PIKA QË ÇUDIT

Asgjë nuk të bën të ndihesh më i pistë, se entuziazmi i shtirur.
J. POPE-HENNESY

 

Ç’shenjë pikësimi e çuditshme është pikëçuditësja!

Disa kujtojnë se funksioni i saj është të shprehë çudinë e atij që shkruan; të tjerë që funksioni i saj është të çuditë lexuesin; të tjerë akoma, që ajo shpreh çudinë e vetë tekstit edhe me autorin, edhe me lexuesin.

E megjithatë, të paktë janë ata studiues dhe amatorë të gjuhës, që do t’ia mohonin efektin magjik këtij instrumenti grafik kaq efektiv.

Ta zëmë se jeni funksionar publik dhe shkruani në faqen tuaj të shumë-vizutar në Facebook:

Sot në mëngjes më në fund laksativi më dha efekt.

Lexuesit e shumtë do të rrudhin buzët dhe do të thonë: po ky ç’po na rokanis me këto informacione intestinale?

Por po të jeni vërtet i ndjeshëm dhe i vëmendshëm ndaj audiencës, atëherë do të shkruani:

Sot në mëngjes më në fund laksativi më dha efekt!

Dhe të gjithë do të gëzohen së bashku me ju, do ta bëjnë “like” postin tuaj dhe do të pyesin se ç’markë laksativi përdorni dhe cili mjek jua ka rekomanduar.

Dhe do ta “bëjnë share” postin tuaj dhe do të shtojnë si tekst shoqërues: sot në mëngjes më në fund laksativi i dha funksionarit N. efektin e shumëpritur!

Ose, alternativisht:

Sot në mëngjes më në fund laksativi më dha efekt!!!!!!

Për të tërhequr në sferën tuaj të influencës shpirtërore edhe naivët, vajzat e vogla, inocentët dhe të gjithë ata që nuk u tuten aventurave të pikësimit kreativ.

Kështu do të ndërtoni, hap pas hapi, një reputacion të shëndetshëm, duke rritur edhe autoritetin tuaj ndaj publikut.

Supozojmë edhe se është ditë rrogash dhe ju, siç pritet me padurim nga të gjithë ata që ju ndjekin, gjeni një moment të lirë nga axhenda juaj super-busy dhe lajmëroni:

Sapo mora rrogën.

Lexuesi këtu ka rrezik të mendojë: rrogën ju ta gëzoni more zotëri, por mua kjo nuk më hyn fare në qese, sepse unë rrogën time ka tre muaj që nuk e kam marrë.

Por ndryshe qëndron puna sikur ju të kujtoheni dhe të shkruani:

Sapo mora rrogën!

Këtu pikëçuditësja jo vetëm shpreh entuziazmin tuaj për shpërblimin e merituar, por edhe i fton të gjithë të marrin pjesë në gazmendin e kujt ka punuar, ndershëm dhe si qen (ose si qen i ndershëm), për të fituar koromanen.

Supozojmë edhe se ju ka mbërritur një kartolinë nga nipçja, që studion për shkenca gastronomike në Marsejë.

Dhe ju lajmëroni:

Sot më erdhi një kartolinë nga nipi im Dante.

Lexuesi këtu do të irritohet pak dhe do të mendojë, ky funksionari N. dashka të mburret, duke na treguar edhe që e paska nipçen me studime jashtë, edhe që ky i fundit u kujtoka për të ungjin duke i dërguar kartolina. S’paska punë tjetër më duket…

Zgjidhja për këtë vjen vetvetiu:

Sot më erdhi një kartolinë nga nipi im Dante!

Dhe befas gjithçka merr ngjyrë rozë: marrëdhënia juaj me Danten, kultura juaj familjare, kujdesi juaj për ndjenjat e ndjekësve të panumërt, por edhe korrektesa juaj ndaj Dantes, i cili tashmë e merr vesh nga goja juaj, që kartolina i ka mbërritur.

Të gjithë ata që e marrin këtë informacion të thonë: Na rrëfeni më shumë për nipin tuaj, zotëri! (Vëreni edhe këtu përdorimin e pikëçuditëses). Na lajmëroni për sukseset e tij në shkollë! Na flisni edhe për perspektivat e gastronomisë në rajonin tonë!

E kështu me radhë.

Aq më i madh është efekti i pikëçuditëses, kur ju i jepni publikut informacion për detyrën dhe veprimtaritë tuaja si funksionar i lartë.

Për shembull, ju fare mirë mund të shkruani:

Sapo u hap tubimi dy-ditor i Lalzit, me temë “çelësat e kashtës”.

Por askush nuk do të impresionohet nga kjo; sepse tubimet me temë “çelësat e kashtës” nuk impresionojnë më kënd; dhe aq më pak impresionojnë ato tubime që zgjatin vetëm dy ditë.

Mirëpo le të përfytyrojmë një çast sikur ju të kishit shkruar:

Sapo u hap tubimi dy-ditor i Lalzit me temë “çelësat e kashtës”!

Të gjithë do të pyesnin: ku mbahet ky takim? Ç’ambasadorë të rëndësishëm do të shkojnë atje? Si i bëhet që të vijmë edhe ne? A është vetëm me ftesa apo mund të hyhet edhe lirisht? Çfarë janë dhe si funksionojnë pikërisht çelësat e kashtës?

Kështu një event i rëndomtë shndërrohet befas në sukses. Ose më mirë: në sukses!

Studiues të thekur të komunikimit publik kanë vërejtur, prej kohësh, se pikëçuditëset kanë efekt kumulativ: sa më shumë të ketë prej tyre në një tekst, aq më i çuditshëm është ky.

Efektin kumulativ pikëçuditësja e arrin duke qark-shkurtuar informacionin tekstual dhe duke instaluar një lidhje të drejtpërdrejtë midis teje që shkruan dhe atij që lexon.

Prandaj kur u drejtoheni lexuesve, në vend që të thoni:

Jeni ju, pa jemi ne.

Provoni të thoni:

Jeni ju, pa jemi ne!

Ose edhe më bukur:

Jeni ju, pa jemi ne!!!

Për të treguar sa ju ngazëllen edhe thjesht ideja se jeni duke komunikuar me një masë anonime dhe amorfe, por që ju ndjek nga pas si pëllumbat barktharë kalimtarin në një park publik.

Edhe kur publikoni një selfie tuajën me fshesaxhiun Aziz, gjatë fushatës elektorale në qytetin Q., këtë doemos mund ta shoqëroni me diçiturën:

Një mëngjes pune me qytetarin Aziz në qytetin Q.

Por do të arrinit efekt optimal, me një modifikim të vetëm:

Një mëngjes pune me qytetarin Aziz në qytetin Q!

Kështu do t’ia bënit qejfin edhe xha Azizit, i cili nuk ka Facebook, por do të ketë së shpejti, sikur t’i fitojë zgjedhjet partia juaj; por edhe të gjithë atyre lexuesve tuaj që identifikohen me xha Azizin dhe e ndiejnë vëmendjen tuaj pa hile ndaj njeriut të rrugës.

Shenjë pikësimi versatile dhe poli-funksionale, pikëçuditësja hyn rëndshëm në punë edhe kur iu përgjigjeni pyetjeve të lexuesve, miqve dhe dashamirësve në FB.

Për shembull, kur lexuesja L. ju pyet:

Kur keni ndërmend ta mbyllni vrimën?

Atëherë ju duhet të luftoni tundimin për t’u përgjigjur:

Cilën vrimë?

Se ashtu do të humbni menjëherë simpati dhe popullaritet, sa kohë që një njeriu me autoritet si ju kurrë nuk i shkon që t’i përgjigjet një pyetjeje me një pyetje tjetër.

Ose edhe për t’u përgjigjur:

Nuk e kam idenë për çfarë flisni…

Duke tradhtuar mangësitë në informimin tuaj për çështje të jurisdiksionit që mbuloni, por edhe duke rënë në atë që pikësimologët e quajnë “gracka foshnjore e tripikëshit”, meqë tripikëshi – kjo shenjë pikësimi dekadente – krijon iluzionin e dorës së shtrirë drejt tjetrit, teksa thjesht tradhton faktin që mendimi juaj aktualisht nuk është solid si graniti, por ka marrë gjendje të shkrifët, si tallashi.

Dhe të shkruani, tek e fundit, se

Vrima është mbyllur tashmë.

Çka do të tingëllonte si një orvatje vertikalisht përtace, nga ana juaj, për të mbyllur debatin dhe për ta ftuar audiencën të kalojë në çështje të tjera; duke e qortuar publikun, tërthorazi, për mosinformim dhe mosdije.

Siç mund ta keni marrë tashmë me mend, mënyra e saktë për t’u përgjigjur është:

Vrimën e kemi mbyllur!

Këtu pikëçuditësja përmbush disa funksione kritike njëherësh: përcjell gëzimin tuaj të qashtër për përfundimin me një sukses të një pune me dobi kritike për publikun, gatishmërinë tuaj për ta bërë “share” këtë gëzim me ndjekësit e shumtë, empatinë tuaj ndaj të gjithë atyre lexuesve që mezi ç’prisnin sa të mbyllej vrima dhe mirëkuptimin tuaj ndaj të gjithë atyre ndjekësve të tjerë, të cilët nuk e dinin ende se vrima ishte mbyllur tashmë. Këtu luan rol edhe kalimi nga veta e tretë njëjës (“vrima është mbyllur”) në vetën e parë shumës (“vrimën e kemi mbyllur”), për të shënjuar punën në grup dhe shpirtin e kolegjialitetit: trimi i mirë me shokë shumë, thotë populli.

Mund të konsideroni këtu, njëlloj si edhe në shembujt dhe situatat e tjera më lart, përdorimin e disa pikëçuditëseve rresht (deri në gjashtë), pse këto i japin elegancë të rrallë tekstit, teksa përçojnë edhe delikatesën e një stili aristokratik, që nuk njeh moshë:

Vrimën e kemi mbyllur!!!!

Nëse do ta kishit shqiptuar një frazë të tillë në sallën e mbushur plot me simpatizantë tuajët ose të lëvizjes suaj politike, të pranishmit menjëherë do të ngriheshin në këmbë, për t’ju përshëndetur.

Një funksionar publik i karrierës nuk mund të komunikojë efektshëm me publikun, pa përvetësuar përdorimin virtuoz të pikëçuditëses në rrjetet sociale. Kjo shenjë trafiku ligjërimor, e hajthme dhe modeste, e vendosur në pozicione strategjike në tekstet, mund t’ju ndihmojë të ndërtoni çka me asnjë mjet tjetër nuk do ta kishit ndërtuar: konsensusin publik për ambiciet tuaja.

Pikëçuditëse të mbarë të gjithëve!

Nuk ka komente

  1. Eshte pak edhe problem shkolle. Nga kjo ese nuk mund te mos nxjerresh perfundimin se tekstet dhe mesuesit tane (por jo vetem ato, se puna nuk duket me mire edhe gjetiu) e perqendronin shpjegimin e shenjave thjesht ne anen kuptimore te planit te pare, potencialin qe kane per te shprehur ngjyresat e rastit emocionale, por me sa duket shenjave (edhe pse jane elementet e fundit qe kompletuan epoken e shkrimeve) nuk u mungojne edhe aftesite per te krijuar imazhe figurative logjike, module te pavarura shprehese, te zgjerojne polisemine e diskursit, e madje te sherbejne si kontrapunkt i fuqishem i vete fjaleve.
    Duke vene ne perdorim mjete te medha, kete rol jane thirrur te luajne vete fjalet, zoti na ruajt po t’u heqim kete aftesi, por me çfare çmimi behet kjo po qe se kerkojme t’u kalojme anash pikeçuditeses dhe motrave te saj!

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: