RENDITJE LAJMESH TË RËNDËSISHME

Tashmë Shqipëria i ka larë hesapet me të kaluarën. E thotë prestigjiozja Vaqarri Times, ku argumentohet me hollësi përse e tashmja e vendit të shqiponjave nuk ka lidhje aspak me të kaluarën.

Një nga argumentet më bindëse është liria e shtypit dhe psikologjia e tij. Aktualisht, thuhet në të përditshmen e njohur që botohet vetëm në nëndialekt, jemi të lirë të botojmë çdo gjë, çka ishte ëndërr deri dje.

Atë që deri dje mund ta thoshim pasi kishim zbrazur një shishe konjak Skënderbeu, sot mund ta themi pa frikë në faqet e gazetave. Kjo është liria e vërtetë. Me ndryshimin që dje mund të përfundoje në burg, po të flisje për bijtë e bllokut, kurse sot bëhesh i famshëm në rrjetet sociale. Ndryshimi është thelbësor. Nga ana tjetër, ndërsa dje kishte smirë e habi, sot ka vetëm kuriozitet e dashuri.

Si shembull jepet suksesi i lajmit për fëmijët më të bukur të politikanëve të trojeve shqiptare. Ky lajm u ribotua nga gazetat shqiptare dhe u klikua shumë, si provë për lirinë që gëzon publiku shqiptar, por edhe si dëshirë për ta bashkuar hapësirën virtuale shqiptare, nëpërmjet fëmijëve të politikanëve.

Drejtori i përgjithshëm i gazetës Vaqarri Times, z. Shijak Petrela, u shpreh ekskluzivisht për mediat shqiptare se organi që ai drejton, pikërisht duke u nisur nga suksesi i lajmit për fëmijët e politikanëve, ka ndër mend të bëjë disa reportazhe për tema të ngjashme.

Ja disa prej tyre:

– Fëmijët më të gjatë të politikanëve (por do të jetë një krahasim historik, duke filluar nga djali i Skënderbeut, që thonë se ishte më i gjatë se i ati);

– Fëmijët më të zgjuar të politikanëve (kjo do të jetë shumë e vështirë, sepse do të gjykohen sipas diplomave)

– Fëmijët më sportivë të politikanëve (do të përfshihen të gjitha sportet, përfshirë hockey dhe cricket)

– Fëmijët më trendy të politikanëve (do të konsultohen stilistët më të mirë në botë)

Por gazeta e njohur, nëpërmjet gojës së drejtorit të vet, ka ndër mend të bëjë disa klasifikime të tjera, që do të japë përmasën popullore të lajmit. Ja disa prej tyre: Shoferi më i bukur i ministrit, Drejtori më i pashëm i administratës, Sekretarja më seksi e ministrive, Gazetarja me qerpikët më të bukur, Këngëtarja me videoklipin më të bukur, Portieri më hot i institucioneve, Sekseri më simpatik i drejtësisë, Gjykatësi më i nxehtë i drejtësisë, Thashethemexhiu më sharmant i lokaleve…

Madje në fund, do të bëjmë edhe klasifikimin “Klasifikimi më i mirë”, të cilin do ta vendosin lexuesit nëpërmjet klikimeve online.

Të gjitha këto klasifikime, por edhe të tjera se presim sugjerime nga publiku, thotë z. Shijak Petrela, do të përfshijnë të gjitha trojet shqiptare, madje edhe fshatrat arbëreshe. Këto janë lajme shumë të rëndësishme, sepse japin informacion për publikun, i cili duhet ta njohë mirë realitetin që e rrethon. Kjo është detyra e shtypit, kjo është frontiera e re e gazetarisë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: