Një ndërhyrje e rëndësishme e Nassim Nicholas Taleb në FB, për etikën e debatit.
Mund të sulmojmë se çfarë ka thënë një person, ose mund të sulmojmë se çfarë ka parasysh ky person.
Sharlatani dallohet, vëren Taleb-i, ngaqë sulmon dikë duke u fokusuar në thënie specifike (“shiko se ç’ka thënë”), dhe jo në pozicionin përkatës (“shiko se çfarë ka parasysh”).
Natyrisht, qasja e dytë kërkon më shumë punë dhe, sidomos, pranim të çfarë e kanë quajtur principle of charity në debatet; që unë në shqip do ta jepja si “parimi i mirëkuptimit” dhe i cili kërkon prej debatuesve që t’i referohen versionit më të fortë interpretativ të thënieve të tjetrit. Disa autorë shtojnë këtu edhe nevojën për “simpati”, në kuptimin intelektual.
Shpërfilljen e këtij parimi shqipja e quan “të kapesh pas fjalëve.”
Nga sa shoh në mediat, por edhe nga përvoja ime vetjake, e kam të lehtë të besoj se sfera e komunikimit publik shqip sundohet nga “sharlatanët” (në kuptimin që i jep termit Taleb-i në kontekstin e këtushëm).
Qëllimi i këtyre nuk është të angazhohen në debat dhe as t’i afrohen së vërtetës në mënyrë dialogjike, por thjesht të rrëzojnë kundërshtarin duke ia identifikuar pozicionin me një citat të zgjedhur ad hoc.
Tundimi për të vepruar kështu është i fortë; nuk e përjashtoj që t’i jem dorëzuar edhe unë.
Në mediat shqip, megjithatë, sëmundja shndërrohet në obsesion; dhe thëniet e rastit ose aksidentale të dikujt, veçanërisht nëse ky perceptohet si armik ose kundërshtar, humbin çdo lloj lidhjeje me kontekstet dhe përdoren për ta karikaturizuar tjetrin.
Mes komenteve që ndoqën tekstin e Taleb-it në FB, më tërhoqi vëmendjen një pasazh i cituar, nga kardinali Richelieu:
“Më jep gjashtë rreshta të shkruara nga dora e më të ndershmit mes njerëzve dhe unë do të gjej aty një arsye për ta dënuar autorin me varje.”
Dhe pikërisht kjo ndodh: ne hyjmë në debate për ta dënuar tjetrin. Nuk mund të përfytyrojmë dot se dialogu, shkëmbimi i argumenteve mund të ketë edhe përdorime dhe synime të tjera, më fisnike, më ndriçuese, më intelektuale.
Madje edhe kur nuk e bëjmë këtë, përtojmë të vrasim mendjen dhe të kërkojmë kuptimin prapa fjalëve; sepse është gjithnjë më lehtë që t’i shkëputim fjalët nga tekstet dhe kuptimin t’ua shtojmë ne vetë.
Tek e fundit, shqipja edhe këtu na vjen në ndihmë: “kau lidhet për brirësh, burri për fjalësh.”
Fjalë të arta, Xha Xha! Ndoshta ata të ndershmit, të ndjeshmit e pa këllqe për përleshje mediatike që diskutoje para disa ditësh tek https://peizazhe.com/2015/06/15/heshtjen-se-degjon-kush/ i kanë vënë vath në vesh fjalët e Richelieu-së dhe e qepin për mos t’u varur.
Po për të qenë më konstruktiv: është simptomatike për aneminë e këtij parimi në mediat dhe diskutimet shqip mungesa gogësitëse e pyetjeve që shtrohen për të kuptuar çfarë ka parasysh Tjetri, për të mbledhur informacion rreth kontekstit, ndërthurjes së mendimeve, burimeve që sjell Tjetri në një x-tekst të thënë a të shkruar. Pyetja është ajo që synon dhe tregon përpjekje për të rindërtuar procesin e mendimit, kthinat, dyshimet, vendimet që i japin formë një opinioni apo analize. Kjo është simpatia apo empatia në dialog, ta vësh veten në pozitën e folësit apo shkrimtarit e të përpiqesh të bësh rrugëtimin e tij mendor.
Në përgjithësi, shqiptarët i kuptojnë të gjitha me një të dëgjuar, një të lexuar, madje shpesh ju del e mjafton dimensioni horizontal në lexim. Të mos kuptojnë nuk bën vaki, ose në bën vaki, e gjejnë arsyen për moskuptimin e tyre te viskoziteti/paqartësia/cektësia/trashësia e Tjetrit. Janë të shpejtë t’i nxjerrin këto në pah, çka barrikadon dialogun dhe mirë-kuptimin. Në rastin më të keq ky është sharlatanizëm, në rastin më ordiner përtaci. Pse të vras mendjen unë të të kuptoj e t’ia shpëtoj jetën fjalës tënde, kur mund të të var ty me fjalë në gojë, dhe, si i “mençuri” më i fortë, të mbledh ca like nga një mizëri sharlatanësh e përtacësh?