Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

HISTORI? JO, PORNOGRAFI SI ZAKONISHT

Një e përditshme e Tiranës, e cila i paraqitet lexuesit si “gazeta më e shitur në Shqipëri,” botoi këto ditë disa riprodhime litografish të karikaturistit dhe ilustratorit austriak Gottfried Sieben, të nxjerra nga libri i tij Balkangreuel, i vitit 1909.

Këto vizatime paraqitin skena eksplicite përdhunimi vajzash dhe grash të Ballkanit, disa fare të mitura, nga ana e ushtarëve osmanë, pas gjase gjatë luftrave ballkanike ose kryengritjeve të vendeve të Ballkanit kundër Portës së Lartë.

Vështirë të thuash se ku kalon kufiri, në këto imazhe, midis paraqitjes së dhunës seksuale dhe pornografisë. Disa komentues mendojnë se vepra të tilla kanë edhe vlerë historike, të tjerë i likuidojnë ato si trash.

Mënyra e trajtimit të skenave në litografitë nuk lë dyshim se kemi të bëjmë me manipulim: nga njëra anë trupat e bardhë, të bukur dhe të riprodhuar sipas kanoneve klasike, të femrave viktima; nga ana tjetër ushtarët osmanë, esmerë, mustaqellinj dhe të zgurdulluar, mishërim i atyre klisheve të orientalizmit që ende sundonin psikologjinë kolektive të Europës aso kohe.

Gottfried_Sieben_-_Balkangreuel_-_02

Nuk jap dot gjykim prej eksperti për vlerën “historike” të këtyre materialeve, sepse me gjithë kërkimet që bëra, nuk arrita të gjej nëse autori i tyre ka udhëtuar në Ballkan apo jo, dhe nëse ka qenë dëshmitar i dhunës ndaj popullsisë civile nga ana e palëve ndërluftuese, ose edhe vetëm nga ana e osmanëve.

Mund të them diçka vetëm për tekstin që shoqëron riprodhimin e tyre te faqja shqip e lartcituar, ku flitet për “gjenocid përdhunimesh dhe vrasjesh mbi femrat shqiptare, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, të cilat ishin të krishtera dhe nuk pranonin të ndërronin besim.”

Sepse, në fakt, unë nuk arrij të gjej ndonjë gjë shqiptare në vajzat dhe gratë në skicat[1]; dhe as shenja shtrëngimi për “ndërrim të besimit”[2] – por vetëm alegori të përdhunimit brutal të Europës së Krishterë nga Azia.

Na thuhet edhe se “më së paku 3 nga skicat janë realizuar në Kosovë”; çfarë, për autorin anonim të artikullit, nënkupton se “femrat shqiptare të Kosovës dhe të Veriut të Shqipërisë janë disa prej viktimave në këto skica horrori…”

Që ushtarët osmanë të kenë përdhunuar vajza dhe gra në Kosovë, në fillim të shekullit XIX, kjo më duket pak e ekzagjeruar; përkundrazi, ka prova të shumta, që kryengritësit anti-osmanë të vendeve ballkanike fqinjë me shqiptarët kanë kryer masakra dhe përdhunime ndaj popullsive shqiptare myslimane; përfshi këtu edhe serbët ndaj shqiptarëve!

Roald Hysa, në një shkrim të botuar te “Te Sheshi” e sqaron këtë mirë, duke përmendur edhe raportet që dërgonte Leon Trockij si korrespondent nga Ballkani, për krimet sllave të atyre viteve (le të mos harrohet këtu as masakra e Lumës); por edhe çfarë ka ndodhur, bie fjala, pas pushtimit të Janinës nga grekët në 1913.

Si osmanët, si ballkanasit që luftonin kundër tyre, kanë kryer krime të rënda kundër popullsive civile; por, sa i përket shqiptarëve dhe fatit të tyre në atë periudhë të turbullt, nuk ka dyshim se ata kanë vuajtur më shumë nga mizoritë e fqinjëve.

Po lejohem të ricitoj Fishtën, nga artikulli i Hysës:

Kur qe, shtetet e vogjël të Ballkanit, – qi Shqipninë e kanë pasë mbajtë si një trashigim të tyne – tue pa se nëpër autonomi Shqipnia po u dilte dore përgjithmonë, çohen e i qesin luftë Turqisë. E vërtetë qi nji pjesë e shtypit evropjan e përshndeti këtë luftë si nji luftë kryqtare për librim të popujve kristianë prej zgjedhës otomane: por ajo, në vetveti, nuk kje tjetër, veçse nji luftë rrënimi çue peshë prej kristjanëve të Ballkanit për me rrënue Shqipninë e me humbë të mjerin kombin shqiptar.

Dhe sa për përdhunimet masive, në Ballkan dhe pikërisht në Kosovë, skicat trash të një shekulli më parë, të një ilustratori austriak, nuk mund dhe nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se si janë sjellë para-ushtarakët serbë në Bosnjë dhe në Kosovë – vetëm këtu e 20 vjet të shkuara – ndaj popullsive të pambrojtura myslimane.

Shumë ka për të reflektuar, për përdhunimin masiv të grave dhe të vajzave, gjatë luftrave, sidomos atyre të pista. Edhe pse vjen në trajta seksuale, ky akt synon poshtërimin total të Tjetrit, siç e kemi parë tash së voni në Ballkan. Asnjë komunitet luftëtarësh nuk është imun ndaj gjestit; edhe pse një mendësi e mbyllur, e mbrujtur në urrejtje dhe frustracion, mund të ndihmojë.

Vizatimet e ftohta dhe manipulative të Sieben-it u japin një kombësi dhe një fe përdhunuesve; sikurse i japin kombësi dhe fe palës së përdhunuar – jo për hir të së vërtetës historike, por për ta riprodhuar mitin orientalist të turkut osman mysliman egërsirë, që kërkon të penetrojë seksualisht gratë dhe motrat “tona”; dhe, më keq akoma, këtë mit orientalist, burim jo pak mizorish gjakatare në Ballkan edhe kundër shqiptarëve, kërkon ta riprodhojë në një kontekst konsumi pornografik.

Historia e Ballkanit, fati tragjik i këtij rajoni të kapur peng midis perandorive të mëdha, shndërrohet kështu në një peep hole, ose një orific të errët përjetimesh ekstatike, për perversët e kësaj bote.

Litografitë e Sieben-it shembëllzojnë dhe mishërojnë orientalizmin në formën e vet më brutale – si kombinim të erotizmit të haremit, ashtu siç përfytyrohej ky nga Europa dhe arti perëndimor, me kundërvënien midis pafajësisë europiane të bardhë dhe Orientit të zi; ose kulturës së krishterë me barbarizmin Lindor.

Prandaj edhe janë përdorur për të përligjur njësimin – që bënin shumë prej ballkanasve të krishterë – midis shqiptarëve myslimanë dhe turqve; madje duke shkuar deri atje sa t’i paraqitin si të etnisë “shqiptare” përdhunuesit.

Sikurse edhe janë përdorur, të nxjerra krejt nga konteksti historik, për të ilustruar masakrat e turqve myslimanë kundër armenëve të krishterë, të cilat do të ndodhnin vite më pas.

“Libër të rrallë”, e quan botimin e parë të litografive media shqipe në fjalë; duke e përligjur këtë me natyrën licencioze të imazheve të riprodhuara.

Edhe pse fakti që ky libër është i rrallë mund të shpjegohet me natyrën “trash” të përmbajtjes së tij; sikurse mund të shpjegohet me faktin që, ç’prej shumë dekadash, publiku i qytetëruar në Europë dhe gjetiu – me pak përjashtime të detyruara – nuk eksitohet më seksualisht nga përdhunimi i vajzave dhe grave.

Enigmatik edhe pohimi i tanishëm se “këto ilustrime sapo kanë ridalë në treg pa censurë” – meqë në tekst nuk jepet asnjë burim për ta mbështetur këtë; dhe imazhet i gjen lirisht online (prej nga edhe i ka marrë gazeta në fjalë). [3]

Unë besoj se vizatimet e Gottfried Sieben-it mund të kenë vlerë për historinë e artit vjenez trash dhe, në përgjithësi, të pornografisë austro-hungareze; kushedi edhe për të ilustruar dhe rindërtuar përfytyrimet orientaliste të Mittel-Europës (edhe ato në prag të pornografisë), në lidhje me Ballkanin mysliman; por jo për historinë e Ballkanit dhe të raporteve të tij me Perandorinë Osmane gjatë fillimshekullit XX.

Riprodhimi i tyre masiv i tanishëm, nga një media mainstream, vetëm sa ia ushqen stereotipet fetare dhe kulturore pjesës më të prapambetur, brutale dhe reaksionare të publikut që kanë arritur të krijojnë mediat shqip me këmbëngulje të admirueshme; duke shtuar këtu edhe se pikërisht imazhe të tilla gjetiu shfrytëzohen, për të ushqyer stereotipet fetare dhe kulturore antishqiptare të mediave simotra të kësaj tonës, në vendet fqinje; kur nuk shfrytëzohen për të nxitur mëritë dhe konfliktet ndërfetare. Përzierja midis paragjykimit fetar dhe viktimizimit seksual gjithnjë ka rezultuar shpërthyese.

Pa çka se më mundon dyshimi që një pjesë e mirë e shfletuesve, nuk do të shtyhen më tutje se konsumimi thjesht pornografik i trash-it të Sieben-it.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të një administratori të blogut.


[1] Përkundrazi, në njërën prej litografive, disa prej ushtarëve “turq” më duken si me veshje tradicionale të malësorit shqiptar; por mund të jenë edhe malazezë, ose kushedi ç’tjetër. Tek e fundit, nuk mund të pritet saktësi detaji te një manipulator si Sieben-i.

[2] Nuk kam dëgjuar kurrë për përpjekje të ushtrive osmane, në Ballkanin e fundshekullit XIX, fillimshekullit XX, për t’i detyruar popullsitë lokale të ndërrojnë fe dhe të përqafojnë Islamin; përkundrazi, dihen raste të tilla si ai i Gjakovës, kur në pranverë të vitit 1913 shumë shqiptarë të fesë katolike u konvertuan me dhunë në ortodoksinë serbe, prej priftërinjve serbë të ndihmuar nga ushtarakët. Të shihet edhe ky raport. Edhe po të jenë të tepruara ose të anshme këto të dhëna, është sërish e turpshme që vizatimet e Sieben-it të paraqiten tani si dëshmi historike të atyre kohëve – nga një media shqiptare!

[3] Riprodhimet e kujdesshme në faqen shqip të lartcituar duhet të jenë marrë hua, sigurisht me leje, nga artforgers.com; siç e tregon kodi i trupëzuar në imazhet.

Pa Komente

  1. Lajmi u percoll si botim i shumepritur e gati si zbulim sensacional. Nderkohe gjendet ne wikipedia. Problemi fillon tek mungesa e profesionalizmit dhe e respektit per lexuesin. Nuk jepet asnje informacion rreth botimit, pra kush botoi cfare, ku dhe kur, pasi skicat mund te jene edhe pjese e nje serie per çamçakize, shrepese ose çadra plazhi. Qe ketu lajmi eshte i dyshimte.
    Pohohet se behet fjale per perdhunim femrash ballkanase nga turq dhe nenvizohet karakteri fetar i aktit. Pervec rrobave te grisura, fytyrave te deshperuara e pjeseve intime, eshte e pamundur te konstatohet kombesia, pervec nese gazetaret jane aq te afte sa e dallojne zogun kur eshte shqiponje. Le pastaj feja. Vetem nje skice ka skenografi fetare sepse orgjia duket qartesisht e projektuar ne nje kishe ortodokse, por alfabeti cirilik nuk konsiderohet simbologji fetare shqiptare.
    Perdhunuesit, perkundrazi, jane me te qarte ne simbologjine e ofruar nga veshjet. Nga feset osmane – jo turq – dhe disa çallma transmetohet imazhi qe autori ka per osmanet ose turqit. Disa skica paraqesin perdhunues qe ngjasojne me kostumet e çetnikeve, por edhe te andharteve (siç mund te konstatohet te karikaturat e shtypit shqiptar te kohes botuar nga diaspora e Sofjes). Per ironi, njera nga skicat paraqet 4 perdhunues me kostume tipike shqiptare. Kjo mjafton per te kundershtuar titujt e te gjitha gazetave e portaleve qe e moren shkrimin nga njeri-tjetri ne kete prostitucionin tone informativ.
    Kapelja qe kane pothuaj te gjitha femrat ne koke, e njejte me disa ushtare qe shtien mbi disa kundershtare me uniforme te qarte osmane, kisha ortodokse sllave, miksimi me dhunues shqiptare, serbe, greke e osmane, jane gjurme qe sugjerojne se ngjarjet e pershkruara nga autori – i cili duhet vertetuar nese ka shkelur ndonjehere Ballkanin – ndodhin ne Maqedoni.
    Ka klishe te orientalizmit europian, sigurisht, por skicat jane vijim te mekanizmit te seksualizimit te armikut qe Europa fillon te eksperimentoje nga fundi i shek. XIX. Nje here qe identifikohet armiku, ai paraqitet ne aktin e dhunimit seksual te femres sone, qe personifikon kombin, i cili dhunohet bashke me femren. Perdhunimi eshte edhe akt shoqeror me valence teper negative, ne nje periudhe kur seksualiteti vijon te konsiderohet riprodhues. Skica te tilla ka me dhjetera ne France, Britani, Gjermani, Itali, Rusi, Austro-Hungari etj. Gjermani qe perdhunon Marianen (Francen) mund te gjendet rendom nga kjo shpure gazetaresh injorante, pa shfletuar George Mosse, Alberto Maria Banti etj. Kesisoj skicat e Sieben-it (nje gazete e kishte shkruar ‘Shtate’), jane tereisht ne harmoni me kete forme raportimi me Tjetrin. Pa hyre pastaj ne boten personale te autorit.

  2. Ndër litografitë ose karikaturat e kësaj periudhe që kam ndeshur (jo fotografi), të cilat i mëshojnë nacionalizmit apo luftës për çlirim, duke e paraqitur uzurpimin territorial si përdhunim të femrës, këto të Sieben-it janë ato me femrat më të zhveshura, sikurse me simbole etnike konfuze. Sa për shembull, mund t’i hidhet syri një faqeje të British Library, ku tematizohet mobilizimi i figurës së femrës gjatë Luftës I Botërore:

    http://www.bl.uk/world-war-one/articles/women-in-world-war-one-propaganda

    Sidomos një prej imazheve, “Germany’s Impending Doom”, prek dukshëm temën e përdhunimit, por dhuna dhe frika dominon dimensioni erotik. Ndryshe tek Sieben, që reflekton një “gutter orientalism”, ku e ku me orientalizmin e sofistikuar të një Wilde a Beckett.

  3. unë nuk arrij të gjej ndonjë gjë shqiptare në vajzat dhe gratë në skicat[1]; dhe as shenja shtrëngimi për “ndërrim të besimit”[2] – por vetëm alegori të përdhunimit brutal të Europës së Krishterë nga Azia.

    Nuk di nese ke pare librin e Ferid Hudhrit “Shqiperia dhe Shqiptaret ne Artin Boteror”, por edhe atje kam shume veshtire te gjej subjekin specific ‘shqiptar’ nder morine e fustanellave, dhe ‘oriental headgear’ ne pergjithesi.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading