Dje, në mjedisin e këndshëm të librarisë Fandango, në qendër të Romës, u prezantua libri i shkrimtarit të mirënjohur Visar Zhiti me titull Il Visionario alato e la donna proibita.
Bëhet fjalë për romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, që tani i ofrohet edhe lexuesit italian nëpërmjet shtëpisë botuese Rubbettino. Prezantimi i librit u realizua nën kujdesin e shoqatës “Occhio blu” dhe u ndoq me shumë interes nga publiku e dashamirët e shumtë, midis të cilëve shquheshin autoritete të kulturës e të diplomacisë.
Nismën kulturore e hapi Ambasadori Mario Bova, në cilësinë e Presidentit të shoqatës “Occhio blu”, duke përvijuar shkurtimisht profilin ndërkombëtar të shkrimtarit Visar Zhiti, me ndihmën e analizave të autorëve të tjerë që kanë shkruar për figurën e tij, si poeti italian Mario Luzi e studiuesi kanadez Robert Elsie. Bova përmendi gjithashtu dramaticitetin e figurës së Zhitit, angazhimin e tij civil dhe denoncimin ndaj totalitarizmit shqiptar, pa lënë në plan të dytë meritat e romanit, duke filluar nga risia e gjuhës dhe e estetikës së tij.
Në të njëjtën valë ishte edhe ndërhyrja e botuesit italian, i cili foli për vlerat e librit e më pas për vendimin që t’i përcillej publikut italian. “Librat i konsiderojmë si ura lidhëse”, u shpreh përfaqësuesi i shtëpisë Rubbettino, duke e cilësuar librin si përfshirës e plot pasion.
Por analizën më të bukur e të thelluar ia bëri kritiku e shkrimtari Renato Minore. Për të, Il Visionario alato e la donna proibita është libër me “frymëmarrje të thellë narrative” e që të tërheq me vete. Libri i Zhitit paraqet një kompleksitet të jashtëzakonshëm, deri në atë pikë saqë “narrativa mund të zgjatet në pafundësi”. Në qendër të librit gjendet gjithnjë, herë e dukshme dhe herë e padukshme, “diçka shpuese, si një gjemb i dhimbshëm”. Narrativa e autorit sillet si drita kur i afrohet diamantit, thyhet, fragmentohet, pasqyrohet.
Kritiku italian i nënvizoi publikut edhe diçka të pazakontë. Libri i Zhitit i shikon gjërat nga lart, në mënyrë shamanike. “Shpesh, në faqet e tij, koha e memories i mbivendoset së tanishmes”, megjithatë romani duhet të konsiderohet si mjet njohës, madje si udhëtim njohjeje, që në thelb “vjen nga memoria e shqyer nga përvoja e jetës”.
Pas një analize të përpiktë e cilësore, duke përfshirë edhe protagonistët e romanit, shkrimtari italian Renato Minore e paralajmëroi qartë publikun: “Nuk është libër i thjeshtë. Mund ta quajmë të fortë, me cepa, dramatik, deri edhe klaustrofobik e vizionar”. Kjo vepër, sipas tij, bën pjesë në atë letërsi që është mjet i njohjes dhe i së vërtetës.
Nuk mund të mungonte në prezantim mendimi i përkthyesit të romanit, prof. Elio Miracco, i cili u ndal kryesisht tek stili i Zhitit dhe elementet që kishte zbuluar gjatë përkthimit, por pa lënë pas dore disa karakteristika kryesore të veprës së shkrimtarit si “unicum i letërsisë shqiptare”.
Stili i shkrimtarit i duket përkthyesit e studiuesit të njohur si eksperimental e modern, me grumbujt e sintagmave, tiparet e gjuhës, kalimet nga poezia në prozë, ndryshimet e vazhdueshme të un-it narrativ, lojërat e fjalëve… Me sinqeritet simpatik Miracco e pranoi se kishte pasur vështirësi në përkthim, duke ofruar edhe disa shembuj, sa interesantë aq edhe të koklavitur, duke shpjeguar zgjedhjet leksikore që kishte bërë së bashku me autorin.
Romani, sipas Miracco-s, e ripërshkon realitetin nëpërmjet pavetëdijes. Aty dallohen absurditete kafkiane e procese surreale. “Nuk kemi të bëjmë me realizëm magjik, por me realizëm vizionar”, një lloj përpunimi i realitetit nëpërmjet irrealitetit, ku bashkëjetojnë racionalja me irracionalen. Një libër që, tek e fundit, të bën të mendosh.
Fjalët e autorit Visar Zhiti, që mbyllën edhe panelin e nismës, ishin njëherësh të sinqerta, të thella, me vend e me masë. Ndryshe nga autorë të tjerë, Zhiti nuk ra në grackën e shpjegimit pedant e imponues të veprës së tij, madje e pranoi që në fillim – pasi rrëfeu vështirësinë e pranisë së tij në eveniment – se “autori e ka të vështirë ta shpjegojë librin e vet”.
Pasi ndau me publikun diçka personale si shkrimtar (faktin se gjatë procesit të të shkruarit kishte vuajtur edhe fizikisht), Zhiti shtoi një fjali që flet më tepër se shumë manuale të kritikës letrare: “Kur mbarova së shkruari librin, mendova të rri në heshtje e të lë të tjerët të flasin”. Shkrimtari shqiptar la të nënkuptohej se është vepra ajo që flet për vete dhe se, në çastin e botimit, ajo bëhet gjithashtu e publikut. Fjalët e Zhitit tingëlluan jo vetëm të urta, por edhe plot respekt për lexuesin shqiptar e të huaj.
I nxitur nga citimi i Kafkës dhe i elementeve kafkiane nga ana e parafolësve, Zhiti u kujtoi të pranishmëve një anekdotë elokuente. Kur shkrimtari italian Dino Buzzati (i cili konsiderohej nga kritikët si kafkian) vizitoi shtëpinë e Kafkës në Pragë, u shpreh se kafkian nuk ishte ai, por realiteti vetë. Ndërsa romanin e tij Il Visionario alato e la donna proibita, Visar Zhiti e quajti si “ditar shpirtëror, shkruar me gjak, djersë e ëndërr”, duke i kujtuar auditorit se është “jeta që e zgjedh njeriun për të bërë një portret ose pjesë të tij”.
Shumë nga dëgjuesit në sallë, italianë e shqiptarë, rendën ta blejnë romanin e sistemuar bukur në raftet e librarisë. Të gjithë me të njëjtin libër në dorë, me pritshmëri të njëjtë por ndoshta nesër me interpretime të ndryshme, sepse bagazhi kulturor i lexuesit italian ndryshon nga ai shqiptar, që e njeh fizikisht realitetin e djeshëm e të sotëm shqiptar, ndërsa Zhitin nëpërmjet veprave të shumta në shqip. Këta janë në gjendje të bëjnë deri krahasime e vlerësime për përkthimin, por ka të tjerë, më të rinj, që duan ta shijojnë të përkthyer në gjuhë të huaj. Ndryshimtaria gjendet edhe në vështrime, lexime, qasje, filtrime, përbrendësime, emocione.
Sidoqoftë, romani i Visar Zhitit, për vetë temat dramatikisht të thella që prek, mund të jetë edhe nxitës i një dialogu mes brezash, prejardhjesh e përvojash të ndryshme. E pse jo, mes ëndrrash e vizionesh.