dyzet rregulla doracake
1. gjithnjë fillojini fjalitë me shkronjë të madhe.
2. Përdor vetën e dytë shumës, kur u drejtohesh eprorëve ose njerëzve që nuk i njeh.
3. Trepikëshi… tradhton… shenjat e para… të Alzheimerit.
4. Të mos përdoret pa vend pësorja.
5. Mos përdorni pleonazma të kota, të tepërta dhe të panevojshme.
6. Purifikojeni ekspresionin nga forestierizmat.
7. Kur përdoret, me vend presja ia hijeshon, ritmin frazës.
8. Tregoni kudjes për drejtëshkrimin.
9. Kallzuesi gjithnjë duhet të përshtaten në numër me kryefjalën.
10. Më mirë pini më pak kafe, se ta teproni me pikëçuditëse!!!
11. Bëjuni derman turqizmave, ju kam rixha…
12. Duhet me e shmangë paskajoren gege.
13. Kujdes nga metaforat e përziera: shapi nuk bëhet sheqer.
14. Mos e fyeni lexuesin, morracakë!
15. Mos ngatërroni fjalë si arë dhe arrë, radhë dhe rradhë.
16. Mos i vini në “thonjëza” fjalët thjesht për t’i nxjerrë në pah.
17. Mos e teproni me citate latine ad usum delphini.
18. Kllapat janë lemza (në kuptim figurativ) e shenjave të pikësimit (e them me shaka).
19. Ruani njëtrajtësinë e vetës, kur i drejtohesh dikujt me shkrim.
20. Numra si 1, 2, 3, 4 dhe 5 duhen shkruar si fjalë.
21. Perdorni te tridhjetegjashte shkronjat e gjuhes.
22. Është e gabuar t’a shkruash fjalën ta me apostrof.
23. Gjithnjë vendosni një pikë në fund të fjalisë
24. Ç’i shtyn vallë disa të përdorin një varg pikëpyetjesh???
25. Mos përdorni theksa, për të dalluar midis homografeve, si para dhe pará.
26. Shmangni shkrt. e panvjshm.
27. Emrat e përveçëm të huaj, si Washington ose Nietzsche, duhen shkruar ashtu siç shqiptohen.
28. Emrat e përveçëm të huaj, si Washington ose Nietzsche, duhen shqiptuar ashtu siç shkruhen.
29. Dypikëshi: gjithnjë përdoret në fund të një fjalie të plotë.
30. Emrat e gjuhëve, si Shqip, Italisht, Hungarisht, shkruhen gjithnjë me shkronjë të vogël.
31. Emrat latinë të sëmundjeve, si ileti, ashkthi, burthi, fruthi, gërhaçi, dhjamthi, përdhesi, majasëlli, i thati në lukth, skrofulla, grahmëza, shapthi, oftikaja, shytat duhen shkruar me korsive.
32. Mos e teproni me shënime në fund të faqes.[1]
33. Trepikëshi i mbyllur në kllapa katrore shënjon […] vendin kur duhet të merrni frymë kur e lexoni […] tekstin me zë të lartë.
34. Emrat mashkullorë që e formojnë shumësin me prapashtesën –ra, e ndërrojnë gjininë në shumës, p.sh. zëra të rinj, libra të reja.
35. Gjithnjë fjalinë dëftore duhet ta filloni me kryefjalën.
36. Alfabeti i shqipes, nga A-ja te Z-ja, përmban 36 shkronja.
37. Fjalët e krijuara rishtas pa nevojë e shpasurojnë gjuhën.
38. Siç e ka thënë më se një herë edhe Faik Konica, verifikojini citatet para se t’i përdorni.
39. Antonime quhen fjalët me kuptim të kundërt, p.sh. katolik/ortodoks
40. Sinonime quhen fjalët me kuptim pothuajse të njëjtë, p.sh. katolik, ortodoks (me kuptimin i krishterë)
[1] Përveçse kur e shihni të domosdoshme.
© Peizazhe të fjalës. Ndalohet kopjimi dhe ribotimi pa lejen e një administratori të blogut.
P.S. Mos kurseni aty ku s’duhet: rregulli gjinores e do nyjen e vet.
P.P.S. Mendohuni mirë, thoni ç’keni për të thënë në bash të tekstit e mos e teproni me “postscripta”.
P.P.S. Mos e bëni baltë as me pedantizma të tipit “mos” dhe “duhet”.
Bjeri shkurt: Mos lexoni me median!
Median nuk e lexon më njeri 😉 Të gjithë shohin vetëm fotografitë dhe klikojnë.
Nje menyre e mire qe lexues-shikuesi te ndihet kryefjale tere kohen. Gjynah, mbetem pa nje fajtor.
Permbajuni numrit te caktuar nese i keni listuar argumentet tuaja.
Kujdesuni qe te mos kaperceni numrat ose ti fshihni ato neper rreshta, pervecse nese deshironi te shkaktoni konfuzion tek lexuesit. 42. Ne keto raste qetesoheni lexuesin qe te mos humbase toruan.
Hahaha!…,
nuk eshte cituar kryesorja …pergjysmoheni shqipen nga turqizmat
Kujdes kur jepni këshilla për drejt(ë)shkrimin: ju vetë e keni shkruar gabim fjalën drejtshkrim.
Genti, të gjitha këshillat e përmbajnë, në tekst, gabimin që duan të shmangin. Në vend që të dyshoni se autori mund ta ketë gabim, pyesni më parë veten se mos jeni ju që nuk keni kuptuar gjë. Kjo metodë e ka suksesin të garantuar.