Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

SA PËR TË LARË DUART

Unë i nënshkruari dr. Besho Likustra, në lidhje me sa m’u kërkua të sqaroj për të ashtuquajturën kontroversí të qenit të ngordhur, i relatoj publikut sa më poshtë vijon:

Është e vërtetë që kam shkruar, më dt. 12 gusht 2015 ora 23:00, në faqen time personale në Facebook, se “Sapo pashë një qen të ngordhur në këmbët e monumentit tonë kombëtar.” I njëjti tekst është rimarrë pastaj dhe është botuar pa ndryshime në llogarinë time @BeLiku në Twitter.

Ky rrëfim i shkurtër përcillte një eksperiencë timen reale, po atë mbrëmje, teksa kthehesha në shtëpi nga restorant “Tym-Shishja”, te Rruga e Lëkurëve.

Jam në dijeni për polemikat e ndezura kohët e fundit rreth monumentit kombëtar në fjalë, madje kam marrë disa herë qëndrim publik, për të ardhmen e atij monumenti në kontekstin edhe të reformës urbanistike që po mëton të ndërmarrë kryetari ynë i ri i Bashkisë, Pleurat Dhuta.

Rrëfimi im, se më kish zënë syri një qen të ngordhur në këmbët e monumentit tonë kombëtar donte të thoshte pikërisht se unë kisha parë një qen të ngordhur në këmbët e monumentit tonë kombëtar.

Prandaj kritikat që m’u adresuan, po atë natë por vonë, në emisionin “Facebook Spy”, të Tatian Murselit, se unë po ndillja, alegorikisht dhe pa asnjë argument, kolapsin e lëvizjes nacionaliste kombëtare tashmë të drejtuar ad interim nga koloneli në lirim Myfti Spahidhaqi, nuk kanë ndonjë bazë.

Të nesërmen që pa gdhirë, këto kritika u rimorën nga e përditshmja “Hermes”, nga faqet e së cilës Kujtim Lëndina – vetë Kujtim Lëndina – më akuzoi se e kisha rrëfyer historinë time si të ishte fjala për një Act of God, a thua se ky “qen i ngordhur” kish rënë nga qielli te këmbët e monumentit apo e kish hedhur atje ndonjë tornado apo kapriçio tjetër e natyrës, në një kohë që ishte e qartë për të gjithë se atë e kish vënë një dorë përçarëse dhe provokatore, e cila nuk përjashtohej edhe që ta kish vrarë vetë qenin paraprakisht.

Unë paskësha qenë një nga ata që mbyllja sytë para rrezikut të terrorit anti-nacionalist dhe përdhosjes së shenjave dhe simboleve të shenjta kombëtare, duke u mjaftuar t’i konstatoja këto akte, në vend që t’i dënoja me forcë dhe po aq haptazi, sa ç’dënoja edhe teprimet (e imagjinuara) të nacionalizmit.

Çdo qytetar tjetër, vazhdonte z. Lëndina, do të kish marrë në telefon policinë, për ta denoncuar menjëherë këtë terror psikik që po ushtrohet ndaj historisë sonë kombëtare dhe atyre pakëve prej nesh që ende guxojnë t’i dalin kësaj historie në mbrojtje pa u akuzuar sakaq si shpellarë.

Lëndinës iu përgjigja, menjëherë dhe sërish në Facebook, se qeni mund edhe të kish ngordhur natyrshëm te këmbët e monumentit kombëtar; sepse kur qenit i vjen për të ngordhur, edhe këmbët e një monumenti kombëtar janë vend i mirë për të dhënë frymën e fundit; pa folur pastaj për zërat që qarkullojnë, se mayor Plarent Pleurat Dhuta ka marrë tashmë vendimin sekret për ta ndryshuar në mënyrë radikale politikën e mëparshme, të butë dhe tolerante, të paraardhësit të tij Lavdërim Shqyta, ndaj qenve të rrugës dhe qenieve të tjera të ngjashme, disa madje me dy këmbë (!).

Ndërkohë gati më kish shpëtuar një kritikë tjetër, këtë herë tek e përjavshmja “Dita”, se unë si Likustër, duke shkruar atë që shkrova në Facebook, e kisha konfirmuar tashmë qasjen time sipërfaqësore dhe cirkumstanciale ndaj dukurive që, një penë dhe një mendje tjetër, do t’i kish analizuar ndryshe. Kritika më vinte nga magister Trina Paushalli, një prizrenase e natyralizuar në Tiranë, e cila më qortonte, mes të tjerash, se – në vend që të mjaftohesha me konstatimin e një fakti në vetvete të pakuptim – mund të kisha hulumtuar nëse ka ndodhur herë tjetër më parë që të gjenden qen të ngordhur në këmbët e monumentit kombëtar ose në këmbët e çdo monumenti tjetër të krahasueshëm; dhe të isha konsultuar me literaturën përkatëse për sulmet dhe dëmtimet simbolike të monumenteve.

Nuk ka rrëfime të thjeshta ose fotografime të “realitetit”, shkruante Paushalli, duke huazuar rëndshëm nga Susan Sontag; dhe nëse kuptimin refuzon t’ua japë këtyre autori, atëherë do t’ua japë lexuesi – dhe nëse ndodh kështu, atëherë ata kanë fituar.

Në emisionin “Mëngjesore” në Top-Klan Channel, gazetari dhe intelektuali publik Mujë Karakulla, duke iu referuar edhe ai shënimit tim në Facebook një natë më parë, m’u drejtua virtualisht mua për të më pyetur, në mungesë, pse nuk isha afruar te monumenti për të verifikuar nëse qeni ishte vërtet i ngordhur, apo mos vallë ishte thjesht duke marrë një sy gjumë ose përgjonte për një lepur putativ; apo edhe ishte i plagosur rëndë nga ndonjë vandal dhe kish nevojë për ndihmën e shpejtë ose thjesht ngrohtësinë njerëzore në çastet e mbrame. Si jemi katandisur kështu, shpërtheu Karakulla, që kthejmë kokën nga ana tjetër sa herë që befas përballemi me ndonjë sfidë ndaj meskinitetit tonë moral, ose një ftese të telegrafuar nga – dhe këtu ai kish ngritur gishtin nga lart, duke e drejtuar për nga qielli – Ai Lart, për t’i dalë zot realitetit.

Këtë e mora vesh vetëm më pas; sepse përndryshe do të kisha telefonuar edhe unë te “Mëngjesore” në Top-Klan Channel, për të shpjeguar se qeni në fjalë dukej që kish ngordhur për nga pozicioni rigor mortis që i shquhej qartë edhe nën dritën e zbehtë të neonit dhe, sidomos, për nga kutërbimi opak që lëshonte përreth; dhe se për ta verifikuar këtë, do të mjaftonte një thirrje te numri i gjelbër i kompanisë “Sfungjer”, që paguhet me fonde publike për pastrimin e monumenteve në qytetin tonë.

Po te “Mëngjesore” paskësh ndërhyrë impromptu me Skype edhe antropologu prof. Apollon Afezolli që nga Dhërmiu ku po kalon pushimet, për të shpjeguar se çfarë domethënieje okulte ka pasur qeni i ngordhur në shekuj, në fetë dhe bestytnitë e Lindjes dhe të Perëndimit, dhe si ka lindur tradita e mbrapshtë e vendosjes së këtij objekti në këmbët e monumenteve, sidomos në kohë trazirash dhe kthesash kritike për komunitetet. Dr. Likustra mund ta marrë lehtë këtë incident, madje edhe të bëjë shaka me të, tha prof. Afezolli, dhe pastaj lidhja u ndërpre për te mos u rivendosur më.

Dy orë më pas, i erdhi radha dr. Theth Kaziut, këshilltar akademik për kujtesën historike, të linte një shënim të gjatë, rreth 2000-fjalësh në Facebook, ku më sulmonte që në krye si “Ponc Pilat” dhe “sehirxhi kontemplativ (!)”, meqë vetëm ashtu mund të shpjegohej, shkruante ai, fakti që unë nuk isha turrur sakaq që ta largoja qenin e ngordhur nga hapësira sakrale e monumentit, por kisha vazhduar rrugën i qetë, drejt rehatit sibaritik të shtëpisë sime dhe Facebook-ut, që më garantonte distancë të sigurt nga vendi ku konsumohen dramat urbane.

Çfarë qytetari është ky dr. Besho Likustra, revoltohej Theth Kaziu, që ia arrin të qëndrojë indiferent para një fyerjeje të tillë? Çfarë shqiptari është ky xhanëm? Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për monumentin, vazhdonte ai, por për të gjithë ne, që e kemi ngritur atë monument dhe që besojmë në vlerat e simbolizuara prej tij.

“Turpi është juaji, Besho Likustra!” e hapte faqen e vet kryesore sajti online Cilido; me një editorial të panënshkruar, që i kërkonte shkaqet e indiferencës sime te një varg qëndrimesh nihiliste, kozmopolite dhe anti-kombëtare, në kohën kur unë drejtoja sajtin online ResPolitica dhe e paskësha shndërruar atë “në një fole të antishqiptarizmit pervers.” E njoha dorën pas atij editoriali: askush tjetër, veçse shumë-fytyrëshi Tatian Murseli i emisionit “24 orë hapur,” që kish huazuar, mes të tjerash, edhe një numër manierizmash retorike të Kujtim Lëndinës nga pak orë më parë në “Hermes”.

Sot na thonë se ka qen të ngordhur poshtë monumenteve kombëtare, bubullinte editoriali i panënshkruar i Cilido; nesër do të na thonë se këto monumente po vlejnë vetëm si vende ku të shkojnë e të ngordhin qentë; dhe pasnesër do të kërkojnë heqjen e tyre – të monumenteve jo të qenve – në emër të higjienës së bashkëjetesës qytetare. Besho Likustra me pleshtat që i sillen rrotull në FB i sjell kështu, objektivisht, më shumë dëm çështjes sonë se edhe vetë armiku; meqë ky ua hap rrugën, madje ua bën gati fitoren, atyre që mezi ç’presin sa të na shohin edhe ne të rrethuar nga qen të ngordhur dhe në prag të ngordhjes.

Cilido i linte megjithatë vend, në anë të faqes, edhe një kursivi të Gojart Bajagisë, të televizionit kosovar “Kaja”, i cili shtronte hipotezën – qoftë edhe thjesht kundërfaktuale – që nuk paskësh pasur as qen të ngordhur, as shëtitje rastësore të Likustrës pranë monumentit kombëtar; dhe se unë, me shënimin në Facebook, kisha dashur të tërhiqja vëmendjen e lexuesve të mi për degradimin e monumenteve kombëtare, në botën e sotme të gëlltitur nga virtualiteti. Qeni i ngordhur për të cilin flet miku im dr. Beshoja, shkruante Bajagia i televizionit “Kaja”, është indiferenca jonë, e të gjithëve, ndaj vlerave kombëtare dhe virtyteve që kemi monumentalizuar dikur në bronz.

Një komentues anonim, i këtij kursivi, vërente me këtë rast se ne po i trajtonim qentë e rrugëve edhe më mirë se monumentet kombëtare – ato prej bronzi dhe ato të tjerat, në memorien kolektive; sepse qenve të rrugëve ndonjëherë edhe u jepnim diçka për të ngrënë, ose së paku tregoheshim të mëshirshëm me ta dhe i helmonim, si kryetari i tanishëm i Bashkisë, Pleurat Dhuta (të cilit anonimi ia kish shkruar emrin, kushedi pse, si Perikli).

Sikur të mos mjaftonin këto sulme të shumanshme nga kolegë të mi dhe profesionistë të fjalës, ia ku i erdhi radha edhe vetë kryetarit të Bashkisë Dhuta, në daçi Pleurat në daçi Perikli, i cili dha ballë para kamerave të Top-Klan Channel, për të përgënjeshtruar zhurmat se Bashkia po helmon në mënyrë masive qentë e rrugëve dhe për të siguruar qytetarët se organet e ruajtjes së rendit po bëjnë gjithçka ç’mund të bëhet, për ta zbardhur krimin dhe gjetur se kush e lëshoi atë qen të ngordhur në këmbët e monumentit kombëtar (të cilit mund edhe t’ia kenë marrë organet, qenit jo monumentit). Disa filmime të cilat po analizohen tani nga FBI-ja (Face Book Intelligence), shpjegoi ai, lënë të dyshohet për dy vetë që kanë ardhur me motoçikletë dhe, pa e ndaluar fare mjetin, e kanë lëshuar kafshën e ngordhur mu para monumentit, nën sytë e rojes syleshe – me ç’rast mora vesh se aty paskësh pasur edhe një roje, të cilën e paguanin me vendim të kryetarit të Bashkisë pararendëse.

Pas kësaj, unë u detyrova të ndërhyj sërish në Facebook, për të sqaruar miqtë dhe dashamirët se më qëllonte relativisht shpesh të ndeshja në qen të ngordhur, gjatë rrugës së kthimit nga restorant “Tym-Shishja” në shtëpi, edhe pse akoma më shpesh ndeshja në qen të gjallë; të cilët nuk e kishin për gjë të kryenin nevojat e tyre ku të mundnin, me siguri edhe në hapësirën sakrale rreth monumentit kombëtar; dhe se një qen rrugësh i ngordhur, ose edhe thjesht ngordhja e një qeni rrugësh, duhej parë jo në vetvete, por në kontekst më të gjerë, siç ma kish sugjeruar tek e fundit edhe magjisterja ose magjistrica Trina Paushalli, së bashku me literaturën përkatëse dhe listën prestigjioze të peer-ëve për review. Dhe ky kontekst fliste qartë: ne jemi shndërruar tashmë në një mjedis ku po ngordhin qentë dita-ditës, ndërsa prania e monumenteve te ky mjedis është aksidentale. Duhej të kisha shkruar: ku ngordhin edhe qentë.

Nëse shënimi im i parë në FB, aty ku lajmëroja për përdhosjen e rastësishme të monumentit kombëtar, kish marrë 4202 likes dhe ish bërë share 42 herë, ky i tanishmi mori vetëm 42 likes, por u bë share 4202 herë. Facebook-u gjithnjë të surprizon, me statistikat e veta.

Në këtë pikë ku kanë arritur punët, po e mbyll edhe unë me të shpejtë këtë relacion të shkurtër, sepse sonte jam i ftuar në të paktën 3 debate televizive dhe 2 biseda të orëve të vona (ose e kundërta), ku do të flas për qentë, monumentet, dhe marrëdhëniet mes tyre. Nuk është faji im, si qytetar dhe zë i pavarur në debatet publike, që sot haptazi po mbahet si normale që qentë e ngordhur dhe monumentet kombëtare të bashkëndajnë jo vetëm të njëjtat hapësira urbane, por edhe të njëjtat paragrafe dhe madje fjali; dhe se nuk është hera e parë, siç e vërtetojnë edhe gjurmët e plagëve që kam në tru(p), që opinion-bërësit tek ne shtien mbi lajmëtarin për ta vrarë, në vend që të reflektojnë për lajmin. Këtë dua të korrigjoj sonte, duke lënë kockat në studiot televizive; pa le të më hedhin edhe mua pastaj, qen të ngordhur, në këmbë monumentesh.

Unë i nënshkruari dr. Besho Likustra, në lidhje me sa m’u kërkua të sqaroj për të ashtuquajturën kontroversí të qenit të ngordhur, deklaroj se sa më lart e shkrova i lirë nga çdo shtrëngim dhe në zotërim të plotë të vullnetit tim.

B.L., Facebook

Për Top-Klan Channel, zv-presidenti Milk Qypsha.

Pa Komente

  1. More Zotëri,

    Mjaft me teori konspirative dhe pranoni se keni dështuar në detyrën tuaj si anëtar i bashkësisë së qytetit tonë.

    Në vend që të merreni me hulumtime të denja për film me detektivë, do t’ju kish mjaftuar të telefononit drejtorinë e higjienës për të dhënë alarmin për qenin e ngordhur. Po sikur qeni të ketë ngordhur nga tërbimi? I kafshuar nga një qen tjetër i tërbuar ose nga një njeri i kafshuar nga qeni tjetër i tërbuar? I menduat ndopak zemërdridhjet e nënave mbi kryet e vocërrakëve të kafshuar?

    Ju qartazi mendoni vetëm për veten tuaj dhe imazhin tuaj social-mediatik e ndaj zhyteni në viktimizim. Do të kishte qenë më heroike sikur të kishit dhënë alarmin higjienik dhe të ishit shndërruar kështu në shpëtimtarin e qindra, ç’them, mijëra fëmijëve e pleqve të rrezikuar nga ajo kafshë.

    Kështu që të më falni i dashur por kritikën publike e keni kërkuar vetë dhe madje madje e meritoni.

    E mbyll këtu më thirrjen e ndjerë që t’i vini gishtin kokës e të shihni përtej faqes suaj të fejsbukut.

    Akademik i Asociuar Trim Rrufeja

  2. ky qen i “gjetur ne gjendje perfekte” duhet analizuar me gjeresisht. Nje lloj teatri, “Kufoma u gjet ne gjendje perfekte”
    http://www.mapo.al/2015/09/e-pabesueshme-ky-qen-eshte-12-mije-vjecar

    <

    blockquote>

    Këto pamje të pabesueshme tregojnë se si ngricat në Siberi kanë ruajtur një qen prej 12 mijë vitesh.

    Shkencëtarët thonë se qeni është në gjendje perfekte.

    Sipas tyre, këta qen jetonin që në atë kohë bashkë me njerëzit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin