GJYQ KUNDËR GJYQIT

nga Erion Gjatolli

Nga faqet e të revistës italiane Panorama në blogun e PTF-së, polemika e shkaktuar nga intervista e çiftit – dikur edhe në jetë e tashmë vetëm në profesion – Domenico Dolce e Stefano Gabbana, e ndau opinion publik në tri pjesë.

Për disa, sulmi ndaj “fëmijëve të kimisë” pa nënë e baba biologjikë, ishte në radhë të parë sulm ndaj betejës së gjatë, e fatkeqësisht ende larg fundit, për të drejta të barabarta mes çifteve që kërkojnë trashëgimtarë, pavarësisht gjinisë së tyre. Për të tjerë, ishte mbeshtetje për familjen tradicionale ku ngjizja i besohet vetëm romanticitetit të dhomës së gjumit. Së fundmi, ndërhynë edhe ata që, mes thirrjeve për mbështetje apo për bojkot të produkteve D&G kërkuan respektimin e së drejtës së fjalës, për hir të demokracisë që i njeh kujtdo të drejtën për të thënë atë që mendon, paçka se pa u shqetësuar për pasojat.

Ashtu si autori i shkrimit të para disa ditëve në këtë blog, as unë nuk dua të ndalem në vlerësimin e fjalëve të stilistëve, edhe pse do të doja vërtet të dija se ç’ka më të natyrshme praktika e njohur dhe e pranuar botërisht e adoptimit, nga ajo e fekodimit artificial? E brenda familjes tradicionale par excellence, a nuk ishte edhe ngjizja e Jezu Krishtit rezultat i fekondimit të asistuar dhe krejt e natyrshme atësia adoptive e Jozefit?

Drejtësi për D&G

Në të vërtetë, përtej një debati potencialisht të pafundmë mbi martesën, familjen dhe ngjizjen, kam përshtypjen se gjyqi popullor kundër D&G është veçse i fundit, e sigurisht jo më i rëndësishmi, në karrierën e dy stilistëve. Një tjetër proces, këtë herë në sallë të vërtetë gjyqi,  u mbyll në tetor të 2014 nga gjykata e kasacionit e Italisë, e cila anuloi një dënim me 18 muaj heqje lirie në ngarkim të dy stilistëve, duke i dhënë një goditje të fortë luftës shtatëvjeçare të autoriteteve tatimore italiane ndaj zhvendosjes së grupit D&G në Luksemburg, ku barra fiskale binte nga nga 45 në 4%. Për këto dy shifrat e fundit, dy stilistët do të deklaronin përpara hetuesve se nuk kishin kurrfarë dijenie.

Për një deklarate më të vetëdijshme, nisi këto dy javët e fundit edhe gjyqi mediatik e popullor ndaj D&G, nën thirrjen për bojkot të markës së njohur të modës, veçse në këtë rast nuk bëhet fjalë për sulm ndaj mendimit ndryshe, ngase mendimi i shprehur në faqet e llakuara të rëvistës Panorama është në fakt në linjë me mendimin e përgjithshëm mbi familjen dhe natyrën e saj tradicionale. Zërat kundër, në këtë rast, janë pakica; këto janë mendimi ndryshe.

Ndërsa paralelizmi mes mbrojtjes së fjalës së lirë, si në rastin sulmit në redaksinë e revistës Charlie Hebdo, me hashtag-un e nisur nga Elton John-i për bojkotin apo qoftë edhe për djegien e produkteve D&G, vështirë se mund të qëndrojnë në të njëjtin plan. Lëvizja kundër D&G nuk është censurë dhe nuk ka të bëjë me fjalën e lirë. D&G kanë në dispozicion çdo mjet të mundshëm për të thënë fjalën e tyre, si prej dyqaneve në qendrën mondane të Milanos ashtu edhe prej parajsave fiskale evropiane. Në mos u mjaftoftë një hashtag më shumë në botën e cicërimave elektronike, mund ta shkruajnë me gërma të arta në veshjet e tyre të rëndomta e të pashije. Kush vishet për dukë, luksin trashanik e lëbyrës që kaq mirë përkon me stilin D&G, di ta vlerësojë e ta paguajë shtrenjtë.

Yje dhe intelektualë

Në qershor të 2014, Jean-Luc Godard-i tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit publik duke kërkuar nga faqet e të përditshmes Le Monde që Presidenti Hollande të emëronte Kryeministre Marine Le Pen, pas kryesimit të Front National në zgjedhjet për rinovimin e parlamentit evropian. Pas deklaratave të bujshme, nismësi i nouvelle vague nuk u bë objekt i asnjë linçimi publik, pavarësisht jehonës që pati reagimi i tij dhe indinjatës për mbështetjen e së djathtës ekstreme franceze; jo sepse është i majtë dhe të majtët nuk preken, por sepse bojkoti thirret në mbrojtje të pakicave, jo të shumicës.

Personazhe si Elton John-i dhe Jean-Luc Godard-i, protagonistë të skenës mediatike botërore – në këtë rast të vendosur në zgripet e kundërta të saj – kanë padyshim akses në farkëtimin e opinionit publik, e nuk ngurrojnë të ndërhyjnë edhe në diskutime të rëndësishme, qofshin me natyrë politike apo bioetike. Por në terrinën e sotme mediatike të gjithë kemi të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes. Madje kemi edhe të drejtën për të skandalizuar dhe kënaqësinë për t’u ndjerë të skandalizuar. Sepse, për ta thënë me Pasolini-n, “kush refuzon kënaqësinë e skandalizimit, është një moralist”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin