Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

JA NJË I MADH

Desha ta ndaj me ju këtë pasazh nga një libër-intervistë i Osvaldo Ferrari-t, me Jorge Luis Borges-in (Conversations, Seagull Books, 2014, f. 68).

Ferrari bisedon me argjentinasin pak kohë pasi ky është kthyer nga një udhëtim përreth botës, ku ka vizituar mes të tjerash Italinë, Greqinë dhe Japoninë.

“U ktheva me përshtypje të mrekullueshme,” i thotë Borges-i. “Por edhe i habitur – që njerëzit më respektojnë kaq shumë dhe që më marrin seriozisht. Nuk jam i sigurt nëse puna ime e meriton kaq vëmendje. Besoj se jo. Besoj se unë tani jam bërë një farë bestytnie ndërkombëtare. Por jam shumë mirënjohës dhe nuk kam reshtur së mahnituri. Gjithë ato çmime që mora, gjithë ato nderime. Ti tani po flet me një doktor honoris causa të Universitetit të Kretës! Dhe e gjithë kjo duket kaq fantastike, më duket mua por edhe të tjerëve, apo jo? Unë kam mbetur pa gojë. Them se më kanë lexuar të përkthyer, dhe këto përkthime mund edhe t’i kenë përmirësuar tekstet e mia. Ose ndoshta ka diçka midis rreshtave atje, që unë nuk kam arritur ta kap. Mirëpo qenka vërtet. Se përndryshe, nuk di të shpjegoj pse i meritoj të gjitha këto.”

Fjalë të një të madhi. Nga më të mëdhenjtë e shekullit XX, dhe ky nuk është gjykimi im, as zbulimi im. Por shkrimtari i madh nuk shquhet vetëm nga vepra e vet por – ndonjëherë – edhe nga mënyra si i qaset kësaj vepre.

Dhe në këtë pasazh shpaloset një Borges të pasigurt; jo të trembur nga fama, por të pasigurt – sepse nuk e ka pritur adhurimin, së paku në këtë shkallë. Dhe nëse nuk e ka pritur, as edhe do ta ketë kërkuar.

borgesHabitem, thotë ai, që njerëzit më marrin kaq seriozisht. Jo se është tallur ndonjëherë me lexuesin, ose nuk ka qenë i ndershëm me të; por sepse nuk ka qenë i përgatitur të përballojë pasojat e asaj loje intelektuale – përndryshe sublime – që është letërsia.

Jam bërë një farë bestytnie ndërkombëtare, dyshon ai; duke shprehur, kushedi pa qenë deri në fund i vetëdijshëm, frikën se mos fama e tij e tanishme – jemi në vitet 1980 – nuk ka shumë lidhje me cilësinë, ose fibrën e teksteve të tij; por është një lloj mode. Një mem, do ta quanim sot; një dukuri virale. Një rritje eksponenciale e “likes” në Facebook.

Dhe nuk është i pari, as i fundit autor, që i druhet famës duke e parë si armike të krijimit dhe të virtytit prej autori; por edhe pa kërkuar, me këtë formë të pashmangshme snobizmi, të fyejë lexuesin e vet.

Prandaj edhe kërkon një deflection çfarëdo, që mund të jetë shenjë modestie, por edhe dëshmi e një mendjeje të çliruar nga vaniteti – pa çka Borges-i është mjaft i shtyrë në moshë, kur i thotë këto.

Përmend përkthimet e mira, si faktorë të mundshëm të famës së tij anembanë botës. Pa çka se spanjishtja e tij lexohet lirshëm; dhe vetë Borges-i nuk mbetet kurrë peng i nivelit diskursiv të tekstit. Në fakt, unë e kam lexuar edhe në origjinal, edhe në italisht edhe në anglisht; them se përkthimi italisht ka qenë sublim, ndërsa versionet anglisht të tregimeve të tij nuk më kanë bindur kurrë.

Por i ka bërë përkthyesit e vet të lumtur; dhe kush mund të thotë se këta s’e kanë merituar?

Më në fund, Borges-i ia jep veprës së vet edhe koncesionin e fundit, duke pranuar se lexuesi mund të ketë gjetur atje diçka që ai vetë, si autor, nuk e ka vënë as e ka imagjinuar. Ia kam lexuar këtë edhe Eco-s, në një kontekst tjetër, dhe mjaft më ironik (Postille a Il Nome della Rosa).

Në fakt, nëse deri vonë në kohët e reja autonominë e një vepre e cenonte intertekstualiteti klasik, ose raportet e saj me veprat paraprirëse (aq sa vetë kriteri i origjinalitetit të mos ngrinte shumë peshë), kohët moderne janë prirur t’ia heqin veprën nga duart autorit, për t’ua besuar lexuesve.

Dhe Borges-i e pranon këtë; si prindi që ia njeh fëmijës së vet pjekurinë – dhe e lëshon në botë.

Fama që i detyrohet emrit jo veprës; kontributi i përkthimeve në cilësinë e teksteve; autonomia e teksteve vetë nga synimet e shkrimtarit – me të gjitha këto Borges-i sikur kërkon të largohet nga imazhi i autorit si kundërfigurë e lexuesit.

Ndokush do ta shihte këtë si modesti; për mua është para së gjithash urtësi.

Pa Komente

  1. Fenomeni është me te vertete i çuditshem. Besoj edhe mjaft i vjeter, kushedi ka lindur me vete letersine. Ndodh qe vepra e tejkalon autorin, ai duket sikur nuk eshte tjeter veçse nje mesazher, përcjellës i punes se dikujt tjeter. Ajo qe ndodh ne rastin e Borgesit eshte se ne kushtet e kohes sone ai u be deshmitar i sublimimit te vepres se tij, jetoi gjate dhe shetiti neper bote.
    Nuk me kujtohet nje filozof i shekullit 19 qe i habitur para monumentalitetit te vepres se Balzakut dhe informacionit qe sillte ajo edhe per filozofet e sociologet, tha se ne veprën e nje autori “duhet te shohim pertej asaj qe ka dashur te thote autori” (se vete Balzaku as qe kishte prirje per ndonje analize klasore dhe sociologjike te shekullit te tij). Pra duket se ka prekur faktin se nje veper mund t’i “ike nga duart” edhe vete autorit te saj.
    Eshte nje terren shume delikat. Mund te ndodhe qe kritika te shprehe ndaj nje vepre deshiren e saj, te beje interpretime estetike nisur nga elemente te rastësishëm.
    Me kujtohet kritika per nje film te Angjeloposit kur faktin qe personazhet leviznin te vetmuar neper rruget e nje qyteti, ajo e interpretoi si simbolike te faktit se shpesh, per shkak te gjendjeve te ndryshme psikologjike, individi ndihet i vetmuar edhe kur leviz ne qender te nje qyteti te madh, te zhurmshem e plot levizje.
    Dikush u kujtua te pyese vete Angjeloposit, ne festivalin e Kanes. Qe nje befasim i vertete kur ai tha se kjo kishte ardhur ngaqe ai nuk kishte patur shume financime per te paguar figurante…

    Une shoh anen tjeter. Po sikur nderkohe Angjeloposi te kishte vdekur, ne sot do te ishim përballë nje interpretimi te gabur, por mjaft te besueshem, qe i jepte kinemasë se regjisorit grek vlera qe do ta sikletosnin edhe ate vete

  2. Numri i doktoratave ad honoris që Borges-i mori deri në fund të jetës është diku midis 20-ës e 30-ës, që përbën, besoj, një rekord.
    Nuk e di juve, por unë çdo faqe të Borges-it e lexoj me një buzëqeshje stampuar në fytyrë. Një nga arsyet e madhështisë së tij, them se vjen nga një mishelë e papërsërithshme e oralitetit me fjalën e shkruar. Ai është njëkohësisht bardi i lashtë dhe shkrimtari modern. Një intervistë, një leksion i Borges-it është njëlloj vepër arti si tregimet apo poezitë.
    Sa i përket përkthimeve të Borgesit në italisht, ky vend për të qe i bekuar, me dy vëllimet e “Meridiani Mondadori” qysh në të gjallë, i përkthyer nga më të mëdhenjtë. Mjaft të përmendim “Ficciones” përkthyer nga Lucentini.

  3. Jo dhe aq i madh. Sepse po ta shohim holle-holle, Borgesit si autor i mistikes, labirinteve dhe iracionales i intereson ky lloj tisi iracional. Nje lloj mosshpjegueshmerie qe e rrethon vepren e tij dhe ate vete me nje vello magjike. Dhe e gjitha kjo, ne nje kohe ku ne bote dominonte racionalja. Pra Brogesi eshte ne nje linje me imazhin qe ai ka menduar gjithnje per vepren e vete.
    Ndersa qendrimin e Ekos nuk e kam hasur dhe e kam te veshtire ta interpretoj. Kjo edhe per arsyen se personalisht e gjej nje autor te respektueshem por jo ndonje letrar kushedi. Pastaj ky i fundit ka brenda edhe rolin e studiuesit qe e vendos ne nje tjeter dimension interpretimi apo vetinterpretimi.

  4. Vepra e Borges eshte nje nga perfaqsuesit e shquar te letersise postmoderne (letersia e rraskapitjes) ku intertekstualiteti krijon lexuesin me nje diapazon te dukshme lirie interpretative.Ndaj duket pak e habitshme habia e tij kur thote se “ndoshta ka dicka midis rreshtave qe une nuk e kam kap”.Sipas teorive moderne te leximit (Vepra e hapur-Eco, Akti leximit-V.Izer, Barthes,Todorov etj), vepra e vertete nuk eshte ajo qe shkruan autori por ajo cfare perftohet pas leximit nga lexuesi.Cdo tekst behet nje preteks per lexuesin e mireinformuar.Fantazia e autorit te fictionit ka perfunduar me shkrimin e tekstit dhe ky i fundit sherben si pikenisje per fantazine e lexuesit .
    Cdo autor dhe sidomos ata qe jane mirefilli te medhenj, si Borges, jane vetvetiu kerkues, dyshimtaret e pare te punes se tyre dhe perhere ne kerkim te vepres se persosur.Nga kjo pikpamje, skepticizmi eshte i justifikuar perballe fames se arritur. Nga ana tjeter imazhi autorit i projektuar prej fames, kritikes, studimeve shpesh behet si libreza e nje studenti te shkelkqyer e cila punon ne favor te tij , edhe kur perfomanca e tij ne nje provim eshte e dobet.
    Ky qendrim-modest i nje shkrimtari te madh kontraston me mendjemadhesine boshe te shkrimtareve te rinj sot te cilet sapo shkruajne librin e pare presin famen dhe kur ajo nuk vjen fajesojne kritiken, lexuesin dhe gjithe boten.

  5. Ashtu si e ke sjellë ti interesin e fjalëve të Borges-it, Xha Xha, më duket në vijim të hierarkive të vlerave që diskutonim para ca ditësh. Sikur pyetja është mprehur edhe më: e di autori apo lexuesi ku i rreth qëllimi veprës? Kush është zëri autoritativ? Dhe këtu them luan rol faktori kohë, vepra dhe lexuesi e mbijetojnë shkrimtarin, përveç se që vepra i kapërcen kufinjtë kohor, gjeografik, ideologjik të autorit, e mbi të gjitha linguistik, sepse ky ka gjasë të jetë më transformuesi. Kjo e bën letërsinë edhe konvejer demokratik idesh e vlerash, me gjithë relativizmin e pashmangshëm. Borges-i më ngjan i kupton nyjëzimet e rrëfimit dhe i materializon në prozën e tij si rrallë ndonjë tjetër, me vetë-refleksivitet virtuoz: çdo fjali është një segment i labirintit, por si të thuash edhe labirint më vete, me potencialitet për të shkuar në të gjitha drejtimet e mundshme. Dhe të njëjtën potencialitet ia lejon edhe shkrimeve të tija pasi këto i kanë dalë nga dora; ai, por edhe lexuesi që thërret në jetë, janë tepër të urtë për t’i varur shpresat tek spiranca e rrejshmërisë biografike (biographical fallacy).

  6. Nga fundi i jetes bente shpesh deklarata te tilla modeste. Diku ka thene: “Le te mburren te tjeret me ato ç’kane shkruar! Une krenohem me librat qe kam lexuar”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin