Migracioni shqiptar nuk mund të njihet mirë pa analizuar brezat e rinj që janë ende në bankat e shkollës. Njohja e tyre na jep mundësinë të shohim diçka jo vetëm nga e tashmja, por edhe nga e ardhmja.
Nga ana tjetër, njohja bëhet e domosdoshme sidomos në kohërat e sotme, kur lëvizshmëria e qytetarëve është rritur pa masë, që do të thotë se këta nxënës, në një pjesë të vogël natyrisht, mund t’i gjesh nesër në shkollat shqiptare. Përveç kësaj, në Shqipëri vijojnë të qarkullojnë gjithfarë klishesh për nxënësit në vendet e huaja, çka e bën më imperative njohjen reale të kësaj pranie.
Sa nxënës shqiptarë ka në Itali? Si janë të shpërndarë? Çfarë degësh studiojnë në shkollat e mesme? Cilat janë rezultatet? Ministria italiane e Arsimit ka krijuar një traditë pozitive, sepse çdo vit zhvillon një studim të posaçëm për nxënësit me shtetësi të huaj.
Këtë vit raporti quhet “Nxënësit me shtetësi jo italiane. Midis vështirësive e sukseseve”, titull kuptimplotë që del në pah edhe në parathënien e Ministres së Arsimit, sipas të cilës ky realitet është i shumanshëm, “dinamik, por edhe, gjithnjë e më shumë, i qëndrueshëm e strukturor”. Studimi në fjalë, i përgatitur në bashkëpunim me Fondazione Ismu, analizon praninë e nxënësve gjatë vitit shkollor 2013/2014 (kopshti, cikli fillor, cikli i mesëm i ulët, shkolla e mesme, regjistrimet në universitet), duke dhënë “çelësa leximi për dimensionin shumëkulturor e shumëgjuhësh” të shkollës italiane.
Raporti nënvizon edhe disa aspekte të reja siç është hendeku midis nxënësve të huaj porsa të ardhur dhe atyre që janë lindur në Itali. Problemet e karakteristikat e tyre janë të ndryshme. Jo e thjeshtë paraqitet situata e atyre klasave që e kanë tejkaluar 50%-in me nxënës të huaj. Sikurse janë për t’u analizuar gjithashtu çështja e nxënësve me aftësi të kufizuar, zgjedhja e shkollës së mesme, vonesat e nxënësve të huaj, e kështu me radhë.
Gjatë vitit shkollor 2013/2014 në shkollat italiane rezultonin 802.844 nxënës me shtetësi të huaj (praktikisht 9% e numrit të përgjithshëm). Për të pasur një ide më të qartë për këtë numër le të kujtojmë se në vitin 2001/2002 kishte 196.414 nxënës të huaj. Rritja është e jashtëzakonshme. Madje edhe në krahasim me një vit më parë, kur statistikat jepnin shifrën 786.630 nxënës të huaj.
Në qoftë se numri i nxënësve të huaj në shkollat shtetërore rritet, ai i italianëve ulet: +16% më 2013/14 kundrejt vitit 2009/2010; ndërsa nxënësit italianë, për të njëjtën periudhë, reduktohen në numër si në shkollat private (-7,5% në pesë vjet), ashtu edhe në ato shtetërore (-1,1%).
Vendin e parë, për nga numri, e zënë rumunët (154.621), kurse shqiptarët janë në vend të dytë me 107.847 nxënës. Më pas vijnë marokenët (101.176 nxënës), kinezët (39.211) e filipinasit (24.839). Në përgjithësi femrat janë më pak në numër se meshkujt (48% i totalit), pak a shumë sa përqindja e nxënësve italianë.
E dhëna më interesante është se ata që janë lindur në Itali përbëjnë tashmë shumicën e nxënësve, duke kapur për herë të parë shifrën 51,7% (415.283) të të huajve.
Nxënës të huaj sipas prejardhjes e llojit të shkollës. Vlera absolute e përqindjet përkatëse. Viti shkollor 2013/14
Shtetësia | Kopshti | % | Shkolla fillore | % | Shkolla nëntëvjeçare | % | Shkolla e mesme | % | Totali | % |
Rumania | 34.085 | 20,3 | 55.709 | 19,7 | 32.390 | 19,1 | 32.437 | 17,8 | 154.621 | 19,3 |
Shqipëria | 23.841 | 14,2 | 38.044 | 13,4 | 21.630 | 12,7 | 24.332 | 13,4 | 107.847 | 13,4 |
Maroku | 25.991 | 15,5 | 38.051 | 13,4 | 20.501 | 12,1 | 16.633 | 9,1 | 101.176 | 12,6 |
Kina | 7.554 | 4,5 | 14.309 | 5,1 | 10.068 | 5,9 | 7.280 | 4,0 | 39.211 | 4,9 |
Filipinet | 4.101 | 2,4 | 8.623 | 3,0 | 5.964 | 3,5 | 6.151 | 3,4 | 24.839 | 3,1 |
Moldavia | 4.095 | 2,4 | 6.822 | 2,4 | 4.909 | 2,9 | 8.775 | 4,8 | 24.601 | 3,1 |
India | 5.480 | 3,3 | 8.919 | 3,1 | 4.959 | 2,9 | 4.663 | 2,6 | 24.021 | 3,0 |
Ukraina | 2.485 | 1,5 | 5.140 | 1,8 | 3.564 | 2,1 | 7.981 | 4,4 | 19.170 | 2,4 |
Peruja | 3.227 | 1,9 | 5.337 | 1,9 | 3.722 | 2,2 | 6.325 | 3,5 | 18.611 | 2,3 |
Tunizia | 4.179 | 2,5 | 6.978 | 2,5 | 4.008 | 2,4 | 3.193 | 1,8 | 18.358 | 2,3 |
Ekuadori | 3.236 | 1,9 | 5.119 | 1,8 | 3.746 | 2,2 | 6.152 | 3,4 | 18.253 | 2,3 |
Pakistani | 3.249 | 1,9 | 7.234 | 2,6 | 4.298 | 2,5 | 3.379 | 1,9 | 18.160 | 2,3 |
Maqedonia | 3.006 | 1,8 | 6.469 | 2,3 | 4.123 | 2,4 | 3.166 | 1,7 | 16.764 | 2,1 |
Egjipti | 3.863 | 2,3 | 6.050 | 2,1 | 2.813 | 1,7 | 2.514 | 1,4 | 15.240 | 1,9 |
Bangladeshi | 3.446 | 2,1 | 5.560 | 2,0 | 2.177 | 1,3 | 1.982 | 1,1 | 13.165 | 1,6 |
Vende të tjera | 35.812 | 21,4 | 64.869 | 22,9 | 40.908 | 24,1 | 47.218 | 25,9 | 188.807 | 23,5 |
Totali | 167.650 | 100,0 | 283.233 | 100,0 | 169.780 | 100,0 | 182.181 | 100,0 | 802.844 | 100,0 |
Burimi: përpunimi Ismu i të dhënave të Ministrisë së Arsimit
Po të analizojmë shpërndarjen me përqindje të shtetësive kryesore, vihet re se nxënësit rumunë janë gjithnjë në vend të parë, marokenët janë në vend të dytë në kopshte, ndërsa shqiptarët dalin në vend të dytë në shkollat nëntëvjeçare e të mesme.
Përqindja e femrave tek nxënësit sipas shtetësisë e llojit të shkollës. Viti shkollor 2013/14.
