas në buqetën trullosëse të veprave pseudo-shkencore, të cilat përpiqen të shpjegojnë gjithçka me anë të shqipes; dhe që mund të jenë vërtet pjesë e kulturës shqiptare siç janë pjesë e kësaj kulture edhe leximi i filxhanit të kafesë, sakralizimi i fjalës autoktoni ose shpalosja e ngjyrave kuqezi në një stadium futbolli, por që nuk duhet lejuar të jenë pjesë e albanologjisë që lëvrohet në Shqipëri, dhe aq më pak në një institucion me tradita në këtë lëmë, si Fakulteti Histori-Filologji i Universitetit të Tiranës.

Edhe pse ky studiues duket sikur i referohet Çabejt në punimin e vet, më duhet të vërej se Çabej më se një herë ka vërejtur se përdorimi drejtpërdrejt i të dhënave të shqipes së sotme për të kthjelluar enigma gjuhësore të dy-tremijë vjetëve më parë, është së paku një gjest prej amatorësh; ose një lloj folklori akademik, do të shtoja unë.

Aq më tepër që hipoteza e Trakos, se “shumica e fjalëve [shqipe] të rrjedhës latino-romane rezultojnë se janë fjalë vendi” bie ndesh me krejt traditën e konsoliduar të studimeve albanologjike në Shqipëri dhe gjetiu në Europë.

Çfarë më tërheq veçanërisht vëmendjen, është se ky punim doktorate ka pasur për udhëheqës shkencor prof. dr. Shezai Rrokajn, që sikurse e përmenda në krye, është aktualisht dekan i Fakultetit Histori-Filologji; dhe i specializuar në gjuhësinë moderne. Një vështrim i shpejtë në CV-në e këtij studiuesi, e cila është botuar online (një version tjetër këtu) konfirmon se prof. dr. Rrokaj nuk ka ndonjë kompetencë specifike për të drejtuar një punim me temë si ky i mësipërmi; dhe, gjithnjë sipas informacionit të ofruar në CV, ky studiues nuk duket se e njeh as latinishten, as greqishten e vjetër, as të renë; as zotëron ndonjë farë ekspertize çfarëdo në fushat e epigrafisë klasike, filologjisë homerike dhe indo-europianistikës[1].

Në këto rrethana, e kam të pamundur të përfytyroj pse dhe si e ka udhëhequr këtë temë kaq të vështirë prof. Rrokaj; dhe çfarë ka përfituar prej kësaj udhëheqësie doktorandi Trako. Në fakt, nuk më rezulton që të ketë sot në Shqipëri asnjë studiues në gjendje të ofrojë udhëheqësi shkencore, për një temë që mëton të kontribuojë në deshifrimin e mbishkrimeve etruske, eteokretase dhe qipriote në parahistori nëpërmjet shqipes, një gjuhë e dokumentuar me shkrim jo më herët se shekulli XV; çfarë do të thotë se një doktoratë e tillë në Shqipëri as që duhej të ishte mbrojtur, pavarësisht nga vlera e saj intrinseke dhe/ose ideologjike.[2]

Kur studime të tilla – shpesh asgjë më shumë se “studime” – kapërcejnë gardhin mbrojtës të institucioneve akademike serioze, atëherë ka vend për t’u alarmuar. Përpjekje për ta vendosur shqipen në kërthizë të gjuhëve europiane [si kthim në një lloj gjeocentrizmi të markës arbërore] sidomos duke argumentuar primatin e saj ndaj greqishtes së vjetër ka pasur dhe do të ketë; sepse kjo, më tepër se një kapriçio ose fryt i megalomanisë ose thjesht padijes, është një patologji me natyrë “kognitive” të cilën e kanë kaluar edhe të tjera kultura; sikurse nuk mungojnë përpjekjet dëshirëmira për ta lidhur shqipen me sanskritishten, gjuhën e shumerëve ose edhe për ta vendosur në bazë të greqishtes së vjetër. Përtej inkompetencës, misticizmit kaba dhe zellit të sinqertë të autorëve të këtyre hipotezave, punimet e tyre vuajnë nga gabime metodologjike elementare; pa çka se ndonjëherë janë përfshirë edhe në programe leksionesh në universitete private dhe janë duartrokitur dhe përshëndetur histerikisht në mediat.

Por Universiteti i Tiranës është diçka tjetër; i vetmi, nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, që ka një traditë të shquar për të mbrojtur dhe çuar përpara, në lëmin e historisë dhe parahistorisë së gjuhës shqipe: atë të Xhuvanit, Çabejt, Sh. Demirajt, Domit dhe Topallit, mes të tjerësh; dhe sërish i vetmi prej të cilit pritet t’u garantojë punëtorëve të ardhshëm të shqipes një vizion racional ndaj gjuhës sonë, historisë dhe së tashmes së saj. Më turbullon shumë fakti që kjo traditë sot po vihet në pikëpyetje, për të mos thënë më tepër, nga ekscentrikët; me bekimin e vetëdijshëm të titullarëve të këtij institucioni, duke filluar nga dekani prof. dr. Shezai Rrokaj.

Do t’i ftoja ish-kolegët e mi studiues dhe pedagogë, në Tiranë dhe gjetiu, që nuk kanë thënë asgjë deri më sot, të ngrenë zërin publikisht ndaj këtyre prapësive, nëse ndajnë të njëjtin opinion me mua; dhe t’i mbrojnë nga përdhosja të paktën ato institucione publike, të cilat kanë bërë punë të mirë, në mos të shkëlqyer, në të kaluarën edhe të afërt. Aq më tepër që, për lajthitjet dhe përdhosjet, nuk dua kurrsesi të bëj me faj autorët e studimeve në fjalë, të cilët tek e fundit kanë të drejtën e tyre të çojnë përpara, me sa dhe si munden, ato hipoteza që atyre u duken bindëse. Në të vërtetë, fajin ndaj publikut dhe traditës dhe dinjitetit tonë intelektual si shoqëri dhe si komb doemos e kanë ato organe dhe instanca, që janë duke e legjitimuar këtë lloj “dijeje” deri në nivelet akademike më të larta.

© Peizazhe të fjalës dhe autori. U lutem të interesuarve për këtë temë që, në vend që të kopjojnë shkrimin sa më lart dhe ta përplasin në faqe të tjera për të përftuar artificialisht sherr, të sillen si gazetarë dhe të gjejnë e të intervistojnë palët e përfshira në këtë mesele, duke filluar nga Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, për ta bindur që t’i shpjegojë publikut se ç’e ka shtyrë të udhëheqë një punim doktorature, nga një fushë për të cilën ai nuk ka treguar kurrë më parë ndonjë interes si studiues.


 

[1] Shtoj se prof. dr. Rrokaj as gjuhën shqipe nuk e ka studiuar si disiplinë në nivel universitar (meqë i ka kryer studimet e larta në Francë, ku edhe ka mbrojtur masterin për “strukturalizmin klasik në gjuhësi”).

[2] Megjithë përpjekjet që bëra, nuk arrita të marr vesh nëse në komisionin vlerësues të kësaj doktorate kishte apo jo ndonjë specialist me ndonjë farë kompetence për gjuhësinë parahistorike, gjuhët klasike, epigrafinë klasike dhe historinë e greqishtes së vjetër, përfshi greqishten homerike.

Pa Komente

  1. nga nje kerkim i shpejte ne google duket se stavri eshte laureuar doktor pasi ne intervista, ketu e dy vjet te shkuara, i drejtohen me “dr.”

    well done, UT! i mbushe ferrat me doktorata.

  2. Duhet te jete mbrojtje e ketyre diteve te fundit, sepse doktorata ne fjale nuk figuron ne sajtin e Universitetit ku sipas rregullores se UT duhet te botohen te plota te gjitha punimet e doktoratave:

    http://www.doktoratura.unitir.edu.al/

    Te presim kur ta ngarkojne ne sajt dhe ta lexojme.

  3. Nese e kuptova drejte, autori kritikon akademikun se ka bere nje pune pa pasur aftesite per ta bere bazuar ne hamendesim pasi nuk e ka lexuar studimin? Me kuptoni drejte, ai/ajo mund edhe te kete te drejte, por edhe nese ia ka qelluar sic qendrojne gjerat kjo ndodh vec rastesisht e bazuar ne nje paragjykim mbi cilesine e akademise ne Shqiperi. Persa kohe kjo analize bazohet ne nje premise qe nuk eshte verifikuar, cfare e ben qasjen e ketij autori te ndryshme nga ajo e autorit qe kritikon? A nuk riprodhohet keshtu po e njejta forme analize bazuar ne pershtypje? Cili ishte nxitimi per ta botuar artikullin, sidomos kur pohon se vepra gjendet ne biblioteke? Keshtu s’kemi as mundesine te gjykojme nese ai/ajo vete ka kompetencen shkencore/akademike per te gjykuar punen e te parit.

    1. Sonila Danaj, nuk paske kuptuar thelbin e shkrimit. Në fakt ishte i kuptueshëm për këdo i cili do i ishte qasur me qetësinë dhe vëmendjen e zakonshme, por siç duket të paska munguar kjo. Autori sqaron që në fillim që nuk e ka lexuar atë doktoraturë, por ai vë re dy gjëra të rëndësishme. E para, që një punim i tillë për të qenë i frytshëm u dashka mbështetur në dije të fituara paraprakisht në vijim të studimeve shkencore të një brezi ose brezave të mëparshëm akademikësh, të cilët kanë punuar seriozisht njëri pas tjetrit për të përshkuar ato miliona hapa për të arritur në një nivel të ri të dijes. Autori vë re se, si i fushës që është, që në studimet në lëmin e gjuhësisë mungojnë ato studime të thelluara që do të duhet të ishin premisa për të çuar në ato konkluzione që ka dashur të nxjerrë autori. Gjuhësia është një shkencë e tillë, zhvillimi i të cilës, ndryshe nga shkencat ekzaktet, mbështetet detyrimisht në dije paraprake të përftuara në vijim të studimeve komplekse e serioze konfirmuara. Pa thënë “A” nuk u thënka dot “B”, si dhe pa thënë këtë nuk u thënka dot “C” e kështu me radhë. Në këto rrethana është e natyrshme, që dikush, i cili i ka kredencialet të dijë nëse është thënë “A” apo dhe me më pas “B”, si dhe e di që as “A” e as “B” nuk janë thënë, të pretendojë se “C”, përmbajtjen e të cilës për arsye objektive nuk e njeh (doktoratura nuk është publikuar), qëndron në një farë mënyre pezull, pasi nuk mbështetet në atë që dihet dhe që autori e di ose mbështetet në atë që nuk dihet. Dija në gjuhësi u ngritka siç duket në formë piramide. Unë megjithëse nuk jam gjuhëtar arrij ta kuptoj këtë. E dyta që ngre autori, që është edhe më e rëndësishmja është, që udhëheqësi i temës nuk i paska kredencialet për të kryer këtë funksion. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për dijen publike të përftuar në vijim të proceseve kërkimore shkencore në institucione shtetërore është një veprim shumë fisnik të vihet në dukje, që ajo ka gjasa të jetë e gabuar (në rastin më të mirë) dhe manipulative, që të mos i shërbejë gjetjes së të vërtetës objektive por thjeshtë shtimit dhe mbarështimit të folklorit. Natyrisht që dalja me një kritikë kaq të drejtpërdrejtë karshi një institucioni shkencor, duke ditur edhe mënyrën se si janë të organizuara hierakitë në Shqipëri, i ka bërë gropën autorit, që ky vetë të presë ndonjëherë ndonjë ndonjë gjë miqësore më prej tyre. E parë edhe nga ky këndvështrim mbetet të thuhet se autori ka treguar me gisht pikërisht atje ku atij i duket se ka një problem shumë të madh, dhe kjo do të duhej të ishte për t’u lavdëruar. Të paktën kështu veprohet në një shoqëri të civilizuar.

  4. Po, Sonila. Autori, sic e thote vete ne krye te shkrimit, nuk e ka lexuar temen, por verej ne tekst qe jep nje numer argumentesh qe e cojne te hamendesoje se mund te behet fjale per nje (tjeter) pune qe nuk i takon nje institucioni shkencor dhe bazohet ne pseudo-shkence. Ai gjithashtu ngre problemin e drejtimit te ketyre temave, si edhe te kalimit te tyre me sukses. Une e pashe shkrimin si nje thirrje per te qene kritike dhe veprues ndaj renies se nivelit shkencor te institucioneve qe kemi ne krye te shkencave tona. Jam e sigurte qe Trako nuk eshte hallka me e dobet ne zinxhirin e problemeve; ishte nje shkas per reflektim e diskutim.

  5. E dashur presje, nese me ftojne te gjykoj/reflektoj metoden e punes se dikujt, une nuk mund te mos aplikoj te njejtin rregull per ate qe me ben ftesen. Nese promovohet nje model tjeter analize, une besoj shume tek ai/ajo qe e aplikon vete e para. Se gjykimet ne baze thashethemesh zhvleresojne cdo qellim te mire, qe mund te kete pasur. Dhe ne kete rast, as nuk e kuptoj pse nuk eshte bere kur punimi eshte i aksesueshem. Dhe jo, une s’po fiksohem me gishtin, nderkohe qe injoroj diellin.

    1. Sonila, nuk e ke kuptuar shkrimin tim – unë nuk synoj të hedh poshtë drejtpërdrejt tezat e Trakos, pavarësisht se ato i përkasin një fushe të mirënjohur si pseudo-shkencë; por vetëm të vë në diskutim legjitimimin e tyre nga një institucion publik si Fakulteti Histori-Filologji si dhe vetë titullimin e drejtuesit shkencor të kësaj teze, i cili nuk më rezulton të ketë kompetencën e duhur për të gjykuar mbi çështje të paleolinguistikës mesdhetare. Asgjë nga sa më lart nuk është thashethem. Të lutem kontrolloji gjërat që nxjerr nga goja.

    2. ne fakt punimi nuk eshte i aksesueshem aspak. Biblioteka kombetare ka bllokur aksesin ne fondin e disertacioneve, dhe nder te tjera pikerisht per ti vene kapak gjithe prapesirave te ngjashme qe ndodhin ne kerkimin shkencor ne Shqiperi. Une personalisht kam kontaktuar me ministrin e kultures dhe pergjegjesen e sektorit te bibliotekes kombetare, dhe jo vetem nuk me eshte lejuar hyrja ne kete fond, por nuk me eshte dhene as rregullorja e bibliotekes qe medemek e rregullon aksesin.

      Perndryshe, Biblioteka Kombetare ka nxjerre nje urdher te brendshem, me goje sikur veprohet ne hierarkine e bajraktareve, qe duhet marre leje nga universiteti, mbikeqyresi i temes dhe autori i disertacionit.

      1. durimpaku,
        dëgjoja një diskutim para ca ditësh në një radio publike gjermane për mënyrën e vënies në dispozicion të dijes të përftuar në vijim të proceseve kërkimore shkencore të kryera në institucionet publike gjermane dhe mendimi unik ishte, që ajo (dija) i duhet vënë në dispozicion të gjithë qytetarëve pa pagesë, të cilët janë të interesuar për të vetmen arsye, se ajo është fituar si e tillë falë financimit që i bën e gjithë shoqëria ekzistencës dhe punës së institucioneve shkencore nëpërmjet taksave. Në epokën ku jetojmë nuk është problem publikimi i punimeve shkencore dhe dhënia e aksesit për këdo, nesë kjo ka ndodhur me para publike. Sidoqoftë, nesë bëhet fjalë për doktoratura, të paktën në Gjermani, këto vlejnë si të tilla vetëm kur janë publikuar në formë të shtypur nga një shtëpi botuese dhe përveç se në treg, gjenden edhe në bibliotekat universitare në një numër të caktuar kopjesh. Tani që ty nuk të qenka lejuar hyrja në një fond të bibliotekës kombëtare, apo pengesa të tjera që të paskan dalë për të (mos) mësuar mënyrën se si mund të hysh në atë fond më kujton një film me murgj të helmuar.

      2. Durim, aksesi ne fondin e disertacioneve ka qene gjithmone i kufizuar si ne Biblioteken Kombetare, ashtu edhe ne arkivat e fakulteteve ku ruhen ato. Rregulloret gjithmone kane parashikuar lejen e institucionit dhe venien ne dijeni te autorit, nese ky eshte gjalle, per çdo konsultim te disertacionit. Kjo me qellimin e vetem per te shmangur plagjiaturat, sa kohe qe behet fjale per disertacione te pabotuara. Nuk eshte siç thua ti qe “Biblioteka ka nxjerre nje urdhet te brendshem me goje…” Keto rregulla kane ekzistuar gjithmone dhe problemi ka qene se nuk jane zbatuar rigorozisht. Si pasoje ka pasur raste plagjaturash qe kane perfunduar edhe ne gjyq.

        Rregulla te tilla nuk jane vetem ne Shqiperi. Ne universitetet italiane, p.sh. per te konsultuar disertacionet duhet leje nga disa instanca te universitetit. Ne Biblioteken e Firences ku ruhen kopje te te gjitha disertacioneve te doktoratave qe mbrohen ne Itali, perveç lejeve te posaçme, lexuesi eventual duhet te nenshkruaje nje deklarate ku zotohet se nuk do te kopjoje pjese te punimit dhe se do ta citoje ate ne menyre korrekte. Edhe ne kete rast punimi nuk mund te fotokopjohet ose te huazohet, por konsultohet vetem ne salle duke pasur perpara vetem laps e leter.

        1. Shkruan:

          Kjo me qellimin e vetem per te shmangur plagjiaturat, sa kohe qe behet fjale per disertacione te pabotuara.

          Meqë flasim për mëmëdhenë, besoj se rreziku më i madh është që të dallojë kush plagjiaturën te doktoraturat e depozituara, jo që këto t’i “plagjiojë” kush tjetër.

          1. Para vitit 1990 nuk para ndodhte qe te merreshin e te kopjoheshin disertacione te depozituara per t’u paraqitur si punime diplomash. Pas vitit ’90 dukuria mori dhene. Kryesisht diploma dhe mastera te mbrojtura p.sh. ne Tirane merreshin dhe paraqiteshin per te mbrojtur diploma dhe mastera ne Shkoder, Elbasan etj. Kjo behej e mundur sepse arkivistet qe i kishin ne dorezim, ne vend qe t’i ruanin, i shisnin ato. Shume raste jane zbuluar krejt rastesisht. Mendo se sa jane ato ku rasti nuk ka futur hundet. Ka ndodhur edhe qe jane blere disertacione dhe jane botuar paturpesisht nga bleresi me emrin e tij.

            Kjo ka ndodhur sepse nuk jane zbatuar rregullat e ruajtjes dhe te konsultimit te disertacioneve, pikerisht ato rregulla per te cilat ankohet Durimpaku.

            Para disa kohesh ketu ne blog kemi diskutuar mbi kriteret e botimeve per kualifikimin shkencor dhe mbi disa revista on-line qe ofronin mundesine e botimeve “te huaja” siç i kerkojne kriteret shqiptare. Me ate rast u sollen disa linke revistash te tilla ku botonin shqiptaret dhe une, duke u engledisur me mausin, pashe nje artikull te botuar ne anglisht qe m’u duk sikur e kisha lexuar. Atehere u kujtova per nje doktorate te Universitetit te Tiranes qe kisha lexuar para ca vitesh. Ishte kopje identike, vetem e perkthyer ne anglisht. Mirepo autori i doktorates dhe autorja e artikullit nuk ishin i njejti person. Kerkova autorin e doktorates per ta njoftuar dhe mora vesh se nderkohe kishte emigruar ne Kanada, kishte hequr dore krejt nga interesat akademike dhe punonte si bukepjekes.

            Per te shmangur situata te tilla duhen rregullat e ruajtjes se disertacioneve.
            Ne kete kuptim eshte per te pershendetur nisma e Universitetit te Tiranes qe ka vendosur t’i botoje on-line te gjitha doktoratat. Vetem se çuditerisht, siç e thashe me pare, doktorata e Trakos nuk ishte bashke me te tjerat.

            Sa per plagjiaturat te doktoratat, mos shko aq larg. Pjesa me e madhe e dispensave dhe teksteve universitare, si edhe shume monografi te shquara, mbi te cilat kemi studiuar une dhe ti, kane qene te kopjuara a ne rastin me te mire te pershtatura nga tekstet ruse. Madje ka pasur edhe monografi te vleresuara me çmime republike qe kane qene te kopjuara a te pershtatura nga tekste te huaja.

        2. Relapso, nese te kam kuptuar drejt, i bie qe nese punimi/disertacioni per mbrojtjen e doktoratures ne fjale nuk botohet, atehere ky material nuk behet kurre publik?

          1. Nese disertacioni eshte i tille qe ia vlen vertet te botohet, atehere zakonisht botohet. Jo te gjitha disertacionet jane te denja apo paraqesin interes per botim. Ato konsiderohen si pjesa perfundimtare e procesit te formimit te kandidatit, si te thuash detyra kursi te nivelit te larte. Nese kane vlera te mirefillta shkencore, sjellin te reja, atehere behen publike duke u botuar. Perndryshe mund te konsultohen neper arkiva universitetesh apo biblioteka ku ruhen, duke respektuar rregullat qe synojne te shmangin vjedhjen dhe mashtrimin.

            Cilat jane keto rregulla?:

            Nese ti je studiues apo student dhe kerkon te lexosh nje disertacion te pabotuar per te bere studimin, diplomen ose doktoraten, duhet te paraqesesh nje kerkese te motivuar, te neshkruar nga institucioni per te cilin po ben studimin, shefi i departamentit apo udheheqesi, te cilet ne kete menyre vihen ne dijeni te faktit qe ti po e shfrytezon ate material. Duke kerkuar formalisht leje per te shfrytezuar nje material te pabotuar, eshte me e veshtire ta vjedhesh ate.

        3. Relapso i nderuar, rregullorja e re e bibliotekes nuk e permbante kete piken e rregullores se vjeter, prandaj edhe nuk mu dha nje kopje e rregulllores, me motivacionin per ta perfshire.

          Tani, ky rregull bie ndesh qofte me ligjin e bibliotekave, me ligjin per te drejten e informimit te publikut dhe kuadrin ligjor te arsimit te larte. Se pari, vete juristja e bibliotekes kombetare me argumentoi se disertacionet nuk perbejne nje fond te vecante, si privat apo te ruajtur ne konfidence nga biblioteka kombetare, keshtu qe ato duhet te jene te aksesueshme per publikun, pa vendosur pengesa te tilla apo rregulla te vecanta (prandaj nuk ishin perfshire ne rregulloren e re). Edhe pse medemek duan ti ruajne nga kopjuesit.

          Se dyti, edhe pse doktoratura eshte punim individual, ajo eshte paguar me fonde publike dhe derisa eshte ne biblioteke kombetare do te thote se duhet bere publike, sikur cdo informacion administrativ, ligjor apo material kulturor. Juristja madje me sqaroi se ketu nuk hyn fare e drejta e autorit, sikur eshte frika e kopjimit.

          Se treti, kuadri ligjor i arsimit te larte vendos qe punimi duhet te publikohet. Jane standarde evropiane keto, sikur ne te gjithe boten. Perse nuk e digjitalizone fondin nese nuk duan te kopjohen. Por eshte idiotesi te mbyllet ‘dija’.

          E shikon tani qe vime verdalle mbi Dr. Trakun, dhe pse e ka botuar ne 2013 doktoraturen, qe me rregull i bie te jete publikuar, sepse UT ka publikuar te gjitha pas 2012? Pra ketu kemi te bejme me fshehje te qellimte, sepse eshte praktike e njohur qe UT-ja nuk i publikon te gjitha doktoraturat. Mjafton te krahasojme numrin e te doktoruarve me nr. e disertacioneve te publikuara, dhe do te gjendet sesa fshihen.

    3. Pasi fare pak info gjeta mbi temën e doktoraturës së sipërpërmendur, më bëri përshtypje emri i autorit grek që përmend Dr. Trako në intervistën e vetme on-line të tij, që është Ιάκωβος Θωμοπούλου. Në shqip e shoh të jepet Jakovu Thomopollu. Tani, do thoni, ç’ndryshim ka. Eh, ka ca: Jakovu (e shqipes) është gjinorja e Ιάκωβος > Ιακώβου të greqishtes, kurse Thomopollu duhet Thomopoul(l)ou, pra me një “ou” ose thjesht “u” mes germave “p” dhe “ll”. Vazhdoj të shpjegoj: është klasike, për cilindo amator të greqishtes (qoftë të lashtës, qoftë së resë), ngatërrimi i emërores me gjinoren tek emrat e autorëve në kapak të libirt (në greqishte jepen në gjinore). Si shpjegova, bëj pyetjen: Dr. Trako, do e ngatërronte, po ta dinte greqishten? Dhe, po të mos e dijë, si e paskërka bërë punimin shkencuer? Besoj, nuk e teproj, po të kërkoj pak saktësi akademike nga një mbajtës i titullit PhD, apo jo?

      Dhe, që të jem “akademaikisht” i drejtë, materialet mbi të cilat gjykoj janë:

      http://www.bshz.ch/stavri-trako-shqipja-celesi-i-disa-dialekteve-te-lashta/

      http://anemi.lib.uoc.gr/php/pdf_pager.php?rec=/metadata/7/1/0/metadata-136-0000014.tkl&do=138091_W_UOC.pdf&lang=en&pageno=1&pagestart=1&width=841&height=595&maxpage=132

  6. Autori paskesh thene: “se gjuhë pellazgjike ishin edhe “lykishtja, karishtja dhe etruskishtja.”

    Nuk di te them per gjuhet e tjera, por kjo puna e lidhjeve te shqipes me karishten mendoj se duhet pare seriozisht 🙂

    1. E bukur, pavarisht te qeshuresh…duket thjesht nje “typo”, gabimi shtypi. Besoj se flitet per gjuhen qe flisnin Karianet(Carian ose Karian), qe duhet te ishte kari(an)ishtja, banore te Anatolise joniane, qe vozisnin dhe vizitonin brigjet e Helespondit.

      Megjithate nuk duket ndonje gabim i madh, sepse origjina e fisit ishte prej udheheqesit mitik te te Karianeve, Car-it(ose Kar-it), keshtu qe varet se si e vendosim mbrapashtesen bazuar ne regullat e shqipes.

      Megjithate, nuk ishin keto fise qe futen tek grekerit venerimin falik(phallic worship), por pellasget. Keshtu qe duhet pare edhe ky aspekt, se si pellasget i bene kaq shume te dashuruar grekerit sa qe te ngrinin kudo statujat e Hermesit, perendise ne fjale. Mund te perdoret edhe si argument ne mbeshtje ose jo te origjines te perbashket me shqiptaret e sotem. 🙂

  7. Nga sa kuptohet prej intervistës – edhe pse nuk është aspak e lehtë – autori bën thirrje që tekstet homerike të transkriptohen saktë, “me ndihmën e gjuhës shqipe.”

    Vërtet aspak e lehtë, intervista është lëmsh!

    Unë e kuptoj guximin fisnik të Trakos për deshifrimin e pellazgjishtes, etruskishtes, lidishtes, karishtes, e kushedi çfarë gjuhe apo dialekti të antikitetit, por nuk e kuptoj pse i qaset teksteve homerike, pasi ato janë në një gjuhë që njihet. Nga kjo pikëpamje duket se po sjell diçka të re punimi i Trakos; gjer më sot të gjithë orvateshin të deshifronin tekste të panjohura, ky kërcënon të deshifrojë edhe ato që njihen…

  8. Nese do te meren te mireqena shpjegimet e Relapso per pyetjen qe une shtrova me lart, si dhe duke mare te mireqene se punimi i disertacionit ne fjale eshte bere ne vitin 2013, atehere une dal ne konkluzionin se ky punim nuk eshte botuar pasi nuk eshte i denje ose nuk paraqet interes per botim. Nga ana tjeter, po sipas shpjegimeve te Relapso, askush nuk mund te kete akses te lire per ta lexuar, por vetem nese je duke studjuar per te mbrojtur nje punim qe ka lidhje ose reference me punimin ne fjale, dhe se dikush tjeter mbi ty, qe mund te jete shef departamenti apo udheheqesi i temes, duhet te marre leje per ty.
    Xha xha, me vjen keq, por nuk ke asnje shans per ta shtene ne dore kete punim. lol. Mesa di une, edhe arkivat shteterore ku rruhen me fanatizem raportet dhe korespondencat e klasifikuara si “sekrete”, mbas nje periudhe kohore te caktuar (te themi 50 apo 60 vjet) hapen dhe vihen ne dispozicion publik.

    1. anakalasi,

      Eqrem Çabej ne fillim te viteve ’30 mbrojti nje doktorature ne Universitetin e Graz-it. Ajo veper, me sa di une, ende nuk eshte botuar. Kane kaluar jo 50 apo 60 vjet, por rreth 85 vjet qysh atehere. Po te ra rruga nga Graz-i provoje nje here te shkosh ne universitet dhe te kerkosh te lexosh doktoraturen e Çabejt. Pastaj eja dhe na thuaj si vajti puna 🙂

      1. Relapso, bën shaka sigurisht. Disertacionin që përmend, autori e ka shkruar në një epokë tjetër; por duke ditur se si funksionojnë gjërat këtu (Austri/Gjermani), askush nuk mund të dyshojë, që ai nuk gjendet në fondin e bibliotekës të universitetit, nëse nuk e kanë rrëmbyer rusët në 1945. Sidoqoftë, të paktën në Gjermani publikimi i doktoraturave është pjesë integrale e doktoraturave vetë. Por edhe ne Uni Graz, megjithëse nuk gjeta dot gjë nga rregullorja e doktoraturave e Institutit të Studime Gjuhësore, fakulteti i mjekësisë së atij universiteti në rregulloren përkatëse parashikon ndër të tjera për formën e doktoraturës:

        “Eine elektronische Version der Dissertation muss für die Begutachtung und zur Publikation im Internet im Format PDF/A eingereicht werden.” (Duhet vënë në dispozicion për qëllim të vlerësimit dhe të publikimit në internet edhe një version elektronik i disertacionit në formatin PDF/A.) https://www.medunigraz.at/fileadmin/studieren/med_wissenschaft/pdf/Diss-Richtlinie.pdf

        Dhe kjo është mëse e kuptueshme, po të mbahet parasysh që qëllimi i një doktorature është që të sjellë një risi në shkencë, ndryshe nga diploma që tregon kryesisht, se studenti është i aftë të kryejë një kërkim shkencor. Pra risia nuk mund të mbahet e mbyllur, nga që qenka rrezik se kopjohet, se për këtë pastaj kemi udhëheqësin e temës, i cili, duke e njohur lëndën, e di pak a shumë, se ç’gjëra me vlerë janë shkruar më parë, për të dalluar kontributin e ri nga plagjatura. Gjëra të ditura, apo jo, relapso?

        Megjithatë, nuk po flasim për publikimin. Ai zotëria ngriti zërin, se nuk e lejonin as t’i shihte doktoraturat e shkruara, gjë që e bën gjithçka edhe më skurile. Ç’të besojë njeriu më parë? Ne doktoratura sekrete?

    2. Mund të ketë hasur edhe në vështirësi tipografike botimi, për shkak të imazheve të shumta, mbishkrimeve të riprodhuara që përdorin alfabete sui generis dhe shenjave jo të zakonshme që përmban. Kushedi në dorëshkrim autori i ka shtuar ato me dorë.

  9. Duhet “te ftohen gjakrat” per te gjykuar mbi desertacionin ne fjale. Nga sa munda te mesoj nga Google, IAKOVOS THOMOPOULOS, ishte nje mjek me origjine arvanitase dhe njekohesisht njohes i mire i disa gjuheve, duke perfshire ketu shqipen dhe greqishten e vjeter. Linguistika, arkeologjia ishin pasionet e tij pervec profesioni te tij si mjek.

    Vepra e tij PELASGIKA citohet ne nje numer punimesh e studimesh akademike. Mund edhe te quhet nje linguist amator i apasionuar, por kerkush deri me sot nuk e ka kontestuar si te pavlere studimin e tij ne lidhje me leximin dhe nxjerrjen e kuptimit te nje numer fjalesh me origjine “pelasgjike” me ndihmen e fjaleve shqip. Le te ndalemi ketu, e te presim nese dikush tjeter, ndoshta vete autori i desertacionit te ofroje sqarime.

    Duke verejtur edhe saktesimin e titullit te desertacionit te Stavri Trakos, ngjan se punimi i ketij te fundit nuk duket se i ka bere ndonje “dorezim te celsave” pellasgeve, por nje kontribut per te sjelle nje informacione te panjohura nen driten e albanologeve.

    Per me teper ne lidhje me vepren e Thomopoulus gjeta nje link interesant.

    https://antonisraftis.wordpress.com/2012/01/13/pelasgjike-ose-gjuh-indo-evropiane-dhe-jo-vetm-origjina-jon-mendime-dhe-pyetje/

  10. Read Me, si edhe herë të tjera, nuk më ke kuptuar. Dhe pikërisht: kur flas për “dorëzim të çelësave” në titull, i referohem titullit të intervistës së Trakos, në linkun e ofruar: Shqipja, çelësi i disa dialekteve të lashta. Them se edhe Oliver Sacks do ta kishte pranuar këtë metaforë pa i ngritur vetullat.

    Tani, sa për punimet në fjalë, nuk themi dot gjë me siguri, sepse askush prej nesh nuk i ka parë. Gjasat që të jetë fjala për pseudo-shkencë janë të mëdha, sidomos në bazë edhe të atyre që ka thënë dr. Trakoja në intervistë – por unë nuk shtyhem më tej. Preokupimi im është krejt tjetër – dhe ka të bëjë me integritetin shkencor të departamentit të gjuhës shqipe në Fakulten H-F, të Universitetit të Tiranës.

    1. Kjo puna e te kuptuarit, po na le pa u kuptuar. 🙂

      E lexova intervisten, qe mua me la nje shije te keqe. Nuk e di se i kujt eshte faji: i intervistueses apo i autorit te pergjigjeve. Mendoj, ne rastin me te mire(giving the benefit of the doubt), se flitet per nje transkriptim te keq, jashtezakonisht te keq, nga ana e intervistuesit. Se nese doktoranti shkruan, shprehet ne shqip keshtu, atehere, vaj medet!

      Dyshimi im eshte se ka qene nje bisede e lire, qe eshte transkriptuar jashtezakonisht keq. Intervista ka shume informacion te vlefshem. por e shkruar shume keq. Dicka nuk shkon.

      Shqipja si “celes” per leximin e shkrimeve palazgjike eshte sjelle si citim nga Stavri Trako, i cili i referohet citimit te vepres Pelasgika dhe metafora ne titull “Pellasgeve po ua dorezojme celesat” te jep te kuptosh(te pakten une jam nen nje pershtypje te tille, e kuptoj keshtu) se albanologjia shqiptare, duke perfshire edhe katedren ne fjale, po i dorezohet pa kushte nje perqasjeje te tille per origjinen dhe kontributin e shqipes.

      Ky punim(me vlere apo pa vlere) eshte thjesht nje nga dhjetra desertacionet e perviteshme, qe kerkon te ofroje dicka, dhe nje interviste e para dyvjetesh, nuk ka arritur ta nxjerre dot ne “spotlight” te albanalogjise. Perkundrazi intervista nga ndoshta nje diletante ne gazetari, i ben me teper padrejtesi.

  11. E lexova me vemendje gjithë shenimin si dhe komentet e lexuesve, mirëpo problemi kryesor është ky ende;
    Pse ju në Shqipëri lejoni të ndodhin këto gjëra, si ka mundësi kjo që një institucion shtetror të kthehet në një qendër tregtare, duke perkrahur e nxjerrur Doktorra të rijnë rreth qështjes pellazge kur dihet se asnjeri prej tye nuk i kanë aftësit as minimale për të ditur se kush ishin pellazgët dhe se çfarë gjuhe flisninata e as në cilën periudh kanë jetuar ?

    Pellazë mbetet vetëm si emër i një popullësije mesdhetare mirëpo, në realitet ky është vetëm si emër koti kurse ai popull i cili erdhi në gdishull dhe i cili fliste atë gjuhë që sot ne e lexojmi në taletat egjane të Kretes e Mikenes, ne vrejmi dhe kuptojmi se ky popullpaska folur gjuhën polake !

    Punimin e Z. Stavro e kam lexuar para tri vitësh, ma ka derguar me M-ail, pasiu njoftuam në një sit interneti, por, problemi është se, as Stavro e as një studiues në Shqipëri sot nuk kupton se, jeni në rrugë të gabuar, aty në tableta shkruan; NAPUTIO=në gjuhën plake do thotë=kam derguaar, ose “u nisen mallerat në destinacion” mandej, çka kam vrejtur se, juve në Shqipëri jeni çmendur, nuk keni lidhje fare me këto shkrime, jeni si ata të sapo dalurit nga burgu i Alkatrazit !

    Deri kur do besoni në marrina të tilla, kur ju nuk e dini se nga vjen rrënja e fjalës “bukur” as “jetë” asgjë nuk dini rrethë rrënjeve të leksikut të shqipes, dhe duhet të habitemi se kur një studiuesit aqê të madh që patem si Eqrem Cabej, atij si besoni e një Arefit, Kocaqit e Stavrit i besoni se, vertete gjuha shqiepe është kërthiza e botës ?

    TURP !

    Leksiku i shqipes sot është i ndertuar prej më së 70 % nga fjalët e huaja, po mbi këta pellazgët, qe ende se keni kuptuar se ishin polakë, agrikultorë të cilët kaluan Danubin 3000 vite para se te na vinin edhe sllavë të tjerë mbi ta, por, i vetmi popull që ka mbetur mbi ata të ashtuquajturit “pellazgë” perndryshe familje skite, e që nga sumerët njihen me emrin “Gimirri” (ndoshta nga gjini i mirë) që perndryshe quhen edhe Kimiri, stergjysh te keltve, por i vetmi prej tyre në Gadishull mbetën vëllahët dhe ne shqiptarët, si dy grupe, sepse keta “gjimirri” gjeten në Ballkan edhe një popull tjetër te ardhur nga Hiberia kaukaze, (sakaçenet) janë të atij grupit, prandaj gjuha shqipe u ndertua mbi këto dy shtylla; hibere dhe polake, që mos të zgjsaim se, me këtë gjuhësin e tyre mirem 35 vite, fjala “shtekdalje” është mbetur pej gjuhës së atyre “pellazgve” perndryshe “gimirri” që do thotë; “steki dalje” në polonishe…

    Të bëhët gjith kjo rrëmuj pa e ditur se nga erdhen e kush ishin këta “pellazgë” e çfarë gjuhe flisnin, është marrëzi, turp edhe për qenderen Universitare !
    Që ne kemi lidhje gjuhësore e kulturore me këta të parët e polakve s’ka dyshim, por, duhej të studijohej ndryshe problemi pellazgjikë e jo si e bëjnë sot disa njerëz pa kompetenc..
    A jemi të gatshëm ta hapim kutin e Pandores apo jo ?
    Nëse po, atëherë jam i gatshem me dy faqe t’ua spjegoj se kush ishin dhe se nga erdhen këta pellazgët dhe se çfarë gjuhe flisnin ata, mjafton ta dini polonishten dhe vllahishten !

    Ju falemnderit për vemendjen tuaj, gjitha të mirat !

    1. I nderuar Dardan Leka, Independant Scholar, Sanskrit and Indo-European (IE) Languages,
      Ndërhyrja juaj, sinqerisht, më kujtoi një bisedë tek një prozë pothuaj të vjetër shqiptare, ajo mes Dr. Protagoras Dhallas (teleiofitos tou Panepistimiu ton Athinon) dhe Dr. Emrullahut. Unë nuk di polonishte dhe vllahishte. Por ato dy faqe kartë, do t’i këndonja me shumë qejf, po të kishit mirësinë t’i bëni publike. Se, ndonjëherë, e mira vjen nga s’e pret!
      Shëndet e të mira paçi!

  12. Na duhet të gjithëve një ndryshim drastik perspektive, për të kuptuar që, në fakt, edhe pellazgët edhe etruskët, për të mos folur për hititët, sanskritët, eukariotët dhe eteokretasit, rrjedhin prej shqiptarëve. Ky është edhe thelbi i albanologjisë alternative, që ka të bëjë edhe me një koncept revolucionar të Nastradinit, për qendrën e rruzullimit (ose relativiteti i përgjithshëm, sipas Nastradinit).

  13. E pakta qe mund te thuhet,nje gjuhetar qe merret me histori te gjuhes,me etimologji dhe gjuhesine krahasimtare,nuk mund ta beje kete pa njohuri te thella mbi Sanskritishten,Greqishten e vjeter,latinishten.Te japesh konkluzione per gjuhe te vdekura,si pellasgjishtja,hititishtja,etruskishtja dhe te mos kesh njohurite baze per gjuhet me te lashta indoeuropjane te siperpermendura,eshte si te hysh ne nje gare atletike me kembe te prera.Vete Cabeu nuk eshte marre kurre me pellasgjishten,sepse prej kesaj gjuhe nuk kemi te ruajtur asnje fjale.Kjo gjuhe i perket epokes prehistorike te gjuhes dhe me fantazira eshte ndertuar nje mirazh.Sa lidhje ka kjo me gjuhen shqipe,me gjuhen greke dhe gjuhet e lashta te rajonit,le tja leme fantazise folklorike,sepse shkenca nuk flet kur mumgon,qofte edhe nje fjale..Cabej ka qene krejt indiferent ndaj studimeve te profesor Kondes per pellasgjishten dhe punimeve te Nermin Vlores per Etrtuskishten,pasi hipotezat nuk kane baza shkencore,por diletanteske.Per problemin ne fjale nuk mund te flas pa lexuar librin,por nuk me vjen mire,qe prof.Rrokaj e leshon me bujari emrin per fasada studimesh,kur nuk eshte specialist i fushes ne fjale.Sot me shume se dje,komisjonet shkencore,qe firmosin tituj shkencore,duhet te provojne se pari nivelin yniversitar te kandidatit.A i njeh Stavri Trako shnderrimet historike te fonemave dhe morfemave te gjuhes shqipe dhe gjuheve fqinje,ne menyre qe te jape nje pasqyre te besueshme te ngjashmerise se gjuheve qe analizon?

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading