Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

TI PELIÇE UNË GËZOF

“Më falni, ju lutem?”

“Urdhëroni, ju lutem?”

“Kur ju pikasa që hytë ashtu bashkë me erën, mbështjellë me peliçe të zezë, nuk munda dot të mos…”

“Nuk po ju marr vesh.”

“Jam Kleanthi, vëllai i Marianës.”

“Kleanthi vëllai i Marianës… Fjalë që duan të më thonë diçka por nuk munden. Nuk njoh as Kleanth, as Marianë, as di që ndonjë Marianë të ketë vëlla e aq më pak…”

“Pikërisht.”

“Pikërisht çfarë, zotëri?”

“Ju e mbështjellë me peliçe të zezë dhe unë Kleanthi vëllai i Marianës; a nuk ju duket një kombinim i pamundur?”

“Në ç’kuptim i pamundur? Sapo ndodhi!”

“Pikërisht.”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni, ju lutem?”

“Urdhëroni, ju lutem?”

“E jashtëzakonshme kjo peliçe e zezë. Por edhe arroganca me të cilën e keni hedhur krahëve. Tuajat po më duken supet më të denja për peliçe vizoni që mund të kem parë ndonjëherë.”

“Mos jeni gjë Kleanthi?”

“Cili Kleanth?”

“Vëllai i Marianës.”

“Dora vetë. Më falni, por unë nuk…”

“Unë ju mbaj mend nga fëminia. Nuk mund ta harroj kurrë faktin që Mariana…”

“E çuditshme vërtet; mua zakonisht nuk më mbajnë mend nëpërmjet Marianës.”

“Jo, e çuditshme është që ju arrini në këtë përfundim edhe pse u tërhoqët nga peliçja ime e zezë, ose më mirë nga “arroganca” me të cilën e paskam hedhur krahëve.”

“Nuk po ju ndjek.”

“Natyrisht. Dhe nuk keni nga ta dini se ne e quanim Marianën Marianthi.”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni ju lutem?”

“Njihemi?”

“Më lejoni të shpjegohem… Duke filluar nga peliçja.”

“Zotëri, mos më ngatërroni me dikënd tjetër. Nuk e kam zakon të flirtoj me të parin të panjohur që më lavdëron gëzofin.”

“Kini durim, do t’jua shpjegoj gjithçka menjëherë, pa aluzione. Kjo peliçe e zezë, para së gjithash; por edhe si e keni hedhur krahëve, me kaq elegancë…”

“Zotëri, më lini rehat ju lutem.”

“Ah, po ju doemos kujtoni se unë jam Kleanthi.”

“Cili Kleanth?”

“Kleanthi vëllai i Marianës.”

“Dhe pse kujtokam unë se ju mund të jeni Kleanthi vëllai i Marianës?”

“Ndoshta ngaqë… jo, jo, kurrsesi nuk do të doja t’ju fyej. Vetëm se peliçja, e kam fjalën, kur jua pashë përqafuar aq hijshëm rreth trupit…”

“Zotëri, Mariana unë nuk di të ketë pasur vëlla.”

“Në një kuptim.”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni ju lutem?”

“Kleanthi?”

“Cili Kleanth?”

“Vëllai i Marianës, apo jo?”

“Vëllai i Marianës?”

“Marianës, ose Marianthit, siç e thërrisnit ju në familje.”

“Në cilën familje?”

“Nëna juaj, e shkreta, e thërriste ashtu. Me përkëdheli. E mbaj mend të mbështjellë me peliçe të zezë, njëlloj si kjo që kam veshur unë tani.”

“Peliçja, natyrisht. Nuk jua vura re menjëherë.”

“Ndërsa unë sikur po prisja të më afroheshit. Në të vërtetë gjithnjë kam pasur kuriozitet të madh për t’ju njohur nga afër.”

“Më falni që po e ndërroj bisedën; por aty pari e kishit fjalën për Marianën, apo për Marianthin?”

“Ne e quanim Mariana, por nëna juaj…”

“Nëna e Kleanthit.”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

fur“Më falni, ju lutem?”

“Po?”

“Më lejoni të prezantohem një herë. Quhem …”

“Zotëri, më lini të qetë. Nuk kam oreks për kësi flirtesh vulgare.”

“Po keqkuptohemi, më duket. Ju jeni shoqe me Marianën, apo jo?”

“Cilën Marianë? Motrën e Kleanthit?”

“Njërën prej motrave të Kleanthit, po.”

“Dhe ç’lidhje ka kjo me këtë trukun tuaj të tanishëm?”

“Në të vërtetë unë vetëm u impresionova nga kjo peliçe juaja – autentike, doemos. Shqarth.”

“Ne i themi vizon. Po nuk e kuptoj ç’lidhje ka kjo me Marianën, motrën e Kleanthit?”

“Asgjë me rëndësi… vetëm mbaj mend që ajo gjithë jetën ëndërroi t’i mbulonte supet me një gëzof të tillë.”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni ju lutem?”

“Çfarë dreqin do tani?”

“Jam Kleanthi.”

“Për këtë erdhe të më trazosh në mes të njerëzve, që të më thuash se je Kleanthi? S’të vjen turp nga vetja? Ç’më je dezinfektuar kështu?”

“Kleanthi.”

“E di se kush je, idiot. Të gjithë e dinë se kush je. Ç’do të thuash me këtë jam Kleanthi, apo kërkon të më kujtosh që ti ma ke blerë këtë peliçe që kam hedhur krahëve?”

“Jam…”

“Mbylle dhe shko në shtëpi. Të mos bëjmë skandal në publik. Po e kam fajin unë që ta zgjat muhabetin. Ikë tani se do të thërras ndonjë polic, të thashë.”

“Kleanthi i Marianës.”

“Doemos Kleanthi i Marianës, karagjoz. Se Mariana u bë sebep që u lidhëm bashkë, dhe ia kam për borxh gjithë jetën ia kam për borxh.”

“Kleanthi i Marianthit…”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

Më falni ju lutem?”

“Urdhëroni ju lutem.”

“Kam një copë herë që po ju ndjek me sy. Kjo peliçe e zezë vizoni që keni hedhur krahëve, krejt ekstravagante do të thoja, vetëm se në figurën tuaj…”

“Im shoq është kultivator shqarthi, dhe njohës i mirë i peliçeve; pothuajse gëzoftar profesionist, tha.”

“Nuk besoj t’jua ketë mësuar ai teknikën kaq fine të të mbajturit të peliçes, megjithatë.”

“Ah, atë jo. Por nuk janë të shumtë burrat që mund të ma vlerësojnë – pa folur për gratë. Në fakt, e përdor si rrjetë për të kapur meshkuj sqimatarë, tha.”

“Le të prezantohemi atëherë. Më quajnë Kleanthi.”

“Kleanthi? Kam njohur dikur një Kleanthi… Nëpërmjet së motrës, Marianës.”

“Marianthit, doni të thoni?”

“Marianthit, siç e quanin në familje, tha.”

“Natyrisht. E kam njohur edhe unë atë Kleanthi. Çfarë koincidence!”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni, ju lutem?”

“Leo, ti je?”

“E kam emrin Kleanthi… Dikur më kanë pasë quajtur Leo. Ose edhe Kleo. Por shumë pak njerëz, nga rrethi i ngushtë i familjes. Mos vallë…”

“Nuk po më njihni, Leo?”

“Vërtet; po unë nuk ju shquaj dot mirë për shkak të tymit të duhanit. Vetëm peliçen që e mbani mbështjellë supeve, dhe ajo peliçe u bë shkas që t’ju afrohem; nuk ju afrohem kurrë grave që nuk i njoh, madje edhe atyre që i njoh.”

“Leo? Ti je apo jo?”

“Jua pashë peliçen dhe mendova: të gjithë tani më njohin si vëllanë e Marianës. Ç’më ka mbetur vallë nga krenaria e dikurshme? Pak push vetëm.”

“Leo!”

“Ç’janë këto kohëra që kanë ardhur xhanëm? Më duket vetja fëmijë, axhami, viç i palëpirë. Emri që më patën vënë dikur ende më rri ngushtë, thuase nuk më përket mua. Kleanthi. Kurrë nuk më thirri kush ashtu!”

“Leo!”

“Motër!!”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni, ju lutem?”

“Prit një sekondë.”

“Zonjë, edhe unë një sekondë do t’ju marr.”

“Duhet të prisni pak, zotëri. Dhe hiqmani dorën nga peliçja, sepse nuk ju ka hije të silleni kështu me një grua të panjohur, në publik.”

“Vetëm një sekondë, zonjë. Kjo peliçe…”

“Shqarth ose vizon, si i thonë. Kunadhe, për fëmijët e shkollave. Blerë në Murmansk, por mbërritur deri tek unë nëpërmjet reshperëve të Kishinjevit.”

“… ju rri kaq bukur.”

“Vërtet mendoni se kështu mund t’i afroheni një gruaje?”

“Po unë jam Kleanthi!”

“Kleanthi? Vërtet? Pse pikërisht Kleanthi? Dhe pse çdo Kleanth e paska të drejtën të vijë të më rokanisë për peliçen, pa pikë turpi, thuase jemi në mbrëmjen e maturës?”

“Kleanthi i Marianës.”

“Kleanthi i Marianës, the? I cilës Marianë?”

“Vëllai i Marianës.”

“I Marianthit, thuaj.”

“I Marianthit, po.”

“Nuk ju njoh. Tani lermëni se po numëroj yjet.”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni ju lutem?”

“Më falni ju lutem?”

“Jam Kleanthi.”

“Kleanthi?”

“Po kaloja aty pari, kur më mbetën sytë në peliçen tuaj ngjyrë antraciti.”

“Antraciti?”

“Por më tepër forma e supeve që fshihen poshtë saj; një trup i ngrohtë plot forma vallëzuese por që nuk i përket; peliçe shqarthi, apo jo?”

“Shqarthi?”

“Unë jam vëllai i Marianës, gjithsesi.”

“Gjithsesi?”

“E kam fjalën që ju njoh prej Marianës, madje ajo më ka treguar edhe për garderobën e peliçeve tuaja, por nuk kisha pasur kurrë rastin t’i shihja drejtpërdrejt, nuk di nëse po shpjegohem mirë; vetëm se Mariana gjithnjë nuk ju heq nga goja.”

“Nga goja?”

“Mariana, po. Ndoshta ju e njihni si Marianthi.”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni ju lutem?”

“Urdhëroni, djalosh.”

“Kjo peliçe kaq elegante që keni hedhur supeve…”

“Ju pëlqen pa masë, apo jo?”

“Në fakt doja vetëm t’jua bëj të ditur se keni hedhur rreth qafës një lëkurë të përgjakur.”

“Mos jeni gjë Kleanthi i Marianthit?”

“Përlyer me gjak shqarthi, rrjepur mizorisht nga shpina e një kafshëze të rrallë që nuk i bën kujt keq, për të kënaqur dhelet vanitoze të një kafshëze tjetër…”

“Po tani nuk e thërret më kush Marianthi, vërtet?”

“Ndoshta ju vetë ia keni shkuar thikën në grykë, për t’ia ndier gjakun t’ju derdhet duarve.”

“Edhe ju atëherë ju thërrisnim dhelisht Leo. Madje unë as që e dija se e kishit emrin Kleanthi. Ndoshta Leonard, ose Leandro, ose Leontiev, ose Dhimokleo, ose Leopold, madje edhe Leopard; por Kleanthi jo.”

“Nuk di nëse e keni përfytyruar ç’do të ndodhte sikur të përfundonit në një kafaz me shqarthe të uritur. Vetëm ju dhe shqarthet, lakuriq. Dhëmb për dhëmb. Hmm, sa erotike!”

“Nuk më thatë, ç’bëhet Marianthi?”

 

₪₪₪₪ ₪₪₪₪ ₪₪₪₪

“Më falni, ju lutem?”


 

[2003; botuar për herë të parë në Alb-Club]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin