MORALI NË MODË

Incidenti me Sokol Ballën risolli në qendër të vëmendjes “çështjen morale”, për mirë dhe për keq.

U tha, me të drejtë, se askush nuk mund të paragjykojë se çfarë bën dikush në dhomën e vet të gjumit.

Baton Haxhiu shpjegoi edhe se:

Nuk e di ku e ka fillin moralizimi i seksit dhe masturbimit në publik, por meqë fjalët që i përdora ekzistojnë në çdo leksik zyrtar dhe diskurs botëror, atëherë është i papranueshëm dënimi i ashpër dhe i menjëhershëm nga cilado instancë.

Punë edhe të ndërlikuara, edhe të ndërlikueshme.

Dhe në këtë kontekst, merr një kuptim të ri, të papritur, debati qesharak në Parlament midis S. Berishës dhe E. Veliajt, për martesën.

Pavarësisht nga premisat e këtij debati, të thënat dhe të pathënat, të qenat dhe të paqenat, më tërhoqi vëmendjen batuta e ministrit dhe tani kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Veliaj, për “martesat me kushërirat.”

Ai e hodhi fjalën te një fakt, dyshim ose thashethem, se i biri i S. Berishës ka qenë martuar me kushërirën e vet.

Dhe e bëri këtë, duke nënkuptuar se ky mëkat kish qenë të paktën po aq serioz dhe i dënueshëm, sa edhe abuzimet për të cilat e akuzonte kundërshtari i vet.

Ose duke iu referuar kësaj porosie të shenjtë imagjinare “thou shalt not marry thy cousin.”

Që myslimanët “martohen me kushërirat e tyre,” ky është një canard që qarkullon prej kohësh në qarqet islamofobe në Perëndim.

Çka nuk besoj se lidhet me batutën e Veliajt; meqë tabuja e martesës brenda gjakut, në kulturën shqiptare, i ka rrënjët në Kanun; edhe kur nuk i ka në imperativin për ekzogami ose thjesht në kodin e martesës te të krishterët.

Në përgjithësi, kulturat gjithnjë u bëjnë thirrje tabuve, për të rregulluar marrëdhëniet martesore brenda dhe jashtë “gjakut.”

Por mua më duket se, nëse dikush dashurohet dhe martohet me kushëririn ose kushërirën e vet, kjo nuk shkel ndonjë ligj të shtetit laik.

Sot bota mbarë po përqafon një qasje shumë më mirëkuptuese dhe liberale ndaj martesës, sidomos falë përpjekjeve të komunitetit LGBT dhe legalizimit të martesës gay në shumë vende perëndimore.

Jam i sigurt se, sikur Veliaj – figurë dikur e shoqërisë civile dhe i njohur për qasjet e tij liberale dhe të iluminuara ndaj dilemave etike – të kish komentuar në mënyrë të ngjashme, në Parlament, për një bashkëjetesë mes dy partnerësh gay, bota mbarë do ta kish larguar vëmendjen nga vullkani që ka shpërthyer në Kili, për t’u përqendruar te vullkani që do të shpërthente në mjediset e OJQ-ve në Tiranë.

Natyrisht, kjo nuk mund të ndodhë – sepse të mbrosh të drejtat e homoseksualëve është cool; ndërsa martesat mes kushërinjve janë shndëruar në pariah-ët e dilemave etike të shoqërive si jona, që kërkojnë të bëhen Perëndimore thjesht duke ndërruar makijazhin.

Dhe këtu ka diçka që nuk shkon. Nga perspektiva liberale, një martesë mes kushërinjsh duhet të jetë po aq e pranueshme sa edhe një martesë mes dy personash të së njëjtit seks. Ideja këtu është që të pranosh dëshirën e dikujt – të një individi të lirë – për të vendosur vetë se si të jetojë dhe me kë; ose t’ia njohësh këtij individi të lirë të drejtën për të gjykuar.

Me këtë nuk dua të them se martesat mes kushërinjve duhen nxitur ose promovuar; por vetëm që – sa kohë që këto lloj martesash nuk ndalohen me ligj dhe nuk implikojnë shkelje të së drejtave të njeriut – kanë po ato të drejta sa edhe partneritetet e tjera, shumë më fashionable.

Përndryshe, gjithnjë do të ketë objeksione ndaj disa llojeve të martesave – njëri do të ngrihet kundër martesës me një rom a një vllah, një tjetër kundër martesës me një të fesë tjetër, një i tretë kundër martesës me diferencë të madhe moshe, një i katërt kundër martesës me të huaj… pa folur për të gjithë ata që martesën gay e konsiderojnë ende si abominacion, ose të paktën si kundër natyrës.

Kur lexova trajtesat ndonjëherë kaotike që iu bënë në shtyp incidentit Balla, nga kolegë të mi liberalë, mendova se kultura na jep ne individëve, për situata të tilla, një busullë morale që të na orientojë, duke na kursyer nevojën për arsyetime të zgjatura. Tek e fundit, edhe të qenët liberal nga natyra është qëndrim moral – përndryshe shndërrohet në të shtirur liberal.

Gatishmëria me të cilën u qesëndis një martesë jokonvencionale, si kjo mes kushërinjve në mes të Parlamentit të Republikës, më tregoi sa kallpe janë të gjitha ato përpjekje, për ta zëvendësuar edhe moralin me politikë dhe public relations; ose busullën morale me një hartë skriptesh sado të hollësishme dhe të përpiktë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: