Pasazhet e mëposhtme i ka shkruar një publicist i njohur bashkëkohor amerikan – në vend që të komentoja për to, e pashë me vend t’i sjell të përkthyera dhe t’ju ftoj ju si lexues të reflektoni.
Ne na sundojnë, na zbavitin dhe na informojnë kurtizanët* – dhe media është shndërruar në një klasë kurtizanësh. […] Ekspertët dhe pundit-ët tanë, së paku ata me platforma publike prominente, janë kurtizanë. Ne jemi kapur peng nga teatri politik, teksa po na zhveshin nga pushteti ethshëm.
Gazetaria televizive është në masë të madhe farsë. Reporterë celebrities, të maskuar si gazetarë, fitojnë miliona çdo vit për t’u ofruar platforma të pushtetshmëve dhe të famshme, në mënyrë që këta t’i dredhin muhabetet sipas interesit, t’u sillen gjërave rrotull dhe të gënjejnë. […]
Po të jesh vërtet gazetar, duhet të fillosh të shqetësohesh, në qoftë se fiton 5 million USD në vit. Asnjë gazetar nuk mund të ketë një marrëdhënie të rehatshme dhe të relaksuar me të pushtetshmit. Asnjë gazetar nuk mund të besojë se vokacioni i tij është që kryesisht t’u shërbejë të pushtetshmëve. Ata në pushtet kanë frikë u druhen gazetarëve të mirëfilltë dhe nuk i pëlqejnë – dhe me të drejtë.
Por shumë nga këta gazetarë “yje” u ofrojnë një forum jokritik atyre që kanë pushtetin. Në të njëjtën kohë, ata hiqen sikur i kanë verifikuar dhe hetuar ato që thonë mysafirët e tyre. [Nuk janë gazetarë por] luajnë role gazetarësh në televizion. Kjo është një quid pro quo e neveritshme. Media lejohet t’i qaset elitës sa kohë që media raporton, besnikërisht, çfarë dëshiron elita që të raportohet. Që nga momenti kur kjo quid pro quo nuk funksionon më, reporterët – ata të vërtetët – lihen në mëshirë të fatit dhe u mbyllen dyert.
Tradicionalisht, raportimi gjithnjë ka supozuar se ata që janë në pushtet kanë një program (agenda) dhe vetëm rrallëherë i detyrohen së vërtetës. Të gjitha qeveritë gënjejnë […] dhe është puna e gazetarit që të zotohet t’i nxjerrë në shesh këto gënjeshtra, me punë të vështirë dhe të lodhshme. Përkundrazi, ata që thjesht i kalojnë publikut çfarë u kanë hedhur për t’u ushqyer të pushtetshmit, janë veç kurtizanë, që u shërbejnë interesave të elitës në pushtet.
Rrena më e madhërishme, është pretendimi se këto figura funksionokan si reporterë dhe se ata, përnjëmend, raportokan në emrin tonë. Në fakt, nuk është një ose dy reporterë ose drejtues emisionesh informative në televizion që janë të korruptuar. Janë vetë institucionet e medias që janë të korruptuara. Shumë punonjës të mediave […] punojnë paturpësisht për elitat.
Roli i kurtizanëve është të bëjnë papagallin e propagandës zyrtare. Kurtizanët nuk e sfidojnë elitën as marrin në pyetje strukturën e shtetit të korporatave. Korporatat, nga ana e tyre, i marrin në punë dhe i promovojnë si celebrities. Elita i lejon kurtizanët në rrethet e veta ekskluzive. […] Asnjë shtresë kurtizanësh […] nuk është shndërruar ndonjëherë në klasë të përgjegjshme dhe shoqërisht produktive. Kurtizanët janë hedonistë të pushtetit.
Nxjerrë nga Chris Hedges, Empire of Illusion, The End of Literacy and the Triumph of Spectacle, Knopf, Canada, 2009. Përkthimi im [2Xh].
(*) Vendosa ta përkthej kështu anglishten courtier, që normalisht duhej dhënë si “oborrtar.” Më tingëllon më mirë dhe njëkohësisht sjell me vete një ngjyrim kuptimor të mirëpritur.
Nje pyetje:
A i ilustron autori, ne tekstin origjinal, me shembuj dhe emra konkrete keto qe thote apo flet vetem teorikisht?
Ka shumë shembuj që i referohen kanaleve të mëdha televizive në ShBA – dhe që unë i lashë qëllimisht jashtë; sepse kritikën e televizionit amerikan nuk e kam mes prioriteteve të mia. Por libri mund të gjendet lehtë, madje edhe në formatin Kindle. Për dikë si unë, që ka jetuar në ShBA gjatë kohës që publikun e gënjenin, në lidhje me armët e shkatërrimit në masë të Sadamit, analizat e Hedges-it, sado të vonuara, janë oksigjen. Gjithsesi, kam përkthyer vetëm pak fragmente; lexuesi mund t’i ofrojë vetë shembujt nga realitetet përkatëse, të paktën ashtu shpresoj unë dhe i tillë ishte edhe synimi i këtij publikimi.
Thjesht e kam patur bindje qe media dhe politika jane njesoj kudo. Jane morgu i se vertetes.
Ne parimet e funksionimit te tyre real. Natyrisht dikush do sulet e do thote: po c’a krahason dy te paktahasueshme? E serish them: jane dy fushat me te kriminalizuara ne te gjithe boten, produkti final i te cilave unifikonet ne nje: propagande. Ndonese ne periudhen e tanishme, do te beja nje dallim per median britanike. Edhe nje agjenci si “Reuters”, qekurse ka nisur kriza ukrainase, nuk ka dite te mos publikoje lajme, opinione tipike propagandistike. “Weather man” e quan gazetarin te filmi “NBK”.