Duke lexuar komentet e një shkrimi të botuar në një faqe shqip online, pashë se një prej komentuesve kish pyetur – me gjasë retorikisht – autorin e shkrimit se pse ky kish përdorur fjalën zombie dhe se ç’kuptim kishte vallë kjo fjalë.
Mundet që komentuesi vërtet nuk ia dinte kuptimin fjalës zombie; mundet edhe të ishte irrituar ose shqetësuar me këtë fjalë, kushedi ngaqë kjo i dukej e huaj a e panevojshme ose edhe e huaj edhe e panevojshme.
Shkëmbimi, trivial në vetvete, më ftoi të mendoj nëse, për të kuptuar lirisht diskursin publik sot, edhe atë në shqip, duhet vërtet që pjesëmarrësit të jenë familjarizuar, së paku pasivisht, me fjalë të tilla si zombie.
Ose fjalë që janë jo vetëm të huaja dhe relativisht të reja në përdorim, por edhe që i referohen një kulture masash e cila përhapet nëpërmjet mitologjisë kryesisht amerikane të zhanrit horror, në letërsi dhe sidomos në kinema.
Kujtoj se, ndërsa në folklorin haitian, zombie-t janë njerëz të vdekur, të cilët i kanë risjellë në jetë me magji, në filmat dhe në letërsinë horror të ditëve tona, zombie-t shfaqen si krijesa të ngadalshme jo-inteligjente, më parë të vdekur zakonisht nga një infeksion viral dhe që tani virusi i ka “ringjallur” dhe i shtyn të kërkojnë njerëz të tjerë, për t’u ushqyer me ta.
Kësisoj, zombie-t janë edhe të zhvdekur (ose të pavdekur), edhe të sëmurë ngjitës, edhe kanibalë ose njeringrënës. Viktima e kafshimit të një zombie, kur nuk shkatërrohet fizikisht nga kafshimi, do të kthehet edhe ajo në zombie.
E gjithë kjo dinamikë personazhi, kaq e ndërlikuar, të sjell ndërmend sa modele matematike të përhapjes së dukurive masive (epidemive, panikut), aq edhe skema lojërash logjike.
George Romero i bëri krejt të famshëm zombie-t me filmat e tij klasikë të zhanrit horror, duke i vënë këto figura të simbolizojnë, sipas rastit, racën e zezë, turmën e blerësve që përfton shoqëria e konsumit, pacientët viktima eksperimentesh çnjerëzore, të infektuarit nga SIDA, të shtypurit dhe të urëtit e botës së tretë dhe masën e imigrantëve që shtyhen pas portave të Perëndimit.
Traditën e zombie-ve e vazhdojnë sot jo vetëm një varg filmash horror gjithnjë të suksesshëm, por edhe serialë televizivë që ndiqen anembanë botës (The Walking Dead) dhe një numër i madh romanesh zhanri, sidomos në format elektronik (Kindle); të cilët madje u kanë paraprirë temave post-apokaliptike, që përjetojnë aktualisht një periudhë suksesi të pa-precedent në segmente të caktuara të tregut.
Megjithë implikimet filozofike shpesh marramendëse, zombie i përket kulturës masive dhe luan me frikërat e përjetshme të njeriut: Tjetrin, jetërsimin (një person i dashur që befas kërkon të të shqyejë), të vdekurit që ngjallen, sëmundjen fatale që përhapet nëpërmjet kafshimit (frika primordiale nga kafshimi), kanibalizmin. Metaforizimet gjithfarësh që i janë bërë nga Hollywood-i dhe kultura amerikane në përgjithësi konfirmojnë natyrën jashtëzakonisht plastike të kësaj figure, e cila u nënshtrohet me lehtësi roleve dhe interpretimeve të ndryshme. Nga pikëpamja sociologjike, zombie qëndron në shkallaren e fundit të një hierarkie, e cila ka në krye vampirët: vrasës aristokratikë dhe vetmitarë, të rafinuar në vesin e tyre fatal.
E gjithë kjo, sidoqoftë, nuk mjafton për t’iu përgjigjur pyetjes që shtrova në krye – në lidhje me nevojën për këtë fjalë, për këtë koncept dhe për këtë mitologji, në komunikimin e sotëm publik, të një niveli pak a shumë masash.
Natyrisht, vetë mitologjia e zombie-ve nuk është e nevojshme, për t’u orientuar në botën bashkëkohore; por bëhet aktuale për shkak të vetë suksesit të saj.
Prandaj më parë i duhet dhënë përgjigje pyetjes sa janë të nevojshme, për kulturën e komunikimit ose të diskursit publik bashkëkohor në Shqipëri, referencat ndaj mitologjive pop të kultivuara nga Hollywood-i dhe letërsia e zhanrit kryesisht amerikane (dhe të cilat zombie vetëm sa i shembëllzon).
Në vija të trasha, çdo diskurs publik apo privat qoftë ka nevojë për mitologjinë e vet të nënvendosur, të cilën mund ta përfytyrojmë edhe si një sistem kompleks por të çlirët simbolesh dhe metaforash, të lidhura me një mijë fije me kontekstin kulturor ku përftohet vetë diskursi.
Për analogji, ka qenë shpesh e pamundur të kuptosh një tekst çfarëdo të shkruar në Mesjetë, pa pasur parasysh referencat e shumta ndaj Biblës dhe Ungjillit; po aq sa ç’është sot praktikisht punë e kotë të vizitosh një galeri të pikturës dhe të skulpturës së Rilindjes Italiane, pa e pasur idenë për mitologjinë biblike dhe atë klasike (greke dhe latine).
Këto mitologji, në format e tyre intertekstuale – si metafora, parabola, citime, aluzione dhe evokime të tjera – përbëjnë atë bazë “enciklopedike” të përbashkët, midis teksteve (veprave) dhe publikut përkatës.
Përkundrazi, një film horror të Hollywood-it sot mund ta kuptosh pa qenë i iniciuar në kulturën biblike; por jo pa njohur më parë mitologjinë e vampirëve, zombie-ve, fantazmave, njerëzve-ujq dhe krijesave të tjera të ngjashme, të cilat në zhanre të tilla funksionojnë si klishe narrative, duke i përmbushur ose, sipas rastit, sfiduar pritjet (expectations) e publikut.
Për shkak të përhapjes pothuajse totale të mitologjisë hollywood-iane, në fusha të tilla si horror, fantasy dhe science-fiction por edhe në zhanre specifike të stripave vizatimorë (comics dhe manga), breza të tërë janë rritur tashmë jo vetëm të mëkuar me këtë mitologji, por edhe të mësuar që ta shohin botën nëpërmjet gjuhës specifike që ofron ajo: metaforat, skemat dhe klishetë narrative.
Kësisoj, një pjesë e elementeve të mitologjisë pop do të përcillen, si metafora, në fusha të tjera të diskursit publik.
Shumëkujt prej të mërguarve nga Europa në Botën e Re, do t’i ketë tërhequr vëmendjen, besoj, denduria e metaforave sportive – sidomos ato nga bejsbolli dhe futbolli amerikan, në diskursin publik në ShBA; të cilat për europianët janë përgjithësisht të padepërtueshme. Në fakt, sporti – për shkak të popullaritetit që nuk njeh dallime klasore, etnike ose raciale – shërben si një fond metaforash të garantuara për t’u kuptuar nga pala tjetër, gjatë një shkëmbimi çfarëdo.
Një fizikan, për shembull, gjatë një debati politik, do ta kish të vështirë t’u referohej metaforave dhe simbolikës së huazuar nga mekanika kuantike; meqë gjasat do të ishin të ulëta, që bashkëfolësit e tij ta kuptonin. Në fakt, përpjekjet e tij metaforizuese do të kishin sukses vetëm në qoftë se ai do t’i peshkonte metaforat nga një pellg enciklopedik i njohur edhe për të tjerët; prandaj ai mund t’i referohet metaforikisht kolapsit të funksionit të valës në një debat me kolegët e vet fizikanë, por të përdorë metafora si gol në minutën e fundit, pozicion jashtë loje ose goditje poshtë belit, kur bisedon me shoferin e taksisë (pa çka se edhe ky i fundit mund të jetë fizikan; puna është se tjetri këtë nuk e di, dhe supozon se shoferët e taksive nuk kanë njohuri nga fizika kuantike).
Sikurse Bibla në Mesjetë ose mitologjia klasike gjatë Rilindjes dhe Iluminizmit, sot sporti, televizioni dhe zhanret popullore të filmit dhe të letërsisë, si ai horror, u shërbejnë pikërisht përpjekjeve për të depërtuar deri te Tjetri, në ato rrethana kur ky tjetër mbetet relativisht i panjohur.
Në komunikimin tonë publik, bie fjala, mbeten të shumta referencat ndaj kinemasë së Realizmit Socialist dhe estradës së viteve 1970-1980; sepse këto produkte masash ia arritën atëherë të përftonin një leksik dhe gramatikë simbolike dhe narrative të përbashkët për qytetarët e Shqipërisë, falë edhe izolimit kulturor nga bota.
Natyrisht, brezi që ende e mjel zellshëm këtë lopë enciklopedike tashmë të plakur së shpejti do të largohet nga skena; për t’ia lënë vendin një brezi tjetër, që vjen me lopët e veta enciklopedike të klisheve, simboleve, narrativave dhe mitologjive.
Për shkak të traumave historike, ndërrimit të sistemeve dhe kalimit të shpejtë nga izolimi në hapje, enciklopeditë e brezave tek ne ndryshojnë mjaft mes tyre, çka edhe e bën problematik komunikimin mes brezave vetë, meqë atij komunikimi i mungojnë sistemet e përbashkëta të referimit.
Prandaj edhe një fjalë si zombie, që mund t’i jetë dukur e tepërt ose groteske lexuesit që përmenda në krye, i ka ardhur autorit të shkrimit fare natyrshëm; meqë ky i fundit i përket tashmë një kulture ku zombie funksionon si klishe narrative – pa çka se, mes lexuesve të tij, ka edhe nga ata që kësaj kulture ende nuk i përkasin.
Na duhet të përballojmë, pra, një sfidë komunikimi, që duhet shtruar në mënyrë të tillë që të marrim parasysh edhe paranojën e një shoqërie që ende i vuan traumat e modernizimit, edhe efektin rrafshues të mjedisit në fshatin global.