Shtetësia | Numri absolut |
Kopshti | Fillorja | Nëntëvjeçarja | E mesmja | Totali |
Rumania | 76.536 | 48,6 | 48,4 | 48,5 | 53,3 | 49,5 |
Shqipëria | 51.538 | 47,1 | 48,1 | 46,3 | 49,4 | 47,8 |
Maroku | 48.090 | 47,1 | 48,3 | 45,5 | 49,0 | 47,5 |
Kina | 18.564 | 45,5 | 48,2 | 45,8 | 49,6 | 47,3 |
Moldavia | 12.635 | 49,9 | 49,8 | 48,7 | 54,8 | 51,4 |
Filipinet | 12.048 | 46,6 | 48,3 | 45,6 | 52,9 | 48,5 |
India | 10.395 | 43,4 | 45,0 | 40,2 | 43,0 | 43,3 |
Ukraina | 9.490 | 48,5 | 46,5 | 46,1 | 53,3 | 49,5 |
Peru | 9.079 | 48,2 | 49,1 | 48,8 | 48,8 | 48,8 |
Ekuadori | 8.935 | 48,8 | 48,7 | 48,1 | 49,8 | 49,0 |
Tunizia | 8.502 | 45,2 | 47,2 | 45,8 | 46,5 | 46,3 |
Maqedonia | 7.868 | 47,1 | 48,3 | 45,7 | 45,6 | 46,9 |
Pakistani | 7.846 | 43,2 | 46,0 | 40,6 | 40,6 | 43,2 |
Egjipti | 6.528 | 45,7 | 45,7 | 41,8 | 32,7 | 42,8 |
Bangladeshi | 5.884 | 45,3 | 47,8 | 42,4 | 37,5 | 44,7 |
Totali | 91.427 | 47,4 | 48,1 | 46,5 | 49,8 | 48,0 |
Burimi: përpunimi Ismu i të dhënave të Ministrisë së Arsimit
Po të vizatohet harta e pranisë së nxënësve në territor dalin qartë disa karakteristika të imigracionit në Itali. Në fakt nuk është e rastit që nxënësit tunizianë janë më të shumtë në Trapani e Raguza (Sicili), kinezët në Prato (Toskana), indianët në Kremona e Mantova (Lombardi) e shqiptarët në Pistoia (Toskana). Fakti që shqiptarët nuk rezultojnë në numër të konsiderueshëm në shumë provinca tregon në mënyrë indirekte edhe shpërndarjen e tyre disi homogjene në territorin italian.
Raporti studimor vëren se rumunët, marokenët e shqiptarët duken më pak të koncentruar në zona të posaçme e më të shpërndarë në territor. Ndryshe është situata e ukrainasve, kinezëve, indianëve, etj. Kjo dëshmon gjithashtu efektin e rrjetave farefisnore dhe etnike që kushtëzon prurjet e ndryshme të imigracionit.
Interesante duket situata në shkollat e mesme. Zgjedhja e tyre, vitin e kaluar kushtëzohej nga prejardhja (nga pikëpamja e shkollarizmit) dhe nga përqindja femërore. Edhe këtë vit situata duket e ngjashme. Nxënësit marokenë parapëlqejnë shkollat profesionale, së bashku me pakistanezët, indianët, ekuadorianët; moldavët, peruvianët e kinezët regjistrohen në shkolla të mesme teknike, ndërsa shkollat e mesme me drejtim artistik, gjuhësor, humanist, shkencor, ndiqen më shumë nga rumunët, ukrainasit e shqiptarët.
Për shqiptarët kjo është e vërtetë pjesërisht. Nga 24.332 nxënës shqiptarë në të gjitha shkollat e mesme, 25,2% janë në lice të ndryshme, 37,6% në shkolla teknike e 37,3% në institute profesionale. Pjesa më e madhe e nxënësve shqiptarë u drejtohen shkollave e degëve teknike.
Këtë vit Raporti i Ministrisë italiane të arsimit u hedh një sy edhe statistikave të nxënësve që kanë mbaruar maturën e janë regjistruar në universitetet italiane. Shqipëria zë vendin e parë me 1344 regjistrime. Më pas vijnë Moldavia, Ukraina, Kroacia, Serbia, Maqedonia e Rusia. Studentët e huaj meshkuj parapëlqejnë fakultetet e mëposhtme: Ekonomi, Inxhinieri, Juridik. Femrat ndjekin më shumë Ekonomi, Mjekësi, Gjuhë-Letërsi, Pedagogji.
Dukuria e re negative Neet (Not in Employment, Education and Training), d.m.th. të rinjtë që nuk punojnë, nuk studiojnë e nuk ndjekin kurse formimi, prekin edhe migrantët. Raporti thekson se gjatë vitit 2013 të rinjtë Neet me moshë 15-29 vjeçare me shtetësi të huaj, por me lejeqëndrim në Itali, përbëjnë 15,8% të totalit. Shqiptarët që hyjnë në këtë kategori nuk janë të paktë. Një dukuri vërtet shqetësuese për politikat sociale në vend.
Raporti në fjalë, pasi analizon rezultatet në mësime, del në disa përfundime interesante. Nxënësit migrantë të brezit të parë kanë rezultate më të dobëta se sa italianët. Por nxënësit me shtetësi të huaj që janë lindur në Itali u afrohen vendasve përsa i përket përgatitjes shkollore. Kjo do të thotë se përvoja migratore, pavarësisht se varet nga mosha e veçori të tjera, përbën moment kyç në jetën e shkollarëve.
Roli i nxënësit të huaj që frekuenton shkollën italiane është thelbësor edhe për integrimin e familjes, sepse ai është “ndërmjetësi i parë kulturor” i familjes, veçanërisht në fillimet e migracionit. Nxënësi është i pari që integrohet e që krijon lidhje e marrëdhënie me shoqërinë vendase e që ndihmon më pas anëtarët e tjerë të familjes. Pra roli i shkollës është themelor.
Pikërisht për këtë arsye shkollës i dalin një sërë detyrash, që raporti i rreshton në fund. Midis tyre bie në sy rekomandimi për formimin e kurseve për mësimin e gjuhëve të vendlindjes, edhe në bashkëpunim me qeveritë e vendeve nga ku kanë ardhur imigrantët. Kjo do të thotë se shkolla duhet ta vlerësojë e ta nxisë dygjuhësinë e nxënësve dhe t’i formojë mësuesit për temat e diversitetit gjuhësor e të interkulturës. Kjo do të ishte një mënyrë tjetër për t’i përfshirë prindërit në aktivitetet e klasës së fëmijës.
Duhet thënë se shkolla në Itali është një nga ato institucione që ka reaguar më pozitivisht ndaj migracionit të dhjetëvjeçarëve të fundit, sepse ka qenë laborator i shkëlqyer i integrimit të migrantëve dhe ka ditur përballojë me sukses këtë sfidë globale. Dritëhijet nuk mungojnë, sikurse nuk mungojnë shqetësimet për ndërlikimet e mundshme, sidomos në krahinat ku ka më shumë të huaj. Megjithatë, duhet të pranojmë, së bashku me studimin e mësipërm, se prania e nxënësve të huaj është vërtet problematike për disa aspekte, por edhe një shans i jashtëzakonshëm për ta rikonfiguruar shkollën e për ta riparametruar me kërkesat e kohës. Në bankat e sotme të shkollës ndërtohet shoqëria e nesërme.
Nje korigjim do keshilloja, pse e quan shkolla nente vjecare kur me sa di ne Itali mbas elementares – 5 vjet kalohet ne shkolla e mesme e ulet ( 3 vjet ) e pastaj kalohet ne te mesme te larte.
Isha në mëdyshje nëse duhet t’i shqipëroja ciklet shkollore italiane apo t’i lija në origjinal. Po shpjegohem më mirë. Shkolla italiane, pasi mbarohet çerdhja (asilo nido) dhe kopshti (scuola materna), ndahet në dy cikle. Cikli i parë përbëhet nga Shkolla Parësore (Scuola Primaria) e nga Shkolla Dytësore e shkallës së parë (Scuola secondaria di primo grado). Cikli i dytë ka të bëjë me Shkollën dytësore të shkallës së dytë (scuola secondaria di secondo grado).
Po t’i jepja përkufizimet e shkollës italiane, që janë fryt i disa reformave të kohëve të fundit, rrezikoja që lexuesi shqiptar të mos e kuptonte mirë gjendjen aktuale. P.sh. shkolla e fëmijërisë, ose kopshti, bën pjesë me të drejta të plota në sistemin arsimor italian. Shkolla parësore, që në Shqipëri quhet fillore zhvillohet në pesë vjet, kurse ajo që dikur në vendin tonë quhej tetëvjeçare, e sot emërtohet nëntëvjeçare, quhet shkollë dytësore e shkallës së parë. Shkolla dytësore e shkallës së dytë është ajo që ne quajmë shkollë e mesme.
Situatën e ndërlikon edhe fakti se në shoqërinë aktuale italiane nuk janë metabolizuar ende emërtimet e reja, sepse shkolla tetëvjeçare (nëntëvjeçare) quhet ende “scuola media inferiore”, kurse shkolla e mesme “scuola media superiore”, emërtime që i përkasin sistemit të vjetër. Po t’i thuash një prindi italian që fëmija e tij do të regjistrohet në shkollën dytësore të shkallës së parë të ciklin të parë të studimeve, ke shumë shanse që të të mos kuptojë fare.
Nejse. Për të shmangur keqkuptime, e për t’iu afruar emëruesit të përbashkët të shqiptarëve brenda e jashtë vendit, iu referova sistemit aktual arsimor shqiptar dhe emërtimeve më të përhapura. Por ndoshta duhej të shtoja një glosar më këto shpjegime që dhashë tani.