Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim

WIKI NË KUKËS

Lexova sot se, gjatë Javës së Inovacionit, në panairin “High Tech Show” ishte lajmëruar se:

Në Qarkun e Kukësit ka nisur edhe projekti për krijimin e Wikipedia nga vetë nxënësit e shkollave.

Si përdorues i rregullt i kësaj enciklopedie për nevoja të punës sime (edhe pse jo të faqeve shqip), sikur të më duhej të konsultoja një faqe të Wikipedia-s shqip (p.sh. për kulturën e Komanit ose Traktatin e Varshavës), do të më ikte krejt zelli po të merrja vesh se atë mund edhe ta kishin përgatitur kalamaj të shkollave.

Prandaj, dhe meqë kjo m’u duk tepër absurde për të qenë reale, mora mundimin dhe shpenzova ca minuta online, për të gjetur një fjalim të ministres Harito, ku pikërisht thuhet:

Në të gjithë qarqet e vendit kemi angazhuar nxënësit e shkollave të mesme, duke filluar nga qarku i Kukësit, që të krijojnë Wikipedia-t e qarqeve të tyre dhe zonave të tyre të banimit.

Është një lëvizje shumë interesante, e cila mbajti gjallë Qarkun e Kukësit për disa muaj me nxënësit e grupmoshës 14-16 vjeç, që krijuan Wikipedia-n e mrekullueshme të zonës së tyre me 1300 foto të zonave turistike, të trashëgimisë kulturore, kulinarisë etj. Dhe e shkruan vetë, e bënë gjithçka vetë. Të njëjtën gjë do të bëjmë në të gjitha qarqet e tjera.

Dhe këtu të del përpara një tablo krejt tjetër: është fjala për të angazhuar nxënës të shkollave të mesme që të krijojnë Wikipedia të qarqeve të tyre dhe të zonave të banimit; dhe në Kukës ky projekt paska pasur sukses. Gjë për t’u përshëndetur!

Çfarë m’u duk idiotësi në lajmin që gjeta në ResPublica, më entuziazmoi në fjalët origjinale të ministres; aq më tepër që idenë për të angazhuar shkollat në hartimin e zërave të Wiki-t shqip e kam hedhur edhe vetë prej kohësh.

Tani po pres të dëgjoj, pse jo sërish nga ministrja, që për faqet e Wikipedia-s po punojnë seriozisht edhe Akademia e Shkencave dhe Institutet e saj Kërkimore, QSA-ja, Arkivi i Shtetit, Katedrat e Universiteteve Publike dhe Private, e kështu me radhë – në shembullin e fëmijëve të shkollave.

Me kusht që mediat të mos e “përpunojnë” më lajmin si më lart.

Pa Komente

  1. Në sq.wiki ka njerëz që nisen me premisën se janë të kënduem, pa pasë sidoqoftë haber nga metodologjia e vendosjes së burimeve apo nga neutraliteti që duhet me pasë zani. Nga tema nuk po kuptoj nëse nxanësve do t’iu jepet me ba një kuk.wiki (po i shtojmë një -k- të dytë meqë ku.wiki asht në gjuhën kurde, n’mos u gabofsha) apo do të kujdesen për artikujt e zonës së tyne. Në qoftë e para, do të shkruhet me gegnishten veri-lindore si b.f. shkruente M. Spahija ndër të përkohshmet e mërgatës?..
    S’e besoj, kësodore po marr për të mirëqenë se asht e dyta, kështuqë do t’i lihet në dorë ferishteve me pasunue enciklopedinë pa ndonjë mbikëqyrje kam përshtypjen.
    Nxanësit e shkollave të mesme (dhe nandëvjeçare) kanë për piri vetëm t’i bajnë një copy-paste materialeve, pa analizë kritike, e kështu gjatë krijohet vetiu kahja se çka mundet me u pritë nga kjo nismë zamadhe për risim.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin